Më shumë se 100 organizata jo qeveritare ndërkombëtare kanë akuzuar Izraelin se po e përdor ndihmën humanitare si armë në Gazë, duke thënë se shumica e agjencive kryesore nuk kanë qenë në gjendje të dërgojnë asnjë kamion me furnizime që nga fillimi i marsit, shkruan The Guardian.
Pavarësisht pretendimeve të autoriteteve izraelite se nuk ka kufizime për hyrjen e ndihmës humanitare në territor, grupet thonë se dhjetëra kërkesa për të sjellë ushqim, ilaçe, ujë dhe pajisje strehimi janë refuzuar me arsyetimin se organizatat “nuk janë të autorizuara për të shpërndarë ndihma”. Vetëm në korrik, sipas deklaratës, janë refuzuar mbi 60 kërkesa.
Ky bllokim ka lënë miliona dollarë vlerë mallrash të bllokuara në magazina në Jordani dhe Egjipt, ndërsa spitalet po mbeten pa furnizime bazë dhe civilët po vdesin nga uria dhe sëmundje të parandalueshme. Shumë nga organizatat e prekura thonë se kanë punuar në Gazë për dekada.
Grupet e lidhin pengesën me rregulla të reja regjistrimi të prezantuara në mars, të cilat i lejojnë autoritetet izraelite të refuzojnë aplikimet bazuar në kritere të paqarta, si për shembull. “delegjitimimi” i shtetit. Agjencitë thonë se ky proces po përdoret për të kontrolluar organizatat e pavarura dhe për të censuruar raportimin humanitar.
“Që nga vendosja e bllokadës së plotë më 2 mars, CARE nuk ka mundur të dërgojë asnjë nga furnizimet tona të parapozicionuara me vlerë 1.5 milionë dollarë në Gaza”, tha Jolien Veldwijk, drejtoreshë e vendit për CARE. Oxfam tha se ka mbi 2.5 milionë dollarë mallra të bllokuara për hyrje.
Nënshkruesit u bënë thirrje qeverive dhe donatorëve që të ushtrojnë presion mbi Izraelin për t’i dhënë fund kufizimeve, të kërkojnë hapjen e të gjitha pikave tokësore të kalimit dhe të sigurojnë që agjencitë të mund të veprojnë pa kompromentuar pavarësinë apo sigurinë e stafit.