Muzikanti dhe fizarmonicisti slloven, Marko Hatlak, ka kërkuar falje për përzgjedhjen dhe interpretimin e këngës “Oj Kosovo, Kosovo” gjatë ceremonisë hapëse të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian 2026 në Bruksel.
Kënga, e cila përmban pretendime nacionaliste serbe ndaj Kosovës, kishte nxitur reagime të shumta pas interpretimit të saj në këtë aktivitet.
Hatlak, i cili ishte përgjegjës për përgatitjen e programit muzikor në emër të Komisionit Evropian, ka thënë se përzgjedhja ishte e paqëllimshme dhe se nuk ishte në dijeni të kontekstit historik e politik të këngës.
Në një reagim publik, ai ka shpjeguar se ishte ngarkuar të përzgjidhte dhjetë këngë, nga një për secilin vend pjesëmarrës në forum, dhe t’ia dorëzonte ato organizatorëve për miratim.
Sipas tij, gjatë kërkimit në Google për një këngë tradicionale nga Kosova, kishte hasur në “Oj Kosovo, Kosovo”, e cila ishte përshkruar si këngë patriotike.
“Unë e përzgjodha atë nga këndvështrimi i një muzikanti, pra duke u bazuar në harmoninë, ritmin dhe tingullin e saj”, ka shpjeguar Hatlak.
Ai ka thënë se kishte vetëm një javë kohë për përgatitjen dhe interpretimin e programit dhe se, për shkak të afatit të shkurtër, nuk kishte arritur të hulumtonte prejardhjen dhe domethënien e këngës. Sipas tij, as organizatorët nuk e kishin vënë në pah natyrën problematike të përzgjedhjes gjatë shqyrtimit të programit.
“U kërkoj sinqerisht falje të gjithë atyre që janë prekur nga kjo ngjarje”, ka deklaruar muzikanti.
Hatlak ka bërë të ditur se kërkimfaljen ua ka dërguar drejtpërdrejt edhe ambasadorit të Kosovës në Slloveni, Valdet Sadiku, ambasadorit të Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami, kryenegociatorit për Integrimin Evropian, Jeton Zulfaj, si dhe komisioneres evropiane për Zgjerim, Marta Kos.
Ai ka theksuar se nuk kishte pasur qëllim të ofendonte askënd dhe se nuk do ta kishte interpretuar këngën po ta kishte ditur kontekstin e saj.
“Po ta kisha ditur kontekstin dhe domethënien e saj, sigurisht që nuk do ta kisha interpretuar. Gjatë gjithë karrierës sime, jam përpjekur që përmes muzikës t’u sjell njerëzve vetëm gëzim dhe paqe të brendshme. Nuk ka qenë kurrë qëllimi im të fyej askënd”, ka shkruar ai.
Në fund, Hatlak ka shprehur keqardhje për situatën e krijuar, duke shpresuar që kërkimfalja e tij të pranohet./A.K/