Dizajneri i njohur i modës, Giorgio Armani, ka ndërruar jetë në moshën 92-vjeçare. Lajmin e ka konfirmuar kompania e tij me një njoftim të shkurtër: “Me pikëllim të pafund, Grupi Armani njofton vdekjen e krijuesit, themeluesit dhe forcës së pandalshme që e udhëhoqi: Giorgio Armani”.
I njohur si një punëtor i palodhur, Armani ishte i përfshirë në çdo aspekt të brendit e sfilatave. Pas vdekjes së tij, kontrolli mbi perandorinë Armani pritet të ndahet mes gjashtë trashëgimtarëve të përzgjedhur me kujdes, shkruan DailyMail.
Adhuruesit e modës pyesin se kush do të jetë pasardhësi i tij dhe kush do të trashëgojë pasurinë prej miliarda dollarësh.
Kompania gjeneronte 2.7 miliardë dollarë (2.3 miliardë euro) në vit, ndërsa perandoria e Armanit vlerësohej mbi 12.1 miliardë dollarë (10.3 miliardë euro). Aty përfshihen veshje, aksesorë mode, mobilje për shtëpi, parfume, kozmetikë, libra, lule, madje edhe çokollata.
Në një intervistë për Financial Times në gusht, Armani tha se donte që trashëgimtarët të ishin bashkëpunëtorët dhe familjarët e tij më të afërt. Ai nuk kishte fëmijë dhe nuk ishte martuar kurrë, ndonëse ka pasur marrëdhënie si me burra, ashtu edhe me gra.
Raportet e kompanisë dhe të mediave tregojnë se trashëgimtarët e tij janë: motra Rosanna, dy mbesat, një nip, partneri dhe krahu i djathtë Leo Dell’Orco, si dhe fondacioni bamirës që ai themeloi.
Të gjithë janë pjesë e bordit drejtues të kompanisë dhe, sipas statutit që Armani kishte hartuar më 2016, do të marrin aksione sipas funksioneve që mbajnë. Nipërit dhe mbesat e tij kanë pozita të larta brenda shtëpisë luksoze të modës.
“Ashtu siç e kam menduar, planin e trashëgimisë e kam ndërtuar mbi një proces gradual të transferimit të përgjegjësive që i kam mbajtur vetë, tek ata që më qëndrojnë më afër”, pati deklaruar Armani në atë kohë, duke e përmendur Dell’Orcon, drejtor i linjës së modës për meshkuj, si një nga figurat kyçe. Ai drejtonte modën për meshkuj në të gjitha linjat: Giorgio Armani, Emporio Armani dhe Armani Exchange. Për shumë vite ai u konsiderua krahu i djathtë dhe pjesë e familjes.

Edhe pse Armani rrallë fliste publikisht për jetën private, ai e ka quajtur Dell’Orcon personin më të afërt me të, me të cilin kishte ndarë shumë vite bashkëjetese. Në biografinë e tij Per Amore (2022), Armani shkroi:
“Ai është personi të cilit i kam besuar mendimet e mia më private – personale, profesionale e të tjera – dhe ai i ka ruajtur me diskrecion të madh.” Çifti nuk ishte martuar, por Armani kishte treguar se mbante një unazë diamanti “shumë të veçantë”.
Motra e tij Rosanna ka pasur rol në zhvillimin e perandorisë së tij të modës. Armani kishte edhe një vëlla, Sergio, me të cilin ishte i lidhur ngushtë. Madje Rosanna kishte pozuar si modele në fushatën pranverë/verë të vitit 1979.
Ndër trashëgimtaret e mundshme përmendet edhe mbesa Silvana Armani, e cila punoi përkrah xhaxhait në koleksionet për femra. Një tjetër mbesë, Roberta Armani, ishte e afërt me të. Ajo la karrierën në film për t’u bërë drejtoreshë e marrëdhënieve me publikun në kompaninë e xhaxhait dhe shpesh e përfaqësonte në evente ndërkombëtare.
Trashëgimtarët e tij pritet të ndajnë jo vetëm pasurinë e madhe, por edhe pronat e shumta: shtëpi në Milano, Toskanë, St. Tropez, Antigua dhe New York. Armani ishte gjithashtu pronar i ekipit të basketbollit Olimpia Milano, si dhe i një superjahti luksoz prej 60 milionë dollarësh, të gjatë 60 metra, ndërtimi i të cilit kishte zgjatur plot 30 muaj.