Teknologji

Prezantohet edhe Apple Watch SE 3

Published

on

Apple hapi segmentin e prezantimit të orëve inteligjente me një montazh emocional, ku njerëz të ndryshëm ndanin histori personale se si ora u kishte shpëtuar jetën në situata emergjente shëndetësore – duke paralajmëruar kështu kapitullin e radhës në misionin e saj për shëndetin.

Apple Watch Series 11 vjen me dizajn të përforcuar: xhami është dyfish më rezistent ndaj gërvishtjeve e ndërtimi prej titani ofrohet edhe në përfundim të ri ngjyrë ari.  Ora mbështet rrjetin 5G për lidhje më të shpejta dhe më efikase në energji, ofron deri 24 orë jetëgjatësi baterie.

Ngjyrat e reja përfshijnë të zezën e errët, argjendin, arin rozë dhe ngjyrën gri.

Në aspektin shëndetësor, ky është modeli më ambicioz i Apple deri tani. Përveç rikthimit të gjurmimit të ciklit dhe shëndetit mendor, risia më e madhe është funksioni i ri për monitorimin e hipertensionit, i cili synon të zbulojë shenjat e presionit të lartë kronik të gjakut.

Apple parashikon që kjo veçori ndihmon në mbi 1 milion diagnoza vetëm në vitin e parë. Funksioni është ende në pritje të aprovimit nga FDA, por kompania planifikon ta lansojë fillimisht në SHBA dhe Evropë.

Përmirësimet përfshijnë gjithashtu një sistem më të detajuar për vlerësimin e gjumit dhe, me ardhjen e watchOS 26, përdoruesit do të kenë në dispozicion edhe pamje të reja të orës.

Apple ruajti emrin e njohur për modelin e saj të nivelit bazë. Apple Watch SE 3 tani vjen me çipin S10 (jo S11, siç pritej), por sjell përmirësime të dukshme: mbështetje për kontrolle me gjeste si prekja e dyfishtë apo lëvizjet e dorës, funksione më të zgjeruara të shëndetit dhe për herë të parë – matjen e temperaturës. Ora mbështet edhe Siri-n direkt në pajisje, duke e bërë përdorimin më të shpejtë e më privat.

Edhe pse autonomia mbetet 18 orë, Apple ka shtuar karikimin e shpejtë, deri dy herë më efikas, një risi e rëndësishme për linjën SE.

Përgatiti: A.Z. /UBT News/

Teknologji

Nga rivalë në partnerë, Apple bashkohet me Google për një Siri më inteligjent

Published

on

Apple është pranë finalizimit të një marrëveshjeje shumëvjeçare me Google, që do ta shohë prodhuesin e iPhone t’i paguajë gjigantit të teknologjisë rreth 1 miliard dollarë në vit për përdorimin e një versioni të personalizuar të modelit Gemini AI për të fuqizuar Siri-n.

Ky hap shënon një ndryshim strategjik për Apple, e cila tradicionalisht është mbështetur në teknologjitë e zhvilluara brenda kompanisë.

Sipas raportimeve, përdorimi i modelit të Google shihet si zgjidhje e përkohshme, derisa Apple Intelligence të arrijë mjaftueshëm zhvillim për të përballuar kërkesat e ardhshme të sistemit të vet të inteligjencës artificiale.

Modeli i personalizuar i Gemini AI do të përfshijë 1.2 trilion parametra, një masë që tregon nivelin e kompleksitetit dhe aftësisë së softuerit — shumë më e lartë se ajo e modeleve aktuale të Apple.

Për krahasim, versioni aktual i Apple Intelligence i bazuar në cloud përdor 150 miliardë parametra, që do të thotë se modeli i Google do të ishte afërsisht tetë herë më kompleks.

Në fillim të këtij viti, Apple kishte shqyrtuar edhe mundësinë e përdorimit të modeleve të inteligjencës artificiale nga OpenAI dhe Anthropic. Pas testimeve me të tre kompanitë, Apple vendosi të vazhdojë me Google.

Sipas burimeve të Bloomberg, versioni i ri i Siri-t i bazuar në Gemini pritet të lansohet në pranverën e ardhshme.

Duke qenë se projekti është ende në zhvillim, planet mund të pësojnë ndryshime deri në momentin e prezantimit. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Teknologji

Honda prezanton motorin e ri V6 dhe teknologjinë hibride të gjeneratës së ardhshme

Published

on

Honda ka zbuluar teknologjitë kryesore të sistemeve të saj hibride të mëdha të gjeneratës së ardhshme, duke përfshirë motorin e ri V6 që përmbush standardet më të rrepta mjedisore, si dhe njësitë e përmirësuara të fuqisë dhe bateritë me efikasitet të lartë dhe kosto më të ulët.

Kompania synon të rrisë efikasitetin e karburantit me mbi 30% krahasuar me modelet aktuale me motorë me djegie të brendshme në të njëjtin segment.

Kombinimi i motorit V6 me sistemin e ri hibrid do të ofrojë drejtim më ekonomik dhe performancë të lartë, veçanërisht për automjetet e mëdha dhe të rënda.

Honda parashikon gjithashtu një përmirësim prej mbi 10% në përshpejtim, falë rritjes së efikasitetit të motorit, optimizimit të njësive të fuqisë dhe mbështetjes nga bateria.

Kjo teknologji pritet të debutojë më 2027 në modelet e mëdha të Hondës, fillimisht në tregun amerikan, me mundësi zgjerimi në Evropë. /A.Z/UBT News/

 

Continue Reading

Teknologji

Pse Google dëshiron t’ju pengojë të përdorni ChatGPT?

Published

on

Në përditësimin e fundit të shfletuesit Chrome, Google ka shtuar një buton të ri të quajtur “AI Mode”, i cili shfaqet direkt nën fushën e kërkimit në telefonat inteligjentë.

Ky opsion aktualisht është i disponueshëm për përdoruesit në SHBA në pajisjet iOS dhe Android, ndërsa Google planifikon ta zgjasë përhapjen globale në deri 160 vende në javët në vijim.

Butoni ndodhet mbi shkurtesat e faqeve më të vizituara, duke e bërë të lehtë qasjen për përdoruesit sapo të hapin një tab të ri.

Qëllimi është i qartë: Google synon që përdoruesit të klikojnë “AI Mode” para se të përdorin shërbime si ChatGPT ose Perplexity.

AI Mode ofron qasje të shpejtë në kërkimin me AI të Google e mbështet disa gjuhë. Në praktikë, kjo do të thotë se përdoruesit bëjnë pyetje dhe të marrin përgjigje, përmbledhje apo rekomandime pa pasur nevojë të hapin aplikacione të tjera.

Google ka prezantuar përmirësime të reja me “agentic AI”, që mundësojnë që AI Mode të rezervojë automatikisht bileta për ngjarje ose termine në sallonet e bukurisë. Ndërkohë, konkurenca nuk qëndron pasive – Perplexity po zhvillon shfletuesin e vet, Comet, ndërsa OpenAI po punon në Atlas, një shfletues me bazë AI që mund të ndryshojë mënyrën e përdorimit të internetit.

Përdoruesit e Chrome përfitojnë nga kjo veçori duke përditësuar shfletuesin; AI Mode duhet të shfaqet automatikisht kur hapin një tab të ri. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Teknologji

Italia bëhet vendi i parë i BE-së që miraton ligj gjithëpërfshirës për Inteligjencën Artificiale

Published

on

Italia ka bërë histori duke u bërë vendi i parë në Bashkimin Evropian që miraton një ligj të plotë për Inteligjencën Artificiale, vendosur rregulla të qarta dhe dënime të rrepta për abuzimet me teknologjinë.

Sipas ligjit të ri, përdorimi i AI për të krijuar ose shpërndarë përmbajtje të manipuluar, si “deepfakes”, mund të sjellë dënime nga 1 deri në 5 vjet burg. Masat bëhen edhe më të rënda nëse teknologjia përdoret për krime si mashtrimi, vjedhja e identitetit ose dëmtimi i reputacionit.

Ligji vendos rregulla për transparencën dhe mbikëqyrjen njerëzore në vendet e punës, për të siguruar që AI të mos dëmtojë proceset sociale dhe të drejtësisë. Kryeministrja Giorgia Meloni e konsideroi hap vendimtar për të ardhmen e Italisë dhe të BE-së.

“Qëllimi ynë është një inteligjencë artificiale e përqendruar te njeriu, transparente dhe e sigurt, që ruan privatësinë dhe sigurinë kibernetike, ndërsa nxit inovacionin”, tha ajo.

Një pikë kyçe e ligjit është mbrojtja e të miturve: fëmijët nën 14 vjeç nuk mund të përdorin AI pa miratimin e prindërve.

Ky ligj, i harmonizuar me Aktin Evropian për Inteligjencën Artificiale, pritet të shërbejë si model për vendet e tjera anëtare, duke vendosur Italinë në qendër të diskutimeve mbi përdorimin etik dhe të sigurt të teknologjisë. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Të kërkuara