Presidenti amerikan, Donald Trump, ka reaguar kundër propozimit të Bashkimit Evropian për një përjashtim të plotë dhe reciprok nga tarifat për produktet industriale, përfshirë makinat, duke e konsideruar këtë lëvizje të papërshtatshme për heqjen e masave që ai shpalli javën e kaluar. Në një deklaratë të tij, Trump e quajti reagimin e BE-së të pamjaftueshëm për të arritur një marrëveshje që do të ndihmonte në uljen e deficitit tregtar.

“Jo, kjo nuk mjafton”, u shpreh Trump, duke theksuar se Bashkimi Evropian po i trajtonte SHBA-të shumë keq, një qëndrim që ai e ka mbajtur vazhdimisht gjatë periudhës së tij në Shtëpinë e Bardhë. Ai akuzoi BE-në për një politikë të padrejtë tregtare dhe kërkoi që të ketë një rritje të ndjeshme të blerjeve evropiane të produkteve energjetike amerikane për të balancuar deficitin tregtar.
Në lidhje me deficitin tregtar, Trump e citoi shumën prej 350 miliardë dollarësh, një vlerë që është dukshëm më e lartë se ajo e raportuar nga autoritetet amerikane dhe Eurostat, ku diferenca me BE-në në vitin 2024 ishte më e ulët, rreth 235 miliardë dollarë. Sidoqoftë, Trump beson se një rritje në blerjet e energjisë amerikane mund të ndihmojë në eliminimin e këtij deficiti.
“Evropa duhet të angazhohet të blejë energji të barabartë me këtë deficit tregtar”, shtoi ai, duke i dhënë një presion të fortë Bashkimit Evropian për të rritur blerjet nga SHBA.
Për më tepër, ai la të kuptohet se tarifat e shpallura mund të mbeten në fuqi, përderisa ai nuk dha një konfirmim të qartë nëse propozimi i BE-së mund të rezultojë në një heqje të tyre. Pas reagimeve të Trump, von der Leyen nga Komisioni Evropian theksoi se BE-ja është gjithashtu e gatshme të mbrojë interesat e veta me kundërmasa dhe të arrijë një marrëveshje të drejtë dhe të balancuar me SHBA-në./UBTNews/