Lajmet

Përvjetori i lindjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova

Published

on

Sot shënohet përvjetori i lindjes së ish presidentit të parë të Kosovës pas luftës dhe një nga figurat më të rëndësishme politike në historinë moderne të vendit, Prof.Dr.Ibrahim Rugova (1944–2006).

Rugova njihet si prijësi i filozofisë së rezistencës paqësore dhe një nga ideatorët kryesorë të pavarësisë së Kosovës.

Ai ka lindur më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cercë, komuna e Istogut, dhe më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia kanë pushkatuar të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që kishin depërtuar në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ibrahim Rugova shkollën fillore e ka kryer në Istog, të mesmen në Pejë, më 1967. Fakultetin Filozofik – Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe e ka kryer në Prishtinë.

Gjatë vitit akademik 1976-77 ka qëndruar në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku ka ndjekur interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare. Ai ka doktoruar në fushën e letërsisë në Universitetin e Prishtinës, më 1984.

Në vitin 1996 Dr. Ibrahim Rugova është zgjedhur anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës. Në fillim ishte redaktor në gazetën e studentëve Bota e re dhe në revistën shkencore Dituria (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Një kohë ka punuar edhe në revistën Fjala.

Mandej, për afro dy dekada, Dr. Ibrahim Rugova veprimtarinë e vet shkencore e ka zhvilluar në Institutin Albanologjik si hulumtues i letërsisë. Një kohë ishte kryeredaktor i revistës Gjurmime albanologjike të këtij Instituti. Me krijimtari letrare është mar rëqë nga fillimi i viteve gjashtëdhjetë.

Dr. Ibrahim Rugova më 1988 është zgjedhur kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, që është bërë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare, e cila ka kundërshtuar sundimin komunist serb dhe jugosllav në Kosovë.

Si intelektual me nam që i ka dhënë zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike, Dr. Ibrahim Rugova është zgjedhur, më 23 dhjetor 1989, nga themelimi kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që ka sfiduar drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi. LDK, nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës,është bërë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit rreth vetes.

Në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë si dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe LDK-ja kanë përmbyllur kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës.

Deklarata e pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, mbajtur në fund të shtatorit 1991, kanë qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës, mbajtur më 24 maj 1992.

Dr. Ibrahim Rugova është zgjedhur President i Republikës së Kosovës. Dr. Ibrahim Rugova është rizgjedhur President i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998.

Nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës LDK-ja ka fituar shumicën e votave në zgjedhjet e para lokale të sponsorizuara ndërkombëtarisht në Kosovën e pasluftës në tetor të vitit 2000 si dhe në zgjedhjet e para nacionale në vitin 2001 dhe në zgjedhjet e dyta lokale të vitit 2002. LDK ka fituar edhe zgjedhjet nacionale më 2004.

Dr. Ibrahim Rugova është zgjedhur President i Kosovës në mars të vitit 2002 dhe është rizgjedhur edhe më 2004.

Dr. Ibrahim Rugova ka vdekur më 21 kallnor 2006 në Prishtinë dhe është varros në Bregun e Diellit me nderimet më të mëdha të popullit të Kosovës.

Në përvjetorin e vdekjes së Ibrahim Rugovës, më 21 janar 2007, Presidenti i Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu e ka dekoruar Presidentin historik të Kosovës me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë në vendin tonë që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës që kanë bërë vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

Pesë raste të armëmbajtjes pa leje në Kosovë, konfiskohen pistoleta dhe municion

Published

on

Pesë raste të armëmbajtjes pa leje janë raportuar gjatë 13 shtatorit në Obiliq, Prishtinë, Prizren dhe Suharekë, ndërsa Policia ka konfiskuar armë, municion dhe mjete të tjera.

Në rrugën “Hasan Prishtina” në Obiliq, një person është arrestuar pasi gjatë kontrollit iu gjetën një pistoletë dhe 10 fishekë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Rrethin e Fontanës në Prishtinë, një person tjetër është arrestuar pasi gjatë kontrollit iu gjetën një pistoletë dhe 14 fishekë. Pas intervistimit, ai është liruar me vendim të prokurorit dhe rasti është proceduar në procedurë të rregullt.

Në fshatin Lubizhdë të Prizrenit, gjatë bastisjes së shtëpisë së një të dyshuari janë gjetur dhe konfiskuar tre fishekë, dy shufra metali të dëmtuara, tri thika dhe tre mulli për bluarjen e narkotikëve. I dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Po në Lubizhdë, në një rast tjetër, gjatë bastisjes së një shtëpie policia ka gjetur një pistoletë dhe 24 fishekë. I dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Ndërkaq, në fshatin Shirokë të Suharekës, dy persona janë përleshur fizikisht dhe kanë pësuar lëndime. Njërit prej tyre i është konfiskuar një thikë, ndërsa të dy janë liruar pas intervistimit.

Në fshatin Rracaj të Gjakovës, një person është arrestuar pasi dyshohet se, pas një mosmarrëveshjeje, ka përdorur sprej ndaj një personi tjetër. Spreji është konfiskuar, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Gruaja nga Shqipëria arrestohet në Aeroportin e Prishtinës për dokument të falsifikuar

Published

on

Një grua, shtetase e Shqipërisë, është arrestuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, pasi dyshohet se ka tentuar të udhëtojë me dokument të falsifikuar të një personi tjetër.

Rasti ka ndodhur më 13 shtator, rreth orës 12:40.

Me vendim të prokurorit, e dyshuara është dërguar në mbajtje, ndërsa dokumenti i dyshuar si i falsifikuar është sekuestruar./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Aksident me fatalitet në Suharekë, vdes vozitësi

Published

on

Një aksident trafiku me fatalitet ka ndodhur të dielën në rrugën tranzit në Suharekë, ku një person ka humbur jetën.

Sipas Policisë së Kosovës, aksidenti ka ndodhur rreth orës 16:20. Vozitësi mashkull kosovar dyshohet se, nga pakujdesia, ka shkaktuar vetaksident me veturën e tij.

Si pasojë e aksidentit, tre pasagjere femra kosovare kanë pësuar lëndime dhe janë dërguar për tretman mjekësor.

Vozitësi nuk ka mundur t’u mbijetojë lëndimeve të marra dhe ka ndërruar jetë.

Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Në Fushë Kosovë konfiskohen mbi 293 gramë kokainë dhe 241 gramë marihuanë

Published

on

Dy raste të posedimit të narkotikëve janë raportuar më 13 shtator në Fushë Kosovë, sipas raportit të Policisë së Kosovës.

Në rrugën “Bedri Pejani”, gjatë kontrollit të një të dyshuari dhe të banesës së një personi tjetër, policia ka gjetur dhe konfiskuar 293.8 gramë kokainë, 241.6 gramë marihuanë, tri peshore digjitale, një karikator dhe dy fishekë.

Njëri nga të dyshuarit është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit, ndërsa personi tjetër ndodhet në kërkim policor.

Në rastin tjetër, në Fushë Kosovë, një person është arrestuar pasi gjatë kontrollit i janë gjetur dhe konfiskuar 7.43 gramë marihuanë. Me vendim të prokurorit, ai është liruar dhe rasti do të procedohet në procedurë të rregullt./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara