Lajmet

Pijet energjike natyrale nga lëngu i domates deri tek ai i spinaqit!

Lëngu i spinaqit kërkon vetëm tre përbërës: tre kërcej selinoje, 2 asparagë dhe një domate ose karotë.

Published

on

Jeni të lodhur dhe doni të rikuperoni forcat sa më shpejt? Pijet energjike për momentin kanë shumë publicitet dhe premtojnë se ju sigurojnë energjinë për të cilën keni nevojë përmes substancave të ndryshme stimuluese.

Në nivel botëror, pijet energjike janë komercializuar në më shumë se 165 vende, përfshirë shtetet e Bashkimit Europian. Megjithatë, vitet e fundit është vënë në diskutim dëmi, në termat e shëndetit, që derivon nga përdorimi i papërgjegjshëm i këtyre pijeve.

Pijet energjike, përveç ujit që është përbërësi me prezencën më të madhe, përmbajnë stimulantë, sheqerna, aroma dhe ndonjëherë edhe vitamina  e kripëra minerale.

Aspekti kryesor negativ i pijeve energjike është doza e substancave të tyre të cilat, krahasuar me atë të ushqimeve të tjera është joproporcionale dhe mund të shkaktojë efekte të padëshirueshme shëndetësore. Konsumi i tepërt i kafeinës për shembull, sidomos në mesin e konsumatorëve në moshë të re mund të ndërhyjë në aktivitetin e sistemit nervor normal, duke shkaktuar nervozizëm, acarim dhe rritim.

Pije energjike natyrale

Përsa i përket pijeve energjike, nuk mungojnë edhe alternativat natyrale. Mund të zgjedhim pije të realizuara me përbërës natyralë që kanë të paktën 3 avantazhe: kushtojnë më pak, mund t’i përgatisim në shtëpi dhe nuk kanë efekte anësore. Le të shohim së bashku cilat janë dhe si na ndihmojnë të ‘rikarikojmë bateritë’.

Ujë kokosi. Një pije energjike e thjeshtë, por e pasur me substanca ushqyese: kalium, fosfor, magnez, kalcium e kripëra. Gjithashtu, uji i kokosit është i varfër në sheqerna e yndyra, kështu që mund ta integrojmë edhe në një dietë hipokalorike.

Lëng domatesh. Nëse dëshirojmë një pije për të rikuperuar forcat, pas një stërvitjeje të gjatë, mund të zgjedhim lëngun e domateve. Mund të duket një zgjidhje e rrezikshme, por substancat e gjendura tek domatet, sipas një studimi të kryer në Greqi, ndihmojnë për të rikuperuar energjinë e muskujve shumë më shpejt se pijet tradicionale energjike.

Lëng spinaqi. Siç ju kujtohet, personazhin ‘Braccio di ferro’, spinaqi e ndihmonte të rikuperonte energjitë falë prezencës së hekurit. Lëngu i spinaqit prezanton një coktail natyral, të thjeshtë për t’u përgatitur që kërkon vetëm tre përbërës: tre kërcej selinoje, 2 asparagë dhe një domate ose karotë.

Lëngu i ngrohtë i mollës (brulee molle). Përveç të qenit një ilaç fantastik kundra kollës dhe dhimbjes së fytit, lëngu i nxehtë i mollës ka një aksion depurativ dhe antioksidues në organizmin tonë. Vetitë e tij na ndihmojnë të jemi të përqendruar dhe na mbrojnë nga disa sëmundje degjenerative siç është për shembull demenca senile.

Frulato bananesh. Banania është një prej frutave të preferuara nga atletët për të rikuperuar energjitë dhe për të parandaluar ngërçet muskulore gjatë stërvitjes. Për të përgatitur një frulato bananesh ju duhen: 2 banane, një lugë mjaltë, gjysmë gote qumështi dhe 2 kube akullli. Në këtë moment, gjithçka që duhet të bëni është t’i centrifugoni mirë dhe të pini lëngun.

lajme

Kurti pret në takim lamtumirës ambasadorin e BE-së, Aivo Orav

Published

on

By

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në një takim lamtumirës Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav.

Gjatë këtij takimi, kreu i qeverisë shprehu mirënjohje të thellë për angazhimin dhe shërbimin e diplomatit evropian në Kosovë, që nga marrja e detyrës së tij më 1 shtator 2024.

Kryeministri Kurti e falënderoi ambasadorin Orav për bashkëpunimin korrekt, duke vlerësuar se përgjatë mandatit të tij, raportet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian janë fuqizuar ndjeshëm, përkundër sfidave të shumta të periudhës.

Në mënyrë të veçantë, kryeministri potencoi përkushtimin e ambasadorit në procesin e lansimit të Instrumentit për Reforma dhe Rritje, si një hap kyç në rrugëtimin integrues të vendit.

Më tej, në fokus të bisedës ishin hapat e radhës që priten nga Brukseli në raport me Prishtinën zyrtare. Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë që Bashkimi Evropian të vlerësojë progresin e arritur dhe të mundësojë marrjen e statusit të merituar të vendit kandidat për anëtarësim.

Në përmbyllje të takimit, Kurti i uroi ambasadorit Orav suksese në angazhimet e tij të ardhshme profesionale, duke e falënderuar sërish për kontributin e dhënë në avancimin e agjendës evropiane të Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

Interesim i jashtëzakonshëm për UBT International Smart Schools në Open Day – vazhdojnë regjistrimet e hershme

Published

on

By

Qindra nxënës dhe prindër nga e gjithë Kosova morën pjesë në aktivitetet Open Day të organizuara nga UBT International Smart Schools në kampusin e Lipjanit dhe në Gjimnazin TIK në Prizren, duke treguar interesim të jashtëzakonshëm për edukimin modern dhe inovativ.

Vizitorët patën mundësinë të eksplorojnë ambientet bashkëkohore të mësimit, të njihen me drejtimet arsimore dhe metodologjitë që ndërthurin teknologjinë dhe zhvillimin e aftësive praktike. Në të njëjtën kohë, u njoftua se regjistrimet e hershme tashmë janë hapur, duke i ofruar nxënësve mundësinë të sigurojnë vendin e tyre në drejtimet më inovative dhe të kërkuara.

Interesim i veçantë u shfaq edhe për metodologjinë moderne të mësimdhënies, e cila ndërthur njohuritë akademike me përdorimin e teknologjisë dhe aftësitë praktike të nevojshme për të ardhmen.

Pjesëmarrësit patën gjithashtu mundësinë të marrin informacione rreth bursave që janë përfituar përmes Testit Provues të Arritshmërisë, si dhe për mundësitë e shumta që ofron ky institucion për zhvillimin personal dhe profesional të nxënësve.

Të gjithë të interesuarit mund të aplikojnë për t’u bërë pjesë e UBT International Smart Schools, përmes platformës së aplikimit online: Linku i Aplikimit Online

Continue Reading

Vendi

Aksion kundër fajdesë në Prizren: Një i arrestuar dhe katër në kërkim për zhvatjen e mbi 1 milion eurove

Published

on

By

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, ka realizuar sot një operacion të gjerë policor të fokusuar në arrestimin e disa personave si të dyshuar për fajde, detyrim dhe privim të kundërligjshëm të lirisë.

Gjatë këtij aksioni, i cili përfshiu kontrolle në pesë lokacione të ndryshme në qytetin e Prizrenit, është arrestuar një person me inicialet B.K., ndërsa katër të dyshuar të tjerë (GJ.K., E.K., E.K. dhe E.R.) ndodhen ende në kërkim policor.

Sipas hetimeve të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar, ky grup dyshohet se ka shkaktuar një dëm fillestar prej rreth 700,000 eurosh ndaj viktimës, duke kërkuar edhe 450,000 euro të tjera në emër të kamatave të larta.

Në komunikatën zyrtarë thuhet se: “Të dyshuarit në mënyrë të vazhdueshme kanë detyruar viktimën të paguajë shuma të ndryshme parash si interes për fajde, duke përdorur forma të ndryshme të presionit dhe dhunës. Po ashtu, ata dyshohet se në raste të caktuara e kanë privuar viktimën edhe nga liria, me qëllim që ta detyrojnë të paguajë kamata të larta të fajdesë”.

Me vendim të prokurorit të shtetit, ndaj të arrestuarit është lëshuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërkohë që operacioni për lokalizimin e personave të tjerë po vazhdon me intensitet të lartë.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se: “Aktualisht po ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të arrestimit të të dyshuarit dhe zbardhjes së plotë të rrethanave të ngjarjes”.

 

Continue Reading

Botë

Qeveria gjermane refuzon kërkesën e Trump-it

Published

on

By

Qeveria gjermane ka hedhur poshtë kërkesat e Presidentit të SHBA-së për mbështetjen e aleatëve të NATO-s në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit gjatë luftës në Lindjen e Mesme.

“Kjo luftë nuk ka të bëjë fare me NATO-n. Kjo nuk është lufta e NATO-s”, deklaroi zëdhënësi i qeverisë, Stefan Kornelius, në Berlin, raporton gazeta gjermane Bild.

Ai shtoi se aleanca është krijuar për mbrojtjen e territorit të vendeve anëtare dhe se aktualisht mungon një mandat për angazhimin e NATO-s në këtë rajon.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe Ministri i Jashtëm, Johann Wadephul (63, CDU). Duke pasur parasysh vazhdimin e luftës së SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, Wadephul shtoi se kjo pyetje nuk shtrohet “në këtë moment”.

“Ne duam fillimisht të dëgjojmë nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës se kur synojnë t’i arrijnë objektivat e tyre ushtarake në Iran”, tha Ministri i Jashtëm.

Sipas tij, vetëm pas kësaj, në një fazë tjetër, mund të definohet “një arkitekturë sigurie për të gjithë këtë rajon”.

Trump: Mund të jetë “shumë keq për të ardhmen e NATO-s”

Presidenti i SHBA-së kishte deklaruar në një intervistë për Financial Times se NATO do të përballet me një të ardhme të zymtë nëse partnerët e SHBA-së nuk ndihmojnë.

“Nëse nuk do të ketë reagim, ose nëse reagimi do të jetë negativ, mendoj se kjo do të jetë shumë keq për të ardhmen e NATO-s”, citohet të ketë thënë Trump.

I pyetur për këto kërcënime të Trump-it, zëdhënësi Kornelius u mjaftua duke thënë: “Ne i kemi marrë parasysh këto deklarata”.

Trafiku detar në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë jetike për transportin ndërkombëtar të naftës dhe gazit të lëngshëm, praktikisht është bllokuar për shkak të luftës dhe kërcënimit të sulmeve iraniane. /Bild/

 

Continue Reading

Të kërkuara