Lajmet

Presidenti i Austrisë nderon Rektorin e UBT-së, Dr. Edmond Hajrizi, me Medaljen e Artë të Meritave

Published

on

Presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen e ka dekoruar Presidentin dhe Rektorin e UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi me Medaljen e Artë të Meritave, një çmim që u jepet personaliteteve të larta botërore.

Dekorata e lartë iu dorëzua Rektorit Hajrizi, në një ceremoni solemne organizuar sot në Parkun Inovativ të UBT-së, nga Ambasadori i Austrisë në Kosovë, z. Georg Schnetzer.

Kjo dekoratë është ndarë me dekret shtetëror nga Presidenti Austrisë, Van der Bellen, më 23 prill 2025. Ajo nderon kontributin e jashtëzakonshëm të Rektorit Hajrizit në zhvillimin dhe avancimin e sistemit arsimor në Kosovë, si dhe në forcimin e marrëdhënieve akademike, shkencore dhe kulturore ndërmjet Austrisë dhe Kosovës.

Në fjalën e tij, ambasadori Schnetzer vlerësoi ndikimin afatgjatë që Rektorit Hajrizi ka pasur në fushën e arsimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

“Është një nder i veçantë për mua që sot, në emër të Republikës së Austrisë, t’ia dorëzoj këtë medalje të rëndësishme Profesor Edmond Hajrizit. Ky çmim, i ndarë nga Presidenti Federal Alexander Van der Bellen, përfaqëson mirënjohjen e Austrisë për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në përmirësimin e cilësisë së arsimit në Kosovë dhe për forcimin e lidhjeve të qëndrueshme ndërmjet dy vendeve tona në fushën e shkencës, kërkimit dhe shkëmbimeve akademike”, deklaroi ambasadori Schnetzer.

Ai shtoi se UBT është shndërruar në një urë të fortë akademike mes Austrisë dhe Kosovës, duke nxitur partneritete të qëndrueshme dhe bashkëpunime të frytshme në shumë fusha.

Në fjalën e tij falënderuese, Prof. Dr. Edmond Hajrizi e cilësoi këtë medalje si një nder të jashtëzakonshëm dhe me domethënie të veçantë personale.

“Kjo medalje ka një kuptim jashtëzakonisht të veçantë për mua, sepse më jepet nga shteti i Austrisë, një vend që për më shumë se 30 vjet e kam quajtur shtëpinë time të dytë. Në një kohë kur Kosova po kalonte periudha të vështira, Austria ishte vendi që hapi dyert për ne, duke na dhënë mundësinë të ëndërrojmë, të zhvillohemi dhe të kontribuojmë për të ardhmen”, theksoi Rektori Hajrizi.

Ai shtoi se modeli austriak i arsimit ka qenë një nga frymëzimet kryesore në ndërtimin e filozofisë akademike të UBT-së:

“Austria është një lider global në inovacion, arsim dhe zhvillim. Ajo ka krijuar një ekosistem të jashtëzakonshëm që lidh ngushtë akademinë me industrinë, duke u ofruar studentëve mundësinë të aplikojnë dijen në praktikë. Kjo qasje është bërë pjesë thelbësore e punës sime dhe e modelit që kemi ndërtuar në UBT”, tha Rektori Hajrizi.

Hajrizi, i nderuar për këtë çmim jetësor, falënderoi të gjithë bashkëpunëtorët e shumtë, ndërkombëtarë e vendorë, që ndihmuan në rrugëtimin dhe të arriturat e tij jetësore.

Ai theksoi mbështetjen e familjen së tij, si një nga elementet më të rëndësishme të suksesit dhe të arritjeve së tij, veçanërisht bashkëshorten e tij, Fisnete Hajrizi, e cila ishte bashkrijuese, përkrahëse e vazhdueshme e vizionit dhe ideve të tij, nga fillimi deri në realizimin final.

Përveç rolit të tij akademik, Prof. Hajrizi është ndërmarrës vizionar që ka themeluar më shumë se 30 kompani dhe laboratorë inovacioni, si dhe Parkun e parë të Shkencës, Inovacionit dhe Teknologjisë në Kosovë. Ai është anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve, fitues i disa çmimeve ndërkombëtare dhe pjesëmarrës aktiv në iniciativa që promovojnë arsimin, kërkimin shkencor, inovacionin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

UBT, i themeluar në vitin 2001 nga Prof. Hajrizi, ku mandej nisi me vetëm 29 studentë dhe sot numëron mbi 10000 studentë në disa kampuse. Institucioni është ndërtuar mbi modelet dhe standardet akademike austriake, me një qasje ndërdisiplinore dhe të orientuar drejt praktikës. Në vitet e para të funksionimit, UBT ka përfituar ndjeshëm nga ekspertiza e profesorëve dhe hulumtuesve të Universitetit Teknik të Vjenës (TU Wien) dhe institucioneve të tjera akademike austriake.

Sot, institucioni vazhdon bashkëpunime të shumta me universitete, institute kërkimore dhe qendra ekselence në Austri, ndërsa programi EUROTRIP i UBT-së u mundëson studentëve vizita studimore dhe eksperienca praktike në institucione austriake.

Përveç dimensionit akademik, UBT ka kontribuar ndjeshëm edhe në forcimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Austrisë dhe Kosovës, përmes bashkëpunimeve me Dhomën Ekonomike Federale të Austrisë (WKÖ), organizatën austriake për zhvillim ekonomik WIFI, si dhe institucione të tjera partnere. Universiteti organizon rregullisht aktivitetin tradicional “Ditët e Austrisë”, që ka shërbyer si platformë për shkëmbim idesh, përvoja dhe mundësi bashkëpunimi.

Gjithashtu, UBT ka qenë një nga promotorët kryesorë të futjes së modelit austriak të arsimit profesional dual në Kosovë, duke kontribuar në reformimin e sistemit arsimor në vend.

Ceremonia e dorëzimit të medaljes u mbyll me një pritje solemne, ku morën pjesë përfaqësues institucionesh, profesorë, studentë, bashkëpunëtorë ndërkombëtarë dhe miq të institucionit.

Lajmet

UBT shënon arritje historike: Renditet përsëri ndër institucionet më të mira në botë dhe i pari në rajon, sipas GreenMetric

Published

on

UBT është renditur ndër institucionet më të mira në botë nga UI GreenMetric World University Ranking, një ndër vlerësimet globale më prestigjioze për qëndrueshmërinë universitare dhe kampuset e gjelbra. UBT është institucioni i parë në rajon që pozicionohet me sukses në këtë renditje të rëndësishme ndërkombëtare.

Nga mbi 1,800 institucione pjesëmarrëse nga e gjithë bota, UBT është renditur në 50% e institucioneve më të mira, duke konfirmuar angazhimin e tij për krijimin e kampuseve të gjelbra, të qëndrueshme dhe inovative.

Në veçanti, në kategorinë e kampuseve inovative, në mesin e mbi 500 institucione të përfshira globalisht, UBT u rendit në vendin e 169, duke treguar përkushtimin e vazhdueshëm të institucionit ndaj standardeve ndërkombëtare dhe inovacionit në mjedis.

UI GreenMetric përdor një metodologji që vlerëson 39 indikatorë në gjashtë fusha kyçe: mjedisin dhe infrastrukturën, energjinë dhe ndryshimet klimatike, menaxhimin e mbetjeve, ujin, transportin, si dhe edukimin dhe kërkimin.

Rezultatet e këtij viti e pozicionojnë UBT-në si një nga institucionet më të përparuara në rajon për qëndrueshmërinë e kampusit dhe politikat inovative të menaxhimit. Kjo arritje e vendos UBT-në në një pozitë të veçantë në hartën akademike ndërkombëtare dhe përfaqëson një sukses të jashtëzakonshëm për institucionin dhe arsimin e lartë në Kosovë.

Ajo dëshmon se institucionet në Kosovë mund të konkurrojnë me sukses në skenën globale, duke tejkaluar standardet ndërkombëtare në qëndrueshmëri, inovacion dhe zhvillim të përgjegjshëm. UBT ka qenë pjesë e kësaj renditjeje prestigjioze edhe në vitet 2023 dhe 2024, duke treguar një angazhim të vazhdueshëm për qëndrueshmërinë mjedisore dhe ndryshimet klimatike.

Continue Reading

Vendi

Prof. Ferid Selimi: Kërkimi shkencor në Kosovë ka potencial, por kërkon standarde të qarta

Published

on

Profesori dhe Dekani i Fakultetit të Medias dhe Komunikimit në UBT, Prof. Dr. Ferid Selimi, ishte mysafiri i radhës në Podcastin e UBT-së, ku diskutoi gjerësisht mbi gjendjen aktuale të kërkimit shkencor në Republikën e Kosovës.

Në këtë episod, Prof. Selimi foli për terrenin akademik dhe institucional në vend, duke e vlerësuar atë si një hapësirë me potencial të konsiderueshëm, por që ende përballet me sfida strukturore dhe metodologjike. Ai theksoi se zhvillimi i kërkimeve të mirëfillta shkencore kërkon qasje të plotë në të dhëna, transparencë institucionale, infrastrukturë adekuate dhe mbështetje financiare, elemente të cilat në Kosovë shpesh mungojnë ose janë të fragmentuara.

Për më shumë, ndiqni Podcastin në Youtube: PODCASTI

Continue Reading

Lajmet

Laporta i Barcelonës dëshmon para gjykatës

Published

on

Presidenti i FC Barcelona, Joan Laporta, është thirrur sot si dëshmitar në hetimet për “Rastin Negreira”, që heton pagesat e klubit ndaj ish-nënkryetarit të Komitetit Teknik të Arbitrave, José María Enríquez Negreira, dhe kompanive të tij.

Laporta do të japë dëshminë e tij si dëshmitar, pasi hetimi për periudhën kur ai ishte president (2003-2010) është mbyllur për shkak të afateve ligjore. Gjyqtarja do t’i drejtojë pyetje mbi arsyet dhe rritjen e pagesave gjatë asaj periudhe.

Deklarimi i tij para gjyqtares Alejandra Gil ka filluar që në orën 11:30 në Ciutat de la Justícia në Barcelonë.

Hetimi lidhet me pagesa prej mbi 8 milionë eurosh që Barcelona ka bërë gjatë viteve 2001–2018, të cilat prokuroria i dyshon. FC Barcelona ka pohuar se pagesat ishin për raporte teknike lidhur me arbitrimin.

Deklarime të rëndësishme kërkohen nga Laporta për të sqaruar arsyet e vendosjes së këtyre pagesave dhe rolin e tij në vendimet e bëra atëherë.

Përveç Laportas, trajnerët e mëparshëm të Barcelonës, Luis Enrique dhe Ernesto Valverde, janë gjithashtu të thirrur për të dëshmuar. Hetimi, i nisur pas një padie të prokurorisë në mars 2023, shqyrton nëse pagesat i korrespondojnë shërbimeve të pretenduara dhe nëse ka pasur ndikim arbitral në ndeshjet e klubit.

Continue Reading

Lajmet

Modric: Milan është klubi më i madh italian, po shijoj çdo moment

Published

on

Ylli kroat i Milan, Luka Modric, po përjeton një fillim fantastik në San Siro dhe e ka shprehur entuziazmin e tij për jetën dhe futbollin në Milano.

40-vjeçari, fitues i Topit të Artë 2018, iu bashkua Rossonerëve si agjent i lirë nga Real Madrid gjatë verës dhe ka startuar 14 ndeshje radhazi në Serie A.

“Ndjehem mirë, fizikisht dhe mendërisht, dhe po shijoj atë që bëj. Dua të vazhdoj kështu sepse po argëtohem,” tha Modric për Gazzetta dello Sport.

Milan aktualisht është në krye të tabelës së Serie A, së bashku me Napoli, edhe pse nuk marrin pjesë në garat europiane këtë sezon. Modric theksoi vështirësitë e kampionatit Italian./S.K/KP/

Continue Reading

Të kërkuara