Lajmet

Përurohet parku industrial në Viti, Kurti: Do ta rrisë zhvillimin ekonomik dhe rajonal

Published

on

Kryeministri Albin Kurti deklaroi se në tri vitet e ardhshme do të investojnë edhe 33 milionë euro për ndërtimin e parqeve të reja industriale dhe teknologjike. Sipas tij, po ofrohet hapësirë shtesë për biznese dhe po nxitet ndërmarrësia. Kështu u shpreh ai një inaugurimin e zonës ekonomike në Budrikë të Vitisë, ku theksoi se do të ketë kontribut të rëndësishëm për rritjen e zhvillimit ekonomik dhe rajonal.

Në inaugurimin e këtij parku, shefi i ekzekutivit theksoi se do të ofrohet punësim dhe aftësim për të rinjtë.

“Parku Industrial i sapo ndërtuar këtu do të jap një kontribut të rëndësishëm për rritjen e zhvillimit ekonomik dhe rajonal. Në veçanti ky park që sot e inaugurojmë, investim kapital prej 1,7 milionë euro nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë edhe Tregtisë në hapësirë prej 15, 5 hektarë, këtu në komunën e Vitisë do të mbështes investimet e përgjegjshme dhe të qëndrueshme të bizneseve tona nga diaspora dhe investimet e huaja, mandej do të nxis veprimtari prodhuese dhe përpunuese me teknologji të përparuar, do të ofrojë punësim dhe aftësim për të rinjtë tanë si shtyllë e zhvillimit dhe e transformimit progresist të vendit tonë. Si dhe do të rris bashkëpunimin ndërmjet bizneseve dhe promovimin e tyre për një ekosistem inovativ me rritje të konkurrueshmërisë për më shumë eksporte e për më pak deficit tregtar”, deklaroi Kurti.

Kryeministri Albin Kurti tha se bizneset që do të operojnë në këtë park industrial gëzojnë qasje më të lehta në transport, energji elektrike, ujë, internet dhe shërbime të tjera.

“Falë këtij parku ato do të kursejnë deri në 30 për qind të investimit të tyre total. Përveç bizneseve bashkë me to do të përfitojnë edhe të rinjtë tanë. Ky park industrial do të ofrojë hapësirë të inkubimit edhe të krijimit të bizneseve fillestare. Kështu të rinjtë tanë do të kenë më shumë mundësi të reja në vend, më përpara e në vend se t’i kërkojnë ato jashtë vendit. E këtë hapësirë që po i inaugurojmë sot do ta gëzojnë së shpejti përmes thirrjeve publike rreth 30 biznese. Ky nuk është as investimi i parë dhe as i fundit në shërbim të bizneseve, organizime e inaugurime të ngjashme do të kemi në vazhdimësi. Në tre vitet e ardhshme do të investojmë edhe 33 milionë euro për ndërtimin e parqeve të reja industriale dhe teknologjike. Përmes tyre po ofrojmë hapësirë shtesë për biznese dhe po nxisim edhe më shumë ndërmarrësinë, parakushte këto për punësim, zhvillim dhe transformim”, shtoi Kurti.

Kurti u zotua se me qeverisjen e tij, qarkullimi i bizneseve ka vazhduar të rritet. Gjatë periudhës janar-tetor 2023 është rritur vlera për 15, 83 miliardë euro, apo gati shtatë për qind më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari u shpreh se presin që ky park të popullohet me bizneset e vendit.

“Përkrahja dhe fuqizimi i bizneseve tona që janë shtytës kryesor të zhvillimit dhe transformimit socio-ekonomik dhe mjedisor në vendin tonë është një nga synimet e qeverisjes sonë. Sepse investimet tona si kjo sot me investime kapitale 1,7 milionë euro për këtë zonë në Budrikë dhe përmes instrumenteve të ndryshme mbështetëse nga qeveria dhe sektorët industrial me prodhime dhe shërbime me vlerë të lartë të shtuar përveç punësimit dhe trajnimit të të rinjve tanë po e rrisin konkurrencën dhe integrimin e prodhimeve vendore në zingjirët evropianë dhe global të vlerës, respektivisht rritjen e eksporteve dhe transformimin më të shpejt ekonomik të vendit tonë. Për këtë qëllim ne si ministri kemi shpallur deri më tani 10 zona ekonomike në Republikën e Kosovës, me total 354 hektarë hapësirë në tetë komuna”, deklaroi ajo.

Në këtë park industrial në Budrikë, ministrja Hajdari tha se do të vendosen 30 biznese.

E kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti bëri kërkesë që kjo zonë ekonomike të rritet.

“Ne mendojmë se kjo zonë ekonomike duhet të rritet, por dëshiroj të njoftoj kryeministrin dhe ministren Hajdari por gjithashtu edhe sektorët e tjerë se ne nuk po rrijmë duarkryq vetëm me këtë. Tash jemi duke ndërtuar inkubatorin e bizneseve krahas parkut industrial në Viti, ku sigurisht do të kemi edhe rritjen e shoqatave të grave, të fermerëve, rritjen e bizneseve, përgatitjen me kompetencë për shkak se kemi bërë qendrën e karrierës me USAID-in amerikan, qendrën e aftësimit profesional me Bashkimin Evropian dhe Odën Austriake. Ndërkohë jemi duke punuar edhe me hapjen e qendrës inovative për bujqësi”, përfundoi ai.

Lajmet

Diskutim i hapur në UBT me Christopher Hyland mbi trendet globale dhe implikimet për Kosovën

Published

on

By

Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, studentët e Shkencave Politike dhe Studimeve të Sigurisë, së bashku me stafin akademik, patën mundësinë të bashkëbisedojnë me Christopher Hyland, një njohës i proceseve ndërkombëtare dhe mbështetës i kahershëm i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në kuadër të ligjëratës “Current Global Developments and Their Implications for Kosovo”, u diskutuan zhvillimet më të fundit globale, sfidat gjeopolitike dhe ndikimi i tyre në Kosovë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Gjatë ligjëratës, Hyland ndau përvojën e tij shumëvjeçare në analizimin e proceseve ndërkombëtare dhe angazhimin e tij në mbështetje të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai foli për rëndësinë e ndërtimit të marrëdhënieve afatgjata, dialogut ndërkombëtar dhe kuptimit të drejtë të proceseve historike e politike që kanë ndikuar në fatin e popujve dhe shteteve.

Duke reflektuar mbi ndikimin e mentorëve dhe përvojave të tij akademike, Hyland theksoi rëndësinë e krijimit të lidhjeve njerëzore dhe profesionale që ndërtohen mbi besimin dhe vlerat e përbashkëta.

“Nëse takon individë me të cilët ndërton miqësi dhe mirëkuptim të sinqertë, ato marrëdhënie mund të zgjasin për vite të tëra dhe të krijojnë ura bashkëpunimi që tejkalojnë kufijtë dhe dallimet”, tha Hyland.

Në fjalën e tij, ai u ndal veçanërisht te përvoja e tij personale në njohjen e realitetit të Kosovës gjatë viteve të shpërbërjes së Jugosllavisë, duke theksuar se studimi i zhvillimeve në terren e kishte shtyrë të shihte situatën përtej narrativave të zakonshme të kohës.

“Sa më shumë që e studioja situatën, aq më shumë kuptoja se qytetarët e Kosovës po përballeshin me shtypje të rëndë nga qeveria qendrore në Jugosllavi. Historia ishte shumë më ndryshe nga ajo që paraqitej në atë kohë”, u shpreh ai.

Hyland diskutoi me studentët mbi transformimet aktuale politike dhe ekonomike në botë, sfidat e sigurisë ndërkombëtare, rolin e aleancave strategjike dhe rëndësinë e pozicionimit të Kosovës në një mjedis global gjithnjë e më dinamik.

Ligjërata u karakterizua nga diskutime interaktive dhe shkëmbim idesh, duke konfirmuar edhe një herë rolin e UBT-së si një qendër e rëndësishme e debatit akademik, inovacionit dhe analizës së çështjeve me rëndësi globale.

Continue Reading

Lajmet

Karl Stefanovic drejt largimit nga Nine Entertainment pas reagimeve për podcastin

Published

on

Njëri nga prezantuesit më të njohur televizivë në Australi, Karl Stefanovic, raportohet se është pranë largimit nga rrjeti Nine Entertainment, pas reagimeve të forta ndaj podcastit të tij, veçanërisht pas një interviste me aktivistin britanik të ekstremit të djathtë, Tommy Robinson.

Stefanovic, i njohur prej vitesh si prezantuesi kryesor i programit të mëngjesit Today, kishte nisur në janar një podcast të pavarur ku ka intervistuar figura të ndryshme kontroverse. Megjithatë, episodi i fundit me Robinson është tërhequr nga platformat online vetëm disa orë pas publikimit, pas reagimeve negative të publikut dhe reklamuesve në Australi.

Sipas mediave lokale, Nine Entertainment është në negociata për përfundimin e kontratës së tij, e cila ishte paraparë të skadonte në fund të vitit. Edhe pse kompania nuk e ka konfirmuar zyrtarisht largimin, ajo është distancuar publikisht nga përmbajtja e podcastit, duke theksuar se bëhet fjalë për një prodhim të pavarur.

Gjatë intervistës 55-minutëshe, Stefanovic deklaroi se e admironte “vendosmërinë” dhe “guximin” e Robinsonit për të mbrojtur bindjet e tij. Në materialin promovues të episodit, ai u pa gjithashtu duke e përqafuar Robinsonin dhe duke përdorur një term ofendues ndaj kryeministrit britanik në largim, Keir Starmer.

Ky rast ka nxitur reagime të shumta në Australi, ku gazetarë të Nine dhe disa reklamues kanë shprehur shqetësime për ndikimin e podcastit në reputacionin editorial të rrjetit.

Stefanovic ka pasur edhe më herët momente kontroverse gjatë karrierës së tij të gjatë në televizion, përfshirë një paraqitje në transmetim live pas konsumimit të alkoolit dhe një incident ku u detyrua të kërkonte falje për komente të bëra ndaj një kolegeje.

Ai u tërhoq nga emisioni Today në vitin 2018 për shkak të rënies së shikueshmërisë dhe vëmendjes mediatike rreth jetës së tij personale, por u rikthye një vit më vonë.

Pavarësisht polemikave, Stefanovic mbetet një nga figurat më të njohura të televizionit australian.

Burimi: BBC/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Nis shpërndarja e 100 eurove për studentët

Published

on

By

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka bërë të ditur se është bërë ekzekutimi i 100 eurove për studentët në kuadër të Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0.

Ai ka njoftuar se sot është finalizuar dhe dorëzuar lista e studentëve të kualifikuar për mbështetjen me 100 euro.

“Pas pranimit të verifikimeve të nevojshme nga institucionet e arsimit të lartë, komisioni verifikues sot ka finalizuar dhe dorëzuar listën e studentëve që janë kualifikuar për mbështetjen e njëhershme me 100 euro”, ka thenë Murati. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Shqipëria shpall “non-grata” për 15 vjet teologen nga Kosova, Igballe Berisha-Huduti

Published

on

By

Teologia nga Kosova, Igballe Berisha-Huduti, është shpallur “person i padëshiruar” në Shqipëri për një periudhë 15-vjeçare. Vendimi është marrë nga autoritetet shtetërore në kuadër të masave për sigurinë kombëtare dhe rendin publik.

Sipas vendimit të transmetuar nga mediat në Shqipëri, ky hap u ndërmor bazuar në informacionet e institucioneve të sigurisë, të cilat e vlerësojnë veprimtarinë e saj si rrezik potencial. Ndaj Hudutit rëndojnë dyshime për lidhje me regjimin iranian dhe për thirrje publike kundër rendit kushtetues në Shqipëri. Urdhri tashmë i është përcjellë për zbatim Policisë së Shtetit dhe strukturave të kufirit e migracionit.

Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ai deklaroi se Huduti ka qenë e përfshirë si “e infiltruar” në protestat që po zhvillohen në Tiranë kundër ndërtimit të një resorti luksoz në Zvërnec. Kreu i qeverisë shqiptare ka publikuar edhe fotografi në rrjetet sociale, duke ngritur akuza për lidhje të saj me figura dhe struktura të huaja.

Nga ana tjetër, vetë Igballe Berisha-Huduti i ka mohuar të gjitha pretendimet dhe akuzat e autoriteteve. Përmes një reagimi, ajo ka theksuar se pjesëmarrja e saj në protesta ka qenë tërësisht qytetare dhe patriotike, pa asnjë motiv tjetër të fshehur. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara