Lajmet

Pesë vjet nga marrëveshja e Uashingtonit, deklarohet Avdullah Hoti

Published

on

E përditësuar

11:14

Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka kujtuar Marrëveshjen e Uashingtonit të 4 shtatorit, 2020, mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë. Hoti, këtë marrëveshje e konsideron arritje historike për vendin, por edhe mundësi të humbur.

Mundësi të humbur për faktin se, sipas tij, nuk janë zbatuar projektet e mëdha infrastrukturore që ishin arritur në atë marrëveshje.

“Sot bëhen pesë vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Uashingtonit, një arritje historike për Kosovën që krijonte mundësi unike për: (1) fuqizimin e partneritetit strategjik mes Kosovës dhe SHBA-së, si dhe (2) vendosjen e Kosovës në qendër të zhvillimeve ekonomike në rajon përmes projekteve madhore infrastrukturore”, tha ai.

Fajin për mos-zbatimin e kësaj marrëveshjeje, Hoti ia vë qeverisë Kurti.

“Për fatin e keq të Kosovës dhe të secilit qytetar, marrëveshja u neglizhua nga institucionet e Kosovës të dala nga zgjedhjet e vitit 2021. Kur u nënshkrua kjo marrëveshje, u kritikua ashpër nga opozita e atëhershme. Sot, pas pesë vitesh, të gjithë pa përjashtim janë të bindur për rëndësinë e saj strategjike, përfshirë ata që e cilësonin si tradhti kombëtare”, theksoi ai.

08:40

Janë bërë pesë vite që kur në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar një marrëveshje për normalizim ekonomik, me ndërmjetësimin e presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump. Ky dokument u konsiderua një hap i rëndësishëm drejt uljes së tensioneve mes dy vendeve dhe një moment i veçantë në politikën e jashtme të Kosovës.

Marrëveshja u përpilua në katër gjuhë  shqip, anglisht, serbisht dhe hebraisht dhe përfshinte një sërë zotimesh të ndërsjella, përfshirë edhe një element të rëndësishëm: njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Izraelit.

Si rezultat, më 14 mars 2021, Kosova hapi ambasadën e saj në Jerusalem, duke u bërë vendi i parë me shumicë myslimane që ndërmori një hap të tillë.

Në përputhje me marrëveshjen, Kosova pranoi të respektojë një moratorium njëvjeçar për mosaplikim në organizata ndërkombëtare, gjë të cilën e ka zbatuar gjatë periudhës së përcaktuar.

Po ashtu, Serbia u zotua të ndalë përkohësisht fushatën për tërheqjen e njohjeve të shtetësisë së Kosovës.

Në vijim janë pikat kryesore të marrëveshjes së firmosur më 4 shtator 2020:

Zbatimi i marrëveshjeve ekzistuese për autostradën dhe hekurudhën Beograd-Prishtinë, si dhe studimi i fizibilitetit për lidhjen e tyre me një port në det të thellë në Adriatik.

Bashkëpunimi me Korporatën Ndërkombëtare të SHBA-së për Zhvillim Financiar dhe EXIM në projekte infrastrukturore, kredi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe prani të plotë të korporatës në Serbi.

Hapja dhe operacionalizimi i pikëkalimit të përbashkët kufitar në Merdare.

Anëtarësimi i të dyja vendeve në nismën “Mini-Schengen” të shpallur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në 2019.

Njohja reciproke e diplomave dhe certifikatave profesionale.

Studimi për shfrytëzim të përbashkët të Liqenit të Ujmanit për ujë dhe energji.

Ndalimi i përdorimit të teknologjisë 5G nga furnizues të pasigurt dhe largimi i pajisjeve ekzistuese të tilla.

Përmirësimi i kontrolleve të udhëtimit ajror dhe ndarja e të dhënave përmes sistemeve të siguruara nga SHBA.

Promovimi i lirive fetare dhe zbatimi i vendimeve gjyqësore që lidhen me Kishën Ortodokse Serbe, si dhe kthimi i pronave hebraike pa trashëgimtarë.

Angazhimi për gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur dhe zgjidhje për çështjet e refugjatëve dhe të zhvendosurve.

Përkrahja e iniciativës për dekriminalizimin e homoseksualitetit në vendet ku është ende i ndaluar.

Shpallja e Hezbollahut organizatë terroriste dhe kufizimi i aktiviteteve të tij në juridiksionin e të dyja palëve.

Të gjitha pikat e marrëveshjes hynë në fuqi menjëherë pas nënshkrimit, por pas pesë vitesh, shumë prej tyre mbeten të pazbatuara ose të pjesshme, ndërsa çështjet politike mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të mbeten të tensionuara.

/S.K/EO/

Continue Reading

Lajmet

IKShPK: Vaksinat kundër gripit sezonal arrijnë më 21 tetor, vonesa shkaktohet nga ndryshimet globale

Published

on

By

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar qytetarët se kontingjenti i vaksinave kundër gripit sezonal për sezonin 2026/2027 pritet të mbërrijë në Kosovë më 21 tetor 2026.

Sipas IKShPK-së, procesi ndërkombëtar i prodhimit të vaksinave për hemisferën veriore ka pësuar vonesa globale për shkak të ndryshimeve në përbërjen e shtameve të rekomanduara. Këto ndryshime ushtruan ndikim të drejtpërdrejtë në afatet e furnizimit si në nivel global ashtu edhe në vendet e rajonit, duke bërë që mbërritja e tyre në Kosovë të shtyhet për 21 ditë nga afati i parashikuar.

Instituti bëri me dije se po përcjell nga afër këtë proces dhe se me të pranuar kontingjentin do të njoftojë publikun për nisjen zyrtare të procesit të imunizimit.

“IKShPK po përcjell nga afër procesin e furnizimit dhe, pas pranimit të vaksinave, do të njoftojë qytetarët dhe institucionet shëndetësore për fillimin e vaksinimit kundër gripit sezonal. Qytetarët do të informohen në kohë për vendet dhe oraret e vaksinimit, pas përfundimit të procedurave të pranimit dhe shpërndarjes së vaksinave në institucionet shëndetësore”.

Me këtë rast, IKShPK u ka shprehur falënderim qytetarëve për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e treguar gjatë kësaj periudhe.

 

Continue Reading

Lajmet

Rusia kërcënon NATO-n me armë bërthamore për rajonin e Kaliningradit

Published

on

By

Rusia i ka dërguar një paralajmërim të ashpër NATO-s, duke bërë të ditur se është e gatshme të përdorë të gjithë arsenalin e saj ushtarak, përfshirë armët bërthamore, nëse aleanca perëndimore ndërmerr hapa për të izoluar apo shkëputur enklavën ruse të Kaliningradit.

Në një dokument konfidencial (“non-paper”) të dërguar NATO-s, të siguruar nga agjencia e lajmeve Reuters, Moska akuzon aleancën për një “kurs të rrezikshëm dhe të pamatur” që rrit rrezikun e një konflikti të drejtpërdrejtë ushtarak.

Në dokumentin diplomatik joformal, Moska bën të qartë se përgjigja ushtarake mund të përfshijë goditje të drejtpërdrejta brenda territorit të vendeve anëtare të NATO-s që nga fillimi i çdo përshkallëzimi:

“Rusia do të jetë gati të përdorë të gjithë arsenalin e forcave dhe kapaciteteve në dispozicion të saj, duke përfshirë armët bërthamore, për të mbrojtur territorin e saj nëse vendet e NATO-s ndërmarrin ndonjë përpjekje që synon izolimin e Rajonit të Kaliningradit nga pjesa tjetër e vendit.”

Dokumenti nëvizon gjithashtu mundësinë e “sulmeve ruse kundër qendrave të vendimmarrjes në shtetet anëtare të aleancës që nga fillimi i konfliktit.”

Përveç paralajmërimit konfidencial, ambasadat ruse në të paktën tre shtete evropiane kanë lëshuar deklarata publike gjatë tre ditëve të fundit. Ato akuzojnë NATO-n për nxitje të tensioneve përmes stërvitjeve ushtarake dhe skenarëve operativë që përfshijnë Kaliningradin — territorin e militarizuar rus që ndodhet gjeografikisht midis Polonisë dhe Lituanisë.

Nga ana tjetër, diplomatët rusë hodhën poshtë pretendimet e vendeve perëndimore se Moska përbën kërcënim apo se po përgatit sulm ndaj ndonjë anëtari të NATO-s, si dhe mohuan akuzat për udhëheqjen e një “lufte hibride” përmes sabotimeve në Evropë. Sidoqoftë, pala ruse nënjëzogoi se çdo cenim ndaj Kaliningradit do të përballet me “përgjigjen më të fortë të mundshme”.

 

Continue Reading

Lajmet

15 profesorë të UBT-së renditen të parët në Kosovë në Scholarly Index 2026

Published

on

By

UBT ka shënuar rezultate të rëndësishme në Scholarly Index Top1000 Scholar 2026, ku 15 profesorë të universitetit janë renditur në vendin e parë në Kosovë në të paktën një temë kërkimore.

Në mesin e tyre janë:

Alban Kuriqi, Hyrije Koraqi, Ridvan Peshkopia, Visar Krelani, Gazmend Temaj, Pajtim Bytyçi, Burhan Reshat Rexhepi, Milaim Berisha, Kujtim Lepaja, Demokrat Nuha, Xhevahire Millaku, Liridon Kryeziu, Alfred Marleku, Nuredin Lutfiu dhe Kristina Perkola.

Këto renditje mbulojnë fusha të ndryshme të kërkimit, përfshirë inxhinierinë, ujërat dhe mjedisin, biznesin, shkencat sociale, shkencat ushqimore, arsimin, gjuhësinë dhe fusha të tjera.

Në nivel ndërkombëtar, profesorët e UBT-së kanë arritur gjithashtu pozita të larta. Prof. Dr. Alban Kuriqi ka shënuar pozitën më të lartë globale në mesin e profesorëve të UBT-së të paraqitur në këto renditje, duke u renditur i 8-ti në botë në temën “Hydrology and Sediment Transport Processes” për periudhën 2021–2025.

Po ashtu, Kristina Perkola është renditur #71 në botë, ndërsa Burhan Reshat Rexhepi #81, në temat e tyre përkatëse.

Këto rezultate tregojnë një prani të fortë të profesorëve të UBT-së si në nivel kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar, dhe përforcojnë dukshmërinë e universitetit në kërkimin shkencor.

 

Continue Reading

Lajmet

UBT zhvillon sesion informues për Kualifikimin Profesional Zhvillues i Aplikacioneve me Integrimin e AI-së

Published

on

By

Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së është mbajtur dje një sesion informues për Kualifikimin Profesional Zhvillues i Aplikacioneve me Integrimin e Inteligjencës Artificiale, ku studentë dhe të interesuar të tjerë u njohën nga afër me programin, mundësitë profesionale dhe infrastrukturën moderne që ofron UBT.

Studentët u mirëpritën nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, si dhe Drejtori i Departamentit për Edukim dhe Zhvillim Profesional në UBT, Prof. Dr. Besnik Skenderi, dhe Drejtori i Infrastrukturës, Murat Retkoceri, ku prezantuan programin dhe mundësitë që ai ofron, ndërsa pjesëmarrësit vizituan ambientet e laboratorëve dhe u njohën nga afër me pajisjet dhe teknologjitë moderne që do të përdoren gjatë ligjëratave, ushtrimeve dhe punës praktike.

Programi i mbështetur nga Regional Challenge Fund, synon zhvillimin e aftësive profesionale në fushën e zhvillimit të aplikacioneve, duke e integruar Inteligjencën Artificiale në procesin e të nxënit dhe praktikës profesionale. Kualifikimi Profesional Zhvillues i Aplikacioneve është e orientuar drejt përgatitjes së profesionistëve për role në industrinë e teknologjisë së informacionit dhe zhvillohet në katër semestra.

Përmes këtij programi, studentët do të kenë mundësi të zhvillojnë aftësi praktike në teknologji, programim dhe Inteligjencë Artificiale, krahas studimeve të tyre, në një mjedis të pajisur me infrastrukturë moderne dhe teknologji bashkëkohore.

Continue Reading

Të kërkuara