Lajmet

​Politologu boshnjak: Lajçak bëri punë jo të mirë në dialog, Pahor kandidat i preferueshëm

Sipas tij, Pahor do të ishte i preferueshëm nga të dy palët dhe në bazë të përvojës së tij do t’i kontribuonte procesit të dialogut.

Published

on

Politologu boshnjak, Jasmin Mujanoviq, thotë se ish-presidenti slloven, Borut Pahor, është kandidati më i mundshëm për të zëvendësuar Miroslav Lajçak, në pozitën e të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi. Sipas tij, Pahor do të ishte i preferueshëm nga të dy palët dhe në bazë të përvojës së tij do t’i kontribuonte procesit të dialogut.

Ai kritikon ndërmjetësin aktual, Miroslav Lajçak se nuk ka bërë punë të mirë në dialog dhe se ka qenë i anshëm. Analisti boshnjak, thekson se dialogu aktual ka ngecur për fajin e Serbisë, e cila nuk zbaton marrëveshjet e arritura. Mirëpo shton se as Bashkimi Evropian nuk ka leva për të çuar përpara procesin.

“Po na thuhet se zoti Pahor nga Sllovenia dëshiron këtë detyrë(përfaqësues i BE-së për dialogun)që ai është ndoshta kandidati më i mundshëm. Sigurisht që ai do të ishte i preferueshëm. Zoti Lajçak ka bërë një punë jo të mirë. Ka një problem themelor strukturor për shkak që ai vjen nga një vend që nuk e njeh (Kosovën), mendoj se kjo ishte thellësisht e papërshtatshme. Ai ka treguar herë pas here se duket se ka një shkallë të çuditshme simpatie për Serbinë në lidhje me të gjitha këto bisedime. Vetëm pak ditë më parë, ai pati një takim me Milorad Dodik nga Bosnja, më pak se 24 orë pasi Dodik tha se ishte i përgatitur të largohej nga Bosnja Hercegovina, kështu që (Lajcakut) i mungon besueshmëria për të qenë dikush që mund të ndërmjetësojë këtë proces. Pra, në këtë pikë, unë jam i gatshëm të them se pothuajse çdokush do të bënte një punë më të mirë se Miroslav Lajçak. Por përsëri, në të njëjtën kohë, çdo pasardhës i Lajçakut do të ketë shumë pak mjete në dispozicion, sepse vetë besueshmëria e BE-së në aspektin e dialogut Kosovë-Serbi, por edhe Ballkani Perëndimor në përgjithësi është thellësisht i komprometuar sepse disa nga shtetet e saj anëtare kanë pozicione shumë, shumë problematike ndaj rajonit, para së gjithash Hungaria. Pra, vetë BE-ja, mendoj se është në një pozitë të keqe dhe nuk ka shumë leva për ta çuar përpara këtë proces”, thotë ai.

Ai potencon se problemi themelor në dialog është se Serbia nuk është e gatshme të pranojë sovranitetin e Kosovës.

“Unë nuk mendoj se dialogu, siç e kuptojmë ne aktualisht, po shkon gjëkundi, as nuk mendoj se do të shkojë në të ardhmen e parashikueshme. Problemi themelor vazhdon të jetë se kemi një qeveri në Serbi që nuk është e gatshme të pranojë sovranitetin e Kosovës, realitetin e sovranitetit të Kosovës. Pra, derisa kjo të ndryshojë, ose të paktën të ketë një lloj lëvizjeje drejt njëfarë njohjeje të sovranitetit të Kosovës, realitetit të sovranitetit të Kosovës, nuk mund ta imagjinoj se do të ketë ndonjë lloj hapash kuptimplotë drejt normalizimit. Ne e shohim se hapat më të vegjël për të pranuar se Kosova është sovrane dhe e pavarur nga ana e Serbisë është një konflikt. Targat, shërbimet postare, fluturimet, çdo gjë është një problem dhe derisa të mbetet kështu në Serbi, nuk ka gjasa të ketë lëvizje në dialog”, deklaron ai.

Duke folur për mungesën e zbatimit të Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit, Mujanoviq, thotë se aktualisht po shkon në drejtim të gabuar.

“Ne shohim vazhdimisht se ka marrëveshje të arritura. Serbia ose thotë se do të nënshkruajë dhe më pas nuk e nënshkruan, dhe pastaj e nënshkruan por nuk bën asgjë për këtë. Kjo është situata që kemi pasur të paktën që nga viti 2013. E di që ka shumë akuza se edhe Kosova nuk e ka respektuar marrëveshjen e Brukselit, por çfarë ka bërë Serbia? Pra, është një situatë ku nuk po ndodh një proces kuptimplotë, mirëpo është iluzioni i një procesi që po ndodh. Në thelb, nuk po bëhet asgjë. Dhe më keq se kaq, ju keni parë Serbinë edhe një herë duke u bërë shumë agresive në marrëdhëniet e saj me Kosovën. Kemi pasur incidente shumë të rënda vetëm gjatë vitit të kaluar. Banjska para së gjithash, Zveçani etj., kjo më sugjeron se dialogu jo vetëm që nuk po ndodh, por edhe ne po shkojmë në drejtim shumë të gabuar”, thotë ai.

Sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, analisti boshnjak thotë se është një mundësi reale, që do ta ndihmonte konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës.

“Sigurisht që duket se po ecën në drejtimin e duhur. Mendoj se do të ishte një hap shumë pozitiv dhe do të ishte një hap që do të ndihmonte në barazimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës sepse një nga problemet strukturore siç e dini, është se për shkak se Kosova nuk ka të njëjtin pozitë ndërkombëtare si Serbia në shumë institucione. Gjithmonë ka pak pabarazi politike dhe diplomatike. Mendoj se hyrja në Këshillin e Evropës për Kosovën do të ishte një hap shumë i madh përpara për vendin dhe gjithashtu do të ishte një sinjal shumë i rëndësishëm për Serbinë për të thënë se nuk do të mund ta mbani Kosovën jashtë institucioneve më relevante ndërkombëtare përjetësisht, bashkësia ndërkombëtare nuk do ta pranojë këtë, dhe kështu unë shpresoj që, para fundit të vitit, ne do ta shohim Kosovën si anëtare të Këshillit të Evropës”, përfundon ai.

Mujanoviq gjatë kësaj jave ka qëndruar në Kosovë, ku është pritur në takim edhe nga kryeministri Albin Kurti.

Vendi

Ditët e Artit dhe Dizajnit në UBT sjellin ekspozitën kreative të studentëve të vitit të parë

Published

on

By

Në kuadër të aktiviteteve të organizuara për Ditët e Artit dhe Dizajnit 2026, Fakulteti i Artit dhe Dizajnit në UBT vazhdon të promovojë kreativitetin, inovacionin dhe talentin e studentëve përmes organizimit të ekspozitave dhe aktiviteteve artistike bashkëkohore që lidhin teorinë me praktikën krijuese.

Si pjesë e këtij programi artistik dhe kulturor, studentët e vitit të parë prezantuan një ekspozitë me punimet e realizuara në lëndët “Gjenerimi i Ideve” dhe “Modelim”, nën mentorimin e profesoreshës Arbresha Hoxha.

Ekspozita solli para publikut procesin krijues dhe zhvillimin konceptual të studentëve, duke reflektuar qasjen e tyre inovative në art dhe dizajn, eksplorimin e ideve, formës dhe strukturës, si dhe aplikimin kreativ të materialeve të ndryshme në realizimet artistike dhe dizajnuese.

Punimet e prezantuara dëshmuan përkushtimin, imagjinatën dhe zhvillimin profesional të studentëve gjatë semestrit, duke krijuar një hapësirë moderne të komunikimit vizual, eksperimentimit artistik dhe shprehjes kreative.

Përmes organizimit të aktiviteteve të tilla, Fakulteti i Artit dhe Dizajnit në UBT synon të krijojë një ambient frymëzues ku studentët kanë mundësinë të prezantojnë idetë dhe projektet e tyre para publikut, duke zhvilluar kompetenca profesionale dhe duke u përgatitur për sfidat reale të industrisë kreative dhe dizajnit bashkëkohor.

Continue Reading

Vendi

Inaugurohet nënstacioni i ri policor në Junakë të Zveçanit

Published

on

By

Në Junakë të Zveçanit është inauguruar nënstacioni i ri policor, në një ceremoni ku morën pjesë ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

Me këtë rast u theksua se nënstacioni i ri do të forcojë praninë institucionale, do të rrisë sigurinë dhe do të kontribuojë në fuqizimin e sovranitetit të Republikës së Kosovës në veri të vendit.

Sipas Haxhiut, vendosja e institucioneve të sigurisë në terren mundëson reagim më të shpejtë të policisë, ofrim më efikas të sigurisë dhe rritje të besimit të qytetarëve në institucionet shtetërore.

Po ashtu u bë e ditur se investimet në Policinë e Kosovës dhe në forcimin e institucioneve të sigurisë do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me synim ruajtjen e rendit, ligjit dhe sigurisë në të gjithë territorin e vendit.

“Vendosja e institucioneve të sigurisë në terren është dëshmi e shtrirjes së shtetit dhe e përkushtimit ndaj rendit, ligjit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët, pa dallim”, shkruan ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.

Continue Reading

Vendi

Studentët e Clemson University zhvillojnë diskutim të hapur me studentët e UBT-së mbi Kosovën, diplomacinë dhe çështjet globale

Published

on

By

Në vazhdën e bashkëpunimeve akademike ndërkombëtare dhe aktiviteteve që promovojnë dialogun ndërkulturor dhe shkëmbimin e perspektivave globale, Fakulteti i Shkencave Politike dhe Studimeve të Sigurisë në UBT organizoi një diskutim të hapur me studentë nga Clemson University në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky aktivitet u realizua në kuadër të një tradite tashmë trevjeçare të bashkëpunimit ndërmjet UBT-së dhe studentëve amerikanë, me qëllim të njohjes më të afërt të Kosovës, zhvillimeve politike, shoqërore dhe sfidave rajonale, si dhe krijimit të urave të komunikimit akademik ndërmjet studentëve vendorë dhe ndërkombëtarë.

Diskutimi u zhvillua në një atmosferë interaktive dhe dinamike, ku studentët patën mundësinë të ndajnë pikëpamje mbi temat që lidhen me politikën ndërkombëtare, sigurinë, diplomacinë, zhvillimet demokratike dhe perspektivën e Kosovës në kontekstin global.

Pjesë e panelit ishin Dekania, Hajdi Xhixha dhe Prodekani, Arian Kadriu, të cilët diskutuan me studentët mbi rëndësinë e edukimit politik dhe sigurisë në një botë gjithnjë e më komplekse, duke theksuar rolin e institucioneve akademike në formimin e liderëve të rinj dhe profesionistëve të së ardhmes.

Gjatë diskutimit u trajtuan edhe tema që lidhen me pozitën gjeopolitike të Kosovës, proceset demokratike, sfidat e sigurisë rajonale dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në ndërtimin e paqes dhe stabilitetit.

Ky aktivitet shërbeu si një mundësi e rëndësishme për studentët e UBT-së që të angazhohen në debate akademike me karakter ndërkombëtar, të zhvillojnë aftësitë e tyre analitike dhe komunikuese, si dhe të krijojnë kontakte me studentë dhe akademikë nga universitete prestigjioze ndërkombëtare.

Fakulteti i Shkencave Politike dhe Studimeve të Sigurisë në UBT vazhdon të promovojë aktivitete të tilla akademike dhe ndërkombëtare, duke krijuar një ambient studimi modern dhe të orientuar drejt praktikës, diplomacisë, analizës politike dhe çështjeve globale.

Përmes bashkëpunimeve me universitete dhe institucione ndërkombëtare, UBT forcon dimensionin ndërkombëtar të programeve të studimit dhe u ofron studentëve përvoja reale akademike që kontribuojnë në përgatitjen e tyre profesionale për tregun global të punës dhe institucionet vendore e ndërkombëtare.

Continue Reading

Lajmet

REL: Merz propozon: Ballkani Perëndimor si vëzhgues në BE, Ukraina si anëtare e asociuar

Published

on

By

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, propozoi që vendeve të Ballkanit Perëndimor t’u jepet statusi i vëzhguesit në Bashkimin Evropian, ndërsa Ukrainës statusi i së ashtuquajturës anëtare e asociuar pa të drejtë vote.

Në një letër që Merz ua dërgoi liderëve të BE-së – presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, si dhe presidentit qipriot, Nikos Christodoulides, aktualisht kryesues i BE-së – ai vlerëson se nevojitet një dinamikë e re për Ukrainën, Ballkanin Perëndimor dhe Moldavinë.

Në letrën që Radio Evropa e Lirë e pa, Merz thekson se procesi i zgjerimit të BE-së është duke zgjatur shumë dhe, sipas tij, kjo shkakton zemërim të kuptueshëm si te vendet kandidate, ashtu edhe te shtetet anëtare.

Ballkani Perëndimor – vëzhgues në institucionet e BE-së

Për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavinë, Merz propozon shqyrtimin e “zgjidhjeve inovative” për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit të tyre në BE.

Ai sugjeron, mes tjerash, qasje të privilegjuar në tregun e vetëm evropian dhe lidhje më të ngushta me institucionet e BE-së në procesin e përditshëm të vendimmarrjes.

Ai, po ashtu, propozon dhënien e statusit të vëzhguesit për vendet e Ballkanit Perëndimor në të gjitha institucionet relevante të Bashkimit Evropian, si dhe mbajtjen e mbledhjeve të përbashkëta të Komisionit Evropian ose Parlamentit Evropian me përfaqësues të rajonit, për çështje që lidhen drejtpërdrejt me të.

“Integrimi gradual mund të realizohet përmes ndërtimit të blloqeve që do të shërbenin si bazë për zbatimin e plotë të fushave përkatëse të politikave, dhe më pas do të shoqërohej me mbështetje më të madhe në zbatimin e ligjeve të BE-së. Përveç kësaj, mund ta avancojmë edhe integrimin institucional mbi bazën e progresit real. E gjithë kjo mund t’i afrojë ndjeshëm vendet kandidate me ne dhe të nxisë një ambicie të re për reforma të mëtejshme drejt anëtarësimit të plotë”, thuhet në letrën e kancelarit gjerman.

“Të qëndrojmë fort të përkushtuar ndaj premtimit se vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavia mund t’i bashkohen Bashkimit Evropian, siç është përcaktuar në Kriteret e Kopenhagës dhe në Agjendën e Selanikut të vitit 2003. Qëllimi ynë nuk ka ndryshuar: kompletimi i Bashkimit Evropian përmes përfshirjes së të gjitha vendeve kandidate”, theksohet në letër.

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Mali i Zi, Serbia, Bosnje dhe Hercgovina dhe Maqedonia e Veriut janë kandidate për anëtarësim, ndërsa Kosova jo.

Ukraina si anëtare e asociuar

Kreu i Qeverisë gjermane propozon që Ukrainës menjëherë t’i mundësohet të afrohet më shumë me Bashkimin Evropian dhe institucionet e tij kryesore, “pa ndikuar në negociatat e vazhdueshme të pranimit, por duke inkurajuar dhe mbështetur atë proces”.

Sipas tij, statusi i “shtetit anëtar të asociuar” mund të përfshijë, ndër të tjera, pjesëmarrjen në takimet e udhëheqësve ose ministrave të Bashkimit Evropian pa të drejtë vote, statusin e një anëtari të asociuar të Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian, gjithashtu pa të drejtë vote, si dhe zbatimin gradual të ligjeve të Bashkimit Evropian në përputhje me përparimin e Ukrainës në negociatat e pranimit – “jo automatikisht, por pas miratimit të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe me klauzolat e përshtatshme mbrojtëse”.

Merz, gjithashtu, propozon një mekanizëm automatik kthimi, në rast të kthimit prapa në vlerat themelore të Bashkimit Evropian, veçanërisht kur bëhet fjalë për sundimin e ligjit ose hapa prapa strukturorë në negociatat e pranimit.

“Ukraina është anëtare e familjes evropiane dhe ne do të vazhdojmë ta mbështesim atë në ndërtimin e një të ardhmeje paqësore dhe të begatë brenda Bashkimit Evropian. Me këtë qasje, Ukraina do të bënte një hap të madh përpara, duke iu afruar menjëherë anëtarësimit të plotë. Ne do t’i ofronim Ukrainës një ekuivalent të rëndësishëm të anëtarësimit, që tejkalon shumë atë që do të mund ta arrinim në afat të mesëm përmes metodologjisë sonë të pranimit, veçanërisht duke marrë parasysh procesin e ratifikimit”, thuhet në letën e kancelarit gjerman.

Ai nënvizon, po ashtu, se propozimi për Ukrainën pasqyron situatën specifike të këtij vendi.

Paralelisht, thuhet në letër, Bashkimi Evropian do të vazhdojë me procedurën e rregullt të pranimit, për të siguruar që pranimi formal të arrihet sa më shpejt që të jetë e mundur.

Kreu i Qeverisë gjermane beson se këto propozime nuk kërkojnë ndryshime në kuadrin institucional dhe ligjor të Bashkimit Evropian, por vetëm një “marrëveshje të fortë politike”.

Ai shton se këto çështje mund të zgjidhen nëse evropianët marrin një qasje konstruktive ndaj këtij statusi të veçantë, sepse do të ishte një sinjal i fortë politik, për të cilin Ukraina dhe qytetarët e saj kanë nevojë në kohën e luftës së vazhdueshme të tyre kundër agresionit rus./REL/

 

Continue Reading

Të kërkuara