Magazinë

Princ William bën një rrëfim emocional për diagnozën e kancerit të Kate

Published

on

Princi William ka folur hapur për ndikimin që ka pasur diagnoza e kancerit e Kate Middleton mbi të dhe familjen e tyre.

Në një intervistë me aktorin Eugene Levy, për serialin e tij në Apple TV+, “The Reluctant Traveler” (Udhëtari Ngurrues), Princi i Uellsit, 43 vjeç, ndau emocionet dhe sfidat që ka përjetuar gjatë kësaj periudhe të vështirë.

Në një fragment të episodit të ardhshëm, me titull “Jeta Mbretërore në Mbretërinë e Bashkuar”, ai bisedon me aktorin 78-vjeçar për mënyrën se si jeta mund të ndryshojë brenda një çasti.

“Ne kemi qenë me shumë fat, nuk kemi pasur sëmundje të mëdha në familje për një kohë të gjatë. Gjyshërit e mi jetuan deri në mbi 90 vjeç,” tha William, duke iu referuar Mbretëreshës Elizabeth dhe Princit Philip.

“Ata ishin shembull i forcës, qëndrueshmërisë. Kur papritur kupton se gjithçka mund të të ndryshojë brenda momentit, atëherë e shikon jetën ndryshe. Mendon gjithmonë se nuk do të ndodhë me ty… derisa të ndodh. Dhe kjo të çon në vende të errëta, jo të këndshme,” shtoi ai.

Gjatë një shëtitjeje në kështjellën Windsor, princi bëri shaka me aktorin duke thënë: “Ofrojmë guida personale për të gjithë.”

I pyetur për kohën e lirë, ai iu përgjigj me humor: “Fle. Kur ke tre fëmijë të vegjël, gjumi është pjesa më e rëndësishme e jetës.”

Gjatë një ndalese, Levy dhe William diskutuan mbi vitet e fundit të mbushura me sfida. Përveç diagnozës së Kate, edhe babai i tij, Mbreti Charles, u përball me kancer. “Do të thosha se vitet 2023-2024 kanë qenë më të vështirat e jetës sime,” pranoi princi.
“Por jeta na vë në provë dhe mënyra se si i përballojmë këto sfida na formon si njerëz.”

Në mars 2024, Princesha e Uellsit bëri publike se po trajtohej për kancer dhe qëndroi jashtë vëmendjes gjatë kimioterapisë. Në shtator 2024, ajo konfirmoi se e kishte mposhtur sëmundjen.

“Teksa vera po mbyllet, nuk mund ta përshkruaj lehtësimin që ndjej, tani që kam përfunduar trajtimin. Nëntë muajt e fundit kanë qenë jashtëzakonisht të vështirë për familjen tonë. Jeta mund të ndryshojë brenda një çasti dhe ne kemi qenë të detyruar të gjejmë forcë për të kaluar këtë udhëtim të panjohur”, tha ajo.

Në janar 2025, Kate e përshkroi periudhën e rikuperimit si një moment “lehtësimi” dhe shtoi: “Siç e dinë të gjithë ata që përballen me kancerin, duhet kohë për t’u përshtatur me realitetin e ri. Por tashmë pres me padurim një vit të mbushur me gëzim. Ka kaq shumë arsye për të shpresuar. Faleminderit të gjithëve për mbështetjen e vazhdueshme.” /A.Z/UBT News/

Lajmet

IBM dhe NASA publikojnë modelin e ri të AI për Hënën

Published

on

IBM dhe NASA kanë publikuar një model të ri të Inteligjencës Artificiale, të trajnuar me të dhëna nga dekada të tëra vëzhgimesh të Hënës, i cili do të jetë i qasshëm publikisht për studiuesit dhe zhvilluesit.

“NASA-IBM Lunar Foundation Model” është publikuar në platformën Hugging Face, së bashku me një bazë të unifikuar të të dhënave hënore, të përgatitur posaçërisht për përdorim në teknologjitë e machine learning.

Për dekada, misionet hapësinore kanë mbledhur sasi të mëdha të dhënash për Hënën, por ato janë ruajtur në formate dhe rezolucione të ndryshme, duke e vështirësuar analizimin e tyre në mënyrë të integruar.

Për të adresuar këtë problem, ekipet e IBM dhe NASA kanë kombinuar më shumë se 30 shtresa të dhënash nga nëntë instrumente të përdorura në katër misione të ndryshme. Në mesin e tyre janë Lunar Reconnaissance Orbiter dhe GRAIL të NASA-s, si dhe misioni japonez SELENE/Kaguya.

Një nga përdorimet më interesante të modelit është identifikimi i zonave ku mund të ketë depozita akulli në Hënë. Krateret që ndodhen vazhdimisht në hije konsiderohen ndër zonat më premtuese për praninë e akullit nën sipërfaqe, por analizimi i tyre është veçanërisht i vështirë.

Sipas IBM, modeli i ri ka ulur me 23 për qind gabimin në identifikimin e zonave me potencial të lartë për akull, krahasuar me modelin e përgjithshëm të vizionit kompjuterik SwinV2-B.

Modeli i ri pritet t’u ofrojë studiuesve dhe zhvilluesve një mjet të hapur për analizimin e të dhënave hënore dhe për zhvillimin e aplikimeve të reja në eksplorimin e Hënës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Javier Bardem nderohet me “Çmimin për Arritje Jetësore” në Festivalin e Filmit në Romë

Published

on

Aktori i njohur spanjoll, Javier Bardem, do të nderohet me “Çmimin për Arritje Jetësore” në Festivalin e Filmit në Romë, një nga ngjarjet e rëndësishme kinematografike në Itali. Çmimi do t’i dorëzohet nga regjisori i njohur italian, Paolo Sorrentino.

Festivali do të mbahet nga 13 deri më 25 tetor, ndërsa Bardem do të prezantojë edhe filmin “The Beloved”, me regji të Rodrigo Sorogoyen.

Filmi, i cili pati premierën botërore në Festivalin e Filmit në Kanë, rrëfen historinë e regjisorit Esteban Martinez, të interpretuar nga Bardem, i cili pas shumë vitesh ribashkohet me vajzën e tij, një aktore në ngritje.

Bardem së fundmi ishte pjesë edhe e Festivalit të Filmit në Venecia, ku prezantoi filmin “Bunker”, me regji të Florian Zeller.

Aktori spanjoll pritet të rikthehet në ekran në rolin e Stilgarit në filmin e shumëpritur “Dune: Part Three”, me regji të Denis Villeneuve.

Ndërkohë, Bardem ka përfunduar edhe xhirimet e filmit “Hello & Paris” të Amazon MGM Studios, ku interpreton përkrah aktores Kate Hudson./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Justin Bieber feston tetëvjetorin e martesës me Hailey-n: “Tetë vjet deri në pafundësi”

Published

on

Justin Bieber ka shënuar tetëvjetorin e martesës me bashkëshorten e tij, Hailey Bieber, duke ndarë një seri fotografish romantike në Instagram.

Këngëtari 32-vjeçar publikoi momente të ndryshme me Hailey-n, duke përfshirë pamje teksa luajnë bilardo, përqafohen dhe puthen.

“Tetë vjet deri në pafundësi. Fillime të reja. Të dua, zemër. Gëzuar përvjetorin”, shkroi Bieber në përshkrimin e postimit, të cilin e ndau me ndjekësit e tij në Instagram.

Edhe Hailey reagoi me humor ndaj postimit të bashkëshortit. “Tetë vjet që luajta në bilardo, për fat të keq”, shkroi ajo në koment, duke shoqëruar fjalët me emoji puthjesh. Më pas, ajo e shpërndau postimin e Justin-it edhe në story.

Çifti u martua në shtator të vitit 2018, vetëm disa muaj pasi u fejuan. Justin i kishte propozuar Hailey-t gjatë një udhëtimi në Bahamas.

Dyshja njiheshin prej vitesh përpara se lidhja e tyre të bëhej romantike. Mediat nisën t’i lidhin për herë të parë në vitin 2014, ndërsa marrëdhënia e tyre kaloi në disa faza para se të riktheheshin bashkë në vitin 2018.

Në maj të vitit 2024, Justin dhe Hailey njoftuan se ishin në pritje të fëmijës së tyre të parë. Lajmin e bënë publik përmes fotografive dhe një videoje nga rinovimi i premtimeve të tyre në Hawaii, ku Hailey shfaqej shtatzënë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“Paranormal Activity” mbërrin në Broadway, producenti: Më në fund një horror që të frikëson

Published

on

Versioni teatral i filmit të suksesshëm horror “Paranormal Activity” ka mbërritur në Broadway, me autorët që pretendojnë se kanë arritur të sjellin në skenë një përvojë frikësuese që rrallë realizohet në teatër.

Producenti Jason Blum, themelues i Blumhouse dhe producent i projekteve si “Get Out” dhe “Five Nights at Freddy’s”, tha se prej vitesh kishte parë shfaqje që synonin të frikësonin publikun, por pa arritur gjithmonë efektin e dëshiruar.

“Unë nuk kam parë kurrë një shfaqje që më ka frikësuar vërtet dhe këta njerëz ia dolën ta realizonin”, tha Blum për adaptimin teatror.

Shfaqja ndjek një çift të sapomartuar që zhvendoset nga Çikagoja në Londër, ku nis të përballet me fenomene të pazakonta në shtëpinë e re. Ngjarjet ndikojnë edhe në marrëdhënien e tyre, duke vënë në pikëpyetje arsyen dhe duke hapur rrugën për situata që nuk mund të shpjegohen shkencërisht.

Ndryshe nga filmi, produksioni nuk mbështetet në montazh kinematografik, pamje nga afër apo efekte të papritura. Në vend të tyre, skena përdor elemente të thjeshta, si televizorë që ndizen, qirinj që fiken, hije dhe batanije që rrëzohen.

Regjisori Felix Barrett, krijuesi i shfaqjes “Sleep No More”, tha se çelësi ishte që historia të ndërtohej fillimisht si një dramë familjare bindëse.

“Kjo mund të funksionojë vetëm nëse shihni një çift që njihni përpara jush. Mund t’i kaloni pranë në rrugë. Madje mund ta shihni veten në atë çift”, tha Barrett.

Ekipi krijues, ku bëjnë pjesë edhe shkrimtari Levi Holloway dhe dizajneri i iluzioneve Chris Fisher, i ka integruar efektet brenda vetë skenografisë së ndërtesës së errët shumëkatëshe.

Sipas Barrett, gjatë procesit krijues ekipi kuptoi se “më pak është më shumë”, duke hequr disa nga skenat më ekstreme të versioneve të mëparshme për të ruajtur një efekt më të fortë te publiku./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara