Lajmet

Presidenti Biden po e shtyn BE të rikthejë sytë nga Ballkani

Kthimi i kursit të Biden për Ballkanin duhet përshëndetur

Published

on

Ballkani perendimor do të jetë një nga çështjet që do të diskutohen sot në takimin SHBA-BE gjatë vizitës së parë të presidentit amerikan Biden në Europë. Kjo është konfirmuar nga Shtëpia e Bardhë e cila ka ka nxjerrë një deklaratë për samitin e sotëm SHBA-BE që mbahet në Bruksel.

Udhëheqësit e samitit, sipas Shtëpisë së Bardhë do ta shprehin angazhimin e tyre të përbashkët për politikë të kordinuar në disa vende, përfshirë Ballkanin Perëndimor.

“Udhëheqësit do të angazhohen për ta mbështetur demokracinë, për ta mbështetur transparencën, për të luftuar korrupsionin….dhe për të mbrojtur të drejtat e njeriut. SHBA do të punojnë me BE-në në prioritetet e përbashkëta të politikës së jashtme, duke përfshirë Bjellorusinë, Kinën, Mesdheun Lindor, Etiopinë, Iranin, Rusinë, Venezuelën dhe Ballkanin Perëndimor”, thuhet në deklaratë.

Një javë më parë Presidenti Joe Biden nënshkroi një urdhër ekzekutiv, në të cilin përfshiu edhe Shqipërinë, që parashikonte ngrirjen e pasurive dhe ndalimin e hyrjes në SHBA për ata që destabilizojnë Ballkanin Perëndimor, kryejnë korrupsion e minojnë institucionet demokratike.

Në këtë urdhër përfshiheshin të gjithë ata që kërcënojnë stabilitetin e Ballkanit Perëndimor përfshihen edhe ata që punojnë kundër Marrëveshjes së Prespës apo Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Urdhëri është vazhdim i një urdhëri fillestar të vitit 2001, që parashikon sanksione për individë nga Ballkani Perëndimor që shihen si rrezik për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Tani në të u shtuan edhe sanksione ndaj personave që kryejnë korrupsion dhe minojnë institucionet demokratike. Sipas doktrinës së re të Bidenit korrupsioni i politikanëve i hap rrugën në rajon kundërshtarëve strategjikë të SHBA-së.

Ky qëndrim që përbën një ndarje brutale me ish administratën Trump, e cila e vuri theksin tek një “normalizimin ekonomik” i pakushtëzuar nga vlerat demokratike, synon sipas analistëve të rimbledhë vendet e BE dhe aletatët e SHBA në një qëndrim të përbashkët ndaj Ballkanit Perendimor

Por sikurse theksonte studiuesi Edward P. Joseph, në një shkrim në “Foreing Policy” (lexo ketu),“Fatkeqësisht, inercia në Bruksel – madje edhe brenda Departamentit të Shtetit – paraqet një pengesë të rëndësishme për të realizuar vizionin parimor të përcaktuar nga presidenti i SHBA dhe sekretari i tij i shtetit”. Sipas tij SHBA dhe BE po përdorin dy standarte.

“Aktualisht, SH.B.A. dhe BE kanë një sistem me dy nivele kur bëhet fjalë për standardet demokratike në Ballkan – një rrugë e privilegjuar për Serbinë dhe një rrugë më e ashpër për fqinjët e ardhshëm në Ballkan. Ky është një paradoks i rrezikshëm: regjimi më jodemokratik në rajon, qeveria serbe e udhëhequr nga Presidenti Aleksandar Vuçiç, gëzon trajtimin më të favorshëm nga zyrtarët amerikanë dhe evropianë…Beogradi praktikon dhe promovon demokracinë joliberale të aleatit të tij kryesor të BE, Hungarisë. Kandidimi i Serbisë për BE është kryesisht një mashtrim. Ndërsa fqinjët e saj luftojnë për të drejtën për të hapur negociata me BE, Beogradi po vonon ofertën e tij. Vitin e kaluar, Serbia nuk hapi ndonjë kapitull të ri të anëtarësimit” shkruante Joseph. 

Ndonëse aplikimi i dy standarteve është vënë re edhe në nivel lokal, në goditjen selektive që SHBA po i bën korrupsionit në Shqipëri (duke mos prekur fare atë të mikut të Vuçiçit në Tiranë), kthimi i kursit të Biden për Ballkanin duhet përshëndetur. Nëse SHBA do i kthehet sërish mbrojtjes së vlerave të demokracisë dhe luftës ndaj korrupsionit, popujt e gadishullit mund të rifillojnë të shpresojnë.

©Lapsi.al

Lajmet

Gjykata Speciale nis procedurat për kompensimin e viktimave në rastin e ish-krerëve të UÇK-së

Published

on

By

Kryetari i Trupit Gjykues në Dhomat e Specializuara në Hagë, Charles L. Smith, ka marrë vendim për nisjen e procedurave që lidhen me kompensimin dhe reparacionet ndaj viktimave në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Përmes këtij urdhri, të bazuar në nenin 22(8) dhe rregullën 168 të rregullores së gjykatës, Trupi Gjykues ka caktuar kalendarin e afateve për Mbrojtjen, Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe Përfaqësuesin e Viktimave për paraqitjen e kërkesave dhe provave përkatëse.

Afatet kryesore të caktuara nga Trupi Gjykues:

22 Shtator 2026: Mbrojtja duhet të paraqesë çdo kundërshtim eventual lidhur me zhvillimin e procedurës së reparacioneve, si dhe të njoftojë nëse synon të paraqesë prova. Po ashtu, brenda kësaj date Përfaqësuesi i Viktimave duhet të njoftojë për çdo ndryshim në paraqitjen e provave, ndërsa Sekretaria dhe Mbrojtja duhet të riklasifikojnë apo dorëzojnë versionet publike të parashtresave të nëntorit 2025.

25 Shtator 2026: Afati i fundit që Përfaqësuesi i Viktimave dhe ZPS-ja të dërgojnë përgjigjet e tyre ndaj kundërshtimeve të mundshme të Mbrojtjes.

7 Tetor 2026: Data deri kur Përfaqësuesi i Viktimave mund të paraqesë provat e tij lidhur me dëmshpërblimin.

14 Tetor 2026: Përfaqësuesi i Viktimave obligohet të dorëzojë kërkesën përfundimtare e zyrtare për reparacione.

4 Nëntor 2026: Mbrojtja dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar duhet t’i përgjigjen zyrtarisht kërkesës së paraqitur për kompensimin e viktimave.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Continue Reading

Lajmet

Specializohuni në tri shtyllat kryesore të drejtësisë në UBT-në

Published

on

By

Përballja me dinamikat e sistemit modern ligjor kërkon një nivel krejtësisht të ri përgatitjeje, ku diploma bazë shërben vetëm si hapi i parë drejt një rruge më të gjatë e më ambicioze. Në këtë kuadër, UBT ka konceptuar një platformë elitare të studimeve Master në fushën e Juridikut, e cila është e dizajnuar posaçërisht për ta shndërruar teorinë tradicionale në një mjet të fuqishëm veprimi praktik.

Përmes tri drejtimeve të specializuara të Drejtës Penale, të Drejtës Civile e të Pronës, si dhe të Drejtës Komerciale këto programe u ofron juristëve të rinj dhe profesionistëve në ngritje mundësinë për t’u profilizuar thellësisht në fushën që përputhet më së miri me synimet e tyre profesionale, duke garantuar përshtatshmëri të plotë me kërkesat e tregut vendor dhe atij ndërkombëtar.

Zgjedhja e specializimit në të Drejtën Penale është rruga ideale për ata që e shohin veten në linjën e parë të mbrojtjes së sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut. Ky profil jo vetëm që zbërthen doktrinat përmbajtësore dhe procedurale të legjislacionit vendës dhe krahasues, por u jep studentëve qasje të drejtpërdrejtë në shkencat më bashkëkohore si Kriminologjia, Viktimologjia, Penologjia dhe Mjekësia Ligjore.

Përmes një metodologjie që vë në qendër zhvillimin e aftësive analitike, studentët aftësohen për të udhëhequr hetime komplekse, për të menaxhuar ekipe në simulimin e proceseve gjyqësore dhe për të hartuar me saktësi shkresat kryesore lëndore, nga kallëzimet penale e aktakuzat e deri te formulimi i aktgjykimeve përfundimtare.

Në anën tjetër, për ata që synojnë të bëhen shtylla e sigurisë juridike në marrëdhëniet shoqërore e private, programi i të Drejtës Civile dhe të Pronës ofron përgatitjen e duhur për të përballuar sfidat e përafrimit të legjislacionit të Kosovës me kornizën evropiane. Fusha e pronësisë intelektuale, e drejta e konkurrencës, falimentimi dhe marrëveshjet tregtare ndërkombëtare kërkojnë specialistë të aftë për të zgjidhur ngërçet e një ekonomie në zhvillim.

Angazhimi në këtë drejtim plotësohet natyrshëm nga mundësia e praktikës profesionale gjatë periudhës së studimeve, çka u mundëson studentëve të UBT-së të hyjnë në kontakt të drejtpërdrejtë me avokatë e juristë me përvojë, duke ndërtuar që në bankat e fakultetit rrjetin e tyre të parë të bashkëpunimit profesional.

Po aq i rëndësishëm dhe tejet premtues mbetet edhe drejtimi i të Drejtës Komerciale, i cili i përgjigjet drejtpërdrejt nevojave të botës së biznesit, financave dhe korporatave. Ky program i përgatit studentët për të operuar me siguri në mjedisin e globalizuar të biznesit, duke trajtuar çështje nga krijimi e qeverisja korporative, te hartimi i kontratave komplekse afariste dhe arbitrazhi ndërkombëtar.

Përmes një ndërthurjeje rigoroze mes kërkimit shkencor, analizës së tregut të brendshëm të BE-së dhe simulimeve praktike të kontesteve tregtare, UBT formon liderë ligjorë të pajisur me etikë të lartë dhe vision strategjik, të gatshëm për të mbrojtur interesat e korporatave dhe për të kontribuar drejtpërdrejt në rritjen e qëndrueshme ekonomike të vendit.

Afati i aplikimeve është hapur, këtu gjeni linkun për aplikim.

 

Continue Reading

Lajmet

Kandiq: Rreth 7 mijë civilë shqiptarë u vranë në 78 ditë

Published

on

Aktivistja serbe për të drejtat e njeriut dhe themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH), Natasha Kandiq, i është përgjigjur një qytetareje serbe që kishte fajësuar shqiptarët e Kosovës për fillimin e luftës.

Përmes një reagimi në rrjetin social X, Kandiq ka kundërshtuar këtë pretendim, duke theksuar rolin e forcave serbe në luftën dhe krimet e kryera në Kosovë.

“Nuk ka luftë pa Serbinë”, ka shkruar Kandiq, duke pretenduar se plani serb për Kosovën ishte zvogëlimi i popullsisë shqiptare në 5 për qind dhe se rreth 800 mijë shqiptarë u dëbuan.

Ajo ka deklaruar gjithashtu se gjatë 78 ditëve, nga 24 marsi deri më 12 qershor 1999, policia dhe ushtria serbe vranë rreth 7 mijë civilë shqiptarë që, sipas saj, nuk kishin marrë pjesë në konfliktin e armatosur.

Të dhënat e Fondit për të Drejtën Humanitare dhe FDH-Kosovë dokumentojnë 6,872 civilë shqiptarë të vrarë nga forcat serbe në periudhën 20 mars–14 qershor 1999, ndërsa ICTY ka konstatuar se mbi 800 mijë civilë shqiptarë u deportuan.

Kandiq ka ngritur gjithashtu çështjen e ndjekjes penale në Serbi të komandantëve të lartë të Ushtrisë Jugosllave dhe MUP-it për operacionet në Kosovë. Sipas saj, edhe 27 vjet pas luftës, nuk ka pasur ndjekje penale në Serbi ndaj komandantëve të lartë për këto operacione, pavarësisht fakteve të përcaktuara në aktgjykimet e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.

Në reagimin e saj, Kandiq ka thënë gjithashtu se pakënaqësia e shqiptarëve ndaj vendimit të fundit në Hagë është e kuptueshme, duke kërkuar që përgjegjësit për krimet në Kosovë të mbahen përgjegjës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

OVL e UÇK-së thërret protestë gjithëpopullore për të premten

Published

on

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka thirrur protestë gjithëpopullore për të premten, në orën 12:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Thirrja u bë e ditur në një konferencë për media, ku Gazmend Syla nga OVL e UÇK-së tha se zhvillimet e fundit, sipas tij, kanë tentuar të vendosin në një balancë luftën e UÇK-së me ngjarjet e viteve 1998-1999.

Syla deklaroi se OVL e UÇK-së e konsideron procesin gjyqësor në Hagë si të padrejtë dhe tha se, sipas tij, vendimi i fundit nuk mund ta ndryshojë historinë e luftës së UÇK-së.

Ai bëri të ditur se organizatat e dala nga lufta synojnë të ndërmarrin edhe hapa të tjerë, përfshirë krijimin e një këshilli koordinues kombëtar dhe një platforme ku do të përfshiheshin edhe shqiptarët nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës dhe diaspora.

Sipas Sylës, organizatat do të kërkojnë gjithashtu një strategji kundërshtuese ndaj vendimit deri në përfundimin e procesit të apelit, me përfshirjen e institucioneve, partive parlamentare dhe shoqërisë civile.

Ndërkohë, ai njoftoi se OVL e UÇK-së dhe disa shoqata të familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës do t’i bashkohen edhe protestës së studentëve, e cila është paralajmëruar për sot në orën 16:30.

Gjykata Speciale i dënoi Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet burgim. Ata u shpallën fajtorë për vepra të krimeve të luftës, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara