Presidentja Vjosa Osmani në vazhdën e vizitës zyrtare në Austri, ka takuar anëtarët e shoqatës së miqësisë Kosovë – Austri, ka mbajtur ligjeratë në Akademinë Diplomatike në Vjenë dhe ka takuar një grup të grave të suksesshme Austriake, me ftesën e Zonjës së Parë të Austrisë, znj. Doris Schmidauer.
Përgjatë takimit me shoqatën e miqësisë Kosovë – Austri, të udhëhequr nga eurodeputeti Lukas Mandl, Presidentja Osmani ka falënderuar shtetin e Austrisë për mbështetjen ndaj Kosovës në faza të ndryshme përgjatë historisë. Ka theksuar se Kosova tashmë i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim vizash, ndaj ka kërkuar nga BE-ja që t`i përmbahet premtimit për kosovarët. Më tej, Presidentja Osmani ka shfaqur bindjen se Austria do të vazhdojë t`i qëndrojë në krah Kosovës edhe në procesin e integrimit evropian, sikurse edhe në atë të të integrimit euro-atlantik.
“Republika e Kosovës ka potencial të jashtëzakonshëm të të rinjve, të cilët janë të shkolluar dhe të aftë për t`i dëshmuar vlerat e tyre sapo t`u jepet mundësia. Duhet të sigurojmë mobilitet dhe të ndërtojmë partneritet të fuqishëm”, ka theksuar Presidentja Osmani në takim me Grupin e Miqësisë Kosovë-Austri.
Në këtë kontekst, ajo ka përmendur edhe rolin e diasporës shqiptare në shtetin austriak.
“Diaspora jonë këtu ka rol qenësor për Republikën e Kosovës, shkaku i potencialit, dijes dhe ideve të reja që sjellin”, është shprehur Presidentja Osmani.
Presidentja Osmani ka takuar edhe një grup të grave të suksesshme në Austri, nën organizimin dhe me ftesë të Zonjës së Parë të Austrisë, Doris Schmidauer, ku morën pjesë edhe ministrja e Drejtësisë në qeverinë austriake, Alma Zadic, ish-raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovë, Ulrike Lunacek, si dhe gra nga fusha e biznesit, akademia, politika e shoqëria civile. Në këtë takim u diskutuan sfidat dhe mundësitë me të cilat përballen gratë në sektorin publik dhe privat, si dhe në shoqëri në përgjithësi. Presidentja diskutoi rolin e grave në sjelljen e një ndryshimi të rëndësishëm politik dhe shprehu nevojën për investime në arsim dhe kujdes shëndetësor për të mundësuar dhe fuqizuar gratë që të jenë të barabarta në tregun e punës, si dhe nevojën për të krijuar më shumë vende pune për të rinjtë dhe gratë.
Në përmbyllje të ditës së parë të vizitës në Austri, presidentja Osmani ka mbajtur ligjeratë në Akademinë Diplomatike në Vjenë, me temën “Forcimi i shtetësisë së Kosovës- Sfidat dhe Storjet e Suksesit”. Përmes kësaj ligjërate interaktive, presidentja Osmani ka shpalosur rrugëtimin e popullit të Kosovës drejt pavarësisë dhe shtetndërtimit, si dhe ka diskutuar për sfidat me të cilat përballen institucionet e Republikës së Kosovës, sukseset që janë arritur dhe synimet.
Teologia nga Kosova, Igballe Berisha-Huduti, është shpallur “person i padëshiruar” në Shqipëri për një periudhë 15-vjeçare. Vendimi është marrë nga autoritetet shtetërore në kuadër të masave për sigurinë kombëtare dhe rendin publik.
Sipas vendimit të transmetuar nga mediat në Shqipëri, ky hap u ndërmor bazuar në informacionet e institucioneve të sigurisë, të cilat e vlerësojnë veprimtarinë e saj si rrezik potencial. Ndaj Hudutit rëndojnë dyshime për lidhje me regjimin iranian dhe për thirrje publike kundër rendit kushtetues në Shqipëri. Urdhri tashmë i është përcjellë për zbatim Policisë së Shtetit dhe strukturave të kufirit e migracionit.
Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ai deklaroi se Huduti ka qenë e përfshirë si “e infiltruar” në protestat që po zhvillohen në Tiranë kundër ndërtimit të një resorti luksoz në Zvërnec. Kreu i qeverisë shqiptare ka publikuar edhe fotografi në rrjetet sociale, duke ngritur akuza për lidhje të saj me figura dhe struktura të huaja.
Nga ana tjetër, vetë Igballe Berisha-Huduti i ka mohuar të gjitha pretendimet dhe akuzat e autoriteteve. Përmes një reagimi, ajo ka theksuar se pjesëmarrja e saj në protesta ka qenë tërësisht qytetare dhe patriotike, pa asnjë motiv tjetër të fshehur. /E.A/
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Policia e Kosovës vazhdojnë të gëzojnë nivelin më të lartë të besimit publik në vend. Sipas rezultateve të Anketës Rajonale WeBalkans 2026, 87.4% e qytetarëve kanë shprehur besim të plotë në FSK-në, ndërsa 85.6% në Policinë e Kosovës, duke i renditur këto dy institucione në krye të listës për sa i përket besueshmërisë.
Përmes një komunikate për media, Policia e Kosovës e ka vlerësuar këtë rezultat si një dëshmi të pastër të profesionalizmit, përkushtimit dhe angazhimit të vazhdueshëm të zyrtarëve policorë në garantimin e rendit dhe sundimit të ligjit. Nga ky institucion theksuan se besimi i qytetarëve është themeli i punës së tyre dhe një motiv shtesë për të vazhduar mbrojtjen e jetës dhe pronës së komunitetit.
Anketa tregon gjithashtu se për qytetarët e Kosovës, siguria, sundimi i ligjit dhe lufta ndaj korrupsionit mbeten prioritetet kryesore për zhvillimin e vendit. Një pjesë e konsiderueshme e të anketuarve kanë kërkuar që forcimi i zbatimit të ligjit të mbetet në fokusin kryesor të institucioneve shtetërore.
Në përgjigje të këtyre gjetjeve, Policia e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin e saj për të luftuar pa kompromis krimin e organizuar, korrupsionin dhe çdo dukuri tjetër që cenon sigurinë publike. Institucioni ka premtuar investime të mëtejshme në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe rritjen e transparencës, duke shprehur njëkohësisht mirënjohje të thellë për përkrahjen e vazhdueshme të qytetarëve. /E.A/
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Qendror të Punës, ka ndërmarrë një aksion të gjerë kontrolli, duke realizuar 98 inspektime të përbashkëta në qendrat e masazhit dhe lokalet e muzikës në të gjithë territorin e vendit.
Siç njofton Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, si rezultat i mungesës së dokumentacionit të nevojshëm dhe mosrespektimit të orarit të punës, janë mbyllur tri qendra masazhi, prej të cilave dy në Komunën e Gjakovës dhe një në Komunën e Rahovecit.
Përveç mbylljes së këtyre lokaleve, IQMT ka shqiptuar edhe pesë gjoba ndaj subjekteve të tjera ekonomike që nuk kanë prezantuar dokumentacionin e kërkuar ligjor gjatë procesit të inspektimit.
Nga ministria theksojn se me qëllim të garantimit të ushtrimit të ligjshëm të veprimtarive ekonomike, IQMT në koordinim me institucionet përgjegjëse do të vazhdojë organizimin e aksioneve të tilla në të gjithë vendin. /E.A/
Zëvendësministrja e Kulturës, Nora Arapi Krasniqi, ka vizituar lokalitetin arkeologjik të Pepajt në Lubozhdë të Istogut, ku po zhvillohen gërmime në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Institutit Arkeologjik të Kosovës dhe Universitetit të Miçiganit.
Sipas njoftimit, lokaliteti prehistorik, i banuar që nga fundi i Epokës së Hershme të Bronzit, po sjell rezultate të rëndësishme shkencore.
Gjatë hulumtimeve është zbuluar një banesë e datuar rreth vitit 1900 para erës sonë, e cila ofron njohuri të reja për jetën dhe organizimin e komuniteteve që kanë jetuar në këtë zonë mijëra vjet më parë.
Nga Ministria e Kulturës është vlerësuar rëndësia e këtij projekti, i cili dëshmon rolin e bashkëpunimit ndërkombëtar në kërkimin shkencor, si dhe kontributin e studentëve dhe studiuesve të rinj në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore. /A.K/