Lajmet

“Pikënisja është akti i prezantimit”, Bislimi: Lajçaku e saktësoi deklaratën për Asociacionin

Ai tha se pala serbe ka refuzuar që të diskutojë për çështje të tjera përpos Asociacionit sipas marrëveshjes së vitit 2015.

Published

on

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, qëndroi ditën e sotme (e hënë) në Bruksel ku mori pjesë në takimet e zhvilluara në kuadër të procesit të dialogut.

Pas përfundimit të takimeve, i pyetur nga gazetarët, zëvendëskryeministri Bislimi tha se as nuk është dashur të priten sot rezultate. Sipas tij, është fillim i diskutimeve në mënyrë që palët të shohin se ku ndodhen me procesin dhe ku duan të shkojmë, porse nuk është pritur epilog për ndonjë nga proceset.

Përfaqësuesi i posaçëm i BE për dialogun, Miroslav Lajçak, deklaroi se draft statuti i prezantuar nga ish-ekipi menaxhues duhet të jetë pikënisje për bisedime për themelimin e Asociacionit, mirëpo Bislimi tha se diplomati sllovak e ka sqaruar këtë pjesë duke thënë se ka qenë gabim teknik.

Sipas tij, pikënisja është akti i prezantimit, ndërsa tha se pala serbe ka refuzuar që të diskutojë për çështje të tjera përpos Asociacionit sipas marrëveshjes së vitit 2015.

“Tek zbatimi i pikës 7, sot është precizuar nga z. Lajcak se ka qenë gabim teknik ajo që është shfaq në faqen e tij të Facebook-ut. Nuk trajtohet si pikënisje drafti, por prezantimi i draftit, akti i prezantimit shënon pikënisjen e diskutimeve për zbatimin e pikës 7, ashtu siç kemi thënë dhe ne disa herë në prononcimet tona publike. Pjesë të tjera janë pastaj ato kriteret për të cilat kemi folur që janë shumë me rëndësi. Nga pala serbe është thënë sot se atyre nuk iu intereson Kushtetuta e Kosovës, nuk i intereson as letra e Mogherini-t, iu intereson vetëm ajo që kanë marrë nga z. Isa Mustafa në vitin 2015 dhe z. Petkovic edhe i lexonte atë se çka kanë marrë nga z. Mustafa në vitin 2015, thoshte që kështu e duam ne Asociacionin’’, tha Bislimi.

Në lidhje me atë se çfarë ka qenë në agjendë sot, Bislimi ritheksoi se ka qenë gjithçka që ka të bëjë me zbatimin e marrëveshjes së 27 shkurtit.

“Sekuencimi për ne ka qenë pjesa qendrore. Ne kemi patur një propozim të z. Lajcak, ku kemi patur shumë vërejtje tona. Kemi bërë propozimet në këtë draft-dokument të z. Lajcak ku kemi zgjeruar domeinin dhe kemi dashur të sigurohemi që secili nen i Marrëveshjes Bazike është i përfaqësuar në aktivitetin e zbatimin e tij. Pala serbe nuk ka dërgu ndonjë propozim por ka thënë se ne na intereson vetëm pjesa e Asociacionit e pastaj do të flasim për pjesën tjetër. Mirëpo nuk ka patur gatishmëri nga pala serbe që sot të diskutohet në mënyrë që bashkarisht të dilet me një plan të zbatimit’’, tha Bislimi.

Në vijim, zëvendëskryeministri Bislimi u pyet se a është folur dhe për temat që janë diskutuar edhe në takimet e nivelit të lartë të 2 majit dhe për situatën në veri:

“Situata në veri nuk është trajtuar fare sot. Për takimin e nivelit e lartë në 2 maj nuk ka qenë pjesë e takimit sot, mirëpo ka qenë dokumente të cilat na ka sjellë z. Lajcak në vizitën e tij me 11 maj në Prishtinë. Ai ka sjellë për shembull një draft se si do të duhej të dukeshin termat e referencës për Komitetin e Përbashkët që merret me monitorimin e Marrëveshjes Bazike, draft-dokument për termat e referencës për Komitetin e Përbashkët që merret me zbatimin e Marrëveshjes për të Pagjeturit dhe një metodologji për atë se si ai e sheh punën e mëtejme rreth zbatimit të pikës 7 të Marrëveshjes Bazike. Dy dokumentet që i ceka në fillim kanë ardhur të enjten dhe rrjedhimisht për ne ka qenë e pamundur që sot të vijmë me përgjigjet në plotni, por kemi premtuar që të njëjtat do t’i dorëzojmë deri ditën e premte, pas konsolidimit të të gjitha komenteve që vijnë nga palët e angazhuara. Ndërkaq për metodologjinë kemi thënë se nuk mund të ndërtojmë metodologji për një prej pikave të marrëveshjes pa patur një plan të zbatimit për marrëveshjen në tërësi dhe rrjedhimisht të njëjtën nuk është diskutu fare”, tha Bislimi.

Bislimi para mediave tha se në aneksin e implementimit të dakorduar në Ohër shprehet qartë se asnjë nga nenet nuk mund ta kushtëzojë nenin tjetër dhe të gjitha nenet do të zbatohen në mënyrë të pavarur dhe po ashtu thuhet se palët nuk mund ta bllokojnë zbatimin e ndonjë neni të caktuar.

Mbi takimet e radhës dhe vijimësinë e procesit, Bislimi tha se nuk është precizuar se si do të ecet tutje.

“Mendoj që Grupi Monitorues nuk mund të takohet pa u dakorduar për termat e referencës. Kjo vlen edhe për Grupin Punues, apo Komitetin e Përbashkët për Personat e Pagjetur. Në draftin e dërguar nga z. Lajcak thuhet që takimi i parë i Komitetit të Përbashkët për zbatimin e Marrëveshjes për Personat e Pagjetur duhet të realizohet brenda 60 ditëve, që nënkupton jo më larg se fillim apo mesi i muajit korrik”, tha Bislimi.

Pala serbe në vazhdimësi ka thënë se mund të ketë tensione në veri në fund të muajit, por Bislimi tha se data 28 nuk përbën asgjë që duhet brengosour e që lidhet me betimin e kryetarëve të rinj të komunave veriore.

Ai tha se ka munguar reagimi i Bashkimi Evropian për disa probleme në disa ndërtesa në veri, megjithëse u shpreh se EULEX është dashur ta informojë Lajçakun.

“Data 28 maj për ne nuk përbën kurrfarë date për të cilën duhet të brengosemi, për arsye se kemi pas një proces demokratik dhe është shumë normale që ky proces demokratik të finalizohet me aktin e emërimit dhe dhënies së betimit nga kryetarët aktual. Ne kemi informuar z. Lajcak për problemet që janë hasur në mënyrë unilaterale nëpër disa ndërtesa në veri të Mitrovicës, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan e për të cilat ka munguar reagimi i BE-së. Arsyetimi ka qenë se nuk kanë informata të mjaftueshme, por unë mendoj që kjo do të zgjidhet shumë shpejt pas dërgimit të informatave nga ana e Kosovës për arsye se ne besojmë se EULEX-i duke qenë prezent në Kosovë, është dashur që të gjitha këto informata t’ia bart zotit Lajcak”, tha Bislimi.

Bislimi tha se ka frikë se mesazhi që po dërgohet është i kundërt me atë që dëshirohet.

“Për aq kohë sa ne themi se inaugurimi i kryetarëve mund të shkaktojë tensione, dikush mund ta kuptojë këtë si ftesë për tensione. Në njëfarë mënyrë sikur ftesë që nëse doni ta pengoni këtë, duhet të krijoni tensione dhe mendojmë se kjo është shumë e rrezikshme dhe e panevojshme në këtë fazë”, përfundoi zëvendëskryeministri Bislimi.

Lajmet

Fakulteti Juridik i UBT-së përmbyll Akademinë Verore me diskutime mbi të drejtën dhe Inteligjencën Artificiale

Published

on

By

Pas një jave intensive me ligjërata, diskutime akademike dhe aktivitete profesionale të udhëhequra nga profesorë dhe ekspertë të fushës, Akademia Verore e Fakultetit Juridik në UBT u përmbyll me një vizitë studimore në kompaninë mediale Infokus.

Gjatë vizitës, studentët patën mundësinë të zhvillojnë një bashkëbisedim me gazetaret Era Berisha, Hateme Smajli dhe Arjeta Osmani, ku u diskutua mbi ndikimin e Inteligjencës Artificiale në gazetari dhe media. Diskutimi u fokusua në mundësitë që Inteligjenca Artificiale ofron për punën e gazetarëve, por edhe në sfidat që ajo sjell për profesionin. Tematika si përgjegjësia profesionale e gazetarëve, paditë SLAPP, përdorimi i përmbajtjeve të gjeneruara nga Inteligjenca Artificiale dhe ndikimi i tyre në informimin e publikut u trajtuan në një debat të hapur, interaktiv dhe mjaft frytdhënës.

Një ditë më parë, pjesëmarrësit e Akademisë Verore ndoqën dy ligjërata me tema aktuale dhe me rëndësi të veçantë për zhvillimet juridike bashkëkohore. Prof. Jorida Xhafaj ligjëroi mbi temën “Inteligjenca Artificiale, etika dhe privatësia: A mund ta ndjekë ligji zhvillimin e Inteligjencës Artificiale?”, ndërsa Prof. Elton Tota trajtoi temën “Inteligjenca Artificiale: Ndikimi në vendimmarrje, demokraci dhe lidership”.

Përmes këtij programi, Akademia Verore e Fakultetit Juridik u ofroi studentëve një platformë të vlefshme për të thelluar njohuritë mbi sfidat juridike, etike dhe shoqërore që shoqërojnë zhvillimin dhe përdorimin e Inteligjencës Artificiale. Përmes ligjëratave, diskutimeve dhe bashkëbisedimeve me akademikë e profesionistë të fushës, pjesëmarrësit patën mundësinë të lidhin teorinë me praktikën dhe të zhvillojnë një perspektivë më të gjerë mbi çështjet bashkëkohore të së drejtës dhe teknologjisë.

Continue Reading

Lajmet

Startup-i i vajzës së Bill Gates përfshihet në debat për praktika të dyshuara online

Published

on

Një kompani teknologjike e bashkëthemeluar nga vajza e miliarderit Bill Gates është përfshirë në një debat pas dyshimeve për përdorimin e praktikave të parregullta në internet.

Bëhet fjalë për startup-in Phia, një kompani që zhvillon mjete për blerje online të asistuara nga inteligjenca artificiale, e bashkëthemeluar nga 23-vjeçarja Phoebe Gates.

Sipas një hulumtimi të publikuar nga “Bloomberg”, aplikacioni i kompanisë dyshohet se ka përdorur një praktikë të njohur në marketingun digjital si “cookie stuffing”, e cila mund të mundësojë përfitimin e komisioneve nga shitjet online përmes metodave të diskutueshme.

Nga kompania kanë deklaruar se rasti ka ardhur si pasojë e një gabimi teknik në kod dhe se problemi është identifikuar dhe korrigjuar.

Pavarësisht debatit, Phia ka vazhduar zgjerimin e saj në tregun teknologjik, duke siguruar më shumë se 37 milionë euro investime dhe duke u vlerësuar me rreth 159 milionë euro.

Phoebe Gates ka deklaruar më herët se dëshiron ta ndërtojë suksesin e saj përmes punës dhe ideve personale, duke shmangur përdorimin e mbiemrit të saj të njohur gjatë prezantimeve para investitorëve./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Orkestra “Amadeus” triumfon në Pragë, sjell në Kosovë medaljen e artë dhe katër çmime ndërkombëtare

Published

on

Orkestra e Fëmijëve dhe të Rinjve “Amadeus” nga Kosova ka arritur sukses të jashtëzakonshëm në Festivalin Ndërkombëtar të Orkestrave “Musica Orbis” në Pragë, duke u shpërblyer me medaljen e artë dhe katër çmime të rëndësishme.

Në këtë festival ndërkombëtar, ku morën pjesë orkestra nga vende të ndryshme të botës, “Amadeus” fitoi Çmimin e Parë dhe Medaljen e Artë, duke u vlerësuar për performancën dhe nivelin artistik.

Përveç çmimit kryesor, koncertmjeshtri i orkestrës, violinisti solist Elton Syla, u nderua me çmim special për interpretimin e tij, ndërsa violinisti Princ Fanaj mori çmimin special për violinistin më entuziast nga violinat e para.

Një tjetër vlerësim i veçantë ishte edhe Çmimi i Publikut dhe Adhuruesve, i cili iu nda Orkestrës “Amadeus” nga Kosova.

Ky sukses ndërkombëtar vjen si rezultat i punës dhe përkushtimit të të rinjve të orkestrës, të cilët po vazhdojnë ta prezantojnë Kosovën me dinjitet në skenat botërore.

Pas këtij triumfi qëndron edhe puna e madhe e ekipit drejtues, me dirigjentin Vehbi Shosholli, drejtoreshën Hana Petrovci, zëvendësdrejtoreshën Vanesa Petrovci Shabani, koordinatoren Arta Rexhepi dhe gjithë stafin e shkollës “Amadeus”.

Suksesi në Pragë është një tjetër dëshmi e talentit të të rinjve kosovarë dhe e rolit të artit në promovimin e vlerave të Kosovës jashtë vendit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Bogujevci diskuton me KMRS-në forcimin e mbrojtjes së të drejtave të autorit në muzikë

Published

on

Ministrja Saranda Bogujevci ka zhvilluar takim me kryesuesen e Organizatës për Menaxhim Kolektiv të të Drejtave të Autorit në Fushën e Muzikës (KMRS), Kaltrina Mehmeti, ku u diskutuan zhvillimet aktuale dhe hapat e mëtejshëm për forcimin e sistemit të mbrojtjes së të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta në industrinë muzikore.

Gjatë takimit u trajtuan çështje që lidhen me funksionimin e menaxhimit kolektiv, zbatimin e tarifave për përdorimin e repertorit të mbrojtur, si dhe krijimin e një sistemi më të drejtë, transparent dhe funksional për kompensimin e autorëve, kompozitorëve, interpretuesve dhe bartësve të tjerë të të drejtave.

Ministrja Bogujevci u informua për aktivitetet dhe sfidat me të cilat përballet KMRS-ja, ndërsa u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, organizatave të menaxhimit kolektiv dhe komunitetit krijues për avancimin e mëtejshëm të mbrojtjes së të drejtave të autorit në Kosovë.

Po ashtu, gjatë takimit u diskutua edhe për rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përafrimit të praktikave vendore me standardet evropiane, me synim mbrojtjen më të mirë të krijuesve dhe zhvillimin e industrisë kreative e kulturore në vend./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara