Kampione e Evropës dhe tashmë finaliste e Botërorit 2026. Kombëtarja e Spanjës ka siguruar biletën e madhe për në finalen e Kupës së Botës, pas një fitoreje bindëse dy me zero ndaj Francës të martën mbrëma në Dallas. Spanjollët dominuan plotësisht lojën që nga minuta e parë, duke lënë në hije yjet e Francës si Kylian Mbappe, Ousmane Dembele dhe Michael Olise, të cilët dështuan të gjenin rrugën e rrjetës përballë një Spanje tërësisht superiore.
Rrugën drejt finales e hapi Mikel Oyarzabal në minutën e 22-të, duke u treguar i saktë nga pika e bardhë e penalltisë. Kjo e fundit u sigurua nga talenti Lamine Yamal, i cili u pengua brenda zonës nga Lucas Digne gjatë një tentative për të larguar topin. Ky ishte goli i pestë në këtë kampionat për Oyarzabal, i cili e dërgoi ekipin në pushim me epërsi minimale.
Me të filluar pjesa e dytë, në minutën e 58-të, Pedro Porro vulosi fatin e takimit duke shënuar golin e dytë dhe duke siguruar finalen e parë të Spanjës në një Botëror që nga viti 2010, kur u shpallën kampionë bote.
Në krahun tjetër, kjo humbje shënon një dështim të madh për Francën, e cila humb mundësinë për të luajtur në finalen e saj të tretë radhazi, pas titullit të fituar në vitin 2018 dhe finales dramatike të katër viteve më parë kundër Argjentinës. Pavarësisht eliminimit, ylli francez Kylian Mbappe e mbyll këtë Botëror me tetë gola të shënuar, po aq sa ka realizuar edhe legjenda Lionel Messi. /E.A/