E përditësuar
08:05
Ish-ndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, do të dëshmoj sot para Gjykatës Speciale, në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së.
Seanca do të fillojë në orën 9:00, përmes transmetimit me 45 minuta vonesë. Në të njëjtën çështje gjyqësore, më 9 shtator 2025, Trupi Gjykues pranoi si prova disa aktekspertiza të dorëzuara nga Mbrojtja e Viktimave dhe një provë materiale të dorëzuar nga Mbrojtja.
Gjykatësit nuk pranuan një provë materiale tjetër që u kërkua të pranohej nga Mbrojtja.
Më 8 shtator 2025, Trupi Gjykues hodhi poshtë kërkesën e Mbrojtjes së Selimit për të vendosur disa garanci gjatë pyetjeve të dëshmitarëve të thirrur nga ekipet e tjera të Mbrojtjes.
Këto përfshinin kufizimin e objektit të pyetjeve dhe moslejimin e palëve që pyetjet në cilësinë e palës jothirrëse të jenë në lidhje me veprimet dhe sjelljen e një të akuzuari që nuk e ka thirrur atë dëshmitar.
Në vendim, Trupi Gjykues shpjegoi se, kuadri i lejuar dhe kufizimet e pyetjeve nga palët jothirrëse janë të përcaktuara në Rregulloren e Procedurës dhe Provave dhe në Urdhrin e Trupit Gjykues për Zhvillimin e Gjykimit.
Palët mund t’u bëjnë pyetje dëshmitarëve lidhur me temat e trajtuara nga pala thirrëse si dhe lidhur me besueshmërinë e dëshmitarit, dhe në përgjithësi janë të autorizuara t’u bëjnë pyetje dëshmitarëve për aspekte që lidhen me argumentet e tyre, me kusht që dëshmitari të jetë në gjendje të japë dëshmi relevante për lëndën.
Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.
Përndryshe Rubin nuk është i vetmi mes emrave të njohur që pritet të dëshmojnë në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së./S.K/EO/