Lajmet

Përkeqësohet situata epidemiologjike në Kosovë

Në ditët e para të janarit situata po përkeqësohet.

Published

on

Në fund të dhjetorit Kosova identifikoi rastet e para me variantin Omicron të koronavirusit, por arriti ta përmbyllë një vit me situatë të qetë epidemiologjike. Tani në ditët e para të janarit situata po përkeqësohet.

Ndonëse në fund të vitit të shkuar Kosova ishte vendi me gjendjen epidemiologjike Covid-19 më të mirën në rajon, situata po ndryshon me fillimin e vitit.  Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, tha këtë të hënë  (10.01) se situata epidemiologjike në Kosovë mund të përkeqësohet si pasojë e përhapjes së variantit Omicron të koronavirusit. Numri i të infektuarve ishte njëshifror në fund të vitit të shkuar, por aktualisht brenda dite po regjistrohen qindra raste me Corona. Vetëm në 24 orët e fundit ishin 304 raste. Instituti bën thirrje për respektim të masave dhe të mos ketë grumbullime të njerëzve. Më 26 dhjetor 2021, Kosova identifikoi rastet e para me variantin Omicron të koronavirusit dhe përmbylli një vit me situatë të qetë epidemiologjike, por tani situata ka ndryshuar.

“Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së COVID-19, bëjmë thirrje në veçanti për kujdes dhe mos-grumbullim. Ndërsa, rekomandojmë institucionet përgjegjëse të mbikqyrin me përpikmëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave për parandalimin dhe luftimin e pandemisë. Është i domosdoshëm kujdesi i shtuar i të gjithëve që në mënyrë strikte të respektohet distanca fizike, të përdoren maskat, të bëhet dezinfektimi dhe ajrosja e hapësirave, duke pamundësuar dhe shmangur përhapjen eventuale të mëtejme të infeksionit të COVID-19”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Nuk ka mungesa në vaksina

Vaksinimi është mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga virusi, duke ju rikujtuar qytetarëve se “mund të imunizohen çdo ditë në të gjitha institucionet e kujdesit parësor nëpër komunat e Kosovës”, thekson instituti përgjegjës për pandeminë.

Ndryshe nga viti i kaluar, Kosova nuk përballet me mungesë të vaksinave imunizuese për Covid-19. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë, 49.2 për qind e qytetarëve janë vaksinuar me dozën e parë të vaksinës, ndërsa 43.9 për qind me dozën e dytë. Ministria e Shëndetësisë bënë të ditur se vaksina ka mjaftueshëm, mbi 400 mijë të tilla aktualisht janë në dispozicion, ndërsa, sipas nevojës mund të kontraktohen të tjera. Kosova nisi fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit në fund të marsit të vitit 2021, ndërkaq nga fillimi i dhjetorit të vitit të shkuar, ka nisur edhe me dozën e tretë përforcuese. Nga 09.12.- 01.01. të këtij viti. 2,093 qytetarë kanë marrë dozën e tretë.

Fushata e Ministrisë së Shëndetësisë

Rezistencë ndaj vaksinimit të fëmijëve

Edhe në Kosovë të drejtë vaksinimi kanë të gjithë personat mbi 12 vjeç, por numri i të vaksinuarve nën moshën 18-vjeçare konsiderohet të jetë shumë i ulët. Një specialiste për hulumtime të politikave globale shëndetësore, Hana Xhemajli, u tha medieve lokale se Kosovën e pret një problem tjetër, siç është vaksinimi i fëmijëve.

“Me moshat 18-vjeçare e lart ne kemi një vaksinim të mirë dhe nëse vazhdojmë në mënyrë të këtillë nuk do të kemi probleme fare, por, i frikësohem vaksinimit të fëmijëve për të cilën ka rezistencë të madhe”, thotë Hana Xhemajli. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës,  numri i fëmijëve nga 12 deri 15 vjeç në Kosovë, është afro 100 mijë. Materiale informuese për vaksinimin e fëmijëve tashmë janë shpërndarë nëpër shkolla dhe sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, do të vazhdohet me fushata vetëdijësuese për vaksinën kundër koronavirusit.DW

Lajmet

LVV bojkoton seancën për çmimin e naftës, opozita kritikon mungesën e pushtetit në Kuvend

Published

on

By

Derisa në Kuvend po vazhdon seanca e jashtëzakonshme për çmimin e naftës, as kryeministri, asnjë ministër e asnjë deputet i Lëvizjes Vetëvendosje nuk është paraqitur në sallë.

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, kritikoi ashpër këtë bojkot, duke thënë se për një çështje kaq të rëndësishme për qytetarët, pushteti ka zgjedhur të mos marrë pjesë. Ajo ironizoi me situatën duke u shprehur: “Mos kanë harru me zbrit prej xhipave të zi”.

Përmes një rezolute, LDK-ja po kërkon uljen e përkohshme të akcizës për naftën nga 36 centë për litër në 20 centë deri në stabilizimin e çmimeve, uljen e TVSH-së për karburantet nga 18 në 8 për qind, si dhe subvencionimin e naftës për sektorët më të ndjeshëm si bujqësia, transporti publik dhe prodhuesit vendorë.

Ermal Sadiku nga LDK-ja u shpreh i dëshpëruar me sallën e zbrazët, duke theksuar se deputetët e LVV-së dhe ata të Listës Serbe janë të vetmit që po mungojnë.

Ai sqaroi se kërkesa për uljen e TVSH-së është teknikisht e realizueshme dhe nuk e dëmton buxhetin, pasi rritja e çmimeve e ka rritur automatikisht edhe grumbullimin e taksave. Sadiku përfundoi duke ironizuar se, nëse pushteti zgjedh të flasë me popullin vetëm përmes Facebook-ut e televizionit, atëherë Parlamenti mund të mbyllet plotësisht.

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet një 48-vjeçar në Gjakovë, Policia i sekuestron mbi 5 kilogramë marihuanë

Published

on

By

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për trafikim me narkotikë gjatë një aksioni të suksesshëm të realizuar këtë të premte në Gjakovë.

Operacioni është udhëhequr nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në bashkëpunim me njësitet kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, të cilët rreth orës 14:40 kanë ndaluar për kontroll një veturë me targa të huaja.

Sipas komunikatës zyrtare, automjeti drejtohej nga i dyshuari me inicialet A.B., i lindur në vitin 1978, tek i cili gjatë kontrollit në pjesën e ulëseve të pasme janë gjetur dhjetë paketime të mbushura me substancë narkotike të llojit marihuanë.

Pesha e përgjithshme e drogës së sekuestruar është 5 kilogramë e 413 gramë, ndërsa në cilësinë e provave materiale Policia ka konfiskuar edhe veturën dhe dy telefonat mobil që i përkisnin të dyshuarit.

Pas arrestimit, personi i dyshuar është shoqëruar për intervistim në stacionin policor, ku me vendim të prokurorit të shtetit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Ky aksion vjen si pjesë e planeve taktike të Policisë së Kosovës për luftimin e trafikut të drogës dhe krimit të organizuar në vend, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë nga drejtoritë përkatëse.

 

Continue Reading

Lajmet

Dënohet me 24 vjet burgim Valon Aliu për vrasjen e ish-bashkëshortes në QPS-në e Ferizajt

Published

on

By

Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar me 24 vjet burgim të akuzuarin Valon Aliu, duke e shpallur fajtor për vrasjen e rëndë të ish-bashkëjetueses së tij, E.C., ngjarje kjo që ndodhi në prill të vitit 2024 brenda Qendrës për Punë Sociale.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjyqtarja Fitore Krivanjeva-Daci, Aliu u dënua për tri vepra penale: vrasje e rëndë, armëmbajtje pa leje dhe kanosje, ku në dënimin final do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 12 prilli 2024.

Ngjarja tragjike erdhi pas një fjalosjeje të shkurtër brenda zyrave të QPS-së, ku i akuzuari nxori armën dhe qëlloi viktimën fillimisht në kraharor, ndërsa plagosi në krah edhe vëllanë e saj.

Megjithëse viktima tentoi të largohej, Aliu e qëlloi përsëri në gjoks dhe në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme në vendin e ngjarjes.

Pas vrasjes, ai kishte kanosur edhe një zyrtare të institucionit duke ia vendosur pistoletën në ballë me kërcënimin se do ta qëllonte edhe atë.

Palët e përfshira në proces kanë afat prej 30 ditësh për ankesë në Gjykatën e Apelit, ndërsa Aliu do të qëndrojë në paraburgim deri në plotfuqishmërinë e këtij vendimi.

Continue Reading

Lajmet

Përplasje në Kuvend për naftën: LDK kërkon uljen e akcizës, LVV e cilëson propozim populist

Published

on

By

Seanca e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës këtë të premte është shoqëruar me një debate të ashpra mes Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) lidhur me çmimin e naftës. Përmes një rezolute, opozita ka kërkuar ndërhyrje emergjente në politika fiskale për të lehtësuar barrën e qytetarëve, ndërsa pushteti e ka refuzuar këtë nismë.

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka paralajmëruar se rritja e kostos së karburanteve po rrezikon të thellojë krizën sociale në vend. Ajo theksoi se nafta është çmim bazë që dikton zinxhirin e shtrenjtimeve në çdo sektor.

“Nafta është çmim bazë i ekonomisë dhe çdo rritje e saj përkthehet automatikisht në rritje të çmimeve të produkteve bazike, shërbimeve, transportit dhe ndërtimit. Qeveria nuk duhet të qëndrojë si spektatore në një kohë kur qytetarët përballen me rritje të kostos së jetesës,” deklaroi Lushaku-Sadriu.

Rezoluta e LDK-së propozon tri masa konkrete: Uljen e akcizës nga 36 në 20 centë për litër; Uljen e TVSH-së për karburante nga 18% në 8%; Subvencionimin e naftës për bujqit, transportin publik dhe prodhuesit vendorë.

Në anën tjetër, deputetja e LVV-së, Rozeta Hajdari, e ka kundërshtuar ashpër këtë kërkesë, duke argumentuar se ulja e të hyrave publike do të dëmtonte buxhetin e shtetit dhe financimin e sektorëve kyç si arsimi dhe shëndetësia.

“Ne si Grup Parlamentar me qeverisjen tonë kemi ndërhyrë aty ku duhet, kemi formalizuar tregun e naftës, kemi evituar kostot e panevojshme dhe kemi rritur transparencën. Këto masa janë efekt real dhe afatgjatë,” tha Hajdari, duke e quajtur propozimin e opozitës si ekonomikisht të papërgjegjshëm.

Hajdari shtoi se rritja e çmimeve është pasojë e krizave gjeopolitike globale dhe se masat e propozuara nga LDK-ja nuk garantojnë një ulje reale të çmimit në pompë për konsumatorët fundorë. Debati po vazhdon me akuza të ndërsjella, ku opozita kërkon veprim të menjëhershëm, ndërsa pozita mbron stabilitetin buxhetor.

 

Continue Reading

Të kërkuara