Lajmet

Plan i ri për paqe midis Izraelit dhe palestinezëve

Plani përfshin disa propozime kontroverse dhe është e paqartë nëse ka mbështetjen e udhëheqësve në të dyja anët.

Published

on

Associated Press

Ish-negociatorët e paqes, izraelitë dhe palestinezë, kanë hartuar një propozim të ri për një konfederatë me dy shtete, që ata shpresojnë se do të ofrojë një zgjidhje për përpjekjet për paqe në Lindjen e Mesme.

Plani përfshin disa propozime kontroverse dhe është e paqartë nëse ka mbështetjen e udhëheqësve në të dyja anët. Por, ky plan mund të ndihmojë në formësimin e debatit mbi konfliktin dhe pritet t’i prezantohet gjatë kësaj zyrtarëve amerikanë dhe të Kombeve të Bashkuara.

Ky plan bën thirrje për një shtet të pavarur të Palestinës në pjesën më të madhe të Bregut Perëndimor, Gazës dhe Jerusalemit lindor, territore që Izraeli i ka marrë nën kontroll gjatë luftës së Lindjes së Mesme të vitit 1967. Izraeli dhe palestinezët, sipas planit, do të kishin qeveri të ndara, por do të koordinoheshin në nivele shumë të larta për çështje të sigurisë, infrastrukturës dhe çështje të tjera që prekin qytetarët e të dy palëve.

Po ashtu, sipas planit, do të lejohej që afro 500,000 hebrenj që jetojnë në vendbanime në Bregun Perëndimor të okupuar, të qëndronin atje në vendbanime të mëdha pranë kufirit me Izraelin, pas një shkëmbimi territoresh.

Ndërkaq, hebrenjve që jetojnë në thellësi të Bregut Perëndimor do t’u jepej mundësia që të zhvendoseshin apo të bëheshin banorë të përhershëm të shtetit të Palestinës. Numri i njëjtë i palestinezëve – me gjasë refugjatët nga lufta e vitit 1948 – do të lejoheshin që të zhvendoseshin në Izrael si qytetarë të Palestinës me qëndrim të përhershëm në Izrael.

Kjo nismë është gjerësisht e bazuar në Marrëveshjen e Gjenevës, një plan i detajuar dhe gjithëpërfshirës i paqes, që është hartuar më 2003 nga figura të shquara izraelite e palestineze, përfshirë edhe ish-zyrtarë. Plani, pothuajse 100-faqe për krijimin e konfederatës, përfshin rekomandime të reja dhe të detajuara se si do të duhej të adresoheshin çështjet thelbësore.

Yossi Beilin, ish-zyrtar i lartë izraelit dhe negociator i paqes, që ka bashkëthemeluar Iniciativën e Gjenevës, tha se duke hequr nga tavolina e bisedimeve çështjen e evakuimit masiv të qytetarëve që jetojnë në vendbanime, plani mund të jetë më bindës për ta.

Sistemi politik i Izraelit dominohet nga personat që jetojnë në vendbanime, por edhe mbështetësit e tyre, të cilët e shohin Bregun Perëndimor si qendër biblike dhe historike të popullit hebre dhe si pjesë integrale të Izraelit.

Qëndrimi palestinez për këto vendbanime ka qenë pengesa kryesore për paqe dhe shumë në komunitetin ndërkombëtar i shohin këto vendbanime si joligjore. Personat që jetojnë në vendbanimet thellë në Bregun Perëndimor – të cilët ka të ngjarë të përfundojnë brenda kufijve të një shteti të ardhshëm palestinez – janë ndër më radikalët dhe priren të kundërshtojnë çdo ndarje territoriale.

“Ne besojmë se nuk ka asnjë kërcënim për konfrontim me banorët e vendbanimeve dhe do të ishte më e lehtë për ata që duan zgjidhje sipas modelit me dy shtete”, tha Beilin. Kjo ide është diskutuar edhe më parë, por ai tha se konfederata do ta bënte këtë ide “më të realizueshme”.

Shumë pika të tjera që pengojnë procesin e paqes ende mbeten të pazgjidhura, përfshirë edhe sigurinë, lirinë e lëvizjes dhe pika ndoshta më e rëndësishmja, mungesa e besimit, pasi për shumë vite izraelitët dhe palestinezët janë përballur me dhunë dhe me negociata të dështuara.

Ministria e Jashtme e Izraelit dhe Autoriteti Palestinez nuk pranuan që të komentojnë për këtë çështje.

Figura kryesore palestineze që qëndron pas kësaj nisme është Hiba Husseini, një ish-këshilltare ligjore e ekipit negociues palestinez që nga viti 1994, e cila rrjedh nga një familje e shquar në Jerusalem. Kontribuues të tjetër të kësaj nisme janë edhe profesorë izraelitë e palestinezë si dhe dy gjeneralë të pensionuar izraelitë.

Husseini e pranoi se propozimi, sa i përket banorëve në vendbanimet në Bregun Perëndimor, është “mjaft kontrovers”, por tha se plani i propozuar, në përgjithësi përmbush aspiratën thelbësore të palestinezëve, që ata të kenë shtetin e tyre.

“Nuk do të jetë e lehtë”, tha ajo. “Për të arritur shtetësinë dhe për të arritur të drejtën e dëshiruar të vetëvendosjes për të cilën ne kemi punuar – realisht, që nga viti 1948 – ne duhet të bëjmë disa kompromise”.

Çështjet që kanë të bëjmë me pretendimet për Jerusalemin, kufijtë dhe fatin e refugjatëve palestinezë mund të jetë më lehtë të trajtohen nga dy shtete në kontekstin e një konfederate, sesa përmes qasjes tradicionale që të përpunohen të gjitha detajet përpara arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare.

“Ne po e kthejmë procesin mbrapsht dhe po nisim me njohjen”, tha Husseini.

Kanë kaluar pothuajse tri dekada që prej se udhëheqësit izraelitë dhe palestinezë u mblodhën në Shtëpinë e Bardhë për të nënshkruar Marrëveshjet e Oslos, duke iniciuar procesin e paqes.

Dhjetëra runde bisedimesh të mbajtura përgjatë viteve, të shoqëruara me shpërthime të dhunës, nuk arritën që të nxirrnin një marrëveshje përfundimtare. Po ashtu, nuk ka pasur negociata serioze apo thelbësore për më shumë se një dekadë.

Kryeministri aktual i Izraelit, Naftali Bennett, kundërshton shtetësinë palestineze. Ministri i Jashtëm, Yair Lapid, i cili pritet ta marrë postin e kryeministrit më 2023 në bazë të marrëveshjes qeverisëse, mbështet zgjidhjen eventuale përmes modelit me dy shtete.

Por, asnjëri prej tyre nuk ka të ngjarë që të jetë në gjendje të nisë ndonjë nismë të madhe, sepse ata kanë një koalicion të brishtë qeverisës që përfshin spektrin politik nga fraksionet nacionaliste të linjës së ashpër e deri te një parti e vogël arabe.

Në palën palestineze, presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, është i kufizuar në pjesën e Bregut Perëndimor të okupuar me grupin militant islamik Hamas, – që nuk e pranon ekzistencën e Izraelit – grup që udhëheq në Gaza. Mandati presidencial i Abbasit ka skaduar në vitin 2009 dhe popullariteti i tij ka rënë viteve të fundit, që do të thotë se ai nuk ka të ngjarë që do të jetë në gjendje të bëjë ndonjë kompromis historik.

Ideja e zgjidhjes përmes modelit me dy shtete ishte prezantuar në mënyrë që palestinezët të kishin një shtet të pavarur, duke lejuar që Izraeli të ekzistonte si një demokraci me një shumicë të fortë hebreje. Zgjerimi i vazhdueshëm i vendbanimeve nga Izraeli, mungesa e ndonjë procesi të paqes dhe përsëritja e episodeve të dhunës, megjithatë kanë komplikuar edhe më shumë shpresat që mund të ketë ndarje të territorit.

Komuniteti ndërkombëtar ende e sheh modelin e dy shteteve si mundësinë e vetme reale për zgjidhjen e konfliktit.

Por, situata po ndryshon, veçanërisht në mesin e të rinjve palestinezë, të cilët gjithnjë e më shumë po e shohin konfliktin si një luftë për të drejta të barabarta nën atë që ata – dhe tre grupe të shquara të të drejtave të njeriut – thonë se është një regjim aparteidi.

Izraeli i hedh poshtë këto akuza dhe i vlerëson ato si sulm antisemitik ndaj të drejtës së tij për të ekzistuar. Lapid ka sugjeruar se ringjallja e një procesi politik me palestinezët do të ndihmonte Izraelin që t’i rezistonte çdo përpjekjeje për ta cilësuar atë si një shtet aparteidi nga organet botërore.

Javën e ardhshme, Beilin dhe Husseini do t’ia prezantojnë planin e tyre nënsekretares amerikane të Shtetit, Wendy Sherman dhe sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres. Beilini tha se ata tashmë ua kanë dërguar kopjet e këtij plani zyrtarëve izraelitë dhe palestinezë.

Beilin tha se ua dërgoi këtë plan personave që ai e dinte se nuk do ta refuzonin menjëherë. “Askush nuk e refuzoi. Por, kjo nuk do të thotë se ata pajtohen me këtë plan”.

“Nuk ia kam dërguar planin Hamasit”, tha ai duke bërë shaka. “Nuk ia di adresën”.RFE

Continue Reading

Lajmet

Laura Fazliu kalon në gjysmëfinale të Grand Slam-it në Abu Dhabi

Published

on

By

Xhudistja kosovare Laura Fazliu po vazhdon me sukses paraqitjen e saj në Grand Slam-in e xhudos që po heldet në Abu Dhabi, duke siguruar një vend në gjysmëfinale të këtij turneu me rëndësi.

Fazliu e nisi garën duke qenë e lirë në xhiron e parë. Në raundin e dytë, ajo mposhti me Waza-ari garuesen nga Portugalia, Joana Crisostomo. Forma e mirë e xhudistes kosovare u konfirmua edhe në çerekfinale, ku me Ippon mposhti me dominim përfaqësuesen vendase nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Tsendbazar Mashbat.

Në luftën për të siguruar finalen e madhe, Laura Fazliu do të përballet në gjysmëfinale me xhudisten nga Polonia, Angelika Szymanska. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Mundësi akademike për profesionistët: UBT ndan bursa 20% për studimet Master

Published

on

By

Teksa po afrohen ditët e fundit të afatit për regjistrime në nivelin Master, UBT rikujton të gjithë profesionistët e angazhuar në tregun e punës se mund të përfitojnë nga iniciativa “Engaged Scholarship”, e cila ofron 20% bursë studimi për avancimin e tyre akademik.

Programi u dedikohet punonjësve në sektorin publik dhe privat që synojnë të ngrenë nivelin e tyre profesional. Përfitues të kësaj zbritjeje mund të jenë kategori të ndryshme, përfshirë zyrtarët e administratës publike, pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe FSK-së, gazetarët dhe zyrtarët e marrëdhënieve me publikun, avokatët, kontabilistët, si dhe stafi shëndetësor e teknologët e ushqimit.

Për t’ua lehtësuar procesin kandidatëve që janë në marrëdhënie pune, ligjëratat zhvillohen me orar fleksibil, kryesisht në orët e pasdites. Të gjithë të interesuarit kanë edhe pak ditë kohë për të shfrytëzuar këtë mundësi para përmbylljes zyrtare të afatit të regjistrimeve për këtë vit akademik.

 

 

 

 

 

Continue Reading

Lajmet

Profesori i UBT-së, Arian Kadriu, merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare Shkencore në Ukrainë

Published

on

By

Profesori i Fakultetit të Studimeve të Sigurisë në UBT, Prof. Dr. Arian Kadriu, ka marrë pjesë në edicionin e 14-të të konferencës ndërkombëtare shkencore dhe praktike “Ivan Ivanchenko Scientific School”, të organizuar në Ukrainë, ku ka prezantuar një punim shkencor në kuadër të sesionit plenar të konferencës.

Në këtë konferencë, profesori Kadriu, në bashkautorësi me eksperten Delfina Ertanowska, prezantoi punimin me titull “Strategic Friction and Interoperability Failure: The Communication Crisis in the Evolving Security Architecture of NATO’s South Eastern Flank”, i cili trajton sfidat strategjike, problemet e ndërveprueshmërisë dhe krizën e komunikimit në kuadër të arkitekturës së sigurisë në zhvillim të krahut juglindor të NATO-s.

Punimi trajton çështje me rëndësi për zhvillimet aktuale të sigurisë ndërkombëtare, duke vënë në fokus koordinimin strategjik, komunikimin ndërinstitucional dhe sfidat që ndikojnë në bashkëpunimin dhe ndërveprueshmërinë në kuadër të strukturave të sigurisë së NATO-s. Konferenca “Ivan Ivanchenko Scientific School” mbledh studiues, akademikë dhe ekspertë nga fusha të ndryshme shkencore, duke krijuar një platformë për prezantimin e kërkimeve, shkëmbimin e përvojave akademike dhe diskutimin e temave me rëndësi ndërkombëtare.

Continue Reading

Lajmet

Nisi protesta në Pejë për vrasjen e Arlinda Zekajt, ngjyrosen me të kuqe këpucët e policëve

Published

on

By

Ka nisur në Pejë protesta gjithëpopullore kundër vrasjes së grave, në shenjë revolte pas rastit të rëndë të Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë.

Masa e mbledhur ka shprehur pakënaqësi të thellë ndaj dështimeve institucionale, duke kërkuar drejtësi të menjëhershme dhe llogaridhënie. Në një akt simbolik revolte, protestuesit kanë ngjyrosur me ngjyrë të kuqe këpucët e zyrtarëve policorë që po siguronin ngjarjen, teksa në kor brohorisnin thirrjet “Marre”.

Marshimi i protestuesve do të përshkojë të gjitha institucionet përgjegjëse në qytet, duke u ndalur para Komunës së Pejës, Qendrës për Punë Sociale, Stacionit Policor, Gjykatës dhe Prokurorisë Themelore.

Kjo protestë në Pejë është pjesë e valës së reagimeve qytetare që po zhvillohen në të gjithë Kosovën, me kërkesën e prerë për siguri, mbrojtje institucionalisht të garantuar dhe ndëshkim të përgjegjësve për mosveprimet që çuan në këtë tragjedi. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara