Lajmet

Prishtinë: Mblidhen shefat e policive të kryeqyteteve evropiane, flasin për thellim të bashkëpunimit

Prishtina është nikoqire e konferencës së 42-të e drejtorëve të policive të kryeqyteteve evropiane.

Published

on

Prishtina është nikoqire e konferencës së 42-të e drejtorëve të policive të kryeqyteteve evropiane në të cilin po marrin pjesë përfaqësues të 26 vendeve. Qëllimi i kësaj konferencë është thellimi i bashkëpunimit dhe partneritetit ndërkombëtar në sferën e sigurisë dhe shkëmbimin e përvojave të përparuara.

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq tha se Policia e Kosovës si një institucion i besueshëm po ec drejt përmbushjes së orientim strategjik dhe rritjes së bashkëpunimin ndërkombëtar.

Jankoviq tha se vizioni i Policisë së Kosovës është jetë paqësore dhe e sigurtë për të gjithë qytetarët e vendit.

“Kosova është një partner kredibil dhe i besueshëm dhe se ne po ecim drejt përmbushjes së orientimit tonë strategjik dhe kështu e rrisim bashkëpunimin tonë ndërkombëtar. Është një mundësi e mirë për ne…. Ndërtimi i institucioneve ligjzbatuese, demokratike dhe profesionale ka qenë dhe vazhdon të jetë vizioni ynë për një jetë paqësore dhe të sigurt për të gjithë qytetarët në vend, vizioni i Policisë së Kosovës është vizion i qytetarëve të Kosovës dhe është vizion i përkushtimit në shërbim, vizion i vlerave progresive të qytetërimit dhe civilizimit si ide në vete. Kuadri ligjor i Kosovës lë hapësirë të konsiderueshme për institucionet ligjzbatuese që të parandalojnë dhe të luftojnë krimin. Përgjatë viteve PK ka qenë dhe vazhdon të jetë një prej institucioneve publike me besueshmërinë më të lartë të qytetarëve të vet, besim ky që është arritur falë punës së përkushtuar të zyrtarëve tanë policorë”, tha ai.

Jankoviq u shpreh se Policia e Kosovës synon anëtarësimin në Interpol dhe Europol, prandaj u shpreh se prioritet i këtij institucioni është luftimi i krimit të organizuar, korrupsionit e terrorizmit.

“Prioritetet kryesore të Policisë së Kosovës për vitet në vijim do të jenë lufta e pa kompromise e krimit të organizuar dhe korrupsionit, krimit kibernetikë, terrorizmit por edhe trafikimit vendor dhe ndërkombëtar të çfarëdo lloji sepse qëllimi ynë përfundimtar është që të bëhet pjesëtarë të forumeve ndërkombëtare të sigurisë me fokus të veçantë në INTERPOL dhe EUROPOL”, theksoi ai.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në Prishtinë, Fehmi Xhata u shpreh se organizimi i kësaj konferencë ofron mundësi për të njohur përvoja të reja rreth ruajtjes së sigurisë.

Temat që do të diskutohen në këtë konferencë, sipas Xhatës, kanë të bëjnë me aspektin e sigurisë përfshirë sulmet kibernetike dhe menaxhimi i ngjarjeve sportive dhe protestave.

“Ne si Polici e Kosovës jemi të nderuar me mundësinë që na e kanë dhënë vetë konferenca që në Prishtinë, në kryeqytetin e Kosovës të mbahet kjo konferenca e radhës, punimet veçse kanë filluar por shpresoj që temat të cilat janë zgjedhur edhe do ta zgjojnë kureshtjen e pjesëmarrësve dhe po ashtu do të na japin mundësinë në shkëmbim të informatave, marrjen e përvojave të reja pse jo edhe mësimet e mësuara nga shtetet që kanë edhe përvojë… Duke e ditur që Policia e Kosovës ende nuk është anëtare e Interpolit dhe Europolit dhe ne po mundohemi të paktën këto takime t’i shfrytëzojmë për ngjalljen e kureshtjes dhe për të shkëmbyer informata për punën e Policisë së Kosovës. Ne qëndrojmë mirë me bashkëpunim ndërkombëtar, por kjo do ta forconte shumë, po se do të na jepte mundësinë të jemi partner me shtetet tjera jo vetëm në konsumim të sigurisë por edhe prodhimin e saj në mënyrë të barabartë me shtetet tjera”, u shpreh Xhata.

Konferenca e 43 e drejtorëve të policive të kryeqyteteve evropiane do të organizohet nga Shqipëria.

Lajmet

Policia do t’i kthejë patentat e shoferëve të mbajtura më gjatë se 8 ditë, pas vendimit të Supremes

Published

on

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do t’i kthejë patentat e shoferëve që janë mbajtur përkohësisht për më shumë se afati ligjor prej tetë ditësh, pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme.

Përmes një njoftimi, Policia ka bërë të ditur se më 2 nëntor 2026 ka pranuar aktgjykimin e Gjykatës Supreme, të datës 20 tetor, me të cilin është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar paragrafi 3 i nenit 17 të Udhëzimit Administrativ për Procedurat e Kundërvajtjes.

Sipas Policisë, vendimi nuk i shfuqizon masat mbrojtëse të ndalimit të drejtimit të automjeteve, por përcakton se patentat fizike të shoferëve mund të mbahen për një periudhë maksimale prej tetë ditësh.

“Policia e Kosovës do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për kthimin e patentave të shoferëve, të marrë më herët përkohësisht, për të cilët ka kaluar afati ligjor i mbajtjes, në përputhje me Vendimin e Gjykatës Supreme”, thuhet në njoftim.

Megjithatë, Policia ka sqaruar se kthimi i patentë-shoferit nuk nënkupton automatikisht rikthimin e së drejtës për të drejtuar automjetin.

Personat ndaj të cilëve është shqiptuar masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit duhet ta respektojnë atë deri në përfundimin e afatit të përcaktuar.

Policia ka paralajmëruar se drejtimi i automjetit gjatë kohëzgjatjes së kësaj mase dënohet me gjobë prej 500 eurosh, ndalim të drejtimit për gjashtë muaj, pesë pikë negative dhe konfiskim të përkohshëm të automjetit.

Kontrollet në trafikun rrugor do të vazhdojnë, ndërsa masat mbrojtëse, pikët negative dhe kufizimet e tjera ligjore do të verifikohen përmes evidencave përkatëse.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Rama e quan “show politik” dërgimin në Prokurori të kontratës për ndriçimin publik nga LVV

Published

on

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e ka cilësuar si “show politik” veprimin e përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), të cilët kanë dorëzuar në Prokurorinë Speciale dokumentacionin lidhur me kontratën për ndriçimin publik në kryeqytet.

Përmes një reagimi në Facebook, Rama ka kritikuar përfaqësuesit e LVV-së, duke pretenduar se ata nuk kanë paraqitur propozime konkrete në Kuvendin e Kryeqytetit për përmirësimin e çështjes së ndriçimit publik.

“Vetëvendosja e Prishtinës i paska kapë do letra e paskan shku edhe sot me bo një SHOW POLITIK para Prokurorisë. Votuesit tuaj ish dashtë me e pyet veten, a e keni pru najherë në Asamblenë e Kryeqytetit ndonjë propozim në të mirë të qytetarëve të Prishtinës? Apo keni hi n’asamble me e luajt hetuesin, prokurorin, gjyqtarin, policin, zëdhënësin? Punoni, more, najsen”, ka shkruar Rama.

Reagimi i tij vjen pasi shefi i asamblistëve të LVV-së në Prishtinë, Gëzim Sveçla, dhe deputeti Ilir Kërçeli njoftuan se kanë dorëzuar në Prokurorinë Speciale dokumentacionin për kontratën e ndriçimit “Smart”, duke pretenduar se ka pasur dallime të mëdha në çmime dhe dëmtim të buxhetit të Komunës së Prishtinës.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Qeveria ndan edhe 1 milion euro për Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë

Published

on

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe drejtoresha menaxhuese e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Njomza Hoxha, kanë nënshkruar marrëveshjen për transferimin e 1 milion eurove në mbështetje të veprimtarisë së Fondit dhe avancimit të objektivave në fushën e efiçiencës së energjisë.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Ekonomisë, përmes kësaj marrëveshjeje Qeveria synon të mbështesë uljen e konsumit të energjisë, përdorimin më efikas të saj dhe përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve përmes investimeve afatgjata.

Në njoftim bëhet e ditur se që nga viti 2019, Qeveria e Kosovës ka ndarë gjithsej 10 milionë euro për mbështetjen e Fondit dhe zgjerimin e masave për efiçiencën e energjisë në vend.

Përkrahja është realizuar përmes ndarjeve buxhetore, por edhe bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë për sigurimin e financimit shtesë dhe zgjerimin e programeve që përfshijnë familjet, ndërtesat shumëbanesore dhe institucionet publike.

Investimet e Fondit përfshijnë rinovimin e ndërtesave publike, shtëpive individuale dhe ndërtesave shumëbanesore, me qëllim të uljes së konsumit dhe shpenzimeve për energji, si dhe përmirësimit të kushteve të banimit.

Sipas Ministrisë, këto investime u mundësojnë familjeve të kenë banesa më të ngrohta gjatë dimrit dhe më të freskëta gjatë verës, duke përfituar njëkohësisht nga kursimet në faturat e energjisë.

Përveç përfitimeve për ekonomitë familjare, efiçienca e energjisë ndihmon edhe në uljen e ngarkesës mbi sistemin elektroenergjetik, forcimin e sigurisë energjetike të vendit dhe mbrojtjen e mjedisit.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

LVV dorëzon në Prokurorinë Speciale kontratën për ndriçimin “Smart”, ngre dyshime për dëmtim të buxhetit të Prishtinës

Published

on

Shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla, ka bërë të ditur se së bashku me deputetin Ilir Kërçeli kanë dorëzuar në Prokurorinë Speciale dokumentacionin lidhur me kontratën për ndriçimin publik “Smart”, për të cilën pretendojnë se ka pasur parregullsi dhe se është dëmtuar buxheti i Komunës së Prishtinës.

Sveçla tha se bëhet fjalë për dy kontrata të nënshkruara në korrik të vitit 2024 dhe në prill të vitit 2025, të cilat, sipas tij, kanë dallime të mëdha në çmime për pozicione dhe punë të njëjta.

Ai deklaroi se kanë dorëzuar në Prokurori të gjeturat e tyre, duke kërkuar nisjen e hetimeve dhe përgjegjësi për personat që mund të kenë kryer shkelje.

Ndërkaq, deputeti Ilir Kërçeli tha se në kontratën e dytë disa pozicione janë paraparë me çmime dukshëm më të larta sesa në kontratën e parë.

Sipas tij, disa pozicione që në kontratën e parë kushtonin 90 euro, në të dytën janë paraparë me çmim prej 300 eurosh, ndërsa të tjera kanë kaluar nga 50 në 250 euro.

Kërçeli kërkoi që Prokuroria t’i hetojë këto dallime, duke ngritur edhe dyshime nëse punimet e parapara në kontratën e parë janë realizuar nga kompania përfituese.

Ai pretendoi se disa nga punimet mund të jenë përfunduar nga kompania që fitoi kontratën e dytë, në vlerë prej 10 milionë eurosh.

Në fund, Kërçeli iu referua edhe deklarimeve të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, duke thënë se përgjegjësia ndaj kryeqytetit nënkupton edhe evidentimin e parregullsive dhe kërkimin e llogarisë nga personat përgjegjës.

Deri në këtë fazë, bëhet fjalë për pretendime të paraqitura nga përfaqësuesit e Vetëvendosjes, ndërsa hetimet e Prokurorisë pritet të përcaktojnë nëse ka pasur shkelje në lidhje me kontratat.

/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara