Lajmet

​Policia për shpërthimin në Prizren: Gjithçka nisi pas një mosmarrëveshje të çastit

Bëhet e ditur se tregtarët janë përshirë në një rrahje e më pas dy prej tyre kanë hedhur një mjet shpërthyes.

Published

on

Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja lidhur me shpërthimin e ndodhur në mëngjesin e sotëm në tregun e kafshëve në Prizren, ku si pasojë u lënduan dhjetë persona.

Sipas njoftimit të fundit, gjithçka ka nisur për shkak të një mosmarrëveshjeje të çastit ndërmjet tregtarëve të kafshëve. Gjithashtu bëhet e ditur se tregtarët janë përshirë në një rrahje e më pas dy prej tyre kanë hedhur një mjet shpërthyes (lloji i panjohur për momentin) dhe njëri prej tyre është shoqëruar në Polici.

“Fillimisht janë dhënë informacione për tre persona të dyshuar që më vonë me zhvillimin e hetimeve policia ka gjetur se dy persona kanë qenë si kryes të veprës penale, të cilët janë identifikuar dhe policia ka filluar kërkimin për ndalimin e tyre, pasi pas një mosmarrëveshjeje te çastit ndërmjet tregtareve te kafshëve fillimisht ka filluar një rrahje ndërmjet viktimave dhe te dyshuarve ku ne një moment te dyshuarit aktivizojnë dhe hedhin një mjet shpërthyes (lloji i panjohur për momentin)”, thuhet në komunikatën për media të lëshuar nga Policia e Kosovës.

Po ashtu, është bërë e ditur se gjatë operacionit policor, përveç në vendin e ngjarjes, janë kryer kontrolle edhe në komunën e Gjilanit, ku është lokalizuar i dyshuari R.M, i lindur në vitin 1982.

“I njëjti është shoqëruar në polici për procedura të mëtejme hetimore dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit ndalohet në afat prej 48-orë, ndërsa operacioni policor është duke vazhduar në kërkim të personit të dytë të dyshuar, ku janë realizuar bastisje në shtëpinë e tij. Policia rajonale në Prizren së bashku me Prokurorinë e Shtetit është duke punuar që të sqarohet në tërësi rasti i ndodhur te tregu i kafshëve në Prizren, ndërsa për të gjitha të gjeturat do të ju mbajë të informuar”, përfundon njoftimi.

Lajmet

Kërkohet angazhim i diplomacisë parlamentare për ish-krerët e UÇK-së dhe mbikëqyrje e Ligjit për Dhomat e Specializuara

Published

on

By

Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Jashtme u kërkua rritja e angazhimit përmes diplomacisë parlamentare për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së, si dhe mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara. Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, theksoi se çështja e të akuzuarve dhe të dënuarve në shkallë të parë në Hagë duhet të jetë ndër prioritetet kryesore të planit të punës, duke shfrytëzuar grupet e miqësisë për mbrojtje diplomatike, ligjore dhe lobuese.

Nga ana tjetër, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, propozoi përcaktimin e mbikëqyrjes ligjore si obligim parlamentar për këtë sesion. Ndërkaq, deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, nënvizoi nevojën për një mekanizëm mbikëqyrës ndërmjet Kuvendit dhe institucioneve përgjegjëse sa i përket procesit të dialogut me Serbinë dhe zhvillimeve që lidhen me Dhomat e Specializuara.

Kryetarja e Komisionit, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, theksoi rëndësinë e ndërtimit të një strategjie të përbashkët që tejkalon bindjet partiake në interes të vendit. Në këtë mbledhje, e cila ishte e para pas konstituimit të komisionit më 13 shtator, u miratua edhe Projektligji për ndryshimin e ligjit për ndarjet buxhetore. /Kosova Press/

Continue Reading

Lajmet

Sulmohen me dronë dy anije në Detin e Zi pranë Bullgarisë, Radev kërkon ndihmën e NATO-s dhe BE-së

Published

on

By

Dy anije tregtare janë goditur nga dronë të martën në Detin e Zi, rreth 29 kilometra larg bregdetit të Bullgarisë, duke shkaktuar fundosjen e njërës prej tyre dhe nisjen e operacioneve të shpëtimit. Kryeministri i Bullgarisë, Rumen Radev, njoftoi se nga anija “Chelsea 3”, e cila lundronte nën flamurin e Maltës, janë evakuuar të gjithë 15 anëtarët e ekuipazhit, ku pesë prej tyre morën trajtim mjekësor për lëndime të lehta. Ndërkaq, nga anija e dytë e fundosur është shpëtuar një person.

Gjatë një mbledhjeje urgjente të Këshillit të Sigurisë, Radev i cilësoi sulmet si të papranueshme dhe bëri të ditur se Bullgaria po kërkon mbështetje nga NATO-ja dhe Bashkimi Evropian. Ndonëse autoritetet bullgare nuk kanë ende prova të drejtpërdrejta se kush qëndron prapa sulmit, Radev deklaroi se zhvillimet shkojnë në favor të Federatës Ruse.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e dënuan ashpër ngjarjen duke fajësuar Rusinë për cenimin e sigurisë detare dhe lundrimit të lirë në Detin e Zi. Ky incident vjen pas disa sulmeve të ngjashme të javës së kaluar ndaj anijeve tregtare në ujërat pranë Bullgarisë dhe Rumanisë.

 

Continue Reading

Lajmet

Miratohet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2026

Published

on

By

Komisioni për Kulturë, Turizëm, Sport dhe Rini ka miratuar me të gjitha votat për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2026, për fushat që janë në kompetencë të këtij komisioni, raporton Ekonomia Online.

Gjatë diskutimit, deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka ngritur dilema rreth përfshirjes së projektligjit në fushëveprimin e komisionit, duke thënë se nuk sheh ndërlidhje të drejtpërdrejtë me përgjegjësitë e tij.

“Këtu po shoh që ne duhet me miratu diçka që është fushëveprim i komisionit tjetër. Nuk po shoh diçka që lidhet me komisionin tonë. Por mua më është me rëndësi me sqaruar, nëse është veç procedurë nuk kemi nevojë me diskutu”, tha ajo.

Kryetari i komisionit, Nezir Kraki, ka sqaruar se përfshirja e kësaj pike në agjendë ishte procedurale.

“Ky ndryshim nuk e prek fushën tonë, fakti që e kemi në agjendë është procedurale”, tha ai.

Në mbledhje është diskutuar edhe miratuar Plani i punës së Komisionit për sesionin vjeshtor të vitit 2026.

Në këtë kuadër, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Ardiana Matoshi, ka propozuar që anëtarët e komisionit të vizitojnë punimet në stadiumin e Gjilanit, për të parë nga afër nëse ka probleme me realizimin e tyre, në prag të Lojërave Mesdhetare 2030. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

As kërcënimet, as pushteti nuk mund ta ndalin misionin e gazetarisë

Published

on

By

Opinion- Musa Sabedini – Profesor në Media dhe Komunikim në UBT

Sulmet ndaj gazetarëve janë sulme ndaj lirisë së shprehjes, demokracisë dhe të drejtës së qytetarëve për t’u informuar. Po i përcjell me shqetësim të thellë rastet e sulmeve, kërcënimeve dhe përpjekjeve për intimidim ndaj gazetarëve Lirim Mehmetaj dhe Fidan Jupolli. Po aq i papranueshëm ishte edhe rasti i Jeton Sopit, i cili duhet të trajtohet me seriozitetin që kërkojnë parimet e lirisë së shprehjes dhe sigurisë së gazetarëve. Koha kur përpjekjet për ta imponuar vullnetin përmes frikësimit, presionit dhe logjikës së klaneve duhet të mbetet përfundimisht pas nesh. Në një republikë të lirë, asnjë individ, grup interesi apo bartës i pushtetit nuk mund ta vendosë veten mbi ligjin dhe as të pretendojë se ka të drejtë të diktojë se çfarë duhet të shkruajnë, të hulumtojnë apo të publikojnë gazetarët.

Këto raste nuk duhen parë si incidente të izoluara apo si përplasje të zakonshme mes individëve. Ato ngrenë çështje thelbësore për gjendjen e lirisë së medias, kulturën demokratike dhe funksionimin e shtetit të së drejtës në Republikën e Kosovës. Çdo kërcënim ndaj një gazetari për shkak të punës, raportimit apo qëndrimeve të tij përbën një cenim të parimeve mbi të cilat duhet të ndërtohet një shoqëri demokratike.

Koha kur përpjekjet për ta imponuar vullnetin përmes frikësimit, presionit dhe logjikës së klaneve duhet të mbetet përfundimisht pas nesh. Në një republikë të lirë, asnjë individ, grup interesi apo bartës i pushtetit nuk mund ta vendosë veten mbi ligjin dhe as të pretendojë se ka të drejtë të diktojë se çfarë duhet të shkruajnë, të hulumtojnë apo të publikojnë gazetarët.

E them këtë edhe nga përvoja ime personale. Kam kaluar vetë nëpër situata të vështira dhe kam përjetuar përpjekje që synonin të më vinin nën presion. Megjithatë, ato përvoja nuk më kanë zmbrapsur. Përkundrazi, më kanë bërë më të vendosur për ta mbrojtur të vërtetën, integritetin profesional dhe misionin publik të gazetarisë. Sepse gazetaria nuk është shërbim ndaj pushtetit, por përgjegjësi ndaj publikut; nuk është instrument për të mbrojtur interesat e grupeve të caktuara, por mekanizëm për të kërkuar llogaridhënie, për të ekspozuar keqpërdorimet dhe për të mbrojtur interesin publik.

Prandaj, mesazhi im për gazetarët është i qartë: vazhdoni punën tuaj me guxim, profesionalizëm dhe përgjegjësi. Mos lejoni që kërcënimet, presionet apo tentativat për shantazh t’ju largojnë nga misioni juaj. E keqja, korrupsioni dhe keqpërdorimi i pushtetit duhen trajtuar kudo që shfaqen, pavarësisht se kush qëndron pas tyre. Por kjo duhet bërë gjithmonë përmes fakteve, verifikimit dhe standardeve më të larta etike e profesionale.

Njëkohësisht, bartësit e pushtetit duhet ta kuptojnë se marrëdhënia me median nuk mund të ndërtohet mbi armiqësi, delegjitimim apo presion. Kritika mediale është pjesë e funksionimit të demokracisë, ndërsa llogaridhënia nuk është sulm ndaj institucioneve, por detyrim i tyre ndaj qytetarëve. Çdo përpjekje për ta frikësuar median e dobëson besimin publik dhe dëmton vetë cilësinë e qeverisjes. Në këtë kuptim, përplasja me median e pavarur është një rrugë pa zgjidhje për këdo që synon ta shmangë përgjegjësinë publike.

Kosova është ndërtuar mbi sakrifica të mëdha për liri. Lufta dhe sakrifica e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përkrahja e NATO-s janë pjesë e rëndësishme e historisë sonë. Liria e fituar duhet të mbrohet edhe përmes institucioneve funksionale, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave themelore. Nuk mund të pretendojmë se kemi ndërtuar një shoqëri demokratike nëse gazetarët duhet të mendojnë për sigurinë e tyre përpara se të publikojnë një të vërtetë të pakëndshme.

Në këtë drejtim, shqetësim shtesë paraqet edhe raportimi i organizatave partnere të Platformës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Gazetarisë dhe Sigurisë së Gazetarëve, i publikuar më 20 korrik, sipas të cilit liria e medias në Kosovë po përballet me përkeqësim, të lidhur me ndërhyrjet politike, sulmet verbale ndaj gazetarëve dhe dobësimin e pavarësisë së institucioneve mediale. Këto vlerësime duhet të shërbejnë si thirrje për reflektim dhe veprim institucional, jo si arsye për t’i relativizuar problemet.

Kërkoj që çdo kërcënim dhe sulm ndaj gazetarëve të trajtohet seriozisht nga institucionet kompetente, të hetohet në mënyrë të paanshme dhe autorët, nëse u vërtetohet përgjegjësia, të përballen me pasojat ligjore. Mbrojtja e gazetarëve nuk është privilegj i një profesioni, por kusht për funksionimin e demokracisë dhe garantimin e së drejtës së publikut për t’u informuar.

Një shoqëri që i frikëson gazetarët rrezikon ta frikësojë edhe të vërtetën. Një pushtet që nuk e duron kritikën, e vë në pikëpyetje marrëdhënien e tij me llogaridhënien. Ndërsa një gazetari që refuzon të nënshtrohet i shërben jo një individi apo grupi, por interesit publik.

Liria e medias nuk mbrohet vetëm me deklarata. Ajo mbrohet me guxim profesional, solidaritet mes gazetarëve, përgjegjësi institucionale dhe zbatim të barabartë të ligjit.

Gazetaria duhet të mbetet e lirë, e pavarur dhe e patrembur. Sepse e vërteta nuk mund të vihet nën shantazh, ndërsa liria nuk mund të jetë peng i askujt.

 

Continue Reading

Të kërkuara