Lajmet

Pritjet e Gjermanisë nga samiti Ballkani Perëndimor-BE

Gjermania është një nga vendet që e mbështet perspektivën e Ballkanit Perëndimor në BE.

Published

on

Samiti BE-Ballkan Perëndimor në Brdo pri Kranju, Slloveni, synon të ruajë perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Çfarë presin ekspertët dhe politika në Gjermani?

Gjermania është një nga vendet që e mbështet perspektivën e Ballkanit Perëndimor në BE. Ministri i jashtëm Heiko Maas, kishte apeluar të hënën në kuadër të një takimi me homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Bujar Osmani për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, përkatësisht fillimin e konferencës së parë ndërqeveritare. Ky proces për momentin ka ngecur, për shkak të vetos bullgare. Maas tha se Samiti i BE-së me Ballkanin Perëndimor në Brdo pri Kranju duhet të “dërgojë në rajon mesazhin e qartë se anëtarësimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE është një synim i arritshëm.

Ekonomia gjermane për çelje të negociatave

Edhe kryetari i Shoqatës së Bizneseve në Lindje, Oliver Hermes , sipas një deklarate të publikuar në prag të samitit ka kërkuar nga qeveria gjermane të lobojë për çeljen zyrtare të negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, siç del në pah nga një dokument pozicionimi që nga ka nxjerrë në prag të samitit Shoqata e Bizneseve të Lindjes. “Presim nga qeveria e re që të vijojë angazhimin e deritanishëm dhe të investohet me vendosmëri në Bruksel për çeljen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, çfarë është miratuar qysh vitin e kaluar”, the Hermes. 

Shkëmbimi i mallrave të Gjermanisë me rajonin është trefishuar në periudhën 2009 dhe 2019 në më shumë se dymbëdhjetë miliardë euro. Kompanitë gjermane kanë kryer investime në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, e sidomos në Serbi, ku numri i vendeve të punës të hapura falë investimeve gjermane ka arritur në 70.000, e në Bosnjë dhe Hercegovinë rreth 35 000 vende pune. Një shifër e ngjashme synohet të arrihet edhe në Maqedoninë e Veriut.

Te investohet në energji të ripërtërishme

Agora Energiewende, një think tank me qendër në Berlin, bën thirrje që në kuadër të axhendës së gjelbër, që është pjesë e Planit Ekonomik dhe Investitor të BE-së, të dilet nga përfitimi i ekonomisë nëpërmjet qymyrit. Në një studim të publikuar në prag të samitit, Agorawende thotë se dy minierat e qymyrit që janë planifikuar të ndërtohen në rajon janë destinuar të dalin me humbje. Kjo, pasi vetë nxjerrja e qymyrit është shumë kushtueshme,  por edhe për shkak të rritjes së masave që duhen marrë për mbajtjen e ajrit të pastër, si edhe për faktin që do të vështirësohet shitja e energjisë së fituar prej qymyri në Evropë. Agora Energiewende kërkon që të fillohet që tani me kalimin në energji të ripërtërishme e cila sipas saj është e mundur te realizohet deri në vitin 2040.

Samiti i Sllovenisë

Ekologjizimi dhe digjitalizimi i ekonomive të Ballkanit Perëndimor janë pjesë Planit Ekonomik dhe Investitor të BE-së. BE-ja dhuron 9 miliardë euro, ndërsa synon të gjenerojë  30 miliardë euro të tjera përmes investimeve private.

“Plani ekonomik nuk do të sjellë rritje ekonomike” 

Por një studim i përbashkët i Fondacionit gjerman Bertelsmann dhe Instituti Vjenez për Ekonomi të Krahasuar, publikuar në prag të samitit, e kritikon këtë strategji. Autorët Stefani Weiss dhe Richard Grieveson janë të mendimit se pakoja ekonomike e BE-së nuk do ta ndryshojë gjendjen e trishtë ekonomike në Ballkanin Perëndimor. Dhe se investime të tilla edhe në të kaluarën nuk kanë funksionuar.

Rritja e këmbimit tregtar brenda rajonit nuk e ka rritur mirëqenien për kokë të popullsisë së rajonit, i cili është ende 15 deri 20 herë më i ulët se ai i  BE-së. Ata propozojnë integrimin ekonomik të rajonit me BE-në, duke hapur fondet strukturore dhe të kohezionit si edhe instrumente të tjera të financiare.

Continue Reading

Lajmet

Nesër shpallet aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

Published

on

Nesër, më 16 shtator, Gjykata Speciale në Hagë pritet të shpallë aktgjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Me këtë aktgjykim pritet të përmbyllet procesi gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, i cili ka zgjatur për gati gjashtë vjet, që nga nisja e procedurave ndaj tyre.

Procesi gjyqësor është zhvilluar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ku gjatë këtyre viteve janë dëgjuar dëshmitarë dhe janë shqyrtuar dëshmi e materiale të paraqitura nga Prokuroria dhe mbrojtja.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë përballur me akuza për krime lufte të cilat ata i kanë mohuar.

Seanca për shpalljen e aktgjykimit është caktuar të nisë në orën 10:00, ndërsa vendimi pritet të përcaktojë përfundimin e shkallës së parë të këtij procesi të gjatë gjyqësor.

Vendimi pritet të ndiqet me vëmendje të madhe në Kosovë dhe nga familjarët, mbështetësit dhe institucionet e vendit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Gruda u bën thirrje qytetarëve për qetësi para vendimit të Speciales

Published

on

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, u ka bërë thirrje të gjithë akterëve publikë që të ruajnë qetësinë dhe të shmangin krijimin e panikut te qytetarët, një ditë para shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Në një konferencë për media të martën, Gruda tha se reagimet e ditëve të fundit për mundësinë e trazirave në rast të një vendimi dënues kanë krijuar, sipas tij, ankth të panevojshëm te qytetarët.

“Si PDK, kemi përcjellë me shqetësim disa reagime publike të ditëve të fundit, të cilat kanë krijuar ankth të panevojshëm te qytetarët. Në momente të tilla, të gjithë akterët publikë kanë përgjegjësi të tregojnë maturi dhe kujdes. Kosova ka dëshmuar se di t’i përballojë momentet e mëdha me dinjitet”, tha Gruda.

Ai deklaroi se PDK pret që Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi të shpallen të pafajshëm, duke argumentuar se lufta e UÇK-së nuk mund të vendoset në të njëjtin plan me, siç tha ai, politikën shtetërore të agresionit, represionit dhe spastrimit etnik të regjimit serb.

“Ne e themi sot me shpresë dhe besim: nesër duam të festojmë. Duam t’i shohim Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin të lirë dhe në rrugën e kthimit në Kosovë”, tha ai.

Gruda paralajmëroi se në rast të një vendimi ndryshe, ai do të kundërshtohet me vendosmëri, argumente dhe me të gjitha mjetet juridike e demokratike në dispozicion.

“Partnerëve tanë ndërkombëtarë u kërkojmë të njëjtën gjë që kemi kërkuar gjithmonë: drejtësi të bazuar në prova, standarde të barabarta dhe respekt për të vërtetën historike të Kosovës”, tha deputeti i PDK-së.

Duke iu referuar represionit, dhunës, dëbimeve dhe vrasjeve gjatë luftës në Kosovë, Gruda tha se historia nuk duhet të rishkruhet.

“Në vitin 1999, UÇK-ja dhe demokracitë perëndimore u gjendën bashkë në anën e drejtë të historisë. Ky partneritet dhe kjo mbështetje ndërkombëtare i dhanë fund një katastrofe humanitare dhe hapën rrugën drejt lirisë dhe shtetit të Kosovës”, theksoi ai.

Aktgjykimi ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit pritet të shpallet të mërkurën, më 16 shtator, nga ora 10:00./A.K/

Continue Reading

Lajmet

REL: Sa i kushtoi Kosovës mbrojtja e të akuzuarve në Hagë?

Published

on

By

Mbi 40.6 milionë euro janë paguar nga buxheti i Kosovës për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar para Dhomave të Specializuara në Hagë.

Pjesa më e madhe e kësaj shume – rreth 39.8 milionë euro – është shpenzuar për mbrojtjen juridike, sipas të dhënave që Ministria e Drejtësisë e Kosovës ia ka dërguar Radios Evropa e Lirë.

Vetëm për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin janë paguar mbi 28.4 milionë euro nga viti 2021 deri më 14 shtator 2026.

Të dhënat bëhen publike në prag të 16 shtatorit, kur katër ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pritet të dëgjojnë aktgjykimin, pas më shumë se tre vjetësh gjykim.

Të katërt, që mbahen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ata i kanë mohuar akuzat dhe janë deklaruar të pafajshëm.

Mbi 40.6 milionë euro janë paguar nga buxheti i Kosovës për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar para Dhomave të Specializuara në Hagë.

Pjesa më e madhe e kësaj shume – rreth 39.8 milionë euro – është shpenzuar për mbrojtjen juridike, sipas të dhënave që Ministria e Drejtësisë e Kosovës ia ka dërguar Radios Evropa e Lirë.

Vetëm për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin janë paguar mbi 28.4 milionë euro nga viti 2021 deri më 14 shtator 2026.

Të dhënat bëhen publike në prag të 16 shtatorit, kur katër ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pritet të dëgjojnë aktgjykimin, pas më shumë se tre vjetësh gjykim.

Të katërt, që mbahen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ata i kanë mohuar akuzat dhe janë deklaruar të pafajshëm.

Pagesat auditohen, por raporti nuk është publik

Shpenzimet për mbrojtjen në Hagë i nënshtrohen auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), por rezultatet e këtij auditimi nuk janë të qasshme për publikun.

Në raportet e auditimit të Ministrisë së Drejtësisë, ZKA-ja ka sqaruar se pagesat nga subvencionet dhe transferet për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave potencialisht të akuzuar janë të klasifikuara në nivelin “i kufizuar”.

Për këtë arsye, ato nuk përfshihen në raportin publik të auditimit të Ministrisë.

ZKA-ja thotë se këto pagesa auditohen ndaras dhe se për to përgatitet raport i posaçëm, i cili u komunikohet vetëm palëve përgjegjëse.

Kërkesa për më shumë transparencë

Ndonëse të dhënat nga Ministria e Drejtësisë japin një pasqyrë të detajuar të shpenzimeve për katër të akuzuarit, organizatat që kanë monitoruar këtë çështje, thonë se transparenca për përdorimin e këtyre mjeteve ka qenë problem ndër vite.

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, thotë se ky institut ka ngritur që nga viti 2020 shqetësime për mungesën e informatave rreth mënyrës se si shpenzohen paratë publike për mbrojtjen në Hagë.

“Jo rrallëherë kemi parë edhe politizim të partisë në pushtet lidhur me shpenzimet e mbrojtjes, duke publikuar shumat totale për të gjithë të pandehurit, duke ndërtuar jo rrallëherë dhe narrativin sikur shteti po shpenzon miliona euro për të njëjtit”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Sipas Miftarajt, publiku duhet të dijë jo vetëm shumën totale, por edhe sa është paguar për secilin të akuzuar dhe cilat kategori shërbimesh janë mbuluar – pa cenuar konfidencialitetin e mbrojtjes.

Edhe Anton Nrecaj, drejtor në Qendrën për Ndihmë Juridike dhe Zhvillimin Rajonal (CLARD), thotë se duhet bërë dallim i qartë mes buxhetit të ndarë dhe parave të shpenzuara realisht.

“Janë publikuar disa shuma individuale, por jo të gjitha të dhënat janë të plota. Publiku duhet të dijë shumën, periudhën, kategorinë dhe bazën e pagesës, pa cenuar konfidencialitetin e mbrojtjes”, thotë Nrecaj për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, transparenca duhet të mundësojë edhe verifikimin nëse pagesat janë bërë në përputhje me ligjin, tarifat dhe kompleksitetin e rasteve.

Çfarë paguan shteti?

Baza për financimin nga shteti u krijua në vitin 2015, kur, krahas Ligjit për Dhomat e Specializuara, Kuvendi i Kosovës miratoi edhe Ligjin për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave potencialisht të akuzuar në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.

Ligji u garanton personave që përfshihen në këtë kategori mbështetje financiare për mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes, si dhe forma të tjera të mbështetjes të përcaktuara me ligj dhe akte nënligjore.

Ministria e Drejtësisë thotë se shpenzimet për mbrojtjen realizohen në bazë të Udhëzimit Administrativ MD 08/2022 për mbrojtjen juridike të personave potencialisht të akuzuar, të ndryshuar dhe plotësuar në vitin 2024.

Shpenzimet për vizitat e familjarëve mbulohen në bazë të një udhëzimi tjetër administrativ, të miratuar në vitin 2020 dhe të ndryshuar në vitin 2022.

Sipas rregullave në fuqi, një person i akuzuar mund të vizitohet, me mbështetje financiare, nga më së shumti 12 anëtarë të ngushtë të familjes brenda një viti dhe jo më shumë se tre anëtarë të familjes për një vizitë.

Dhomat e Specializuara u themeluan në vitin 2015 në bazë të ligjeve të Kosovës, por selinë e kanë në Hagë dhe përbëhen nga gjykatës dhe prokurorë ndërkombëtarë.

Ato trajtojnë pretendime për krime të kryera gjatë dhe pas luftës së viteve 1998-1999, të lidhura me ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kompensimi në rast të vendimit të pafajësisë

Ligji dhe një udhëzim administrativ i Ministrisë së Drejtësisë parashohin kompensim për personat e akuzuar para Dhomave të Specializuara që shpallen të pafajshëm me vendim të plotfuqishëm.

Udhëzimi përcakton se e drejta për kompensim për periudhën e privimit nga liria u takon personave ndaj të cilëve është ngritur aktakuzë dhe është zhvilluar procedurë gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, nëse ata shpallen të pafajshëm me vendim të plotfuqishëm.

Përveç periudhës së privimit nga liria, udhëzimi rregullon edhe kompensimin për dëmin material ose fitimin e humbur, si dhe dëmin jomaterial ose moral.

Udhëzimi nuk përcakton një shumë fikse të kompensimit për çdo ditë të kaluar në paraburgim nga një i akuzuar para Dhomave të Specializuara.

Miftaraj thotë se, sipas rregullave dhe praktikës që përdoren për kompensimin e privimit nga liria, shuma ndryshon varësisht nga mënyra se si trajtohet kërkesa dhe rrethanat e rastit.

“Sipas rregulloreve të brendshme të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, referenca administrative për një ditë privim nga liria në mënyrë të kundërligjshme është deri në 25 euro për ditë. Ndërsa praktika gjyqësore, në rastet kur palët e kanë dërguar rastin e tyre deri në gjykatë, ka shkuar nga 30 deri në 60 euro dita, varësisht nga rrethanat e rastit”, shpjegon Miftaraj.

Me aktgjykimin e 16 shtatorit, procesi ndaj katër ish-udhëheqësve të UÇK-së mund të hyjë në një fazë të re.

Të dyja palët do të kenë mundësi apelimi, ndërsa ligji parasheh mbështetje financiare edhe gjatë vazhdimit të procedurave gjyqësore. /REL/

 

 

Continue Reading

Lajmet

Gjykata Speciale ia vazhdon paraburgimin Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit

Published

on

By

Gjykata Speciale në Hagë ka marrë vendim për t’ua vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit.

Lajmin e ka bërë të ditur gazetarja e Klan Kosovës, Rina Mujku, e cila po raporton drejtpërdrejt nga Haga.

Sipas gazetares, vendimi është marrë nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, pasi sot përfundonte afati ligjor nga vendimi i fundit i marrë më 15 korrik. Mujku sqaron se ky veprim përbën një procedurë të zakonshme formale për respektimin e afateve gjyqësore.

Sipas raportimit të Klan Kosovës, për dy të akuzuarit e tjerë në këtë proces, Hashim Thaçin dhe Rexhep Selimin, ende nuk ka një njoftim të ri lidhur me masën e paraburgimit.

Kjo masë procedurale vjen pikërisht një ditë para shpalljes së aktgjykimit për katër ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara