Pas deklaratave të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani e cila akuzoi disa gazetarë për lidhje me Milan Radoiçiqin dhe përfshirje në aktivitete të paligjshme, Prokuroria Speciale e Kosovës ka deklaruar se asnjë gazetar nuk është nën hetim.
Zëdhënësja e Prokurorisë, Arbnora Luta, ka deklaruar se nuk ka asnjë rast të hapur që përfshihen gazetarët.
“Lidhur me çështjen për të cilën keni adresuar pyetje, ju njoftojmë se asnjë gazetar nuk është nën hetim nga Prokuroria Speciale dhe nuk ka asnjë rast të hapur që përfshin gazetarët. Prokuroria Speciale vazhdon të veprojë në përputhje të plotë me ligjin, duke ruajtur pavarësinë, paanshmërinë dhe profesionalizmin në çdo rast”, ka deklaruar Luta.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani gjatë ditës së djeshme në një konferencë për medie deklaroi se “kur hetohen Radojiçiqat dalin bashkëpunëtorët e tyre”, duke aluduar në gazetarë. Ajo tha se gjatë hetimeve kanë dalë shumë prova, duke shtuar se “ata e dinë kush janë, e kanë mizën pas veshi”.
Para gazetarëve e para e vendit foli për arrestimin e djeshëm të një kameramanit, i cili sipas saj xhiroi në një zonë ku nuk pati autorizim./D.B/KP