Një grua ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) pasi gjendja e saj shëndetësore është përkeqësuar gjatë trajtimit mjekësor. Lidhur me rastin, Policia e Kosovës ka nisur hetime për të sqaruar rrethanat që çuan në vdekjen e saj.

Ngjarja ka ndodhur në Prishtinë, ndërsa viktima, një femër kosovare, ishte dërguar në Emergjencën e QKUK-së në gjendje të rënduar shëndetësore. Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor për ta stabilizuar, ajo nuk ka mundur të mbijetojë.
“Një femër kosovare është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor në gjendje të rëndë shëndetësore. Gjatë trajtimit mjekësor gjendja e viktimës është përkeqësuar dhe mjekët kanë konfirmuar vdekjen e saj. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.
Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet janë në zhvillim e sipër për të përcaktuar shkaqet e saktë të vdekjes dhe nëse ka pasur ndonjë neglizhencë ose faktor tjetër që mund të ketë ndikuar në këtë humbje jete.
Në pritje të rezultateve të obduksionit, rasti mbetet i klasifikuar si “hetim mbi vdekjen”, ndërkohë që familjarët e viktimës janë njoftuar dhe janë duke bashkëpunuar me hetuesit./UBTNews/