Lajmet

Pritjet për takimin e sotëm Kurti-Vuçiq në Berlin

Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se presioni më i madh duhet të drejtohet kah Serbia.

Published

on

Pas dhjetë muajve sot do të rikthehen takimet e nivelit të lartë të dialogut Kosovë-Serbi. Për herë të tretë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të zhvillojë takim kokë më kokë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pas takimeve me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.

Qëndrimi i sotëm në Berlin i liderëve të Kosovës dhe Serbisë dhe përfshirja e Gjermanisë në dialog po konsiderohet t’i jep dinamikë të re procesit për arritjen e marrëveshjes finale, por edhe si mundësi e përafrimit të marrëveshjeve të pazbatuara deri më tani, përfshirë edhe ajo për targat.

Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se Kosova dhe Serbia duhet t’i marrin seriozisht kërkesat që mund të vijnë nga kancelari Scholz për arritjen e marrëveshjes finale me qendër njohjen reciproke.

Në këtë drejtim, duke e cilësuar si shumë të rëndësishme edhe takimin e kryeministrit Kurti me kancelarin gjerman, Haxholli thotë se presioni më i madh duhet të drejtohet kah Serbia, pasi e njëjta po heziton në njohjen e shtetësisë së Kosovës.

“Palëve do t’iu kërkohet edhe Kosovës dhe Serbisë që të përkushtohen më shumë në procesin e dialogut dhe arritjen e një marrëveshje finale, ligjërisht të obligueshme që kërkohet tash e shumë kohë nga ana e BE-së, kërkesë në gjitha raportet zyrtare që vijnë nga BE-ja kur i drejtohen Kosovës dhe Serbisë. Vizita është padyshim shumë e rëndësishme, mendoj se roli i Gjermanisë do t’i jep një dinamikë të re procesit të dialogut, pasi vjen një kërkesë nga një shtet shumë i rëndësishme i BE-së dhe besoj se Kosova dhe Serbia do të marrin shumë seriozisht kërkesat që mund të vijnë nga kancelari gjerman. Në këtë drejtim, besoj se presioni më i madh duhet të drejtohet kah Serbia, pasi është ky shtet që refuzon të njoh shtetin e pavarur të Kosovës dhe që ka bërë pengesa në arritjen e një marrëveshje që në qendër ka njohjen reciproke”, deklaron Haxholli.

Nga ana tjetër, njohësi i procesit të dialogut, Gazmir Raci, thotë se me rëndësi të veçantë është rikthimi i dialogut të nivelit të lartë dhe veçmas në zyrën e kancelarit gjerman, Olaf Scholz. Kjo, sipas tij tregon se palët po i rikthehen dialogut me objektiv të qartë, arritjen e marrëveshjes finale.

“Me rëndësi është që takimet e nivelit të lartë po rikthehen dhe atë në zyrën e kancelarit gjerman. Kjo tregon se Gjermania socialdemokrate është po ashtu e njëjta me Gjermaninë e kancelares Merkel. Kjo është e rëndësishme për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor, sepse palët po i kthehen dialogut për të arritur marrëveshjen finale sa më shpejt të jetë e mundur. Takimi po mbahet edhe për shkak të zhvillimeve të fundit gjeopolitike dhe luftës në Ukrainë. Natyrisht edhe Gjermania dhe SHBA janë të interesuar që Ballkanin Perëndimor të stabilizojnë sa më shpejtë të jetë e mundur, në mënyrë që të mos jetë arenë e përplasjeve të reja të Rusisë”, tha Raci.

Takimin Kurti-Vuçiq, Violeta Haxholli e sheh edhe si mundësi për përafrimin e diskutimeve në disa marrëveshje të tjera që nuk po zbatohen, përfshirë edhe ajo për targat e automjeteve.

“Çështja e targave dhe çështja e marrëveshjeve të tjera që ende hasin në sfidat e zbatimit mund të jetë si çështje që mund të përmendet, por nuk besoj se mund të ketë ndonjë marrëveshje në këtë takim sa i përket kësaj çështje të veçantë. Besoj se diskutimi do të fokusohet në pika të trasha sa i përket procesit të dialogut në rritjen e përpjekje të dy palëve për të arritur një marrëveshje finale”, shton ajo.

Vitin e kaluar, kryeministri Albin Kurti zhvilloi dy takime me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, por pa arritur ndonjë progres në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Takimi i sotëm Kurti-Vuçiq do të ndodhë me prezencën e ndërmjetësuesit, njëherësh emisarit special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, i cili po ashtu do të ketë takim me kancelarin gjerman në Berlin./KP

Live

Izraeli voton të martën: Netanyahu në garë të ngushtë për mbijetesë politike pas tre vitesh luftë

Published

on

By

Tre vjet pas sulmit të 7 tetorit 2023, Izraeli përballet të martën me zgjedhje parlamentare vendimtare, ku kryeministri 77-vjeçar, Benjamin Netanyahu, kërkon rizgjedhjen në një garë jashtëzakonisht të ngushtë.

Zgjedhjet shihen si një plebishit për të ardhmen e vendit dhe llogaridhënien e pushtetit:

Kundërshtarët: Të udhëhequr nga ish-shefi i ushtrisë Gadi Eisenkot, kërkojnë përgjegjësi për dështimet e sigurisë të 7 tetorit dhe e akuzojnë Netanyahun për udhëheqjen e një “luftë të përjetshme” pa fitore politike.

Mbështetësit: E shohin Netanyahun si të vetmin lider që i bëri ballë Hamasit, Hezbollahut dhe Iranit, ndërsa vetë ai ka mbështetur fushatën në sloganin e djathtë kundër krijimit të një shteti palestinez dhe mbështetjen e presidentit amerikan Donald Trump.

Përveç pasojave të luftës, votuesit mbeten të ndarë edhe për përjashtimin e ultraortodoksëve nga shërbimi ushtarak dhe reformën e diskutueshme në gjyqësor. Meqë asnjë parti nuk pritet të fitojë vetëm shumicën prej 61 mandatesh, rezultati do të përcaktohet nga bisedimet e vështira për koalicion.

 

Continue Reading

Aktualitet

Reagimi i Prokurorisë: Si u trajtuan rastet dhe paralajmërimet e Arlinda Zekajt para se të vritej

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Pejë ka reaguar edhe njëherë lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke njoftuar për siç thuhet në komunikatë, veprimet që ka ndërmarrë kryeprokurorja e kësaj Prokurorie dhe prokurorët e shtetit pas pranimit të kërkesës së viktimës dhe gjatë trajtimit të rasteve të raportuara më parë.

Në komunikatë thuhet se dy ditë para vrasjes së saj, më 23 tetor, kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të tani të ndjerës, J.S., për veprën penale të kanosjes në kuadër të marrëdhënies familjare. Ndërkaq më 16 tetor, disa ditë para ngritjes së aktakuzës,  Gjykata kishte nxjerrë një vendim përmes të cilit ishte urdhëruar që ish-bashkëshorti i tani të ndjerës ta lejonte atë të kthehej dhe ta shfrytëzonte shtëpinë e përbashkët. Po ashtu, ishte lëshuar urdhër mbrojtjeje për një periudhë gjashtëmujore, i cili kishte hyrë në fuqi menjëherë.

“Sipas vendimit gjyqësor, zbatimi i urdhrit dhe njoftimi i Gjykatës për zbatimin e tij apo për pengesat eventuale ishin përgjegjësi e Policisë së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Bëhet e ditur se në ditën kur viktima kishte kërkuar zbatimin e urdhrit dhe kthimin në shtëpinë e përbashkët, Policia e Kosovës e kishte njoftuar prokurorin kujdestar për rrethanat e rastit. Pas vlerësimit të situatës dhe të rrezikut të mundshëm për sigurinë e saj, thuhet se prokurori i shtetit kishte vlerësuar se kthimi i menjëhershëm në shtëpinë e përbashkët mund të paraqiste rrezik për jetën dhe sigurinë e viktimës.

“Me qëllim të mbrojtjes së saj, prokurori kishte kontaktuar familjarët e viktimës, përkatësisht vëllezërit e saj, të cilët ishin ftuar në stacionin policor dhe ishin njoftuar për rrethanat e rastit.  Pavarësisht insistimit të viktimës për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët, prokurori i shtetit, duke marrë parasysh rrethanat e paraqitura dhe rrezikun e mundshëm, kishte udhëzuar që ajo të dërgohej në shtëpinë e vëllezërve të saj”, thuhet në njoftim.

Me kërkesën e shprehur të viktimës, në komunikatë thuhet se prokurori i shtetit dhe hetuesit policorë, në praninë e saj dhe të familjarëve, kishin përpiluar një shkresë zyrtare në të cilën ishin paraqitur arsyet përse ishte vlerësuar e nevojshme që ajo të qëndronte te vëllezërit e saj.

Pas bisedimeve, thuhet se viktima kishte pranuar të shkonte te familjarët, por kishte kërkuar që të nesërmen të shoqërohej nga një patrullë policore për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët.

Po atë natë, prokurori i shtetit, së bashku me hetuesit e rastit, kishte bërë vlerësimin profesional të nivelit të rrezikut dhe të masave të nevojshme të sigurisë. Si rezultat, ishte vendosur që, gjatë kthimit të planifikuar të viktimës në shtëpinë e përbashkët, një patrullë policore të qëndronte në afërsi të shtëpisë.

“Për këto rrethana ishte përpiluar procesverbali i datës 22 tetor 2026. Prokurori i rastit kishte kërkuar që përmes së njëjtës shkresë të njoftohej edhe gjyqtari i çështjes që kishte nxjerrë vendimin për shfrytëzimin e shtëpisë së përbashkët nga bashkëshortët”, thuhet në njoftim.

Theksohet se pasi kryeprokurorja pasi kishte pranuar kërkesën nga Zekaj ku ishte ankuar për mënyrën e trajtimit të rasteve të mëparshme, kishte kërkuar që me urgjencë të vlerësohej situata në mënyrë që sipas saj “të verifikoheshin pretendimet për lëshime eventuale dhe të ndërmerreshin veprimet brenda përgjegjësive ligjore të secilit institucion”.

Nata kritike: Kthimi në shtëpi nën shoqërimin e Policisë dhe vrasja 

Prokuroria ka sqaruar se natën kritike, më 25 tetor 2026, në orën 19:48, Policia e Kosovës kishte kontaktuar prokurorin kujdestar të Departamentit të Përgjithshëm lidhur me një rast të dyshuar të dhunës në familje, i cili kishte ndodhur në shtëpinë e tani të ndjerës.

Në stacionin policor ishin shoqëruar ish-bashkëshorti i saj, J.S., dhe viktima. Në lidhje me rastin ishte iniciuar procedurë për veprën penale të mospërfilljes së gjykatës, ndërsa J.S. ishte ndaluar për 48 orë.

Gjatë trajtimit të rastit, Prokuroria thotë se viktimës i ishte ofruar mundësia për të shkuar në një strehimore, por ajo kishte refuzuar, duke kërkuar të kthehej në shtëpinë e përbashkët, ku ndodhej djali i saj dhe pasuria e saj.

Pas kësaj, viktima ishte shoqëruar nga një patrullë policore për në shtëpi, rreth orës 21:00. Pak minuta pas kthimit të saj, prokurori kujdestar ishte njoftuar se ajo ishte goditur me një mjet të fortë brenda shtëpisë nga kunati i saj, A.S., i dyshuar në këtë rast.

Pas marrjes së njoftimit, në vendin e ngjarjes kishin dalë njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës, Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë dhe prokurorja kujdestare e Departamentit për Krime të Rënda, me qëllim të përcjelljes nga afër të situatës dhe ndërmarrjes së veprimeve fillestare hetimore në vendin e ngjarjes.

Prokuroria njofton gjithashtu se, më 23 tetor 2026, kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të tani të ndjerës, J.S., për veprën penale të kanosjes në kuadër të marrëdhënies familjare.

Prokuroria Themelore në Pejë deklaron se pretendimet e paraqitura nga tani e ndjera Arlinda Zekaj në kërkesën e saj janë trajtuar me seriozitet dhe se Kryeprokurorja ka ndërmarrë veprime për adresimin e tyre te institucionet kompetente, si dhe ka iniciuar rast për hetimin e veprimeve ose mosveprimeve të mundshme të personave zyrtarë.

“Prokuroria shpreh keqardhje të thellë për humbjen tragjike të jetës së Arlinda Zekajt dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e saj. Në të njëjtën kohë, Prokuroria thekson rëndësinë e një hetimi të plotë, objektiv dhe profesional për zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij rasti dhe vlerësimin e përgjegjësive eventuale të të gjithë personave të përfshirë. Policia e Kosovës është duke ndërmarrë veprime për lokalizimin dhe arrestimin e personit të dyshuar, i cili ende nuk është arrestuar”, thuhet në njoftim.

 

Continue Reading

Vendi

Sot seancë e jashtëzakonshme për vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë të jashtëzakonshme në orën 16:00 lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.

Lajmin e ka bërë të ditur Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Në një deklarim për media, Nagavci theksoi se të gjithë zyrtarët institucionalë që kanë dështuar të veprojnë apo të ofrojë mbrojtje në këtë rast duhet të hetohen dhe të mbajnë përgjegjësi të plotë.

Arlinda Zekaj u vra të dielën në mbrëmje në fshatin Vitomiricë të Pejës, ndërsa i dyshuari për kryerjen e kësaj vrasjeje të rëndë është kunati i saj, i cili vazhdon të jetë në arrati.

Continue Reading

Lajmet

Policia shpall në kërkim Albert Sylajn, kërkohet ndihma e qytetarëve

Published

on

By

Policia e Kosovës – Drejtoria Rajonale në Pejë, me autorizim të Prokurorisë Themelore në Pejë, ka lëshuar një kërkesë zyrtare për bashkëpunim me qytetarët me qëllim lokalizimin dhe arrestimin e një personi të dyshuar për veprën penale “Vrasje e rëndë”.

I kërkuari është Albert (Sylejman) Sylaj, i lindur më 12 dhjetor 1984 në Deçan.

Policia u bën thirrje të gjithë qytetarëve që kanë çfarëdo informacioni lidhur me vendndodhjen e të dyshuarit, të njoftojnë menjëhirë organet e rendit ose të paraqiten në stacionin më të afërt policor.

Kontaktet për të lajmëruar Policinë e Kosovës:

  • 192 dhe 0800 19999 (të dy numrat pa pagesë)
  • 039 432 327 (Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë)

Continue Reading

Të kërkuara