Lajmet

Përurohet qendra më e madhe dhe më moderne e shkencës, teknologjisë dhe inovacionit – UBT Smart City Center

Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, ka thënë se ky objekt i bashkohet një kampusi inovativ me një ekosistem të gjerë të dijeve.

Published

on

Në një ceremoni solemne të drejtuar nga rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, është bërë përurimi i qendrës më të madhe dhe më moderne për shkencë, teknologji dhe inovacion – UBT Smart City Center.

Objekti i cili në vete ka 28 mijë metra katrorë, me një arkitekturë të veçantë të bazuar në standarde të larta të ndërtimit, laboratorët, konviktin, bibliotekën, kuzhinën, inkubatorët, industritë e vogla, hapësirat për biznese të reja, qendrat kreative, si dhe hapësirat sportive, do të jetë vendi i gjeneratave të së ardhmes, ku dijen e tyre do ta rrisin edhe më shumë përbrenda kësaj qendre unike.

Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, ka thënë se ky objekt i bashkohet një kampusi inovativ me një ekosistem të gjerë të dijeve, duke mos harruar edhe partnerët që ndihmuan në konkretizimin e një projekti gjigant si ky i sotmi.

“Ne me këtë objekt të ri që po e përurojmë sot po e përmbushim premtimin tonë që i dhamë studentëve se studimet në Kosovë do të kenë vlerën po aq të madhe e shpesh edhe më të madhe se në universitete perëndimore, dhe për këtë kemi krijuar një institucion model në Kosovë dhe rajon, si dhe e kemi arritur edhe falë mbështetjes së pakursyer të Komunës së Lipjanit”, ka thënë rektori Hajrizi.

Drejtoresha për Planifikim dhe Urbanizëm në Komunën e Lipjanit, Emina Rexhiq, në emër të kryetarit Ahmeti, përshëndeti punën dhe angazhimin e madh të UBT-së në implementimin e këtij projekti, duke sjell një tjetër dimension të qendrave të shkencës, teknologjisë dhe inovacionit në Kosovë.

“Kam parë vullnetin e rektorit Hajrizi, mençurinë e tij që ka për të arritur lartë, dhe sot jam e lumtur që pas 19 viteve jam këtu ku lulëzon arsimi për ardhmërinë e fëmijëve tanë”, ka thënë drejtoresha Rexhiq.

Një prej mbështetësve të projektit, profesori Skënder Kosumi, tha se në këtë projekt është punuar shumë në procesin e të menduarit dhe planifikimit, në mënyrë që projekti të dalë sa më mirë, teksa ka thënë se përmes këtij projekti në Kosovë kanë vendosur një model të objekteve të mëdha të shtetit të Austrisë.

“Potencial për zhvillimin e objektit në këtë mënyrë e kam parë trekëndëshin, hapësirën e tokës e cila ka pasur një formë trekëndëshi të lënë pak anash në hapësirën e Kampusit të UBT-së, të cilën e kam parë si një potencial për krijimin e një hapësire tejet të madhe dhe në të cilën do të zhvillohen shumë funksione, me qëllim që të kursehet një sipërfaqe sa më e madhe e tokës, e cila është shumë e vlefshme në hapësirën e Kampusit edhe në aspektin ekonomik”, ka thënë profesori Kosumi.

Pronari i kompanisë ndërtimore “Fidola”, Isak Fejza, ka vlerësuar UBT-në për punën dhe angazhimin, teksa ka thënë se në këtë objekt është bërë një punë e madhe, duke vlerësuar bashkëpunimin e ngushtë me rektorin Hajrizi.

“Për të punuar për UBT-në është kënaqësi dhe falënderojmë institucionin për besimin, duke na dhënë mundësinë që të jemi pjesë e sukseseve të UBT-së”, ka thënë shkurtimisht pronari i kompanisë ndërtimore “Fidola”, Isak Fejza.

Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, u ka ndarë nga një mirënjohje secilit prej bashkëpunëtorëve që kanë ndihmuar në realizimin e këtij projekti, duke filluar nga Komuna e Lipjanit, profesorit Skënder Kosumi, si dhe kompanisë ndërtimore “Fidola”.

Lajmet

Kurti takon kryetaren e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim kryetaren e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Justina Shiroka Pula, me të cilën diskutoi për punën dhe prioritetet e institucionit.

Gjatë takimit u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë dhe Akademisë, veçanërisht në fushën e arsimit dhe zhvillimit të vendit. Palët u dakorduan për komunikim të rregullt dhe thellim të bashkëpunimit në të ardhmen.

Në takim ishte i pranishëm edhe zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Përparim Kryeziu, si dhe nënkryetari i Akademisë, Fejzullah Krasniqi, dhe sekretari shkencor, Bardh Rugova.

Continue Reading

Lajmet

Supremja lë në fuqi burgimin e përjetshëm për Dardan Krivaqën

Published

on

By

Gjykata Supreme ka vërtetuar dënimin me burgim të përjetshëm ndaj Dardan Krivaqës për vrasjen e Marigona Osmanit, duke lënë në fuqi vendimet e shkallës së parë dhe të dytë.

Sipas Supremes, gjykatat më të ulëta kanë analizuar në detaje të gjitha provat, përfshirë dëshmitë, raportet e ekspertizës, provat materiale dhe video-incizimet nga banesa ku qëndronin i akuzuari dhe viktima. Nga këto prova është konstatuar se viktima kishte pësuar lëndime të rënda si pasojë e dhunës së ushtruar nga i akuzuari.

Raporti i autopsisë dhe ekspertët mjeko-ligjorë kanë vërtetuar se vdekja erdhi si pasojë e lëndimeve të shumëfishta trupore të shkaktuara me mjet të fortë, duke mbështetur kualifikimin e veprës si vrasje e kryer në mënyrë mizore.

Gjykata Supreme rrëzoi edhe pretendimet e mbrojtjes për parregullsi procedurale, ekspertizë psikiatrike dhe ndikim të substancave narkotike, duke theksuar se i akuzuari ka qenë i aftë të kuptojë veprimet e tij në momentin e kryerjes së krimit.

Continue Reading

Lajmet

Humb jetën një punëtor i KEK-ut në Termocentralin “Kosova B”

Published

on

By

Vdes një punëtor i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK sh.a.) sot, në një incident të rëndë në Termocentralin “Kosova B” në Obiliq. Punëtori 55 vjeç, u përfshi nga një mjet transportues kamion dhe pësimi i lëndimeve të rënda rezultoi fatal.

Në vendngjarje menjëherë kanë dalë zyrtarët e KEK-ut, Policia e Kosovës dhe ekipet mjekësore, të cilat konfirmuan vdekjen e të ndjerit.

KEK sh.a. shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së viktimës, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të tij. Autoritetet po e trajtojnë rastin në përputhje me procedurat ligjore.

Ky informacion është bërë i ditur nga vetë Korporata Energjetike e Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

Konjufca bisedon me shefin e misionit të Luksemburgut për thellimin e bashkëpunimit

Published

on

By

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, takoi dje Shefin e Misionit të Ambasadës së Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz.

Në takim, Dietz e uroi Konjufcën për mandatin e ri dhe riafirmoi gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve.

Diskutimet u fokusuan tek forcimi i marrëdhënieve bilaterale, koordinimi për procesin e integrimit evropian dhe zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

Konjuca është shprehur se Kosova mbetet e përkushtuar për thellimin e mëtejshëm të partneritetit me Luksemburgun.

Continue Reading

Të kërkuara