Kulturë

Prishtina mirëpret edicionin e 25-të të Festivalit Frankofon të Filmit

Published

on

Në Prishtinë sot hapet edicioni i 25-të i Festivalit Frankofon të Filmit, një ngjarje që këtë vit vjen me temën “Moda”.

Festivali organizohet nga Ambasada e Francës në bashkëpunim me ambasadat e Belgikës, Luksemburgut dhe Zvicrës, duke sjellë një program të pasur me filma, diskutime dhe performanca artistike që ndërthurin artin e kinemasë me botën e stilit dhe kreativitetit.

Hapja zyrtare në Kino ARMATA

Ceremonia hapëse do të mbahet sonte në orën 19:00 në Kino ARMATA, ku publiku do të ketë mundësinë të ndjekë filmin “Couture” të regjisores Alice Winocour, me aktorët Angelina Jolie dhe Louis Garrel në rolet kryesore.

Mbrëmja do të nisë me një performancë që bashkon modën dhe kinemanë, realizuar në bashkëpunim me Akademinë Evolucion, duke krijuar një atmosferë që përçon thelbin e temës së sivjetme të festivalit.

Konferenca “Moda dhe Kinemaja”

Në kuadër të aktiviteteve, më 28 tetor në orën 11:00, në Institutin Francez të Kosovës, do të mbahet konferenca “Moda dhe Kinemaja”, ku profesionistë të njohur do të diskutojnë për ndikimin e ndërsjellë mes artit filmik dhe industrisë së modës.

Programi dhe hyrja

Shfaqjet e filmave frankofonë do të zhvillohen nga 23 deri më 28 tetor në Kino ARMATA, ndërsa hyrja për publikun do të jetë falas.

Qëllimi i festivalit

Me këtë edicion jubilar, festivali synon të promovojë diversitetin kulturor dhe kreativitetin e kinemasë frankofone, duke e kthyer Prishtinën në një qendër të dialogut artistik frankofon për disa ditë me radhë. /A.Z/UBT News/

Lajmet

Kori i Filharmonisë së Kosovës mbyll sezonin me koncertin “KOHË • FJALË • ANDRRA”

Published

on

Kori i Filharmonisë së Kosovës do ta përmbyllë sezonin artistik 2025/2026 me koncertin “KOHË • FJALË • ANDRRA”, një mbrëmje e veçantë që sjell në qendër fuqinë e tingullit, fjalës dhe imagjinatës.

Nën dirigjimin e Hajrullah Sylës dhe me solist violinistin Festim Fanaj, publiku do të ketë mundësinë të shijojë një program të pasur me vepra të kompozitorëve bashkëkohorë nga vende dhe kultura të ndryshme.

Koncerti do të mbahet më 25 qershor, duke filluar nga ora 19:30, në hollin e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.

Me këtë koncert, Kori i Filharmonisë së Kosovës mbyll një tjetër sezon të suksesshëm artistik, duke ftuar dashamirët e muzikës në një udhëtim të veçantë përmes tingujve dhe emocioneve./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Përurohet “Oda e Zejtarëve” në Çarshinë e Vjetër të Gjakovës

Published

on

Në Çarshinë e Vjetër të Gjakovës është përuruar “Oda e Zejtarëve”, një projekt i dedikuar promovimit të zejeve tradicionale dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore të qytetit.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, i cili ka vlerësuar rëndësinë e këtij investimi për zhvillimin kulturor dhe turistik të komunës.

“Sot, në Çarshinë e Vjetër të Gjakovës, përuruam Odën e Zejtarëve – një projekt i veçantë për qytetin dhe trashëgiminë tonë kulturore”, ka deklaruar Gjini.

Sipas tij, projekti do t’u shërbejë zejtarëve lokalë si një hapësirë e dedikuar për promovimin e zejeve tradicionale, ndërsa të rinjtë dhe vizitorët do të kenë mundësi të njihen më nga afër me këtë pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore.

Investimi është realizuar në kuadër të projektit “Ndërlidhja e turizmit përmes trashëgimisë kulturore dhe zgjidhjeve inteligjente në Lezhë dhe Gjakovë”, i financuar nga Programi IPA Cross-Border Shqipëri–Kosovë.

Kryetari Gjini ka theksuar se zhvillimi i turizmit dhe fuqizimi i ofertës kulturore të Gjakovës mbeten ndër prioritetet kryesore të qeverisjes lokale./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Siparantum Kids sjell mbrëmje artistike në Prishtinë për Festën Ndërkombëtare të Muzikës

Published

on

Në kuadër të Festës Ndërkombëtare të Muzikës, Siparantum Kids organizoi një mbrëmje të veçantë artistike në zemër të Prishtinës, duke sjellë para publikut performanca të zërave të rinj.

Me një program të përzgjedhur muzikor, fëmijët interpretuan këngë korale dhe përcollën mesazhe bashkimi, gëzimi dhe shprese, duke dëshmuar fuqinë e muzikës si një gjuhë universale që lidh njerëzit përtej kufijve.

Sipas Ambasadës Franceze në Kosovë, e cila ka mbështetur këtë aktivitet kulturor, çdo tingull, buzëqeshje dhe duartrokitje e mbrëmjes ishte një festë e talentit, kreativitetit dhe dashurisë për artin.

Ngjarja mblodhi artdashës dhe qytetarë të shumtë, duke e kthyer Prishtinën në një hapësirë feste dhe promovimi të kulturës përmes muzikës.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Mbyllet edicioni i 26-të i Panairit të Librit në Prishtinë

Published

on

Pas gjashtë ditësh me aktivitete letrare, dje është mbyllur edicioni i 26-të i Panairit të Librit në Prishtinë, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në vend.

Panairi mblodhi dhjetëra shtëpi botuese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe treva të tjera shqiptare, duke sjellë mijëra tituj librash, promovime dhe takime me autorë. Mysafir nderi i këtij edicioni ishte shkrimtari italo-francez Francesco Rapazzini.

Një ditë para mbylljes, u ndanë edhe çmimet tradicionale të panairit, me të cilat u vlerësuan autorë, përkthyes, studiues dhe vepra të spikatura të vitit.

Përfaqësues të shtëpive botuese vlerësuan interesimin e lexuesve, por theksuan se ndryshimi i datave të organizimit ka ndikuar në numrin më të vogël të vizitorëve krahasuar me vitet e kaluara.

Në kuadër të panairit, lexuesit patën mundësi të përfitojnë nga oferta të shumta, tituj të rinj dhe zbritje të konsiderueshme, ndërsa interesim të veçantë pati për librat akademikë, teknologjinë, inteligjencën artificiale, si dhe literaturën për fëmijë.

Panairin e Librit “Prishtina 2026” e vizitoi edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së bashku me ministren në detyrë të Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci./rtk/

/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara