Lajmet

Pesë të vdekur, pesë të lënduar pasi avioni transportues i Amazon doli nga pista në Miami

Published

on

Të paktën pesë persona kanë humbur jetën pasi një avion transportues i Amazon doli nga pista gjatë uljes në Aeroportin Ndërkombëtar të Miamit të dielën pasdite, duke goditur disa automjete dhe më pas duke u përfshirë nga zjarri.

Pesë persona të tjerë u lënduan në aksident, bëri të ditur shefi i Shërbimit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit të Miami-Dade, Raied “Ray” Jadallah, gjatë një konference për media të dielën në mbrëmje.

Tre prej të lënduarve janë në gjendje kritike dhe janë dërguar në një qendër traumatologjike, ndërsa dy të tjerë janë transportuar në një spital lokal.

Sipas Jadallah, disa nga viktimat kishin mbetur të bllokuara brenda automjeteve që u goditën nga avioni dhe ekipet e shpëtimit u detyruan t’i nxirrnin nga to.

Avioni, një Boeing 767-300 për transport mallrash, po fluturonte nga San Juani i Porto Rikos drejt Miamit. Administrata Federale e Aviacionit e Shteteve të Bashkuara bëri të ditur se fluturakja doli nga pista pasi u ul në Miami rreth orës 14:00.

Ende nuk dihet arsyeja pse avioni nuk arriti të ndalej.

Sipas të dhënave të faqes për gjurmimin e fluturimeve Flightradar24, avioni po lëvizte me shpejtësi prej afro 209 kilometrash në orë kur doli nga pjesa e përdorshme e pistës.

CNN, pas shqyrtimit të komunikimeve ndërmjet pilotëve dhe kontrollit të trafikut ajror, raportoi se ekuipazhi nuk kishte shpallur gjendje emergjente para uljes, transmeton KosovaPress.

Më shumë se 60 njësi të emergjencës mbërritën në vendin e ngjarjes, ku gjetën avionin të përfshirë nga flakët, ndërsa një re e dendur tymi të zi ishte ngritur mbi zonë.

“Djema, avioni është në zjarr. Avioni është në zjarr. Bëhuni gati”, dëgjohet duke thënë një pjesëtar i ekipeve të emergjencës në komunikimet e siguruara nga Broadcastify.

Ekipet e shpëtimit raportuan se pilotët ishin nxjerrë nga avioni dhe po merrnin trajtim mjekësor. Gjendja e tyre shëndetësore nuk është bërë e ditur.

Zyra e Sherifit të Miami-Dade njoftoi se autoritetet po punojnë për konfirmimin e identitetit të personave që humbën jetën. Për familjarët është hapur gjithashtu një linjë e posaçme telefonike për informacione./A.K/

 

Continue Reading

Lajmet

Haxhiu përkujton 36-vjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut

Published

on

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar 36-vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Kaçanikut, duke e cilësuar atë si një nga aktet më të rëndësishme në rrugën e Kosovës drejt pavarësisë dhe shtetësisë.

Haxhiu ka thënë se më 7 shtator 1990, në rrethana të represionit dhe përndjekjes politike, delegatët e Kuvendit të Kosovës u mblodhën në Kaçanik dhe miratuan Kushtetutën, duke i dhënë bazë kushtetuese vullnetit politik të shprehur më 2 korrik për Kosovën Republikë.

Sipas saj, miratimi i Kushtetutës përbënte përgjigjen e një populli që, përkundër represionit dhe përpjekjeve për shuarjen e institucioneve, nuk pranoi të hiqte dorë nga e drejta për të vendosur për të ardhmen e tij.

Ajo ka vlerësuar punën e juristëve që hartuan dokumentin dhe guximin e delegatëve që e miratuan atë.

Haxhiu ka theksuar se rruga e nisur me Deklaratën e 2 Korrikut dhe Kushtetutën e Kaçanikut vazhdoi përmes rezistencës, luftës çlirimtare dhe sakrificës së shumë brezave, deri te çlirimi i Kosovës dhe shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008./A.K/

Continue Reading

Lajmet

IPK nis hetimet për incidentin ku u përfshi kapiteni i Njësive Speciale

Published

on

Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur hetimet lidhur me incidentin ku u përfshi kapiteni i Njësive Speciale të Policisë së Kosovës, Besart Ahmeti, në parkingun e Prishtina Mall.

Sipas IPK-së, incidenti kishte nisur pas një mosmarrëveshjeje lidhur me parkingun, ku ishin përfshirë Ahmeti, i cili ishte jashtë detyrës zyrtare, dhe dy qytetarë, njëri prej tyre i mitur.

Pas incidentit, personat e përfshirë janë shoqëruar në objektin policor për trajtimin e rastit. Gjatë procedurave, njëri prej qytetarëve ka pretenduar se ndaj tij është përdorur forcë nga një zyrtar policor në Stacionin Policor në Graçanicë.

IPK ka rekomanduar suspendimin e zyrtarit policor të dyshuar për keqtrajtim, ndërsa rasti po hetohet në drejtim të veprës penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.

Ndërkohë, hetimet ndaj qytetarëve të përfshirë në incidentin fillestar do të vazhdojnë nga Policia e Kosovës, në koordinim me prokurorin kompetent, nën dyshimin për veprën penale të sulmit.

IPK ka bërë të ditur se hetimet janë në fazën fillestare dhe po zhvillohen në koordinim me prokurorin, duke respektuar të drejtat e të gjitha palëve dhe parimin e prezumimit të pafajësisë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

AAK akuzon deputetët e LVV-së për mungesë të lirisë së mendimit

Published

on

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka zhvilluar një aksion simbolik para Kuvendit të Kosovës, duke akuzuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje se nuk kanë liri të mendimit, shprehjes dhe veprimit.

Anëtarë të AAK-së kanë vendosur postera me emrat e deputetëve të LVV-së, me mbishkrimin “Jemi të shqetësuar për lirinë e deputetëve të LVV-së”, duke kritikuar atë që e quajtën “regjimi Kurti-Dejona”.

Deputeti i AAK-së, Burim Ramadani, tha se deputetët e LVV-së udhëhiqen, sipas tij, me “grusht të hekurt” dhe se nuk kanë hapësirë për të shprehur qëndrimet e tyre personale.

Ramadani pretendoi gjithashtu se disa deputetë të LVV-së janë ankuar për mungesë të lirisë së shprehjes brenda grupit parlamentar, duke paralajmëruar se një model i tillë, sipas tij, po tentohet të shtrihet edhe në institucionet e tjera të Kosovës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Fatmir Sheholli deklarohet i pafajshëm për akuzat për spiunazh dhe shantazh

Published

on

Në Gjykatën Themelore ka nisur seanca fillestare ndaj Fatmir Shehollit, i cili akuzohet për veprat penale “Spiunazh” dhe “Shantazh”.

Pas leximit të aktakuzës, Sheholli është deklaruar i pafajshëm, duke thënë se nuk i pranon akuzat dhe se e ndjen veten të pafajshëm.

Mbrojtja, përmes avokatit Mentor Neziri, ka hequr dorë nga e drejta për të kërkuar hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, duke kërkuar që rasti të kalojë sa më shpejt në shqyrtim gjyqësor.

Edhe Sheholli ka deklaruar se heq dorë nga këto të drejta. Gjykata ka bërë të ditur se rasti do të gjykohet nga një trup gjykues, ndërsa data e shqyrtimit gjyqësor do të caktohet pasi të përfundojnë procedurat për përbërjen e trupit.

Sipas aktakuzës, Sheholli dyshohet se, deri më 9 tetor 2025, ka vepruar si person i rekrutuar nga shërbimi inteligjent serb BIA, duke mbledhur dhe përcjellë informacione e dokumente lidhur me aktivitetet politike, sigurinë dhe institucionet e Kosovës.

Ai akuzohet gjithashtu për shantazh ndaj një personi me inicialet A.J., të cilin, sipas aktakuzës, e ka detyruar të veprojë në dëm të pasurisë së tij në vlerë mbi 13 mijë euro.

Në seancë ishte i pranishëm edhe Nenad Rashiq, në cilësinë e të dëmtuarit./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara