Lajmet

Posta kërkon nga Qeveria e Telekomi të shlyejnë borxhet

Published

on

Posta e Kosovës është në gjendje jo të mirë financiare, e si pasojë e kësaj kanë mbetur edhe një pjesë e punëtorëve ende pa paga. Në këtë ndërmarrje thonë se situatë më e mirë do të ishte nëse Telekomi dhe Qeveria e Kosovës do të paguanin obligimet që kanë ndaj saj.

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të Postës së Kosovës, Xhevdet Smakiqi ka thënë për KosovaPress, se nëse do të respektohej marrëveshja për shërbime postare me Qeverinë e Kosovës që ka akumuluar rreth 7 milionë euro borxhe dhe nëse Telekomi do të shlyente detyrimet rreth 2 milionë euro që janë nga qiratë atëherë të paktën pagat do të ekzekutoheshin në kohë.

“Posta e Kosovës aktualisht e ka një gjendje jo të mirë të bilancit financiar, respektivisht arkëtimit të borxhit të cilat i kanë Telekomi ndaj Postës së Kosovës, po edhe Qeveria e Kosovës me vite, e cila nuk e ka përmbushur obligimin ligjor për shlyerjen e borxheve të shërbimit postar, i cili është afër 7 milionë euro, i cili është vërtetuar nga përmbaruesi privat nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Ne kemi pritur që të na ekzekutohet së paku 4.7 milionë euro borxh, të cilat kemi qenë në negociata të ekspertëve dhe nga vet iniciativa e ish-ministrit Blerim Kuçi. Po ashtu, Telekomi ka rreth 2 milionë euro borxh për qiratë ndaj Postës së Kosovës, i cili nëse ekzekutohet me kohë, pagat për punëtorët e Postës nuk do të jetë problem madje do të mund t’i ekzekutonim edhe me datën 1 siç i kemi ekzekutuar para kësaj krize”, ka thënë Smakiqi.

Smakiqi ka thënë se pa paga në Postën e Kosovës kanë mbetur afër 1 mijë punëtorë dhe nëse Telekomi i Kosovës do të ekzekutojë një pjesë të borxhit, atëherë pagat e këtyre punëtorëve do të dalin deri në fund të javës

“Ne e kemi themeluar një komision për hartimin e borxheve që kanë institucionet dhe komunat, por edhe operatorët dhe klientët ndaj Postës së Kosovës, por kjo është e paarritshme për shkak se buxheti i Republikës së Kosovës nuk është aktivizuar sipas informatave që kam nga ekspertët e Postës së Kosovës, dhe komunikimet që i kanë me gjykatat, me Këshillin Gjyqësor, me ministritë, gjithashtu mbesim me shpresë se Telekomi të na ekzekutojë një pjesë të borxhit që na e ka për dy muaj, por edhe borxhit të prapambetur dhe t’i ekzekutojmë pagat, besoj deri në fund të javës. Ne jemi rreth 960 punëtorë aktualisht dhe gjysma e tyre nuk i kanë marrë pagat”, thotë Smakiqi.

Smakiqi në një prononcim për KosovaPress deklaroi se gjatë vitit 2020 ishte finalizuar një marrëveshje me Qeverinë e Kosovës, ku është kërkuar kthimi i borxhit për afër 5 milionë euro, por që para pak javëve është konfirmuar nga ata që nuk janë të gatshëm ta bëjnë këtë marrëveshje.

Ndërsa për këtë, ai thotë se kanë dorëzuar lëndën në gjykatë dhe tek përmbaruesi, ku nga kjo do të dëmtohet edhe më shumë buxheti i Kosovës, pasi që do të detyrohen të paguajnë edhe kamata shtesë.

“Gjatë vitit 2020, me qeverinë aktuale kemi diskutuar vazhdimisht dhe kemi finalizuar marrëveshjen, e cila ka nënkuptuar që na të kërkojmë vetëm borxhin kryesor 4 milionë e 700 e diçka mijë euro, mirëpo para pak javëve ne kemi marrë një konfirmim që qeveria dhe ministria nuk janë të gatshme ta bëjnë këtë marrëveshje dhe ne si Postë e Kosovës jemi detyruar ta riaktivizojmë përsëri lëndën në gjykatë dhe tek përmbaruesi, me të cilën do të dëmtohet buxheti i Kosovës, sepse pastaj aksionari do të detyrohet t’i paguajë edhe kamatat ligjore që janë shumë të larta”, ka thënë ai.

Smakiqi si zgjidhje të vetme për përmirësimin e kësaj gjendjeje ka thënë se është që Qeveria e Kosovës të mbështesë Telekomin sa i përket borxhit që ka ndaj kompanisë Dardafone, dhe ajo mbështetje e Telekomit do të ndikonte që edhe Telekomi t’i shlyente obligimet ndaj Postës së Kosovës.

Ndërsa kryeshefi i Telekomit të Kosovës, Zeqir Kiqina, në një prononcim për KosovaPress ka thënë ndërmarrja që udhëheq do të arrinte t’i paguante borxhin ndaj Postës nëse nuk do ta kishin barrë edhe këstin e borxhit ndaj Z Mobile.

Ai ka thënë se Telekomi i Kosovës ka plotësuar kërkesat e Qeverisë së Kosovës për uljen e shpenzimeve minimale, uljen e pagave dhe ristrukturimin e kompanisë, dhe pavarësisht kësaj, ai thotë se Qeveria nuk e ka mbajtur fjalën për dhënien e kredisë për këtë kompani.

“Telekomi i Kosovës paguan qira ndaj Postës së Kosovës rreth 500 mijë euro në muaj. E kemi barrë të rëndë Postën, ku 70 përqind të pagave të Postës i paguan Telekomi. Në gjendjen të cilën jemi, është mjaftë e rëndë, i kemi ulur pagat deri në gradën gjashtë, edhe për Telekomin edhe për Postën, por na u ka dashtë të mos vazhdojmë me paga, për shkak që kemi pasur këstin e Z Mobile (Dardafon), ky hymë me një marrëveshje me garancinë të Qeverisë, dhe Qeveria nuk na ka dhënë asnjë mbështetje deri më tani, e as kredinë dhe për ata nuk kemi rrezikuar të paguajmë paga dhe të mos kemi mundësi të paguajmë këstin e Z Mobile sepse mos pagesa e këstit reflekton me bllokim të xhirollogarive, të cilën pastaj po e kemi shumë problem”, ka thënë Kiqina.

Ndërsa thotë se muaji shkurt do të jetë i papërballueshëm për Telekomin e Kosovës, pasi që, ose do t’i duhet t’i paguajnë këstin ndaj Z Mobile, ose pagat e punëtorëve të saj.

“Muaji shkurt është i papërballueshëm për Telekomin. E kemi këstin 740 mijë euro, kemi obligime, TVSH-ja, tatimet, kemi shumë obligime të trashëguara ndaj operatorëve privatë të cilët janë të përmbaruesi, dhe veç dita-ditës secila çon në përmbarim. Ose duhet të paguajmë këstin, ose duhet rrogat, dhe nëse s’e paguajmë këstin bllokohen xhirollogaritë”, ka thënë Kiqina.

KosovaPress ka provuar të marrë një përgjigje zyrtare nga Qeveria e Kosovës rreth shlyerjes së detyrimeve ndaj Postës së Kosovës ose ndonjë plani për të ndihmuar këto ndërmarrje publike, mirëpo nuk ka qenë e mundur.

Lajmet

Shiroka Pula nderon 14 ushtarët britanikë që humbën jetën gjatë shërbimit në Kosovë

Published

on

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka nderuar 14 ushtarët britanikë që humbën jetën gjatë shërbimit në Kosovë, në kuadër të forcave paqeruajtëse të NATO-s, KFOR.

Ceremonia është mbajtur në Ditën e Përkujtimit të Mbretërisë së Bashkuar. Në këtë ceremoni, Shiroka Pula ishte e shoqëruar nga ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, përfaqësues të korit diplomatik, komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Roberto Vergori, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, si dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari.

Presidentja Shiroka Pula ka shprehur mirënjohje për kontributin dhe sakrificën e ushtarëve britanikë, duke theksuar se Kosova do ta kujtojë gjithmonë mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar.

Ajo ka vlerësuar përkushtimin e ushtarëve që dhanë jetën në shërbim të paqes dhe sigurisë së Kosovës.

Nga Ekonomia Online

 

Continue Reading

Lajmet

Trump është një histori e mbaruar, këta janë tre skenarët që e presin Amerikën dhe botën

Published

on

Sipas Kushtetutës së SHBA-së, ai nuk mund të kandidojë më për president, kështu që Partia Republikane, pas dekadash ndikimi politik, duhet të gjejë një pasardhës

 

Edhe pse Donald Trump ka ende pak më shumë se dy vjet të mbetura në mandatin e tij si president, rezultatet e zgjedhjeve të mesmandatit, ku republikanët pësuan debakël, kanë hapur çështjen e trashëgimisë së tij politike, të ardhmen e Partisë Republikane dhe drejtimin që SHBA mund të merr pas largimit të tij.

Në zgjedhjet e mbajtura më 3 nëntor, republikanët humbën kontrollin e të dy dhomave të Kongresit, dhe demokratët arritën fitore në shtetet federale që kishin qenë fortesa republikane për dekada.

Për republikanët, por edhe për Amerikën dhe pjesën tjetër të botës, pyetja më e rëndësishme afatgjatë është se çfarë do të ndodhë pas largimit të Trump. Sipas Kushtetutës së SHBA-së, ai nuk mund të kandidojë më për president, kështu që Partia Republikane, pas dekadash ndikimi politik, duhet të gjejë një pasardhës.

Ndryshe nga republikanët tradicionalë, të cilët mbështesnin tregtinë e lirë, aleancat e forta ndërkombëtare dhe lidershipin amerikan në botë, Trump iu drejtua proteksionizmit dhe politikave që shpesh vinin në pikëpyetje marrëdhëniet e mëparshme ndërkombëtare.

Sa shumë ka ndryshuar politika amerikane tregohet nga një video nga fushata presidenciale e vitit 2008, e cila ka qarkulluar në rrjetet sociale për vite me radhë. Në të, kandidati republikan John McCain mbron kundërshtarin demokrat Barack Obama nga sulmet e mbështetësve të tij.

Hulumtimi tregon gjithashtu se sa larg janë larguar ideologjikisht të dy partitë. Sipas një analize të Gallup, pjesa e republikanëve që e konsiderojnë veten konservatorë është rritur nga 58 për qind në vitin 1994 në një rekord prej 77 për qind në vitin 2024. Në të njëjtën kohë, pjesa e republikanëve të moderuar ka rënë nga 33 në vetëm 18 për qind.

Gallup arrin në përfundimin se polarizimi ideologjik i partive amerikane ka arritur nivelin e tij më të lartë në të paktën tri dekada. Ky proces filloi shumë kohë para mbërritjes së Trump në skenën politike, por ngritja e tij e ka thelluar më tej atë.

Një mundësi është që Partia Republikane të vazhdojë politikat e Trump edhe pas largimit të tij. Një kurs i tillë do të nënkuptonte vazhdimin e politikave kufizuese të imigracionit, proteksionizmin ekonomik dhe mosbesimin ndaj institucioneve ndërkombëtare.

Kjo është diskutuar brenda partisë për muaj të tërë. Në shtator, zyrtarët republikanë dhe analistët konservatorë vlerësuan se partia nuk ka gjasa të kthehet thjesht në politikat e Ronald Reagan. Pyetja kryesore është se sa radikal do të ishte një Trumpizëm i tillë.

Ndërsa disa republikanë mund të përpiqen të zbusin aspektet më të diskutueshme të politikave të Trump, të tjerët mund të nxjerrin përfundimin krejt të kundërt nga humbja zgjedhore.

Analisti politik Thomas Gift pranë Kolegjit Universitar Londër, në një analizë të publikuar në faqen e internetit të London School of Economics, paralajmëron për mundësinë që disa republikanë të arrijnë në përfundimin se Trump nuk ishte mjaftueshëm radikal. Ndër pasardhësit e mundshëm që mund të tërheqin votues të tillë, ai përmend sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth.

Ndarjet brenda lëvizjes MAGA nuk janë aq të thjeshta. Ndër avokatët e Trumpizmit të linjës së ashpër, ka edhe ata që kundërshtojnë ndërhyrjet ushtarake amerikane. Njëri prej tyre është Steve Bannon, ish-strategu kryesor i Trump, i cili mbështet një politikë të fortë nacionaliste dhe proteksioniste, por është fuqimisht kundër një lufte kundër Iranit.

Përveç Bannon, ky krah i lëvizjes MAGA përfshin edhe komentatorin konservator Tucker Carlson, i cili mbështet një politikë “Amerika e Para”, por kundërshton ndërhyrjet ushtarake amerikane. Zëvendëspresidenti JD Vance, i cili kritikoi hapur luftën kundër Iranit pas humbjes së republikanëve, ka filluar të pozicionohet në këtë drejtim.

“Arsyeja pse humbëm është lufta”, shkroi Vance në rrjetin social X. Duke vepruar kështu, ai u distancua publikisht nga vendimi i Trump për të sulmuar Iranin, megjithëse si zëvendëspresident më parë kishte mbrojtur operacionin ushtarak amerikan.

Pas zgjedhjeve, Vance veçoi katër kërkesa nga votuesit e pakënaqur të Trump: një fund të luftës, ulja e kostos së jetesës, kthimi në politikën “Amerika e Para” dhe ndryshimi i marrëdhënies së Amerikës me Izraelin. Analiza e tij u mbështet edhe nga Donald Trump Jr., gjë që tregon se mendime të tilla kanë mbështetje edhe në një pjesë të rrethit më të ngushtë politik të Trump.

Një mundësi e tretë është që pas largimit të Trump, republikanët të përpiqen të rivendosin konservatorizmin tradicional që ka karakterizuar partinë për dekada.

Megjithatë, një kthim te republikanizmi i vjetër do të ishte kompleks sepse Trump ka ndryshuar thellësisht bazën e partisë gjatë dekadës së fundit.

Për pjesën tjetër të botës, pyetja më e rëndësishme është nëse largimi i Trump do të thotë gjithashtu një kthim në politikën e jashtme amerikane të parashikueshme. Përgjigja nuk është e thjeshtë sepse disa procese, mbi të gjitha distancimi gradual amerikan nga Evropa dhe rivaliteti gjithnjë e më i theksuar me Kinën, po zhvilloheshin edhe para se ai të vinte në pushtet.

Çështja e sigurisë është veçanërisht e rëndësishme për Evropën. Edhe kthimi i republikanëve më tradicionalë ose fitorja e demokratëve nuk do të thotë domosdo rivendosjen e rolit amerikan siç e njihte kontinenti para Trump.  Kjo nuk do të thotë që qëndrimi ndaj Rusisë do të mbetet i njëjtë. Kongresi Demokratik mund të mbajë një qëndrim shumë më të ashpër ndaj Moskës.

Marrëdhëniet me Kinën nuk do të ndryshojnë domosdo ndjeshëm. Kundërshtimi i ndikimit në rritje ekonomik dhe ushtarak të Kinës është një nga fushat e pakta të politikës amerikane për të cilën ka një marrëveshje të gjerë ndërpartiake.

Megjithatë, ekziston një problem tjetër. Trump mbetet president deri në janar 2029, dhe një humbje politike nuk do të thotë domosdo se ai do të udhëheqë një politikë të jashtme më të moderuar gjatë mandatit të mbetur.

Burimi: Kosovapress

Continue Reading

Lajmet

Rritet numri i viktimave në Poloni, të paktën gjashtë të vrarë nga të shtënat në Krakov

Published

on

Numri i viktimave nga të shtënat me armë zjarri në Poloni është rritur sërish.

Të paktën gjashtë persona kanë mbetur të vrarë nga të shtënat në qytetin jugor të Krakovit, ka bërë të ditur administrata rajonale, raporton SkyNews.

Ndërkohë, të paktën 15 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Më herët, policia kishte raportuar për të paktën pesë viktima dhe rreth një duzinë të plagosurish, transmeton Ekonomia Online

Ndwrkobw, agjencia Kosovapress ka njoftuar se autori i vrasjes së gjashtë personave sot në qendër të Krakov ishte i veshur me uniformë kamuflazh dhe, sipas portalit polak Wirtualna Polska, ai mbante veshur edhe një jelek antiplumb.

Ish-specialisti i policisë kundër terrorizmit Kuba Jaloszyński beson se pajisjet dhe armët e tij tregojnë se ai po përgatitej për sulm. Deri më tani, policia nuk ka konfirmuar veçmas se ai mbante veshur një jelek antiplumb balistik.

Zëdhënësja e policisë së Krakow, Katarzyna Cislo, konfirmoi për TVN24 se disa armë zjarri dhe municione të tjera u gjetën në veturën e sulmuesit.

Mediat polake raportojnë gjithashtu se vetura është ekzaminuar nga ekspertët e policisë për eksplozivë. Ende nuk është njoftuar saktësisht se çfarë arme ishte, sa u gjetën ose si e siguroi sulmuesi atë.

Sulmi ndodhi sot rreth orës 3 pasdite në qendrën historike të Krakov. Një burrë e drejtoi veturën e tij në sheshin kryesor të qytetit, Rynek Główny, dhe filloi të qëllonte kalimtarët. Ndërsa udhëtonte nëpër qytet, ai qëlloi gjithashtu në një tramvaj të transportit publik, duke thyer dritaren e kabinës së shoferit.

Policia qëlloi dhe plagosi sulmuesin gjatë ndërhyrjes, pas së cilës ai u arrestua dhe u dërgua në spital, ku thuhet se është në gjendje kritike. Dy oficerë policie u plagosën gjithashtu në shkëmbimin e zjarrit. Njëri prej tyre pësoi tri plagë me armë zjarri dhe është në gjendje kritike.

Policia konfirmoi se sulmuesi është shtetas polak dhe mohoi thashethemet se një polic u vra dhe se një sulmues i dytë është në kërkim. Identiteti i të dyshuarit nuk është publikuar ende zyrtarisht. Mediat polake raportojnë se ai është një burrë i moshës 25-vjeç. Policia ende nuk e ka përcaktuar motivin e sulmit.

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 7 nëntor 1992-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998.

7 nëntor 1992

Katër të vrarë e shumë të plagosur nga policia maqedonase

Bilanci tragjik i ndërhyrjes së policisë maqedonase në lagjen e banuar me shqiptarë Bit Bazar të Shkupit, është së paku dy persona të vrarë e me dhjetëra të plagosur.

Shërbimi për Informim i Partisë për Prosperitet Demokratik na njoftoi se dje pasdite, rreth orës l6, policia maqedonase ndërhyri kundër qytetarëve shqiptarë në Bit Pazar, që është qendër tregtare e shqiptarëve. Me këtë rast, policia maqedonase rrahu brutalisht një fëmijë, rreth 14 vjeç.

Ky veprim shkaktoi indinjatë, dhe pastaj reagime të shqiptarëve. Në mesin e qytetarëve të tubuar në Bit Pazar, u përhapën fjalë se fëmiu shqiptar kishte vdekur në spital. Duket se kjo u bë me qëllim që të rritet zemërimi i qytetarëve shqiptarë, të cilët kërkonin informata të sakta për gjendjen e fëmiut të rrahur dhe sqarime nga autoritetet maqedonase.

Ndërkohë, rreth orës 20, pa kurrfarë paralajmërimi policia maqedonase e cila kishte vënë gjendje të plotë shtetrrethimi në këtë lagje të banuar kryesisht me shqiptarë, ndërhyri egërsisht, duke përdorur bomba lotsjellësi, shkopinj gome, e, edhe armët e zjarrit. Sipas disa mjeteve të informimit, policia kishte për qëllim shpërndarjen e masës së madhe në grupe të vogla. Siç informojnë zyrtarët e Partisë për Prosperitet Demokratik, nga të shtënat e policisë u vra Safet Sejfullahu, 25 vjeçar. Mjetet e informimit pohojnë se janë vrarë dy persona. Me dhjetëra janë të plagosur nga armët e zjarrit, ose të lënduar nga intervenimi brutal i policisë. Mbi 85 qytetarë shqiptarë janë arrestuar mbrëmë dhe po mbahen ende në polici. Bëhet me dije se janë demoluar vetura e lokale të shumta në këtë lagje.

Ndërkaq, sot RadioShkupi, në emisionet e veta informative në gjuhën maqedonase, duke u mbështetur në informatat zyrtare, njofton se gjatë mbrëmë në Bit Pazar, janë vrarë dy shqiptarë, një grua maqedonase dhe një person i paidentifikuar ende.

Informata të hollësishme për këtë intervenim të policisë kundër popullësisë shqiptare nuk dhanë as organet zyrtare të Maqedonisë, e as partitë politike shqiptare në Maqedoni, ose degët e tyre në Shkup.

Gjatë natës të gjitha lidhjet telefonike me Shkupin ishin të bllokuara.

Kryetari i Partisë për Prosperitet Demokratik, Nevzat Halili, i deklaroi Qendrës për Informim se tërë kjo që ndodhi në orët e pasditës dhe të mbrëmjes në Bit Pazar ishte një skenar për destabilizimin e gjendjes në Maqedoni, përkatësisht në territoret ku jetojnë shqiptarët.Me këtë akt, policia maqedonase deshi të provokonte pakënaqësinë e grumbulluar për shkak të gjendjes së rëndë politike, ekonomike, kulturore në mesin e popullatës shqiptare. Ne do të insistojmë, tha ai më tutje, që e vërteta për tërë ngjarjen të dalë në shesh dhe që shkaktarët të mirren në përgjegjësi. Ai theksoi se momentalisht situata nuk është dramatike si mbrëmë. Veprimtarët e kësaj partie janë në kontakt me qytetarët shqiptarë dhe po bëjnë përpjekje që të ndërprerjnë daljen e situatës nga kontrolli. Gjendja e të plagosurve dhe e të lënduarëve nuk është në rrezik. Z. Halili shpreson se do të lirohen së shpejti të arrestuarit.

Nga burime të ndryshme, sidomos nga qytetarët shqiptarë që udhëtuan mbrëmë e sot nga Shkupi për në Kosovë, mirret vesh se policia maqedonase po bën një kontroll shumë të rreptë, sidomos në Shkup.

Brenda ditës së sotme pritet që me vlerësime e qëndrime zyrtare të dalin partitë politike shqiptare dhe organet maqedonase.

Qeveria e Maqedonisë, në të cilën shqiptarët kanë pesë ministra, dhe përfaqësuesit e popullit shqiptar në Maqedoni, që përbën rreth 40% të popullsisë, deri më tash nuk kanë arritur marrëveshje për rregullimin e shtetit maqedon dhe statusin e shqiptarëve. Në janar të vitit l992 shqiptarët organizuan një referendum, në të cilin u deklaruan par autonomi politikoterritoriale. Në bisedimet e drejtëpërdrejta me autoritetet maqedonase, si edhe në bisedimet që janë bërë me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të Konferencës së Hagës e të Gjenevës, përfaqësuesit e shqiptarëve kanë kërkuar për shqiptarët statusin e kombit shtetformues. Mirëpo, deri më tash këto kërkesa nuk janë përfillur dhe bisedimet nuk kanë dhënë rezultat. Incidenti i djeshëm mund t’ i rëndojë këto marrëdhënie.

 

7 nëntor 1994

Represioni gjatë nëntë muajve në Istog

Gjatë nëntë muajve të kaluar në komunën e Istogut u bastisën 77 familje, u bënë pesë intervenime në institucionet legale, u morën në pyetje 96 shqiptarë, u shënuan dy raste plaçkitjeje ndërsa katër personave u janë marrë pasaportat.

Në raportin periodik të Komisionit për Informim të Degës së LDK-së në Istog thuhet se janë maltretuar 54 persona, 10 të tjerë janë mbajtur në stacionet e policisë deri në 3 ditë, procedura për ndëshkim është inicuar kundër 7 personave, 71 janë rrahur, 2 shqiptarë janë dënuar, ndërsa jtanë kthyer 13 refugjatë.

 

7 nëntor 1995 

Në qendër të Prishtinës u dogjën disa lokale

Dje në qendër të Prishtinës në një ndërtesë dykatëshe shpërtheu një zjarr, i cili u lokalizua pas tri orëve, por stihia e zjarrit dogji tri lokalet e një ndërmarrjeje private. Pas intervenimit të zjarrfikësve u pengua përhapja e zjarrit, i cili kishte përfshirë edhe lokalet e tjera përdhese dhe katin e sipërm të ndërtesës, ku banojnë familje. Sipas njoftimeve të shtypit serb, zjarri shpërtheu për shkak të instalimeve të dobëta të rrymës.

 

 7 nëntor 1996

Dhuna e përditshme në Kosovë

Viti: – Dje, rreth orës 6:00 të mëngjesit, policia serbe ia la thirrjen Musa Misinit, anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Viti që të paraqitet në stacionin e policisë serbe në Viti.

  1. Misini u paraqit në polici, kur për rreth gjashtë orë u mor në pyetje për aktivitetin e tij politik.

Kamenicë: – Më 4 nëntor, policia serbe me pretekst të dorëzimit të armëve, thirri Muharrem Avdylin (66) nga Kromenata, i cili edhe u keqtrajtua fizikisht. Ai u urdhërua që të paraqitet sërish dje në polici, ndërsa bëhet e ditur se nga keqtrajtimi fizik i është lënduar syri.

 

7 nëntor 1997

Mitrovicë: Policia mori në pyetje dhe plaçkiti një të ri shqiptar

Dje, rreth orës 12:00 në afërsi të tregut të pemëve në Mitrovicë, policia serbe mori Berat R. Rrahmanin (18) nga Mitrovica, i cili u dërgua në stacionin e policisë serbe në Mitrovicë, njofton KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

Njoftohet se Berat Rrahmani merret me shitjen e cigareve dhe ai gjatë një ore sa u mbajt në polici, u pyet se kush ka armë në lagjen e tij në “Tavnik”, ndërsa policët edhe i plaçkitën cigare në vlerë prej 320 dinarësh.

Sot, nga ora 8:00 deri në orën 12:00, policia serbe në afërsi të tregut të pemëve në Mitrovicë, legjitimuan dhjetëra të rinj shqiptarë.

 

7 nëntor 1998

Njoftohen emrat e 5 shqiptarëve të vrarë dje në Opterushë të Rahovecit

Nënkëshilli i KMDLNJ-së në Prizren bëti sot të ditur emrat e pesë të rinjve shqiptarë, të vrarë dje nga forcat serbe në Opterushë të Rahovecit.

Të vrarit janë Xhelal Hajda (31) e Selajdin Mullaabazi (30) nga Rahoveci, Bektesh Halili nga Gllavatini i Vushtrrisë, Hamdi Hajrizi nga Strofci i po kësaj komune dhe Nezir Ymeri nga Jezerci i Ferizajt, të gjithë pjesëtarë të UÇK-së. 

Foto: Shkupi

Continue Reading

Të kërkuara