Më 10 nëntor 1895, në Drenicën heroike, u lind Qerime Radisheva, e njohur si Shote Galica, një ndër figurat më të fuqishme të rezistencës shqiptare në Kosovë dhe një simbol i qëndresës kombëtare.
Ajo mbetet një emër që ngjall krenari, jo vetëm për trimërinë në beteja, por edhe për rolin që pati në historinë e rezistencës kundër serbëve.
Ishte një ndër gratë e rralla shqiptare të asaj kohe që mori armët për liri dhe nuk i hoqi kurrë nga duart deri në fund të jetës.
Nga Qerime Radisheva në Shote Galica
E lindur në një familje shqiptare me ndjenja të forta atdhetare, ajo u rrit mes këngëve dhe tregimeve për trimëri. Qysh në moshë të re u përfshi në luftërat kundër pushtuesve e përkrah bashkëshortit të saj, Azem Bejtës, u bë pjesë e çetave kryengritëse të Drenicës.
Pseudonimi “Shote Galica” e shoqëroi përjetësisht, duke u bërë simbol i grave luftëtare shqiptare.
Krahu i djathtë i Azem Galicës
Në çdo betejë, Shoteja qëndronte përkrah burrit. Ajo nuk e shihte luftën si detyrë burrash, por detyrë kombëtare. Pasi Azemi u vra, ajo nuk u dorëzua. Përkundrazi, mori drejtimin e çetës dhe vazhdoi luftën deri në fund të forcave, duke u bërë frymëzim për burra e gra tjerë.
Në fillim të viteve ’20, Shote zhvilloi një rezistencë kundër autoriteteve serbe, që ushtronin dhunë e shpërngulje ndaj shqiptarëve të Kosovës. Pavarësisht mungesës së mbështetjes e kushteve të vështira, ajo qëndroi e palëkundur në idealin e saj për liri.
Mërgimi dhe fundi i jetës
Pas shumë vitesh luftë dhe përndjekjesh, Shoteja u tërhoq në Shqipëri, e rraskapitur, e plagosur dhe pa bashkëluftëtarët e dikurshëm.
Ajo u vendos në Fushë-Krujë, ku vdiq më 1 korrik 1927, në moshë të re, 32 vjeçe. Edhe në ditët e fundit, mbeti krenare dhe besnike ndaj idealeve për të cilat kishte luftuar gjithë jetën.
Trashëgimia dhe nderimi
Shote Galica nuk u kujtua vetëm si luftëtare, por si simbol i emancipimit të gruas shqiptare dhe i sakrificës për lirinë kombëtare. Thënia e saj e famshme “Jeta pa dije është si një luftë pa armë” mbetet një mesazh i përjetshëm për rëndësinë e arsimit dhe vetëdijes kombëtare.
Për veprimtarinë dhe heroizmin e saj, është nderuar me titullin më të lartë shtetëror “Hero i Popullit”, duke u radhitur mes figurave më të mëdha të historisë shqiptare.
130 vite pas lindjes – kujtimi që nuk shuhet
Sot, më 10 nëntor 2025, mbushen 130 vite nga lindja e Shotë Galicës, një figure që vazhdon të frymëzojë brezat me trimërinë, vendosmërinë dhe dashurinë e saj për atdheun. Në Drenicë, në Fushë-Krujë dhe në çdo cep të trojeve shqiptare, kujtimi jeton në këngë, në tregime dhe në zemrat e njerëzve që e shohin si shembull të gruas shqiptare që nuk u dorëzua kurrë.
Shote Galica – emri që mbetet pushkë e ndezur në kujtesën e kombit. /A.Z/UBT News/