Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë organizoi një ligjëratë të hapur me temën “Roli i diplomacisë shqiptare në Konferencën e Rambujesë dhe përgjatë ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë”, në kuadër të përkujtimit të 80-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë dhe 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës.
Në qendër të kësaj ngjarjeje ishte ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Paskal Milo, i cili ndau përvoja dhe reflektime të thella mbi rolin që luajti diplomacia shqiptare në ato momente historike të vendimtare. Ai theksoi se pa mbështetje të fortë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe, zgjidhja e çështjes së Kosovës do të kishte qenë një sfidë e jashtëzakonshme.
Milo, i cili ishte dëshmitar i drejtpërdrejtë i vendimmarrjes për Kosovën, nënvizoi se rrënjët e shtetit të Kosovës janë të lidhura ngushtë me Konferencën e Rambujesë dhe ndërhyrjen e NATO-s. Ai e përshkroi Konferencën e Rambujesë si një moment dramatik dhe të ndjeshëm, duke theksuar se anëtarët e delegacionit shqiptar luajtën një rol kyç në sigurimin e një përfundimi të suksesshëm për këtë proces të komplikuar.
Përveç Milo, ligjëratën e nderoi me praninë e tij edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj. Ai e përshkroi këtë ngjarje si një mundësi për të reflektuar mbi sakrificat e brezave të kaluar dhe për të vlerësuar vendimmarrjen e guximshme që ka udhëhequr historinë e dy vendeve.
Ky eveniment nuk ishte vetëm një përkujtim, por gjithashtu një thirrje për të mos harruar rëndësinë e bashkëpunimit dhe solidaritetit në ndërtimin e të ardhmes së përbashkët. Në këtë përvjetor të rëndësishëm, në Prishtinë, u festua jo vetëm çlirimi, por gjithashtu dhe shpresa për një të ardhme më të ndritur për shqiptarët kudo që janë./UBTNews/