Lajmet

Pesë mënyra natyrale si të luftoni stresin, lodhjen dhe pagjumësinë

Nga problemet që njerëzit sot përballen më shumë është stresi dhe të gjithë efektet e tjera që ai lë pas si lodhje e vazhdueshme apo pagjumësi.

Published

on

Sa më shumë ta dëgjoni trupin tuaj aq më shumë do të mësoni si për mënyrën e funksionimit të atij ashtu dhe për nevojat ditë pas dite.

Nga problemet që njerëzit sot përballen më shumë është stresi dhe të gjithë efektet e tjera që ai lë pas si lodhje e vazhdueshme apo pagjumësi.

Pra siç thamë, zgjidhja duhet të fillojë nga brenda, duhet të kuptoni trupin tuaj dhe ta trajtoni me mënyrat më natyrale të mundshme.

Ndiqni mëposhtë 5 sugjerime të AgroWeb.org mbi këtë çështje të cilat do ju ndryshojnë shpejt regjimin dhe do ju sigurojnë pa dyshim një jetesë më të shëndetshme.

Ju dhembin gjunjët? Provoni susamin

Kur dhimbja e gjunjëve është e vazhdueshme dhe e bën të vështirë ngjitjen e shkallëve ose shijimin e një shëtitjeje sigurisht që jeta juaj e përditëshme ndikohet negativisht dhe ndiheni më të lodhur.

Për ta zgjidhur këtë thjesht fërkoni kyçet dhe gjunjët tuaj me disa pika vaj susami për secilin, pastaj mbështillini me një peshqir të ngrohtë.

Bëjeni këtë proces për 10 minuta në mënyrë që të largoni ënjtjen, kontraktimet dhe dhimbjen.

Kjo për shkak se në përbërjen e këtij vaji gjendet sesamina dhe sesamoli  të cilat përshpejtojnë riparimin e indeve të dëmtuara dhe frenojnë prodhimin e substancave që shkaktojnë dhimbje.

Ndiheni të lodhur? Shijoni një mollë

Ditët kur ndiheni të këputur e të lodhur që me mëngjes me siguri i keni përjetuar të gjithë dhe nëse keni për tu marrë me punë, kjo sigurisht nuk është aspak e favorshme.

Mollët e freskëta të vjeshtës janë të mbushura me antioksidantë ndihmojnë qelizat e trupit tuaj dhe rrisin prodhimin e një enzime kryesore për energjinë të quajtur ATP.

Studiuesit britanikë argumentojnë se një mollë largon lodhjen për më pak se 20 minuta.

Ose lani duart shpesh me ujë të ftohtë.

Lëvizjet e pakta që e karakterizuan këtë vit lanë rreth 60% të popullsisë pa kryer asnjë aktivitet fizik e të plogësht.

Larja e duarve me ujë të ftohtë të rrjedhshëm për 60 sekonda pasi  rënia e menjëhershme e temperaturës në  trup dërgon oksigjen energjik në tru.

Gjithashtu çliron hormonin revitalizues norepinefrinën duke larguar plogështinë dhe lodhjen për të paktën dy orë.

Keni probleme me fokusimin? Dëgjoni zhurmën e shiut

Kur ndiheni se e keni mendjen në shumë çështje e njëkohësisht ndiheni të çorientuar e të lodhur provoni të dëgjoni reshjet e shiut ose tinguj të tjerë në natyrë.

Studiuesit në Institutin Politeknik Rensselaer në NeW York,  thonë se njerëzit që dëgjojnë tingujt e natyrës janë më të përqendruar dhe produktivë sesa ata që dëgjojnë gjatë gjithë kohës zhurma të tjera ose asgjë.

Këtë mund ta arrini fare lehtë nëse dilni një xhiro në natyrë ose mund të dëgjoni tinguj të ngjashëm nëpërmjet telefonit tuaj.

Një mënyrë tjetër është t’i zhvendosni sytë për 30 sekonda rreth jush.

Lëvizini ngadalë sytë nga njëra anë në tjetrën në mënyrë që të mund të rrisni kujtesën afatshkurtër deri në 42% për një orë.

Keni uri të tepruar? Përsërisni këtë frazë

Nëse shijet e ëmbla ose ushqimet e “ndaluara” për ju janë gjithmonë në qendër të vemendjes tuaj, duhet të merrni ndonjë masë parandaluese për këtë.

Shkencëtarët e Kolegjit të Bostonit, shpjegojnë  se sekreti qëndron vetëm tek një togfjalësh i thjeshtë.

Në një studim mbi këtë çështje u vu re se  gratë që thanë frazën “Unë nuk mund ta ha këtë” dyfishuan aftësinë e tyre për t’u larguar nga tundimi dhe për të humbur peshë.

Shkencëtarët thonë se fjalët “nuk mundem” të bëjnë të ndihesh i privuar, ndërsa fjala “mos” të bën të ndihesh i kontrolluar, duke rritur kështu fuqinë e vullnetit tënd drejt tundimit.

Nuk mund të flini? Vishni rroba të gjera

Nëse keni vazhdimisht probleme me gjumin dhe nuk kuptoni se cili është shkaku, problemi mund të jetë veshja juaj e natës.

Pizhamat e papërshtatëshme ose temperatura jo e duhur në dhomë mund të shkaktojnë ulje të melatoninës që është edhe hormoni i gjumit.

Rrobat sa më të lira do ju ndihmojnë të keni një temperaturë ideale trupi dhe gjaku do të funksionojë më mirë./AgroWeb.org

Vendi

Sot mot me diell e vranësira, në disa zona priten reshje shiu

Published

on

By

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) bën të ditur se sot në vendin tonë do të mbajë mot kryesisht me diell dhe vranësira të shpërndara, ndërsa në zona të caktuara parashihen edhe reshje shiu.
Sipas parashikimeve të IHMK-së, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 4 dhe 7 gradë Celsius, kurse ato maksimale të ditës pritet të arrijnë nga 17 deri në 21 gradë Celsius.
Era do të fryjë lehtë deri mesatare nga drejtimi i jugperëndimit, me shpejtësi prej 1 deri në 6 metra në sekondë.

Continue Reading

Vendi

Kuvendi i Kosovës mblidhet sot në seancë plenare

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë plenare duke filluar nga ora 10:00, ku në rend dite do të jenë pesë pika të ndryshme shqyrtimi.

Pikat kryesore të kësaj seance lidhen me formimin e Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për katër pozita në Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) — dy nga komuniteti shqiptar, një nga ai serb dhe një nga komunitetet e tjera joshumicë — si dhe me votimin e propozimit të Listës Serbe për emërimin e deputetëve të saj në komisionet parlamentare.

Përveç këtyre, deputetët do të miratojnë procesverbalin e seancës së kaluar, do të ngrenë çështje të interesit publik në kuadër të deklarimeve jashtë rendit të ditës, si dhe do t’u parashtrojnë pyetje parlamentare anëtarëve të kabinetit qeveritar. /E.A/

 

Continue Reading

Vendi

Asambleja e Përgjithshme e EOQ-së mbahet në UBT, në fokus Kongresi i 67-të në Kosovë

Published

on

By

Asambleja e Përgjithshme e Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ) është mbajtur në UBT, në kuadër të përgatitjeve për Kongresin e 67-të të kësaj organizate, i cili mbahet në Kosovë më 21–23 tetor 2026. Ky organizim merr rëndësi të veçantë pasi përkon me 70-vjetorin e themelimit të EOQ-së dhe 20-vjetorin e organizatës “Quality Kosova”, duke e vendosur Kosovën në qendër të një ngjarjeje me rëndësi ndërkombëtare në fushën e cilësisë.

Gjatë Asamblesë, përfaqësuesit e organizatave kombëtare anëtare diskutuan për përgatitjet dhe koordinimin e kongresit, i cili do të mbledhë ekspertë, akademikë, profesionistë dhe përfaqësues institucionalë nga vende të ndryshme të botës. Takimi shërbeu gjithashtu për të avancuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e cilësisë.

Kongresi i 67-të i EOQ-së do të mbahet në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, nën temën “Shaping Quality for a Smart, Sustainable and Resilient Future – Quality, Growth, Human Values and Trust in the Age of AI”. Diskutimet do të përqendrohen në rolin e cilësisë në zhvillimin e qëndrueshëm, inovacionin dhe transformimin digjital, me theks të veçantë në ndikimin e inteligjencës artificiale dhe rëndësinë e besimit e të vlerave njerëzore.

Për EOQ-në, ky vit shënon 70 vjet nga themelimi i saj në vitin 1956. Gjatë këtyre dekadave, organizata ka kontribuar në avancimin e standardeve, zhvillimin e kulturës së cilësisë dhe ndërtimin e një rrjeti ndërkombëtar të ekspertëve dhe organizatave profesionale.

Në të njëjtën kohë, 20-vjetori i “Quality Kosova” shënon dy dekada angazhim në promovimin e cilësisë në Kosovë dhe në forcimin e lidhjeve me komunitetin evropian të kësaj fushe. Organizimi i kongresit në vend përbën një mundësi për të rritur dukshmërinë ndërkombëtare të Kosovës dhe për të prezantuar kapacitetet e saj në cilësi, inovacion dhe zhvillim institucional.

Continue Reading

Lajmet

REL: “Askush nuk guxon të thotë jo”: Votuesit nga Kosova flasin për presionet para zgjedhjeve në Serbi

Published

on

By

Shkurtimisht

  • Në prag të zgjedhjeve në Serbi, punonjësve të institucioneve që funksionojnë nën autoritetin e Beogradit në Kosovë u bëhet presion të votojnë për Partinë Përparimtare Serbe (SNS), sipas dëshmive të katër burimeve të Radios Evropa e Lirë.
  • Ata flasin në kushte anonimiteti, duke thënë se druhen se do ta humbasin vendin e punës nëse nuk votojnë për SNS-në.
  • Sipas tyre, në presionet ndaj votuesve përfshihen edhe zyrtarë të Listës Serbe, partisë që qeveris në të dhjetë komunat e banuara me shumicë serbe në Kosovë dhe gëzon mbështetjen e pushtetit në Beograd.
  • As Lista Serbe, as Partia Përparimtare Serbe nuk iu përgjigjën këtyre akuzave deri në publikimin e këtij artikulli.

“Votoj në zgjedhjet në Serbi nën presion [për Partinë Përparimtare Serbe], jo me vullnetin tim të lirë”.

Kështu e nis rrëfimin e saj një qytetare nga Kosova, e punësuar në një institucion arsimor në një zonë të banuar me serbë.

Identiteti i saj, si dhe vendi ku jeton dhe punon, janë të njohur për redaksinë e Radios Evropa e Lirë (REL).

Ajo pranoi të flasë për presionet ndaj votuesve nga Kosova në prag të zgjedhjeve parlamentare në Serbi, të cilat do të mbahen më 25 tetor, me kusht që të mbetet anonime, pasi druhet se mund ta humbasë vendin e punës.

Rrëfimin e saj e konfirmojnë, në mënyrë të pavarur, edhe tri burime të tjera me të cilat bisedoi REL-i.

Në mesin e 6.45 milionë qytetarëve të regjistruar në listën e votuesve të Serbisë, më shumë se 115 mijë kanë adresa në Kosovë.

Ata do të mund të votojnë në 60 vendvotime në katër komuna pranë kufirit me Kosovën: Vranjë, Rashkë, Tutin dhe Kurshumli.

Në këto zgjedhje marrin pjesë kryesisht pjesëtarët e komunitetit serb, i cili mbështetet te Qeveria në Beograd.

Në zonat e banuara me serbë në Kosovë vazhdojnë të funksionojnë institucione arsimore dhe shëndetësore nën sistemin e Serbisë, ndërsa institucionet e tjera të këtij sistemi janë zhvendosur në qytete pranë kufirit, në territorin e Serbisë.

Ato financohen nga buxheti shtetëror i Serbisë.

Kështu, shteti serb mbetet punëdhënësi më i madh në zonat e banuara me serbë në Kosovë, me më shumë se 30 mijë të punësuar.

E pyetur se çfarë rrezikon nëse nuk u bindet kërkesave, bashkëbiseduesja e REL-it thotë se vendi i punës dhe jetesa e saj do të viheshin në rrezik nëse nuk voton për Partinë Përparimtare Serbe (SNS), përkatësisht për listën e saj “Serbia e Bashkuar”.

Deri në publikimin e këtij artikulli, SNS-ja nuk iu përgjigj pyetjeve lidhur me pretendimet se u bën presion qytetarëve për të votuar për të. Në të kaluarën, ajo i ka hedhur poshtë akuza të ngjashme.

Presionet ndaj votuesve janë të dënueshme me ligj.

Kodi Penal i Serbisë parashikon dënim nga tre muaj deri në tre vjet burgim për ata që ndikojnë në votim përmes “forcës ose kërcënimit”.

Për ata që ofrojnë “shpërblim, dhuratë ose çfarëdo përfitimi tjetër” në këmbim të votës, parashikohet gjobë ose dënim deri në tre vjet burgim.

Zgjedhjet në Serbi mbahen në një atmosferë tensionesh të larta dhe polarizimi të thellë shoqëror. SNS-ja, e udhëhequr nga presidenti i deridjeshëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, synon ta ruajë pushtetin pas protestave masive antiqeveritare.

Rivalja e saj kryesore është Lista Studentore, e lindur nga vala e protestave kundër korrupsionit.

“Urdhër nga drejtori”

Sipas vlerësimeve të organizatave joqeveritare ndërkombëtare, sundimi 14-vjeçar i partisë së Vuçiqit është karakterizuar nga kontrolli i fortë mbi aparatin shtetëror dhe dobësimi i demokracisë.

Ndërkohë që Vuçiqi refuzonte ta njihte pavarësinë e Kosovës dhe negocionte me Prishtinën zyrtare për normalizimin e marrëdhënieve, me mbështetjen e SNS-së në Kosovë u formua Lista Serbe. Kjo parti, e cila konsiderohet satelit i SNS-së, është në pushtet në të dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Shumë zyrtarë të Listës Serbe drejtojnë edhe institucione të financuara nga Serbia.

“Të punësuarit marrin ‘urdhër’ nga drejtorët e tyre [se për kë duhet të votojnë] dhe askush nuk guxon të thotë jo, sepse dihet se çfarë pason në të kundërtën”, thotë bashkëbiseduesja e REL-it.

Sipas saj, e njëjta gjë ka ndodhur edhe në zgjedhjet e mëparshme: në zgjedhjet në Kosovë votojnë për Listën Serbe, ndërsa në ato në Serbi për SNS-në.

As Lista Serbe nuk iu përgjigj këtyre pretendimeve deri në publikimin e artikullit.

Bashkëbiseduesja e REL-it thotë se nuk ka marrë para për të votuar dhe as nuk i janë ofruar. Ajo thekson se nuk është anëtare as e Listës Serbe, as e SNS-së. Megjithatë, udhëzimet për votimin e 25 tetorit, sipas saj, tashmë kanë nisur të mbërrijnë. Në vendvotime do të shkojë në mënyrë të organizuar, së bashku me kolegët dhe banorë të tjerë të komunës ku jeton në Kosovë. Transportin drejt vendvotimeve në Serbi, thotë ajo, e organizon Lista Serbe.

Udhëtimi i organizuar për të votuar ka qenë praktikë edhe në zgjedhjet e mëparshme.

Kjo praktikë nisi më 2022, pasi autoritetet në Kosovë refuzuan të lejonin hapjen e vendvotimeve në zonat e banuara me shumicë serbe për zgjedhjet e organizuara nga Beogradi. Që atëherë, në ditët e zgjedhjeve, autobusët nga Kosova niseshin drejt vendvotimeve në Serbi që në orët e hershme të paradites, çdo një orë. Kolonave të autobusëve dhe veturave u prinin përfaqësues të Listës Serbe. Mes udhëtarëve ishin edhe qindra të punësuar në institucionet që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë.

Institucionet e tjera, si organet komunale dhe degët e postës, u mbyllën nga Qeveria e Kosovës, në kuadër të hapave për shtrirjen e autoritetit të saj në këto zona.

Prishtina zyrtare i cilësoi këto institucione të paligjshme, ndërsa komuniteti serb i përshkruan mbylljet si formë represioni.

Pas mbylljes në Kosovë, këto institucione vazhdojnë të funksionojnë në qytete pranë kufirit, në Serbi. Atje shkojnë edhe punonjësit e tyre për t’i marrë pagat.

“Vota të sigurta për SNS-në”

Një tjetër bashkëbiseduese e REL-it thotë se, gjatë shtatorit, në selinë e një institucioni pranë një vendkalimi kufitar mes Kosovës dhe Serbisë, mori një formular të SNS-së për mbledhjen e “votave të sigurta” në zgjedhjet e ardhshme.

Sipas saj, aktivistët e kësaj partie i kërkuan të siguronte emrat, adresat dhe numrat e telefonit të 30 qytetarëve, për të cilët do të garantonte se do ta votonin listën e Vuçiqit më 25 tetor.

Edhe kjo bashkëbiseduese punon në një institucion të financuar nga Beogradi, me kontratë me afat të caktuar.

Ajo flet në kushte anonimiteti nga frika se mund ta humbë vendin e punës. Është e bindur se kontrata nuk do t’i vazhdohej nëse do t’i publikohej identiteti.

Për përvoja të ngjashme flasin edhe dy bashkëbisedues të tjerë që folën në kushte anonimiteti, të cilët i thanë REL-it se janë regjistruar në listën e “votave të sigurta” të SNS-së.

“I dhashë të dhënat e mia për këtë qëllim [për ‘votat e sigurta’], sepse personin që m’i kërkoi e kam të afërt dhe kjo e ndihmon ta mbajë vendin e punës”, thotë njëri prej tyre.

Sipas raporteve të vëzhguesve vendorë të zgjedhjeve, kjo praktikë është e përhapur gjerësisht në prag të votimit të 25 tetorit.

Organizata joqeveritare CRTA thotë se ka regjistruar pretendime për presione të drejtpërdrejta politike në vendin e punës në të paktën 16 qytete dhe komuna të Serbisë.

“Presionet përfshinin kërkesa për nënshkrime në mbështetje, mbledhje të ‘votave të sigurta’ dhe pjesëmarrje në fushatë, si dhe kërcënime me pasoja në punësim për shkak të bindjeve politike ose refuzimit të detyrave partiake”, thuhet në raportin për fushatën gjatë shtatorit.

Sipas CRTA-s, të gjitha rastet lidhen me SNS-në dhe listën “Serbia e Bashkuar”.

Për presionet ndaj votuesve paralajmëron vazhdimisht edhe Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), e cila vëzhgon zgjedhjet.

Në raportin paraprak për zgjedhjet e 25 tetorit, ODIHR-i thekson se nuk janë zbatuar rekomandimet e tij nga zgjedhjet e mëparshme për parandalimin e frikësimit dhe presioneve ndaj votuesve.

Zoran Saviq, nga organizata joqeveritare Aktiv, i përshkruan presionet ndaj votuesve nga Kosova për të mbështetur pushtetin në Serbi si “model të rrënjosur”.

“Pothuajse në çdo cikël zgjedhor shohim të njëjtën pamje: organizimin e punonjësve të institucioneve publike, shkuarjen në grup për të votuar, transportin e organizuar dhe drejtorët që luajnë rol shumë aktiv në mobilizimin e punonjësve”, thotë Saviq.

Në zgjedhjet e fundit në Serbi, pjesëmarrja e votuesve nga Kosova nuk kaloi 25 për qind. Megjithatë, shumica dërrmuese e atyre që votuan mbështetën koalicionin qeverisës.

Nga 23.878 votues që morën pjesë, më shumë se 19 mijë, apo rreth 80 për qind, votuan për të.

Edhe për këto zgjedhje parlamentare, Lista Serbe u ka bërë thirrje publike votuesve nga Kosova që ta mbështesin SNS-në.

Në anën tjetër, rivalen kryesore të SNS-së, Listën Studentore, e kanë mbështetur disa organizata joqeveritare, lëvizje dhe parti opozitare të komunitetit serb në Kosovë.

Mes kandidatëve të Listës Studentore janë edhe katër profesorë të Universitetit të Prishtinës, i cili funksionon sipas sistemit të Serbisë.

Transport të organizuar drejt vendvotimeve në Serbi u ka ofruar mbështetësve të tij edhe ministri në Qeverinë e Albin Kurtit, Nenad Rashiq, i cili ka mbështetur lëvizjen studentore.

Si është votuar deri më tani?

Zgjedhjet e fundit parlamentare që Serbia organizoi në zonat e banuara me serbë në Kosovë u mbajtën më 21 qershor 2020.

Ato u zhvilluan sipas praktikës së mëparshme, me misionin e OSBE-së në Kosovë që mblidhte votat.

Fletëvotimet më pas numëroheshin në Serbi, në Rashkë dhe Vranjë.

Qeveria e kryeministrit Albin Kurti i dha fund praktikës së hapjes së vendvotimeve në këto zona më 2022. Atëherë, Kuvendi i Kosovës miratoi edhe një rezolutë kundër mbajtjes në Kosovë të votimeve të organizuara nga Serbia.

Bashkësia ndërkombëtare i ka bërë thirrje disa herë Qeverisë së Kosovës që të gjejë mënyra për t’u mundësuar qytetarëve të votojnë në zgjedhjet e Serbisë.

Megjithatë, për mbajtjen e tyre në territorin e Kosovës, Prishtina kërkon një kërkesë të drejtpërdrejtë nga Beogradi zyrtar, pa ndërmjetësimin e OSBE-së.

Serbia e ka refuzuar këtë, duke pretenduar se një hap i tillë do të nënkuptonte njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Continue Reading

Të kërkuara