Lajmet

Presidenti Biden do të flasë në përvjetorin e sulmit në Kapitol

Biden pritet të flasë në sallën e statujave në Kongres.

Published

on

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, do të flasë të enjten për rëndësinë historike të sulmit të vitit të kaluar në Kapitol, nga mbështetësit e ish-presidentit, Donald Trump.

Në njëvjetorin e sulmit, presidenti Biden pritet të flasë në sallën e statujave në Kongres, në një paraqitje të përbashkët me zëvendëspresidenten Kamala Harris.

“Presidenti do të flasë për të vërtetën e asaj që ndodhi, jo për gënjeshtrat që disa kanë përhapur që atëherë dhe për rrezikun që sulmi ka paraqitur për sundimin e ligjit dhe sistemin tonë të qeverisjes demokratike”, u tha të martën gazetarëve zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

Ajo tha se presidenti “do të përkujtojë heronjtë e 6 janarit, veçanërisht trimërinë e burrave dhe grave të forcave të rendit, që luftuan për të mbrojtur Kushtetutën, për të mbrojtur Kapitolin dhe jetët e njerëzve që ishin aty. Për shkak të përpjekjeve të tyre, demokracia jonë i rezistoi sulmit të një turme dhe vullneti i më shumë se 150 milionë njerëzve që votuan në zgjedhjet presidenciale, u vërtetua përfundimisht nga Kongresi”.

Turma e mbështetësve të ish presidentit Trump sulmoi selinë e Kongresit ndërsa ligjvënësit po mblidheshin për të certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të nëntorit të vitit 2020, duke mposhtur oficerët e policisë së Kapitolit, duke thyer dritaret dhe dëmtuar ndërtesën historike dhe duke i detyruar ligjvënësit të kërkonin strehim për shkak të sigurisë së tyre.

Vetëm disa orë më vonë, pasi agjencitë federale të zbatimit të ligjit dhe ushtria arritën të rivendosin situatën nën kontroll, anëtarët e Kongresit qenë në gjendje të përfundojnë punën e tyre, të vërtetojnë fitoren e zotit Biden në zgjedhje dhe të përgatisin terrenin për inaugurimin e tij javë më vonë.

Katër persona vdiqën ditën e sulmit, duke përfshirë një oficer policie të Kapitolit që vdiq të nesërmen. Turma plagosi dhjetëra oficerë dhe në muajt pas sulmit katër oficerë kryen vetëvrasje.

Donald Trump kishte planifikuar të mbante një konferencë shtypi të enjten në Florida, por të martën tha se po e anulonte atë. Në një deklaratë ku përsëriti pretendimin e tij të rremë se ai në fakt fitoi zgjedhjet e vitit 2020, zoti Trump tha se në vend të konferencës, do të diskutojë “tema të rëndësishme” në një tubim të 15 janarit në Arizona.

Carl Tobias, një profesor në Shkollën Juridike të Universitetit të Richmondit, i tha agjencisë së lajmeve France-Presse se fushata e zotit Trump është “e pashembullt në historinë e Shteteve të Bashkuara”.

“Asnjë ish president nuk është përpjekur të bëjë kaq shumë për të diskredituar pasardhësin e tij dhe procesin demokratik”, tha profesori Tobias.

Anketat opinionit publik kanë treguar se rreth 70 për qind e republikanëve nuk e konsiderojnë të ligjshme fitoren e presidentit Biden.VOA

*Mbështetur edhe në agjencitë e lajmeve Associated Press, France-Presse dhe Reuters.

Continue Reading

lajme

Sulmohet me thikë një person në Pejë, i dyshuari në arrati

Published

on

By

Një burrë është sulmuar me thikë në rrugën “Vrana Konti” në Pejë, në një rast që policia po e heton si vrasje në tentativë.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, viktima ka raportuar se një person i panjohur ka dalë nga një veturë, e ka sulmuar fizikisht me mjet të mprehtë dhe më pas është larguar në drejtim të panjohur.

I lënduari është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku po mbahet në repartin e kirurgjisë.

Për rastin është njoftuar prokurori i shtetit, ndërsa policia po punon për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Ndërron jetë një vajzë e mitur e lënduar në një aksident trafiku në Gjakovë

Published

on

By

Një vajzë e mitur, e cila po trajtohej në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) pas një aksidenti të rëndë trafiku në Gjakovë, ka ndërruar jetë. Vdekjen e saj e ka konfirmuar ekipi mjekësor, ndërsa me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Aksidenti kishte ndodhur muajin e kaluar në rrugën “Tirana” në Gjakovë, ku ishin përfshirë dy vetura, njëra me targa të Shqipërisë e drejtuar nga një burrë, shtetas i Shqipërisë, dhe tjetra me targa vendore e drejtuar nga një burrë nga Kosova.

Përveç dëmeve materiale, në këtë aksident ishin lënduar pesë persona: tri gra dhe dy burra. Njëri prej drejtuesve të dyshuar, pas marrjes së ndihmës mjekësore, ishte dërguar në mbajtje, ndërsa të lënduarit e tjerë kishin marrë trajtim mjekësor. Rasti po vazhdon të hetohet nga organet kompetente./E.A/

Continue Reading

Vendi

Arrestohet një person në Mitrovicë, dyshohet se kanosi prindërit e tij

Published

on

By

Policia e Kosovës ka arrestuar një burrë në Mitrovicë, nën dyshimin se ka ushtruar dhunë dhe ka kanosur dy prindërit e tij.

Sipas raportit 24-orësh të policisë, ngjarja ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje mes tyre.

Pas intervistimit në stacionin policor, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Tre raste të dhunës në familje raportohen brenda 24 orëve në Kosovë

Published

on

By

Policia e Kosovës ka njoftuar për tre raste të ndara të dhunës në familje të regjistruara në Prishtinë, Ferizaj dhe Pejë.

Në Prishtinë, një burrë është shoqëruar në stacionin policor pasi, pas një mosmarrëveshjeje, dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj babait të tij. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, rasti ka kaluar në procedurë të rregullt.

Ndërkohë, në Ferizaj, një grua ka raportuar se është kanosur nga një burrë me të cilin kishte bashkëjetuar më herët. Sipas policisë, i dyshuari ndodhet në arrati, ndërsa hetimet po vazhdojnë.

Një rast tjetër i kanosjes është raportuar edhe në Pejë, ku një grua është kërcënuar përmes telefonit nga ish-bashkëshorti i saj, një burrë që jeton në Gjermani. Edhe për këtë rast, me vendim të prokurorit, procedurat po zhvillohen në mënyrë të rregullt. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara