Lajmet

Presidenti i Letonisë: BE-ja duhet t’ia heq masat Kosovës

Published

on

Presidenti letonez, Edgars Rinkevics tha se Bashkimi Evropian duhet t’i heq sa më shpejtë masat ndaj Kosovës. Megjithatë, ai u shpreh më skeptik se Kosovës do t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE në fund të këtij viti.

Edgars Rinkevics foli në një konferencë për media bashkë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, pas një takimi gjatë vizitës së tij zyrtare në Prishtinë.

Osmani tha se është koha e fundit që të hiqen masat e padrejta të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

“Është koha që të largohen masat e padrejta që Bashkimi Evropian i ka akoma në fuqi ndaj Kosovës, po ashtu sa më shpejtë që të gjendet metoda dhe mënyra për statusin e vendit kandidat për Republikën tonë”, deklaroi Osmani.

Një gjë të tillë e kërkoi edhe presidenti letonez, Edgars Rinkevics, i cili tha se Bashkimi Evropian duhet t’i heq sa më shpejtë masat ndaj Kosovës.

Megjithatë, ai u shpreh më skeptik se Kosovës do t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian në fund të vitit 2025.

“Qëndrimi i vendit tim është Bashkimi Evropian duhet t’i heq masat kufizuese. Qëndrimi i Letonisë është shumë i qartë. Mendojmë se duhet të largohen masat ndëshkuese dhe për këtë avokojmë në Bashkimin Evropian dhe të do të vazhdojmë të bëjmë këtë. Bindja ime është sesa më shpejt që do të ndodh kjo aq më mirë do të jetë. Nëse i heqim masat kufizuese atëherë do të shohim sesi do të shkojmë edhe me masa të tjera por nuk mund t’iu premtoj se statusi i vendit kandidat mund të jepet deri në fund të vitit”, theksoi ai.

Draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe i propozuar nga Bashkimi Evropian nuk do të kalonte assesi testin e Gjykatës Kushtetuese, tha të enjten presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Osmani pas takimit me presidentin e Letonisë, Edgars Rinkevics, tha se këtë qëndrim ia ka adresuar edhe emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen gjatë vizitës së tij në Kosovë.

E para e vendit, u shpreh optimiste se lidershipi i ri i BE-së do të jetë më i balancuar në procesin e dialogut, pasi tha se dialogu deri tani s’është trajtuar në përputhje me parimin e barazisë nga ish-ndërmjetësit e kaluar.

“Personalisht besoj se nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, po ashtu nuk është në përputhje as me normat dhe standardet e Bashkimi Evropiane e vlerat e Këshillit të Evropës. Po ashtu nuk është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 dhe një draft-statut i tillë që bie ndesh në këto të tria s’ka sesi të hyjë në fuqi dhe nuk besoj se do të kalonte çfarëdo testi në Gjykatën Kushtetuese. Gjatë këtyre viteve të fundit Kosova absolutisht s’është trajtuar në përputhje me parimin e barazisë. Ka qenë proces i njëanshëm i cili ka dëmtuar edhe vet kredibilitetin e vet procesit. Tani me lidershipin e ri të BE-së shpresojmë që ky balanc të rikthehet në tavolinë”, tha ajo.

Në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi foli edhe presidenti i Letonisë, Edgars Rinkevics, i cili tha se duhet të vendosen parakushte të mira për vazhdimin e dialogut në mënyrë që të jepen rezultate të prekshme.

“Dialogu është një gjë e ndërlikuar dhe ndjeshme. Ka pasur shpresa të larta dhe disa momente për të cilat pendohemi. Tani për tani duhet të vazhdojmë dialogun, kemi përfaqësuesin e ri të lartë dhe diskutuam vizitën e emisarit për dialog. Nëse krijohen parakushte të mira për vazhdimin e dialogut në bazë të barazisë dhe parimeve kyçe që të gjitha vendet që duan të bëhen pjesë e BE-së i ndajnë me njëra tjetrën. Atëherë ky dialog do të jepte rezultate të prekshme”, theksoi ai.

Krahas këtyre, presidentja Osmani kërkoi nga Bashkimi Evropian që të ketë një përgjigje ndaj veprimeve destabilizeuse të Serbisë në rajon.

“Është me rëndësi që BE-ja të ketë një përgjigje të qartë ndaj veprimeve të tilla që synojnë rajonin të kthejnë drejt së kaluarës dhe konflikteve. Kosova ka bërë çmos që të kontribuoj në stabilitetin rajonal, përkundër faktit se dy viteve të fundit kemi pasur sulme të agresionit nga Serbia në veri të vendit tonë me synimin e qartë që të aneksohet territori ynë sipas modelit rus të aneksimit”, tha Osmani.

Përkitazi me këtë, Osmani dhe homologu i saj nga Letonia theksuan nevojën edhe për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes

Lajmet

Në Durrës hapet ekspozita fotografike “Shqipëria 1921 – Eugène Pittard”

Published

on

Në qytetin e Durrësit është hapur ekspozita fotografike “Shqipëria 1921 – Eugène Pittard”, e cila sjell për publikun pamje të rralla të Shqipërisë së fillimshekullit XX.

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu, si dhe ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber. Ekspozita është realizuar në bashkëpunim ndërmjet Ambasadës së Zvicrës në Tiranë dhe FotoKlub Durrës, duke ofruar një udhëtim të veçantë vizual përmes fotografive të realizuara nga akademiku dhe antropologu zviceran Eugène Pittard dhe bashkëshortja e tij, Hélène Pittard.

Gjatë viteve 1921 dhe 1924, çifti Pittard udhëtoi nëpër Shqipëri duke dokumentuar jetën e përditshme, qytetet, fshatrat, peizazhet dhe traditat shqiptare. Përmes objektivit të tyre, ekspozita sjell dëshmi autentike të historisë dhe identitetit kombëtar shqiptar, të ruajtura në fotografi me vlerë të veçantë historike dhe kulturore.

Në fjalën e saj, Klodiana Spahiu e vlerësoi këtë nismë si një kontribut të rëndësishëm në promovimin e kujtesës historike dhe trashëgimisë kulturore shqiptare, duke falënderuar organizatorët për sjelljen e kësaj ekspozite për publikun durrsak.

Continue Reading

Lajmet

Shqipëria nesër në skenën e Eurovision 2026, Alis Kallaci përfaqëson vendin me këngën “Nan”

Published

on

Shqipëria do të ngjitet nesër në skenën e madhe të Eurovision Song Contest 2026, ku do të përfaqësohet nga këngëtari Alis Kallaci me këngën “Nan”.

Performanca shqiptare pritet të sjellë emocion, ndjeshmëri artistike dhe interpretim vokal të fuqishëm, ndërsa fansat shqiptarë kanë shprehur mbështetje të madhe për këngën që do të prezantohet para publikut europian.

Alis Kallaci do të performojë më 14 maj në një nga netët më të rëndësishme të kompeticionit muzikor europian, duke synuar kualifikimin në finalen e madhe të Eurovisionit. Ndërkohë, delegacioni shqiptar tashmë ka mbërritur në Vjenë të Austrisë për të mbështetur përfaqësuesin e Shqipërisë në këtë edicion të festivalit.

Eurovision Song Contest mbetet një nga ngjarjet më të ndjekura muzikore në Evropë, ku artistë nga vende të ndryshme konkurrojnë për trofeun prestigjioz dhe vëmendjen e publikut ndërkombëtar.

Continue Reading

Lajmet

Ministria e Kulturës organizon aktivitete për Ditën Ndërkombëtare të Muzeut

Published

on

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës ka njoftuar organizimin e aktiviteteve të veçanta në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Muzeut.

Sipas njoftimit, aktivitetet synojnë ta afrojnë publikun me koleksionet muzeale, historinë dhe trashëgiminë kulturore të vendit, përmes programeve edukative dhe prezantuese.

Në kuadër të agjendës do të organizohen vizita, ekspozita dhe aktivitete të hapura për qytetarët, duke e prezantuar muzeun si një hapësirë aktive të jetës kulturore dhe jo vetëm si vend ruajtjeje të objekteve historike.

Ministria ka ftuar qytetarët që të bëhen pjesë e aktiviteteve të planifikuara për shënimin e kësaj dite, me synimin për të promovuar rëndësinë e muzeve në ruajtjen dhe kultivimin e trashëgimisë kulturore.

Continue Reading

Lajmet

Përmbyllet afati për certifikim, katër parti nuk dorëzojnë listat

Published

on

By

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar zyrtarisht se është përmbyllur afati për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë që synojnë të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se gjatë periudhës 11-ditore janë pranuar aplikimet nga 23 subjekte politike, ku përfshihen 18 parti politike, 3 koalicione, 1 nismë qytetare dhe 1 kandidat i pavarur. Megjithatë, përkundër njoftimeve paraprake për pjesëmarrje, katër parti politike kanë mbetur jashtë këtij procesi pasi nuk kanë arritur të dorëzojnë listat e tyre me emrat e kandidatëve brenda afatit ligjor që përfundoi më 12 maj.

Në total, numri i kandidatëve të propozuar për këto zgjedhje është 917, prej të cilëve 603 janë burra dhe 314 janë gra. Tashmë KQZ-ja ka nisur fazën tjetër, atë të verifikimit të përshtatshmërisë së kandidatëve, proces ky që pritet të përfundojë deri më datën 15 maj.

Gjatë kësaj kohe, listat e kandidatëve do t’u dërgohen institucioneve relevante për të vlerësuar nëse ata janë në përputhje me nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili përcakton aftësinë ligjore të personave për të garuar për poste publike. Ky proces verifikimi është një praktikë e rregullt e KQZ-së, që synon të sigurojë se të gjithë kandidatët përmbushin obligimet ligjore përpara se të certifikohen zyrtarisht për garën e qershorit.

Continue Reading

Të kërkuara