Lajmet

Pesë specializime në programin e Muzikës Moderne në UBT, studio në nivelin Bachelor në programin e parë të këtij lloji në Kosovë

Published

on

Interesimi i të rinjve për të ndërtuar karrierë në industrinë moderne të muzikës po rritet çdo ditë, deri sa gjithnjë e më shumë prej tyre po kërkojnë mundësi akademike që talentin dhe pasionin për muzikën ta shndërrojnë në profesion. Në këtë drejtim, programi Muzikë Moderne, Produksion Digjital dhe Menaxhment në UBT po tërheq interesim të madh, duke ofruar një qasje ku muzika është në linjë me teknologjinë, krijimtarinë dhe menaxhimin.

Programi është i pari i këtij lloji në Kosovë dhe është i ideuar në përshtatje me zhvillimet e industrisë moderne të muzikës, e cila sot përfshin jo vetëm performancën artistike, por edhe produksionin digjital, teknologjinë e zërit, platformat online, menaxhimin e artistëve, organizimin e ngjarjeve, festivalet, televizionin, radion, filmin dhe teatrin.

Një nga veçoritë kryesore të programit është mundësia që studentët të orientohen në fusha specifike të industrisë përmes pesë specializimeve kryesore: Audio Produksion, Performancë Instrumentale, Performancë Vokale, Kompozim dhe Menaxhim në Muzikë.

Këto specializime u mundësojnë studentëve të ndërtojnë profilin e tyre profesional në përputhje me talentin, interesat dhe objektivat e tyre të karrierës. Në këtë mënyrë, një student mund të fokusohet në krijimin dhe produksionin muzikor, një tjetër në performancën vokale ose instrumentale, ndërsa të tjerë mund të zhvillohen në kompozim apo në menaxhimin e artistëve dhe projekteve muzikore.

Programi fokusohet në zhvillimin e aftësive praktike dhe krijuese, duke i përgatitur studentët jo vetëm për të kuptuar muzikën, por edhe për ta krijuar, prodhuar, interpretuar dhe menaxhuar atë në mënyrë profesionale. Përmes kombinimit të njohurive teorike, praktikës aplikative, projekteve reale, punëtorive dhe bashkëpunimit me industrinë, studentët krijojnë përvojën e duhur për të hyrë lehtësisht në tregun global të muzikës sot.

Në veçanti, Audio Produksioni i orienton studentët drejt botës së produksionit muzikor dhe teknologjisë së zërit, ndërsa Performanca Instrumentale dhe Performanca Vokale synojnë zhvillimin e interpretuesve të aftë për skena dhe formate të ndryshme profesionale.

Në fushën e Kompozimit, studentët zhvillojnë krijimtarinë muzikore dhe aftësinë për të krijuar vepra që mund të gjejnë aplikim në produksionin muzikor, film, teatër, animacion dhe projekte të tjera artistike. Ndërkaq, Menaxhimi në Muzikë fokusohet në dimensionin profesional dhe organizativ të industrisë, duke përfshirë menaxhimin e artistëve, projekteve dhe ngjarjeve muzikore.

Një element i rëndësishëm i programit është lidhja e drejtpërdrejtë ndërmjet studimeve dhe praktikës profesionale. Studentët kanë mundësi të zhvillojnë përvojë në studio, festivale dhe institucione muzikore, si dhe të bashkëpunojnë me partnerë ndërkombëtarë dhe aktorë të industrisë.

Përmes kësaj qasjeje, UBT synon të përgatisë profesionistë që mund të angazhohen në një gamë të gjerë rolesh, nga producentë dhe inxhinierë të tingullit, kompozitorë, këngëtarë dhe instrumentistë, deri te menaxherë artistësh, agjentë të marrëdhënieve me publikun dhe profesionistë të organizimit të projekteve dhe ngjarjeve muzikore.

Programi i përgjigjet gjithashtu transformimit të industrisë muzikore, ku zhvillimi i teknologjisë dhe platformave digjitale ka ndryshuar mënyrën se si muzika krijohet, prodhohet, shpërndahet dhe menaxhohet. Për këtë arsye, studentët pajisen me njohuri dhe shkathtësi që u mundësojnë të jenë pjesë aktive e këtij transformimi.

 

 

Continue Reading

Lajmet

Gjendet vetura e të dyshuarit për vrasjen e 29-vjeçarit në Pogragjë të Gjilanit

Published

on

By

Policia e Kosovës ka gjetur veturën e të dyshuarit për vrasjen e 29-vjeçarit që ndodhi të dielën në fshatin Pogragjë të Gjilanit.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

Ndërkaq, i dyshuari për kryerjen e kësaj vrasjeje gjendet ende në arrati, teksa njësitë hetimore po vazhdojnë punën për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Continue Reading

Lajmet

Maqedonci merr pjesë në Forumin e Sigurisë në Varshavë

Published

on

By

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, po merr pjesë në “Warsaw Security Forum 2026”, që po mbahet më 12 dhe 13 tetor në Poloni, ku do të diskutohet për të ardhmen e NATO-s, forcimin e kapaciteteve mbrojtëse evropiane dhe luftën në Ukrainë.

Gjatë këtij forumi ndërkombëtar të sigurisë, i cili bashkon liderë ushtarakë, diplomatë e përfaqësues shtetërorë, Maqedonci pritet të zhvillojë takime me homologë e partnerë ndërkombëtarë për fuqizimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi mblidhet të enjten: Në rend dite zgjedhja e anëtarëve të BQK-së dhe Bordit të RTK-së

Published

on

By

Seanca e radhës plenare e Kuvendit të Kosovës do të mbahet të enjten, më 15 tetor, me fillim nga ora 10:00.

Vendimi u mor gjatë mbledhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit me kryetarët e grupeve parlamentare, të udhëhequr nga kryetarja Albulena Haxhiu.

Në rend të ditës të kësaj seance, përveç deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, përfshihen një sërë pikash me rëndësi:

  • Bordi i BQK-së: Zgjedhja e dy anëtarëve joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës.
  • Bordi i RTK-së: Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (dy nga komuniteti shqiptar, një nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet tjera joshumicë).
  • Projektligje dhe komisione: Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, si dhe propozimi i Listës Serbe për emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare.

Përveç caktimit të seancës, Kryesia mori vendim edhe për shpalljen e konkursit për anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK).

 

Continue Reading

Lajmet

Nënshkruhet marrëveshja 41-milionëshe për modernizimin e infrastrukturës shëndetësore në Kosovë

Published

on

By

Qeveria e Kosovës ka nënshkruar një marrëveshje financimi në vlerë prej 41 milionë eurosh me Bankën Evropiane të Investimeve (BEI) dhe Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës (CEB), e cila ka për synim modernizimin e infrastrukturës mjekësore dhe sigurimin e pajisjeve të avancuara në sistemin shëndetësor publik.

Financimi do të ndahet në mënyrë të barabartë mes dy bankave evropiane dhe do të përfshijë investime direkte në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, si dhe në spitalet rajonale të Prizrenit, Pejës, Gjakovës dhe Gjilanit. Projektet përkojnë me objektivat e Strategjisë Sektoriale të Shëndetësisë 2025–2030 për digjitalizimin dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve dytësore dhe terciare.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, theksoi se ky investim do të përmirësojë drejtpërdrejt kushtet e punës për profesionistët shëndetësorë dhe shërbimet ndaj pacientëve:

“Marrëveshja e kredisë me BEI dhe CEB në vlerë prej 41 milionë eurosh do të sigurojë pajisje mjekësore moderne dhe do të ndikojë në infrastrukturën përcjellëse në QKUK dhe spitalet rajonale në Prizren, Pejë, Gjakovë e Gjilan.”

Ndërkaq, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, nënvizoi se ky projekt përbën një shtyllë kyçe të reformës shëndetësore:

“Strategjia Sektoriale e Shëndetësisë 2025–2030 i jep një rëndësi të veçantë përmirësimit të infrastrukturës fizike dhe furnizimit me pajisje moderne mjekësore për një periudhë afatgjatë.”Nga ana e institucioneve financiare ndërkombëtare, nënkryetari i BEI-t, Robert de Groot, dhe zëvendësguvernatori i CEB-it, Johannes Böhmer, vlerësuan se investimi do të garantojë diagnostikim më të saktë dhe trajtim më efektiv për qytetarët e Kosovës.

“Përmes këtij operacioni po ndihmojmë që profesionistët shëndetësorë dhe pacientët në mbarë Kosovën të kenë qasje në pajisje dhe lehtësira moderne për një kujdes më të mirë mjekësor”, u shpreh de Groot.

“Mund të thoshim se pa shëndet, çdo gjë është asgjë. Popullata pret një sistem të fortë shëndetësor si shërbim bazë që qeveritë duhet ta sigurojnë”, shtoi Böhmer. /Ekonomia Online/

 

Continue Reading

Të kërkuara