Lajmet

Pesë fakte magjepsëse rreth hipnozës!

Hipnoza nënkupton shfrytëzimin e fuqisë së mendjes për të ndikuar në perceptimin dhe sjelljen e dikujt.

Published

on

Hipnotizimi njihet gjerësisht nga shfaqjet skenike në të cilat njerëzit përfshihen në situata të sikletshme.

Por kjo lloj shfaqje nuk ka të bëjë fare me punën aktuale të praktikuesve të ligjshëm. Hipnotizuesit profesionistë i kanë ndihmuar njerëzit që të ndalojnë pirjen e duhanit, të bien në peshë, të menaxhojnë ankthin, të përballojnë dhimbjen etj. E njohur për herë të parë si praktikë në fundin e viteve 1700, hipnoza nënkupton shfrytëzimin e fuqisë së mendjes për të ndikuar në perceptimin dhe sjelljen e dikujt.

Termi “hipnotizoj”vjen nga mjeku gjerman i shekullit të 18-të Franz Mesmer. Ai pretendoi se një lëng magnetik special kalonte nëpër trupin e njeriut, një koncept që ai e quajti magnetizëm i kafshëve. Mesmer theksonte se një bllokim apo mungesë e sasisë së duhur të lëngut, shkakton një sërë problemesh shëndetësore, dhe magnetet mund të ndihmojnë duke e shtuar sasinë e këtij lëngu.

Është interesant fakti që ai mund të ketë pasur njëfarë suksesi. Kështu,disa pacientë dyshohet se janë përmirësuar dhe ndjerë më mirë, pavarësisht diagnozave të mëparshme që tregonin se do të ishin të sëmurë rëndë deri në fund të jetës së tyre.

Mesmer kuptoi se mund të arrinte të njëjtat rezultate pa përdorimin e magneteve, por thjesht duke vendosur duart mbi pacientët. Në fakt, nuk ishin magnetet apo prekja e tij ato që krijuan rezultate pozitive, por fuqia e sugjestionimit. Pacientët i lehtësuan simptomat përmes mendjes së tyre. Kirurgu skocez Xhejms Breid u bë më vonë i njohur si “Babai i Hipnozës”. Ai ishte i pari që përdori termin “hipnozë” në librin e tij të vitit 1843 “Neurohipnologjia”.

Praktikuesit mund të bashkohen në organizata profesionale

Edhe pse në botë ka hipnotizues të kualifikuar dhe të aftë, në përgjithësi ky term është një etiketë që mund ta përdorë shumëkush. Meqë nuk ka asnjë organ drejtues të vetëm që përcakton standardet për hipnozën, është e rëndësishme të pyesni mbi trajnimin e një hipnotizuesi, para se të mendoni t’i nënshtroheni seancave hipnotike me të.

Ndër shoqatat profesioniste të hipnotizuesve, Shoqata Kombëtar e Hipnotizuesve (NGH) në SHBA cilësohet si më e vjetra, më e madhja dhe një nga më të respektuarat në botë. Që dikush të marrë certifikatën e tyre duhen minimumi 100 orë trajnim. NGH ka një kod të fortë etike dhe kërkon një trajnim të vazhdueshëm, në mënyrë që anëtarët të mbeten të azhornuar në trajnimin e tyre.

Kur janë në hipnozë, njerëzit përjetojnë një relaks të thellë. Në atë gjendje, ata janë më të hapur ndaj sugjerimeve dhe ndryshimeve, të cilat mund të çojnë në rezultate pozitive. Në vend se t’i kontrollojë njerëzit, hipnoza u jep në fakt atyre një kontroll më të madh mbi mendjen dhe trupin e tyre.

Keti Lindert, një hipnotizuese e certifikuar nga NGH, e sheh praktikën e hipnozës si një bashkëpunim midis klientit dhe hipnotizuesit. “Nëse nuk doni që të bëni ndryshime, ajo nuk do të funksionojë. Jeni ju vetë që keni bravën dhe çelësin për mendjen tuaj, të nën-ndërgjegjshme dhe të nëndërgjegjshme, dhe vetëm ju mund ta hapni apo mbyllni derën”,- thekson ajo.

Duke i ndihmuar njerëzit të identifikojnë atë që pengon përparimin e tyre, dhe si t’i riformulojnë këto çështje, Lindert i udhëzon klientët e saj që të zbulojnë përgjigjet brenda vetes. “Puna e përbashkët, ndërtimi i besimit dhe komunikimi, është vendi ku ndodh ndryshimi”,- shton ajo.

Një keqkuptim i zakonshëm në lidhje me hipnozën:Ajo mund t’i bllokojë njerëzit në një gjendje hipnotike, apo t’i detyrojë ata të bëjnë diçka kundër vullnetit të tyre. Por edhe nëse një praktikues nuk ju nxjerr nga hipnoza, ju mund të dilni shpejt prej saj fare natyrshëm, ose duke fjetur ose duke u kthyer tek një gjendje e pandryshuar e vetëdijes.

Hipnoza mund të jetë një plotësuese e mjekësisë tradicionale

Hipnoza nuk synon të zëvendësojë trajtimin e nevojshëm mjekësor. Gjithsesi, mund të jetë e dobishme si një shtesë e praktikave moderne. Kërkimet tregojnë se trajtimi i hipnozës mund të ndihmojë në trajtimin e pagjumësisë, apo të hequrit dorë nga zakonet e pashëndetshme dhe të reduktojnë efektet anësore që shoqërojnë shumë trajtime farmakologjike.

Megjithëse hipnoza ka fituar dalëngadalë një pranim të gjerë në mesin e komuniteteve mjekësore (dhe dentare), disa argumentojnë se ajo është ende e papërdorur. Ndërsa mjekët po mësojnë më shumë për përparësitë e mundshme të hipnozës, ajo mund të bëhet më e përhapur në fushat tradicionale të mjekësisë.

Hipnoza nuk është një formulë magjike, as praktikuesit e saj nuk bëjnë mrekulli. Lindert thotë se njerëzit që kërkojnë zgjidhje të lehta ka të ngjarë të mos jenë të suksesshëm. Me kalimin e viteve ajo ka punuar me klientë mbi një sërë problemesh, përfshirë disa të referuara nga mjekët.

Ndërsa shumë prej nesh mund të përfitojnë nga hipnoza, ajo nuk është efektive për të gjithë. Nëse dikush po përjeton një sëmundje mendore të patrajtuar që përfshin një çekuilibër kimik në tru, Lindert thotë se nuk i trajton dot raste të tilla. Gjithsesi, kur një klient potencial po merr kujdesin e duhur mjekësor, Lindert do të konsultohet me psikiatrin për t’u siguruar se është e sigurt të vazhdohet me seancat e hipnozës.

Një situatë tjetër në të cilën ajo është jashtëzakonisht e kujdesshme:kur prindërit i sjellin fëmijët e tyre pa u thënë se do t’i nënshtrohen hipnozës. Lindert flet sinqerisht me fëmijët, dhe i pyet nëse ata pajtohen me trajtimin. Nëse jo, ajo respekton vendimin e tyre, dhe gjithçka mbyllet aty. Dhe gjithsesi nuk do të funksiononte, shton ajo. “Pa vullnetin e tyre, ju mund të më paguani edhe 1 milionë dollarë, dhe unë nuk do të mund t’i ndryshoja”,-thekson ajo. /Bota.al

Continue Reading

lajme

UBT organizon Konferencën e 15-të Ndërkombëtare të Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë

Published

on

By

Më 23 deri më 25 tetor 2026, UBT do të organizojë Konferencën e 15-të Ndërkombëtare të Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë, në kuadër të Konferencës Shkencore Ndërkombëtare të UBT-së. Ngjarja pritet të mbledhë mbi 155 pjesëmarrës dhe do të prezantojë më shumë se 50 punime shkencore me fokus në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.

Programi shkencor mbulon tema të avancuara si inteligjenca artificiale, mësimi makinerik, siguria kibernetike, inxhinieria softuerike, IoT, blockchain dhe zbatimi i teknologjive inteligjente në arsim e shëndetësi.

Dekani i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike në UBT, Besnik Qehaja, theksoi rolin e veçantë që kanë studentët në këtë ngjarje shkencore.

“Rreth 70% e pjesëmarrësve pritet të jenë studentë të niveleve Bachelor dhe Master, duke dëshmuar rëndësinë që UBT i kushton përfshirjes së studentëve në kërkimin shkencor, zhvillimit të tyre akademik dhe krijimit të mundësive për prezantimin e rezultateve të hulumtimeve të tyre”, ka thënë Qehaja.

Duke folur për synimet kryesore të këtij organizimi, dekani Qehaja nënvizoi se kjo platformë shërben për të lidhur arsimin me inovacionin e ardhshëm:

“Përmes kësaj konference, UBT synon të forcojë lidhjen ndërmjet kërkimit shkencor, arsimit universitar dhe inovacionit teknologjik, duke krijuar një platformë për prezantimin e ideve të reja dhe avancimin e shkencave kompjuterike dhe inxhinierisë”, shprehet Qehaja.

Konferenca do të shërbejë si një udhëkryq i rëndësishëm bashkëpunimi mes akademikëve, hulumtuesve dhe studentëve vendorë e ndërkombëtarë për shkëmbimin e përvojave dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta shkencore.

 

Continue Reading

Vendi

Presidenti i FIMS-it, Prof. Dr. Fabio Pigozzi, pjesë e Konferencës së Mjekësisë Sportive në UBT

Published

on

By

Nesër, më 21 tetor, në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së do të mbahet Konferenca e Dytë Ndërkombëtare e Mjekësisë Sportive (ICSM 2026), e organizuar nga Instituti për Mjekësi Sportive i UBT-së, nën temën “Innovation and Resilience in Sport Medicine”.

Në mesin e pjesëmarrësve të kësaj konference do të jetë edhe Prof. Dr. Fabio Pigozzi, President i Federatës Ndërkombëtare të Mjekësisë Sportive (FIMS) dhe një nga figurat e njohura ndërkombëtarisht në mjekësinë sportive dhe shëndetin olimpik.

Pjesëmarrja e tij i jep konferencës një dimension të veçantë ndërkombëtar, duke krijuar mundësi për shkëmbim të përvojave dhe diskutim të zhvillimeve më të fundit në këtë fushë.

Në kuadër të programit të konferencës, si ligjerues kryesor do të jenë:

Prof. Dr. Edmond Hajrizi, Themelues dhe President i UBT-së, me fokus në inovacionin në arsim, teknologji dhe zhvillimin e shoqërisë inteligjente.

Prof. Dr. Fabio Pigozzi, Prof. Dr. Norbert Bachl, Zëvendëspresident i FIMS-it dhe specialist i fiziologjisë së ushtrimeve dhe mjekësisë sportive,

Prof. Dr. Ilir Ahmetgjekaj, profesor dhe specialist i radiologjisë;

Christian Stammel, Drejtor Ekzekutiv i Wearable Technologies;

Dr. Arian Bujupi, specialist i ortopedisë dhe traumatologjisë.

Konferenca do të trajtojë tema kyçe që ndërlidhin mjekësinë sportive me shëndetin funksional, radiologjinë, ortopedinë, teknologjitë e veshshme (wearable technologies), inteligjencën artificiale dhe rolin e inovacionit në praktikën klinike dhe sportive. Aktiviteti është i akredituar nga Oda e Mjekëve të Kosovës (OMK), në kuadër të Edukimit të Vazhdueshëm Profesional (EVP). Regjistrimi bëhet përmes Platformës Digjitale të OMK-së, ndërsa detajet e plota të konferencës gjenden në ueb-faqen zyrtare: icsm.ubt-uni.net/2026/.

 

 

Continue Reading

Vendi

Nisin përplasjet në protestën në Tiranë

Published

on

By

Përplasjet mes protestuesve dhe policisë kanë nisur në Tiranë, pas përshkallëzimit të situatës gjatë marshimit drejt Ministrisë së Arsimit.

Protesta fillimisht ishte e qetë, me studentët dhe mësimdhënësit që marshuan në mënyrë paqësore nga Kryeministria drejt Ministrisë së Arsimit. Megjithatë, situata u tensionua kur protestuesit hodhën gurë në drejtim të ndërtesës së ministrisë.

Policia reagoi duke përdorur ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën, por protestuesit nuk u larguan nga Rruga e Durrësit. Ata vazhduan të qëndronin pranë efektivëve të policisë, duke kërkuar rikthimin para Ministrisë së Arsimit.

Tensionet vijnë pas disa ditësh protestash në Shqipëri, gjatë të cilave janë përdorur gaz lotsjellës, ujë, gurë dhe, në disa raste, edhe plumba gome.

Foto: REL

D.L

Continue Reading

Lajmet

Konferenca e MBE-së në UBT: Fokusi në transformimin digjital

Published

on

By

Këtë fundjavë më 24 tetor, do të mbahet Konferenca e Fakultetit të Menaxhmentit, Biznesit dhe Ekonomisë (MBE), në kuadër të Konferencës Shkencore Ndërkombëtare të UBT-së. Ngjarja pritet të bëjë bashkë hulumtues, akademikë dhe ekspertë nga Kosova dhe bota për të diskutuar prirjet e reja ekonomike, financiare dhe menaxheriale.

Dekani i Fakultetit të Menaxhmentit, Biznesit dhe Ekonomisë në UBT, Muhamet Gërvalla, njoftoi se përgatitjet janë në fazën përfundimtare dhe se programi sjell një larmi tematike.

“Për ne është e rëndësishme që konferenca të jetë jo vetëm një mundësi për prezantimin e rezultateve shkencore, por edhe një hapësirë për diskutim, shkëmbim përvojash dhe krijim të bashkëpunimeve të reja akademike. Temat kryesore përfshijnë transformimin digjital dhe inteligjencën artificiale, zhvillimin ekonomik, financat, inovacionin dhe ndërmarrësinë”, ka thënë Gervalla.

Hulumtimet e prezantuara nga akademikët vendorë u kushtojnë vëmendje të veçantë sfidave konkrete të tregut vendas, si përdorimi i inteligjencës artificiale në biznese, zhvillimi i NMM-ve, turizmi, politikat tatimore dhe pjesëmarrja e grave në menaxhment.

Lidhur me dobinë e kërkimeve vendore, dekani Gërvalla nënvizoi se këto punime lidhen me sfidat konkrete të Kosovës dhe përpjekja për të ofruar analiza që mund të ndihmojnë në përmirësimin e vendimmarrjes.

Përveç studiuesve kosovarë, konferenca ka tërhequr edhe pjesëmarrës ndërkombëtarë nga vende si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Maroku, Kameruni, India, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe shtete të ndryshme evropiane, të cilët do të trajtojnë tema të tregjeve financiare, rritjes së gjelbër dhe teknologjisë.

Dekani Muhamet Gërvalla e vlerësoi lart këtë ndërthurje përvojash ndërkombëtare:

“Konferenca e MBE-së synon të lidhë hulumtimet që trajtojnë sfidat konkrete të Kosovës me perspektiva dhe përvoja ndërkombëtare, duke kontribuar në zhvillimin e kërkimit shkencor dhe në forcimin e bashkëpunimit akademik”, shprehet Gervalla.

 

 

 

Continue Reading

Të kërkuara