Lajmet

Probleme gati të njëjta me të drejtat e njeriut

Human Rights Watch, organizatë me seli në Nju Jork, publikoi të enjten raportin për vitin 2021.

Published

on

Nisja e gjykimit të parë në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë dhe dënimi i parë i shqiptuar në Kosovë për përdhunim gjatë kohës së luftës janë dy ngjarjet që i veçon organizata Human Rights Watch në krye të raportit vjetor për të drejtat e njeriut – pjesa për Kosovën.

Human Rights Watch, organizatë me seli në Nju Jork, publikoi të enjten raportin për vitin 2021, i cili përmbledh kushtet e të drejtave të njeriut në mbi 100 vende dhe territore të botës.

Në pjesën për Kosovën, organizata kujton se Dhomat e Specializuara për Kosovën kanë nisur në shtator gjyqin e parë për krime të luftës.

Në raport përmendet i pandehuri Salih Mustafa, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili akuzohet për vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim arbitrar, gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë.

Raporti përmend edhe dënimin e ish-policit serb, Zoran Vukotiq, për dhunë seksuale gjatë kohës së luftës.

Dënimi me dhjetë vjet burgim është shqiptuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës, ndërsa Human Rights Watch e cilëson si “historik”.

“Në mars, Policia e Kosovës ka arrestuar një shqiptar të Kosovës, me shtetësi serbe, nën dyshimet për krime lufte kundër popullatës civile, gjatë një operacioni të forcave serbe në vitin 1999, kur janë vrarë 147 civilë”, thuhet po ashtu në raport.

Po në muajin mars, thekson raporti, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi dy ish-policë, Zllatan Kërstiq dhe Destan Shabanaj, për përfshirjen e tyre në një sulm në vitin 1999, në të cilin kanë mbetur të vrarë katër anëtarë të një familjeje etnike shqiptare.

Ata janë dënuar me katërmbëdhjetë vjet e gjysmë, përkatësisht shtatë vjet burgim.

Te pjesa për llogaridhënien e institucioneve ndërkombëtare, raporti i organizatës Human Rights Watch thotë se “nuk ka pasur asnjë përparim” drejt kompensimit financiar të pjesëtarëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, që, siç thuhet, kanë qenë viktima të helmimit në disa kampe për persona të zhvendosur, të cilat janë ngritur nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

Këto kampe janë përmendur edhe në raportin e vitit të kaluar të organizatës Human Rights Watch.

Në atë raport, organizata ka thënë se Kombet e Bashkuara as nuk u kanë paguar kompensim viktimave, as nuk kanë kërkuar falje.

“Diskriminimi ndaj romëve, ashkalive dhe egjiptianëve në Kosovë mbetet problem”, thuhet në raportin e publikuar të enjten.

Te pjesa për pakicat, raporti përmend edhe rastin e vrasjes së politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq.

“Persekutimi i gjashtë të pandehurve të akuzuar për vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, në vitin 2018, ka vazhduar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me aktakuzën e konfirmuar në maj. Gjykimi filloi në korrik pas vonesave në vitin 2020”, thuhet në raport.

Te pjesa për të drejtat e grave, Human Rights Watch thekson se “të mbijetuarit e dhunës në familje kanë vazhduar të përballen me pengesa në marrjen e mbrojtjes” dhe me “reagim joadekuat të shtetit”.

Vlerësime të ngjashme për këtë kategori janë bërë edhe vitin e kaluar.

Në raportin e lëshuar më 2021, Human Rights Watch ka theksuar se dhuna në familje mbetet problem në Kosovë dhe se për të “ka pak ndjekje penale”.

Në raportin e ri, Human Rights Watch thotë se “një mekanizëm i vitit 2018, i ngritur për të ndihmuar në sigurimin e kompensimit financiar për rreth 20,000 të mbijetuar të dhunës seksuale në luftë, ka vazhduar të ketë arritje të kufizuara”.

Konstatim i njëjtë është bërë edhe në raportin e një viti më parë.

Në pjesën për azilkërkuesit dhe personat e zhvendosur, Human Rights Watch bën të ditur se “gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2021, Komisionari i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatë ka regjistruar 261 kthime vullnetare të pjesëtarëve të pakicave etnike në Kosovë nga vendet e tjera”.

Shifra është më e lartë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2020, kur janë regjistruar 245 kthime të tilla.

Human Rights Watch ndalet edhe tek orientimi seksual dhe identiteti gjinor dhe kujton se Qendra për Barazi dhe Liri e komunitetit homoseksual (LGBT) në Kosovë ka shprehur shqetësim në muajin tetor për, siç thuhet, “hetimet joadekuate” të “kërcënimeve dhe gjuhës së urrejtjes” kundër personave dhe aktivistëve LGBT, veçanërisht në mediat sociale.

Gjuha e urrejtjes në mediat sociale kundër komunitetit LGBT është përmendur si problem edhe vitin e kaluar.

Sipas raportit të ri, gazetarët po ashtu kanë vazhduar të jenë shënjestër e sulmeve, kërcënimeve dhe frikësimit, ndërsa autorët rrallë janë mbajtur përgjegjës.

“Në periudhën janar-shtator, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka regjistruar 18 raste të kërcënimeve, frikësimit dhe dhunës ndaj gazetarëve dhe mediave. Të paktën nëntë raste kanë qenë nën hetime në kohën e shkrimit [të raportit], por hetimet dhe ndjekjet penale kanë qenë të ngadalta”, shkruan Human Rights Watch.

Edhe vitin e kaluar, Human Rights Watch ka përmendur 18 raste të kërcënimeve dhe dhunës kundër gazetarëve dhe mediave.

Raporti i ri përmend edhe, siç thuhet, rritjen e tensioneve midis Serbisë dhe Kosovës, pasi autoritetet e Kosovës “kanë urdhëruar automjetet që t’i heqin targat e Serbisë kur të hyjnë në Kosovë”.

“Palët thuhet se kanë arritur kompromis në fund të shtatorit, me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Mirosllav Lajçak”, thuhet në raport.

Ai thekson se Raporti i Progresit i Komisionit Evropian, i publikuar në tetor, ka kërkuar që Kosova të bëjë më shumë për të garantuar në mënyrë efektive të drejtat e pakicave, përfshirë romët, ashkalinjtë dhe personat e zhvendosur, si dhe për të siguruar barazinë gjinore në praktikë.

Lajmet

Muriqi shënon për Kosovën dhe golin ia dedikon çlirimtarëve: “Drejtësi për çlirimtarët”

Published

on

By

Kosova ka shënuar më në fund golin e parë. Pas një gjuajtjeje të Ermal Krasniqit, topi u përplas fillimisht në traversë pas një devijimi, ndërsa Vedat Muriqi realizoi nga afërsia me kokë, duke e dërguar topin në rrjetë.

Muriqi golin ia dedikoi ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët javën e kaluar u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.

Pas golit, para shikuesve, sulmuesi i Kosovës ngriti fanellën me mbishkrimin “Drejtësi për çlirimtarët”, duke përcjellë mesazhin e tij në një moment emocionues për tifozët.

D.L

Continue Reading

Lajmet

REL: Keqardhje që Serbia s’ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për sulmin në Banjskë

Published

on

Në përvjetorin e tretë të sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, Bashkimi Evropian shprehu keqardhje që Serbia nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm ndaj të dyshuarve që gjenden në territorin e saj.

“BE-ja vazhdimisht ka bërë thirrje që përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë dhe shpreh keqardhje që, deri më tani, Serbia nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të arrestuar dhe ndjekur penalisht ata, me akuza përkatëse, të personave që gjenden në Serbi”, tha një zëdhënës i BE-së.

Tre vjet më parë, në Banjskë të Zveçanit një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë këmbimit të zjarrit, tre sulmues serbë u vranë.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit.

Radoiçiq ka adresë të regjistruar në Serbi, teksa Kosova vazhdimisht kërkon që ai të ekstradohet në mënyrë që të përballet me drejtësinë.

“Ne presim që Serbia të bashkëpunojë plotësisht përmes kanalit të krijuar për ndihmë të ndërsjellë juridike. Kjo çështje ka mbetur pezull për një kohë të gjatë dhe Serbia duhet ta trajtojë atë sa më shpejt”, tha zëdhënësi i BE-së.

Në deklaratën e BE-së tha se çështjen e Banjskës, përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, e ka ngritur gjatë takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë takimit në Nju Jork.

Po në Nju Jork, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ngriti çështjen e sulmit në Banjskë gjatë takimit me Kallasin.

Kuri tha se Radoiçiq dhe persona të tjerë që morën pjesë në sulm po “mbrohen nga presidenti i Serbisë”, duke shtuar se ka kërkuar përkrahjen e BE-së që t’i bëjë trysni Serbisë për këtë çështje.

Përveç BE-së, edhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar vazhdimisht që të përfshirët në sulm të përballen me drejtësinë.

Kosova ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave, përfshirë Radoiçiqit, për sulmin në Banjskë. Gjykimi është mbajtur vetëm ndaj tre personave, të cilët janë dënuar nga shkalla e parë e gjyqësorit: një me 30 vjet burgim dhe dy persona me burgim të përjetshëm.

Continue Reading

Lajmet

Nora Gjakova diplomon në UBT, xhudistja përmbyll me sukses studimet në Shkencat e Sportit

Published

on

Xhudistja kosovare dhe kampionia olimpike, Nora Gjakova, ka diplomuar në UBT, në Fakultetin e Shkencave të Sportit dhe të Lëvizjes, në programin “Shëndeti dhe Aktiviteti Fizik”.
Gjakova, e cila ndër vite ka përfaqësuar Kosovën në garat më të rëndësishme ndërkombëtare të xhudos, ka përfunduar studimet me një temë diplome që lidhet drejtpërdrejt me sportin që e ka shoqëruar gjatë gjithë karrierës së saj.
Tema e punimit të saj ishte “Monitorimi i shkallës së lodhjes akute dhe rikuperimit pas një ndeshjeje të simuluar të xhudos përmes metodës indirekte (two-point velocity), të bazuar në shpejtësi në teknikën Bench Press”.
Punimi është realizuar nën mentorimin e Asoc. Prof. Dr. Milaim Berishës.
Me këtë arritje akademike, Nora Gjakova i shton një tjetër sukses rrugëtimit të saj, kësaj radhe në fushën e arsimit dhe shkencës sportive.

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet një zyrtar që dyshohet se mori ryshfet nga pronarë biznesesh

Published

on

Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Rahovec, i dyshuar për veprën penale “Marrja e ryshfetit”.

Sipas Policisë, i dyshuari, mashkull kosovar, në periudha dhe lokacione të ndryshme në zonën e Rahovecit, dyshohet se kishte kërkuar dhe pranuar ryshfet nga pronarë të bizneseve, në këmbim të moskryerjes së kontrolleve apo mosndëshkimit për shkeljet e ligjit.

Gjatë hetimeve, të zhvilluara në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë, janë siguruar dëshmi se i dyshuari dyshohet se kishte pranuar në disa raste shuma prej 300 deri në 500 euro nga pronarë të ndryshëm biznesesh.

Me urdhër të Gjykatës Themelore në Gjakovë, më 24 shtator janë kontrolluar ambienti i punës dhe veturat që i dyshuari kishte në shfrytëzim. Gjatë kontrollit është sekuestruar edhe një telefon celular.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara