Lajmet

Përurohet qendra kulturore shqiptare në New York

Published

on

Në Bronx, New York u përurua qendra kulturore dhe e mirëqenies për komunitetin shqiptaro-amerikan.

Qendra “Illyria” shtrihet në një hapësirë prej mbi 10 mijë metrash katrorë, ku do të ofrohen klasë për mësimin e gjuhës shqipe dhe shumë mjedise për zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme kulturore e sportive.

Investimi kap vlerën e mbi 8.7 milionë dollarëve.

Tani e tutje, komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ketë hapësirë të veçantë për mësimin e gjuhës shqipe dhe zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme kulturore me qëllim të ruajtjes së traditave dhe vlerave kombëtare.

Në ceremoninë e hapjes së qendrës shumë-funksionale Illyria, i pranishëm ishte edhe udhëheqësi i shumicës së Senatit, demokrati Chuck Schumer.

Në një koment për Zërin e Amerikës ai foli për rolin e komunitetit shqiptar në ShBA, ndërsa u zotua se do të angazhohet në çështje si dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne në Nju Jork e duam komunitetin shqiptar. Njerëzit vijnë këtu për zhvillim ekonomik, për liri fetare. Ata punojnë shumë dhe krijojnë jetë të suksesshme për veten dhe fëmijët e tyre. Në atë mënyrë ata ndërtojnë Nju Jorkun dhe Amerikën. Prandaj sa më shumë emigrantë shqiptarë që të kemi, aq më mirë do të jemi. Po ashtu unë luftoj në Senat që të mbrojmë Kosovën që të sigurohemi se negociatat janë të drejta. Pra ne do të ushtrojmë presion mbi administratën shtetërore që të arrihet një marrëveshje e drejtë për popullin e Kosovës”, tha Schumer për Zërin e Amerikës.

Më shumë se 8.7 milionë dollarë janë investuar nga shteti i New York-ut dhe Këshilli i Bashkisë së qytetit të New York-ut për krijimin e qendrës Illyria, që përveç shkollës shqipe do të ketë edhe një sallë teknologjie, amfitatër, sallë për konferenca dhe simpoziume, sallë sportive dhe kopsht.

Në total është një hapësirë prej mbi 1 mijë metrash katrorë që do të jetë në shërbim të komunitetit shqiptar. Nismëtari i këtij projekti, anëtari i Këshillit Bashkiak të New York-ut dhe veprimtari Mark Gjonaj u shpreh i lumtur për, siç tha ai, realizimin e një ëndrre të kahershme

“Kjo është një ditë që është pritur me dekada. Një ditë që shqiptarët sot mund ta gëzojnë së bashku. Kjo është një bërthamë që është mbjellë dekada më parë, ndërsa sot është rritur pema dhe kanë dalë frutat e para që kjo gjeneratë po e gëzon. Është një gjë që e kemi për detyrë, jo vetëm për gjeneratat e ardhme, por ua kemi borxh të parëve tanë që kanë vuajtur e hoqën keq për secilën pëllëmbë toke që e kemi në vendlindjen tonë, sepse çdo pëllëmbë atje është e lagur me djersë, me vaj e me gjak. E kemi borxh ndaj tyre dhe detyrim për të ardhmen”, tha Gjonaj.

Në ceremoni ishte e pranishme edhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla. Ajo tha se është koha që Kosova dhe Shqipëria të shtojnë mundësitë e përfshirjes së diasporës shqiptare në vendimmarrje.

“Sepse kemi kaq shumë ekspertë të shpërndarë në gjithë botën, kemi kaq shumë njerëz me kompetencë të jashtëzakonshme profesionale, saqë po të krijojmë një platformë, po të krijojmë një formë për përfshirjen e tyre në të gjitha vendimet dhe hapat që merren në Kosovë dhe në Shqipëri, atëherë dy vendet tona do të kishin një potencial për të ecur përpara, për të ndërtuar ekonomi të shëndosha, për një reformim të sistemit arsimor, për një kulturë në një nivel krejt tjetër, i cili sot mua më duket komplet i paimagjinueshëm”, tha Gërvalla.

Pjesëtarët e komunitetit shqiptaro-amerikan u shprehën të lumtur për krijimin e kësaj qendre.

“Ka shumë vlerë për komunitetin dhe gjeneratat e reja. Unë jam rritur duke qenë pjesë e grupeve të vallëzimit, kam folur shqip, kam punuar me komunitetin shqiptar dhe është diçka shumë e rëndësishme ta ketë ky vend”, tha shqiptaro-amerikania Eleni Mazija.

“Ne kur kemi qenë shumë të vogla, vëllai na ka angazhuar në vallëzim shqiptar. Herën e parë nuk kemi dashur të shkojmë. Por kur filluam u kënaqëm dhe tash me të thënë të drejtën nuk mund të jetoj pa të. Besoj se është gjë shumë e rëndësishëm për fëmijët më të vegjël, të mësojnë atë që kemi mësuar ne”, tha motra e Elenisë, shqiptaro-amerikania Murlena Mazija.

“Ne kur kemi emigruar në Amerikë, komuniteti shqiptar ka qenë i vogël. Organizimet dhe angazhime të tilla, sikur shkolla shqipe që shkon vajza ime ishin të pakta. Kjo mundësi për komunitetin tonë sjell frymëzim për kulturën tonë dhe mbështetjen që organizime si kjo mund të sjellim për komunitetin shqiptar”, tha shqiptaro-amerikania Kaltrina Osmani.

“Ka munguar infrastruktura, kanë munguar mjediset. Besoj se kjo nismë do ta bëje më të lehtë që çdo shqiptarë të jetë më afër me gjuhën, më afër me kulturën e pse jo edhe me njëri tjetrin”, tha shqiptaro-amerikani Sebastian Tinaj.

“Unë shpresoj që gjeneratat e reja do të vazhdojnë atë çfarë kemi bërë ne dhe do t’i ruajnë këto tradita, të cilat kanë vlerë tepër të madhe edhe për gjeneratat që janë këtu, sepse një ditë ka mundësi që të shkojnë dhe të punojnë edhe në vendlindje, atje ku kanë lindur baballarët, gjyshërit dhe stërgjyshërit e tyre”, tha shqiptaro-amerikani Kolë Cacaj. /atsh/

Lajmet

REL: Keqardhje që Serbia s’ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për sulmin në Banjskë

Published

on

Në përvjetorin e tretë të sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, Bashkimi Evropian shprehu keqardhje që Serbia nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm ndaj të dyshuarve që gjenden në territorin e saj.

“BE-ja vazhdimisht ka bërë thirrje që përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë dhe shpreh keqardhje që, deri më tani, Serbia nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të arrestuar dhe ndjekur penalisht ata, me akuza përkatëse, të personave që gjenden në Serbi”, tha një zëdhënës i BE-së.

Tre vjet më parë, në Banjskë të Zveçanit një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë këmbimit të zjarrit, tre sulmues serbë u vranë.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit.

Radoiçiq ka adresë të regjistruar në Serbi, teksa Kosova vazhdimisht kërkon që ai të ekstradohet në mënyrë që të përballet me drejtësinë.

“Ne presim që Serbia të bashkëpunojë plotësisht përmes kanalit të krijuar për ndihmë të ndërsjellë juridike. Kjo çështje ka mbetur pezull për një kohë të gjatë dhe Serbia duhet ta trajtojë atë sa më shpejt”, tha zëdhënësi i BE-së.

Në deklaratën e BE-së tha se çështjen e Banjskës, përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, e ka ngritur gjatë takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë takimit në Nju Jork.

Po në Nju Jork, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ngriti çështjen e sulmit në Banjskë gjatë takimit me Kallasin.

Kuri tha se Radoiçiq dhe persona të tjerë që morën pjesë në sulm po “mbrohen nga presidenti i Serbisë”, duke shtuar se ka kërkuar përkrahjen e BE-së që t’i bëjë trysni Serbisë për këtë çështje.

Përveç BE-së, edhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar vazhdimisht që të përfshirët në sulm të përballen me drejtësinë.

Kosova ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave, përfshirë Radoiçiqit, për sulmin në Banjskë. Gjykimi është mbajtur vetëm ndaj tre personave, të cilët janë dënuar nga shkalla e parë e gjyqësorit: një me 30 vjet burgim dhe dy persona me burgim të përjetshëm.

Continue Reading

Lajmet

Nora Gjakova diplomon në UBT, xhudistja përmbyll me sukses studimet në Shkencat e Sportit

Published

on

Xhudistja kosovare dhe kampionia olimpike, Nora Gjakova, ka diplomuar në UBT, në Fakultetin e Shkencave të Sportit dhe të Lëvizjes, në programin “Shëndeti dhe Aktiviteti Fizik”.
Gjakova, e cila ndër vite ka përfaqësuar Kosovën në garat më të rëndësishme ndërkombëtare të xhudos, ka përfunduar studimet me një temë diplome që lidhet drejtpërdrejt me sportin që e ka shoqëruar gjatë gjithë karrierës së saj.
Tema e punimit të saj ishte “Monitorimi i shkallës së lodhjes akute dhe rikuperimit pas një ndeshjeje të simuluar të xhudos përmes metodës indirekte (two-point velocity), të bazuar në shpejtësi në teknikën Bench Press”.
Punimi është realizuar nën mentorimin e Asoc. Prof. Dr. Milaim Berishës.
Me këtë arritje akademike, Nora Gjakova i shton një tjetër sukses rrugëtimit të saj, kësaj radhe në fushën e arsimit dhe shkencës sportive.

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet një zyrtar që dyshohet se mori ryshfet nga pronarë biznesesh

Published

on

Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Rahovec, i dyshuar për veprën penale “Marrja e ryshfetit”.

Sipas Policisë, i dyshuari, mashkull kosovar, në periudha dhe lokacione të ndryshme në zonën e Rahovecit, dyshohet se kishte kërkuar dhe pranuar ryshfet nga pronarë të bizneseve, në këmbim të moskryerjes së kontrolleve apo mosndëshkimit për shkeljet e ligjit.

Gjatë hetimeve, të zhvilluara në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë, janë siguruar dëshmi se i dyshuari dyshohet se kishte pranuar në disa raste shuma prej 300 deri në 500 euro nga pronarë të ndryshëm biznesesh.

Me urdhër të Gjykatës Themelore në Gjakovë, më 24 shtator janë kontrolluar ambienti i punës dhe veturat që i dyshuari kishte në shfrytëzim. Gjatë kontrollit është sekuestruar edhe një telefon celular.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ish-kreu i SHISH, Vlora Hyseni del nga GJKKO, iu komunikua masa e sigurisë “arrest në shtëpi”

Published

on

Ish-kreu i SHISH, Vlora Hyseni sapo ka dalë nga GJKKO pas më shumë se 2 orësh.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha raporton se Hysenit i është komunikuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Ajo u pyet nga gazetarët në lidhje me përgjimet e SPAK, por ka refuzuar të flasë.

Ndryshe, para se të hynte në gjykatë gjatë kalimit nga rruga drejt godinës, Hyseni është shprehur shkurtimisht ndaj pyetjes së gazetarëve nëse Agasit i janë kaluar nga ana e saj dokumente të klasifikuara, duke u shprehur: “Si kalon ti në takime me agjentët serb në dhomat e hotelit Rogner”. /Tch/

Continue Reading

Të kërkuara