Shikimi i një libri vjetor për herë të parë është normalisht një moment plot entuziazëm – por në një shkollë të mesme në Florida, disa studentë mbetën të shokuar pasi e panë që portretet e tyre të vitit ishin edituar.
Kur nxënësja e shkollës së mesme Bartram Trail, Riley O’Keefe, pa foton e saj të librit vjetor, vuri re se i ishte shtuar një shirit i zi për të mbuluar gjoksin e saj.
Riley O’Keefe, njëra nga studentet fotoja e të cilës u editua
“Nuk mund të besoja se ata shtypën fotografitë që dukeshin kështu”, tha O’Keefe, 15 vjeçe. “Dhe pastaj fillova të shfletojë vjetarin dhe pashë gjithnjë e më shumë vajza me gjoksin e tyre të mbuluar”.
Ajo i dërgoi mesazh nënës së saj një foto të saj të mërkurën nga shkolla në St. Johns, Florida.
“Unë e di që ajo ka veshur atë bluzë në shkollë qindra herë sepse është veshja bazike e saj”, tha nëna e saj, Stephanie Fabre, duke thënë se veshja kishte përmbushur kodin e veshjes. Kodi i veshjes thotë që bluzat e vajzave “duhet të mbulojnë të gjithë shpatullën dhe ato duhet të jenë modeste dhe jo zbuluese ose shpërqendruese”.
Mirëpo ishin rreth 80 fotografi të studenteve femra që u ndryshuan në vjetar këtë vit, tha Shefja e Rajonit për Marrëdhëniet me Komunitetin, Christina Langston.
“Eshtë zhgënjyese të adresosh situatën e figurës së studentit në Librin vjetor të shkollës së mesme Bartram Trail”, deklaroi kryeinspektori i Rrethit Shkollor St. Johns County, Tim Forson. “Sigurisht, kurrë nuk ka pasur një qëllim për të turpëruar ndonjë student për rrobat që ata veshin. Për fat të keq, ne jemi duke mësuar një mësim të vlefshëm për rëndësinë e procesit dhe për të kuptuar se qëllimi nuk është gjithmonë rezultati”.
Ndërsa nga uebfaqja e shkollës e mohojnë, duke thënë se nëse portretet e studentëve në vjetar nuk përputhen me kodin e sjelljes së studentëve të rrethit, ato do të “rregullohen dixhitalisht”.
“Koordinatorja e librit vjetor mori vendimin për të redaktuar fotot bazuar në vlerësimin e saj se femrat nuk iu kishin përshtatur kodit të veshjes”, u tha në deklaratën e shkollës.
Kryeinspektori tha se kishte një rishikim të pamjaftueshëm para se shkolla të vendoste të redaktonte disa nga imazhet e studentëve. Ai e quajti anëtarin e stafit të përfshirë një “arsimtar të shquar” dhe tha se do të ketë ndryshime në mënyrën se si përmbajtja konsiderohet në librat vjetorë që do të vijnë./UBTNews
Në kazermën “Ushtarët e NATO-s” në Istog është përmbyllur gara tradicionale “Ujku Garues 2026”, e organizuar nga Komanda e Forcave Tokësore (KFT), ku morën pjesë 20 ekipe nga njësitet e ndryshme të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Vendi i parë në këtë garë ushtarake i takoi Regjimentit të Dytë të Këmbësorisë (K2B2), vendi i dytë u fitua nga Policia Ushtarake e FSK-së, ndërsa vendin e tretë e zuri Regjimenti i Dytë i Këmbësorisë (K2MB).
Gara “Ujku Garues”, e cila mbahet që nga viti 2015 si rezultat i bashkëpunimit mes nënoficerëve të FSK-së dhe kontingjentit slloven, testoi pjesëmarrësit në disiplina të rënda taktike e fizike. Pjesë e sfidave ishin vrapimi, kalimi i poligonit taktik, shtyrja e autoblindës HMMWV, bartja e municionit dhe e të lënduarve, si dhe qitja me armë e hedhja e granatës.
Aktiviteti u shqua për profesionalizëm të lartë, përgatitje intensive fizike dhe shpirt garues mes ekipeve të FSK-së.
Së paku 13 universitete britanike kanë diskutuar me prodhuesin më të madh të armëve në Mbretërinë e Bashkuar, BAE Systems, se si t’i menaxhojnë protestat pro-palestineze në kampuset e tyre. Kjo përfshinte rritjen e masave të sigurisë në ngjarje zyrtare dhe koordinimin e përgjigjeve ndaj kritikave.
Korrespondenca mes universiteteve dhe kompanisë ushtarake u zbulua përmes email-eve dhe dokumenteve të brendshme nga një hetim i përbashkët i “Liberty Investigates” dhe “Al Jazeera”.
Sipas dokumenteve, universitete të tilla si ai i Manchesterit, Nottinghamit, Southamptonit, Birminghamit, Strathclyde dhe Cranfield konsiderohen “partnerë strategjikë” të BAE Systems dhe marrin së bashku deri në 15 milionë funte (rreth 20 milionë dollarë) në vit nga kjo kompani.
Në gusht të vitit 2024, BAE Systems duket se u ka kërkuar universiteteve të hartojnë mesazhe për të kundërshtuar atë që e quante “një narrativë shpesh të deformuar nga protestuesit”. Kjo periudhë përkonte me reagimet e mëdha studentore kundër bashkëpunimit me kompanitë që furnizojnë me armë ushtrinë izraelite gjatë luftës në Gazë.
Në një rast në Universitetin e Sheffieldit, zyrtarët e hetimit të brendshëm u konsultuan me BAE Systems përpara se të dënonin katër studentë që protestuan në një ngjarje online me slloganet “BAE vret fëmijë”. Studentëve u kërkua të paguanin një gjobë prej 75 funtesh ose të nënshkruanin një zotim se nuk do të merrnin pjesë në protesta të paautorizuara.
Ndërsa studentët e ndëshkuar e cilësuan këtë si ndikim të drejtpërdrejtë të kompanisë së armëve mbi drejtuesit e universitetit, zëdhënësi i Universitetit të Sheffieldit i hodhi poshtë pretendimet, duke deklaruar se procedurat disiplinore janë të pavarura dhe bazohen vetëm në rregulloren e sjelljes së studentëve. /Al Jazzera/
Propozimi për vendosjen e një tarife prej 2 eurosh për automjetet që hyjnë në zonën qendrore të Prishtinës ka nxitur diskutime të ashpra në Kuvendin Komunal.
Drejtori i Zhvillimit Ekonomik, Luftar Braha, e mbrojti idenë duke theksuar se masa të tilla përdoren në shumë qytete botërore si Ljubljana e Tirana për të menaxhuar trafikun. Sipas tij, drejtuesit e mjeteve mund të shfrytëzojnë parkingun te Pallati i Rinisë pa u nënshtruar kësaj takse.
Nga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje e kundërshtoi propozimin me arsyetimin se kufizimi do të mbingarkojë rrugët alternative dhe do të rrisë ndotjen e ajrit. Po ashtu, edhe nga Partia Demokratike e Kosovës u kërkua që të shqyrtohen përjashtime për banorët e Prishtinës, në mënyrë që tarifa të mos aplikohet njëtrajtshëm për të gjithë.
Zona e planifikuar e lëvizjes së kufizuar përfshin rrugët kryesore brenda unazës së brendshme të kryeqytetit, ndërsa vendimi përfundimtar mbetet në duart e asamblistëve të Kuvendit Komunal.
Një grup prej 24 përfaqësuesish nga shoqëria civile, komuniteti akademik dhe organizata për të drejtat e njeriut i janë drejtuar me kërkesë zyrtare Avokatit të Popullit, Naim Qelaj, që ta referojë në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Kërkesa në emër të grupit është dërguar nga Ramadan Ilazi, udhëheqës i hulumtimeve në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS). Përmes këtij dokumenti kërkohet të sqarohet nëse mandati i Dhomave të Specializuara në Hagë është zgjeruar përtej autorizimit që garanton neni 162 i Kushtetutës së Kosovës.
Në kërkesë theksohet se Kushtetuta ka lejuar themelimin e një mekanizmi të specializuar vetëm për të përmbushur obligimet lidhur me Raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2011, e jo për krijimin e një juridiksioni të përgjithshëm penal mbi strukturën, historinë apo veprimtarinë e UÇK-së. Nënshkruesit kërkojnë nga Avokati i Popullit të sqarojë nëse lidhja me këtë raport duhet të dëshmohet për krime dhe persona konkretë, si dhe nëse shtrirja e juridiksionit të Speciales po cenon parimet e sigurisë juridike dhe proporcionalitetit.
Grupi i ekspertëve sqaron se kjo nismë nuk synon shqyrtimin e provave apo përcaktimin e fajësisë individuale në rastet aktuale, por ka të bëjë me mbrojtjen e sovranitetit kushtetues të vendit. Ndër 24 nënshkruesit e kërkesës janë figura të njohura si Prof. Dr. Enver Hasani, Lulzim Peci, Ismet Kryeziu, Nevenka Tromp, Visar Ymeri, Naim Rashiti, Leonora Kryeziu, Robert Muharremi, Fisnik Korenica e të tjerë.