Lajmet

Policia e Kosovës shkatërron mbi 760 armë ilegale

Published

on

Policia e Kosovës ka organizuar sot ceremoninë e shkatërrimit të armëve të vogla dhe të lehta ilegale, mbi 760 sosh, në fshatin Prelez të Ferizajt. Pas shkatërrimit, nga materiali i armëve që shkrihen do të krijohen kapak të pusetave.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tha se procesi i shkatërrimit të armëve bëhet me qëllim për të ofruar sa më shumë siguri për qytetarët. Hoxha potencoi se nuk janë të rralla rastet ku armët ilegale janë përdorur gjatë rasteve kriminale.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të përdorin sa më pak armët. Hoxha bëri të ditur se nga viti 1999 deri më tani, janë konfiskuar mbi 36 mijë armë ilegale.

Ndërkaq, nga viti 2005 deri tani janë shkatërruar rreth 16 mijë armë të gjata dhe të shkurta.

“Është një proces i vazhdueshëm që Policia e Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme, në mbështetje të vazhdueshme te UNDP-së, por edhe vendeve partnere mike të Kosovës po vazhdoj me shkatërrimin e armëve të vogla dhe të mesme me qëllim që të krijohet sa më shumë siguri për qytetarët dhe vendin tonë…Gjatë këtyre viteve nuk kemi pasur jo pak raste kur armët ilegale janë përdorur gjatë rasteve dhe veprave kriminale. Shumë jetë janë humbur për shkak të përdorimit të armëve ilegale. Iu bëjmë thirrje gjithë qytetarëve tonë që të qëndrojnë larg armëve ilegale…Policia e Kosovës që nga viti ‘99 e deri më sot ka konfiskuar rreth 36 mijë e 36 armë. Përafërsisht i bie rreth 1 mijë e 100 armë që janë konfiskuar çdo ditë. Që nga viti 2005 e deri më sot ka shkatërruar 15 mijë e 904 armë të shkurtra dhe të gjata”, tha Hoxha.

Përfaqësues i Përhershëm i UNDP-së në Kosovë, Nuno Queiros tha se qëllimi i shkatërrimit të armëve është promovimi i një shoqërie paqësore, të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.

Ai potencoi se armët e vogla dhe të lehta të paligjshme shkaktojnë pasiguri, dëmtojnë civilët, minojnë institucionet dhe shpesh përdoren në dhunë bazuar në gjini dhe dhunë në familje.

“Qëllimi ynë është të promovojmë shoqëri paqësore, të drejta dhe gjithëpërfshirëse, dhe kjo kërkon një reduktim të konsiderueshëm të flukseve të paligjshme të armëve në të ardhmen tonë…Vetëm gjatë kohës që kemi qenë këtu, janë kryer dy akte dhune me armë, pa llogaritur luftërat dhe situata të tjera. Kjo tregon se armët e vogla dhe të lehta të paligjshme shkaktojnë pasiguri, dëmtojnë civilët, minojnë institucionet dhe shpesh përdoren në dhunë bazuar në gjini dhe dhunë në familje. Policia, Ministria e Punëve të Brendshme dhe autoritetet e tjera relevante kanë treguar një angazhim të jashtëzakonshëm për të luftuar trafikun e paligjshëm, posedimin dhe keqpërdorimin e armëve. Por mund të jeni të sigurt se ne, si UNDP, dhe ekipi im i pranishëm sot, do të vazhdojmë t’ju mbështesim dhe jemi shumë krenarë që jemi partneri juaj i besuar në këto përpjekje”, tha Queiros.

Ky aktivitet mbështetet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) përmes Programit për Siguri dhe Siguri në Kosovë (KSSP), me mbështetje financiare nga Gjermania, Suedia, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Holanda dhe Norvegjia, si dhe përmes Vendimit të Këshillit (PESK) 2024/3006 të datës 2 dhjetor 2024, në mbështetje të aktiviteteve të çarmatimit dhe kontrollit të armëve të SEESAC në Evropën Juglindore, me qëllim zvogëlimin e kërcënimit nga armët e vogla dhe armët e lehta (SALW) të paligjshme dhe municionit të tyre./D.B/KP

Vendi

Caktohet seanca për masën e paraburgimit ndaj të dyshuarit për vrasjen e Arlinda Zekajt

Published

on

By

Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar për sot mbajtjen e seancës dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Albert Sylajt, i cili dyshohet për vrasjen e ish-kunatës së tij, Arlinda Zekaj.

I dyshuari Sylaj u arrestua mbrëmjen e së martës në Deçan, pas kërkimeve nga Policia e Kosovës.

Ai akuzohet se e ka privuar nga jeta me sëpatë 49-vjeçaren Arlinda Zekaj. /E.A/

Continue Reading

lajme

Nis protesta kombëtare në Prishtinë pas vrasjes së Arlinda Zekajt

Published

on

By

Ka nisur grumbullimi i qytetarëve në Prishtinë për protestën kombëtare të thirrur nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, në shenjë revolte dhe ndërgjegjësimi pas vrasjes së Arlinda Zekajt.

Pjesëmarrësit po bashkohen për të kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi nga institucionet, si dhe për të ngritur zërin kundër dhunës ndaj grave dhe femicideve.

Organizatorët dhe qytetarët pritet të marshojnë në rrugët kryesore të kryeqytetit me thirrjet për mbrojtjen e jetës së grave dhe ndëshkimin maksimal të kryerësve të veprave të tilla.

Continue Reading

Vendi

Ndalohen punimet në gjashtë ndërtime për shkak të pasigurisë

Published

on

By

Inspektorati Qendror i Punës ka pezulluar punimet në gjashtë objekte ndërtimi në Prishtinë, Fushë Kosovë, Lipjan, Gjilan, Skenderaj dhe Ferizaj, pasi gjatë inspektimeve në terren ka konstatuar parregullsi serioze sa i përket sigurisë dhe shëndetit në punë.

Sipas njoftimit zyrtar, ndalimi i punimeve do të mbetet në fuqi deri në eliminimin e të gjitha parregullsive dhe përmbushjen e plotë të kërkesave ligjore. Inspektorati u bën thirrje të gjithë punëdhënësve që të zbatojnë me përpikëri masat mbrojtëse, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe ruajtjen e jetës e shëndetit të punëtorëve.

Continue Reading

Lajmet

Kamberi i hapur për bashkëpunim me Listën Studentore në Serbi, kërkon trajtimin e çështjes së shqiptarëve

Published

on

By

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me Listën Studentore pas zgjedhjeve parlamentare, duke theksuar se një bashkëpunim i tillë duhet të mbështetet në dialog serioz dhe në përmbushjen e kërkesave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Në një intervistë për Deutsche Welle, Kamberi ka deklaruar se shqiptarët nuk synojnë të marrin poste vetëm për të krijuar përshtypjen e përfshirjes në institucione, por kërkojnë zgjidhje konkrete për problemet me të cilat përballen.

Sipas tij, prioritet mbetet zbatimi i Planit 7-pikësh, si dhe adresimi i çështjeve urgjente, përfshirë pasivizimin e adresave, përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore dhe të drejtat në arsim.

“Mesazhi im për ta do të ishte i thjeshtë: nëse synoni një Serbi demokratike, të përgjegjshme dhe me marrëdhënie më të mira rajonale, atëherë përfshijeni edhe çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në vizionin tuaj për ndryshim”, ka deklaruar Kamberi.

Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke vlerësuar se Serbia duhet ta trajtojë Kosovën si partnere të barabartë dhe të ndërtojë marrëdhënie mbi bazën e dialogut dhe respektit të ndërsjellë.

Sipas raportimeve për zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit, Lista Studentore ka siguruar shumicën, duke i dhënë fund pushtetit 12-vjeçar të Aleksandar Vuçiqit. Megjithatë, përfaqësues të kësaj liste kanë deklaruar se në raport me Kosovën mbështesin Kushtetutën e Serbisë, e cila e konsideron Kosovën pjesë të territorit të saj.

Ndërkohë, partitë shqiptare morën pjesë në zgjedhje përmes një liste të përbashkët, duke siguruar dy ulëse në Kuvendin e Serbisë pas një periudhe të gjatë.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara