Kryeshefi ekzekutiv i kompanisë rajonale të mbeturinave “Pastrimi”, Petrit Reçica, e ka akuzuar kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama për manipulim vetëm për t’ua dhënë tenderët miqve të tij.
Përmes një reagimi pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme për menaxhimin e mbeturinave nga Rama, Reçica ka thënë se Rama po bën veprime që bllokojnë shërbimet publike dhe krijojnë kaos.
“Më 07.01.2025, përmes një emaili drejtuar kryetarit Rama dhe z. Bekim Brestovci, kam kërkuar një takim për të koordinuar shërbimet e pastrimit në kryeqytet. U deshën më shumë se 10 ditë për një përgjigje, dhe në atë takim dukej i vendosur që pastrimin t’ua jepte kompanive private, duke treguar qartë mungesën e vullnetit për zgjidhje dhe synimin për ta politizuar këtë çështje. Për më tepër, Rama ka kërkuar nga disa punëtorë të ‘Pastrimit’ të sabotojnë shërbimin, vetëm që të krijojë kaos për të ja dhënë tenderin për grumbullimin e mbeturinave kompanisë private dhe të gjejë një arsye për shkarkimin tim (për të cilat kemi fakte të mjaftueshme)”, ka shkruar Reçica në Facebook.
Ai tutje ka thënë se punëtorët e “Pastrimit” po punojnë pa pushim për shtatë ditë të javës, por sipas tij, synimi është hapja e një tenderi me negocim.
“Për ta bërë më të qartë për gjithë qytetarët po duket se është duke u përgatitur e njëjta skemë siç është përdorur në shkurtin e vitit 2024 ku është negociuar kompania private e cila duket se mund të jetë përsëri e njëjta. Përmes këtyre veprimeve të kundërligjshme fillimisht u fut në lojë një kompani private, pastaj u hap një tender i ndarë në pesë llote në vlerë 16.5 milionë euro, me kritere të përgatitura sipas qejfit për të favorizuar emrat e dëshiruar. Ky tender përfundoi i bllokuar në OSHP, duke dëshmuar manipulimin e procesit, favorizimet të operatorëve të caktuar si dhe tendencën për të përjashtuar dhe falimentuar KRM ‘Pastrimin’. Këtë herë, duket qartë që synimi është hapja e një tenderi me negocim, ku edhe ekzistojnë dyshime se fituesi është i paracaktuar, kompania që tradicionalisht ka lidhje me pushtetin komunal. Nëse ndjekim të njëjtën logjikë, procedurat e hapura do të shmangen, rregullorja e Kuvendit do të shkelet, dhe tenderi do t’u jepet emrave të përzgjedhur, siç ka ndodhur në të kaluarën”, ka shtuar ai.
Sipas tij, e gjithë kjo nuk ka të bëjë me pastërtinë e qytetit, por me një betejë për tenderët dhe kontrollin mbi paratë publike.