Thënia se flokët janë gjysma e bukurisë është bërë fakt i njohur. Kujdesi për ta zë një pjesë të rëndësishme të ditës dhe të shpenzimeve për shumicën e njerëzve.
Për disa, eksperimentimi me stile të ndryshme është mënyra për të pasur pamje tërheqëse, ndërsa për të tjerët, ruajtja e flokëve natyralë dhe të shëndetshëm është një sfidë e përditshme.
Pavarësisht preferencave, të gjithë kërkojnë një gjë të përbashkët: flokë të shëndetshëm. Flokët e dëmtuar, të thatë, me maja dyshe apo të djegur janë problematikë e të pakëndshëm. Për ta parandaluar këtë, zgjidhja më e mirë është përdorimi i metodave natyrale dhe të buta.
Më poshtë janë katër mënyra të thjeshta për të rikthyer shkëlqimin dhe shëndetin flokëve, të cilat mund t’i provoni në shtëpi.
1. Maskë me kos dhe vaj ulliri: Ky trajtim është ideal për flokët e thatë, të dëmtuar nga boja apo tharësja. Ai i hidraton menjëherë.
Përbërësit:
60 ml kos
1 lugë gjelle vaj ulliri
Udhëzimet:
Përzieni mirë përbërësit. Aplikoni maskën në pjesën e majave të flokëve e lëreni të veprojë 10-15 minuta. Lani flokët me ujë dhe shampo si zakonisht. Përsëritni trajtimin 1-2 herë në javë për rezultate të dukshme.
2. Maskë me vezë dhe mjaltë: Mjalti dhe veza janë të pasura me proteina dhe aminoacide që parandalojnë këputjen e flokëve dhe minimizojnë majat dyshe.
Përbërësit:
1 të verdhë veze
1 lugë çaji mjaltë
Udhëzimet:
Përzieni përbërësit dhe aplikojeni tek majat e flokëve. Lëreni maskën të thahet për dy orë. Lani flokët me ujë dhe shampo si zakonisht.
3. Maskë me vaj kokosi: Vaji i kokosit është një hidratues natyral i shkëlqyer për flokët.
Përbërësit:
60 ml vaj kokosi
Udhëzimet:
Ngrohni vajin për disa sekonda në mikrovalë ose shkrijeni në duar. Lyeni majat e flokëve dhe lëreni të veprojë gjatë gjithë natës. Mëngjesin tjetër, lani flokët si zakonisht.
Përdoreni edhe pas dushit, duke aplikuar pak vaj tek majat për efekt zbutës, por kujdes mos te teproni që të mos yndyrosen flokët.
4. Maskë me erëza dhe uthull molle: Uthulla i jep flokëve shkëlqim dhe i zbut majat dyshe.
Përbërësit:
250 ml ujë
Disa gjethe nenexhik, sherebelë dhe rozmarinë
2 lugë gjelle uthull molle
Udhëzimet:
Vendosni ujin dhe erëzat në zjarr mesatar dhe lëreni të ziejnë 10 minuta. Pasi të ftohet, kullojeni dhe shtoni uthullën e mollës. Lyeni pjesën problematike të flokëve ose majat e tyre gjatë dushit, pas larjes me shampo. Mbani maskën për 1 minutë e shpëlajeni me ujë të bollshëm.
Këto metoda natyrale do t’ju ndihmojnë të keni flokë më të shëndetshëm, të hidratuar dhe me shkëlqim pa u dëmtuar. /A.Z/UBT News/