Kulturë

Përkujtohet në 198-vjetorin e vdekjes poeti romantik anglez, Bajron

Bajroni lindi në Londër më 22 janar 1788 në një familje aristokrate të varfëruar.

Published

on

Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi sot në 198-vjetorin e vdekjes,  poetin romantik anglez Xhorxh Gordon Bajron. Bajroni lindi në Londër më 22 janar 1788 në një familje aristokrate të varfëruar. Kur ishte dhjetë vjeç, me vdekjen e xhaxhait, Bajroni trashëgoi titullin Lord dhe pallatin e çifligun Newstead Abbey. Më 1801 Bajronin e dërguan në Harrow, në shkollë, ku studioi gjuhët greke e latine, historinë dhe letërsinë angleze.Në moshën 18-vjeçare, Bajroni hyri në Universitetin e Kembrixhit (Trinity College). Më 1809 zuri vendin e tij në Dhomën e Lordëve, ku u shqua për idetë përparimtare. Po këtë vit ndërmori një udhëtim nëpër Evropë. Gjatë vizitës së tij në Shqipërinë Jugore, më saktësisht në Janinë, Lord Bajroni mori si kujtim nga ato vise një kostum tradicional shqiptar. Do të ishte pikërisht bukuria dhe e veçanta e këtij kostumi, që në verën e vitit 1813 do ta shtynin piktorin Thomas Philips që të realizonte portretin e famshëm të Lord Bajronit veshur me kostumin shqiptar, me titull “Portrait of a Nobleman in the dress of an Albanian” (Portret i një fisniku me veshje shqiptare). Portreti u vendos në Royal Academy dhe tani është i vendosur në ambasadën britanike në Athinë.Midis veprave letrare të tij, një vend të rëndësishëm zë poema “Çajld Harold” (Childe Harold’s Pilgrimage, 1812-1817), shkruar në bazë të përshtypjeve nga udhëtimet të poetit në Spanjë, Greqi, Shqipëri, Zvicër, Itali etj. Poemën e përshkron patosi i luftës për liri të popujve të shtypur e të robëruar. Në të, Xhorxh Bajroni u këndoi traditave dhe zakoneve burrërrore të shqiptarëve, trimërisë dhe dashurisë së flaktë të tyre për lirinë.Në letrën dërguar nënës së tij në datën 12 nëntor 1809, midis të tjerash Bajroni shkruan: “…I dua shqiptarët shumë. Në udhëtimin që bëra, kam rojtur një herë dy ditë, dhe një herë tjetër tri ditë, në një kazermë shqiptarësh dhe s’kam gjetur kurrë ushtarë aq të pëlqyer sa shqiptarët, ndonëse kam qenë në garnizonet e Gibraltarit e të Maltës, dhe kam parë shumica ushtarësh spanjollë, frëngj, sicilianë dhe anglezë. Nuk më rrodhën gjësendë, dhe më ftuan me gëzim të marr nga zahireja dhe nga qumështi i tyre…”.Në vitin 1823 Bajroni u nis për në Greqi ku u bë frymëzues i luftës për pavarësi kombëtare të Greqisë kundër turqve. Nuk arriti të shihte çlirimin e saj, sepse u sëmur nga ethet dhe vdiq në Mesolongj, më 19 prill 1824, në moshën 36-vjeçare.ATSH

Continue Reading

Lajmet

Tri mbrëmje gala në El Salvador, Baleti Kombëtar i Kosovës shkëlqen me “Carmina Burana”

Published

on

Tri mbrëmje gala të mbushura me emocione dhe art janë mbajtur në El Salvador, ku është realizuar një bashkëpunim i veçantë ndërmjet Baleti Kombëtar i Kosovës dhe Baleti Kombëtar i El Salvadorit në skenën e Teatri Kombëtar i El Salvadorit.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi kulturor, Baleti Kombëtar i El Salvadorit u prezantua me veprën “El Rastro Invisible”, ndërsa Baleti Kombëtar i Kosovës interpretoi veprën e njohur “Carmina Burana”, duke sjellë një performancë të fuqishme artistike për publikun vendas.

Shfaqjet janë pritur me interes të madh nga publiku salvadorian dhe janë vlerësuar si një nga ngjarjet më të rëndësishme të bashkëpunimit kulturor ndërmjet dy vendeve. Organizatorët kanë theksuar se këto tri netë gala shërbyen si një urë lidhëse mes dy kulturave, duke dëshmuar fuqinë e artit në afrimin e popujve dhe forcimin e marrëdhënieve kulturore ndërkombëtare.

Gjithashtu është shprehur mirënjohje për artistët dhe institucionet e përfshira në realizimin e këtij projekti, si dhe për mikpritjen e publikut në El Salvador gjatë gjithë ngjarjes.

Continue Reading

Lajmet

Nis projekti për zhvendosjen e rezervuarit të ujit nga Kalaja e Prizrenit

Published

on

Kalaja e Prizrenit pritet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje të rëndësishme infrastrukturore, me qëllim ruajtjen afatgjate të këtij monumenti të trashëgimisë kulturore.

Gjatë një vizite në Kala, ku morën pjesë kryeministri Albin Kurti dhe ministrja Artane Rizvanolli, u bë e ditur se është dakorduar financimi i projektit për zhvendosjen e rezervuarit të ujit jashtë mureve të Kalasë së Prizrenit.

Sipas njoftimit, rezervuari, i vendosur në këtë hapësirë që nga viti 1939, ka shkaktuar rrjedhje të vazhdueshme të ujit brenda mureve të Kalasë, duke dëmtuar gradualisht strukturat e lokalitetit dhe duke paraqitur rrezik edhe për vizitorët. Projekti për zhvendosjen e rezervuarit tashmë është hartuar dhe kap vlerën prej rreth 500 mijë eurosh, ndërsa procedurat për realizimin e tij pritet të nisin së shpejti.

Kjo ndërhyrje po konsiderohet si një hap i domosdoshëm për mbrojtjen dhe konservimin e një prej monumenteve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Kosovë.

Continue Reading

Lajmet

Kosova dhe Shqipëria prezantohen në Kanë me pavijon të përbashkët dhe premierën e filmit “Dua”

Published

on

Qendra Kinematografike e Kosovës ka njoftuar hapjen e Pavijonit të Kosovës në kuadër të Marché du Film, tregut zyrtar të Festivalit të Filmit në Kanë. Ky prezantim shënon vazhdimësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në një nga ngjarjet më të rëndësishme të industrisë botërore të filmit.

Për të 15-in vit me radhë, Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë e Shqipërisë po prezantojnë së bashku kinematografinë shqiptare përmes pavijonit të përbashkët Kosovë-Shqipëri, me synim forcimin e bashkëpunimit dhe rritjen e dukshmërisë ndërkombëtare të produksioneve nga të dy vendet.

Ky edicion shënohet edhe me një moment të veçantë: premierën botërore të filmit “Dua”, i cili është përzgjedhur në programin prestigjioz Semaine de la Critique, ku garon për katër çmime kryesore. Përzgjedhja në këtë program konsiderohet një nga vlerësimet më të rëndësishme për filma të rinj në Kanë.

Pjesëmarrja e përbashkët dhe prezantimi i filmit “Dua” pritet të forcojnë më tej praninë e kinematografisë shqiptare në skenën ndërkombëtare.

 

Continue Reading

Kulturë

Premiera botërore e filmit “DUA” sot në Festivalin e Cannes

Published

on

Filmi me metrazh të gjatë DUA, me skenar dhe regji nga Blerta Basholli, sot shënon premierën botërore në Festivalin e Cannes, në kuadër të programit prestigjioz Semaine de la Critique.

“DUA” është përzgjedhur mes vetëm shtatë filmave të gjatë të këtij edicioni dhe bëhet filmi i parë nga Kosova që merr pjesë në këtë seksion konkurrues, ku garon për katër çmime kryesore. I vendosur në Kosovën e viteve ’90 dhe i frymëzuar nga përvoja personale e regjisores, filmi rrëfen historinë e një adoleshenteje introverte në kërkim të identitetit në një periudhë të trazuar politike dhe shoqërore.

Në rolin kryesor luan Piena Matoshi, ndërsa producentë të projektit janë Valon Bajgora dhe Yll Uka nga Ikonë Studio.

Si bashkëproducentë marrin pjesë Britta Rindelaub dhe Thomas Reichlin nga Alva Film , si dhe Amaury Ovise nga Kazak Productions . Projekti mbështetet nga institucione dhe fonde të ndryshme ndërkombëtare, përfshirë CNC, ARTE Cinema, Eurimages dhe Qendra Kinematografike e Kosovës.

Continue Reading

Të kërkuara