Kolegji i Gjykatës Supreme e ka pranuar si të bazuar ankesën e subjektit politik Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dhe ka ndryshuar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), , të datës 23.09.2025, duke vendosur që të refuzohet e pathemeltë ankesa e subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e datës 20.09.2025.
PZAP kishte pranuar si të bazuar ankesën e subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV), 20.09.2025 dhe kishte shqiptuar dënim më gjobë në lartësi prej 5.500 euro, Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
Kundër këtij vendimi subjekti politik, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme. Gjykata pasi ka vlerësuar ligjshmërinë e vendimit të kontestuar, në kuptim të pretendimeve ankimore, përgjigjes në ankesë, dhe pas shqyrtimit edhe të shkresave të lëndës, ka gjetur se ankesa është e bazuar.
“PZAP, në arsyetim të vendimit të saj ndër të tjera ka theksuar se paneli, pas shikimit të provave përkatësisht link-ut të ofruar si provë materiale, ka vërejtur se në tubimin e subjektit politik PDK, të mbajtur në Skenderaj, kandidati për kryetar të Komunës së Skenderaj, Sami Lushtaku, në tubimin me qytetarë të mbajtur në këtë qytet më datë 19.09.2025, për qëllime elektorale, ka përdorur gjuhë fyese dhe denigruese, duke deklaruar “Qeveri më të poshtër, Qeveri ma mashtruese, Qeveri më antikombëtare nuk besoj që ka me pas Kosova”. Andaj për Panelin përdorimi i një gjuhe të tillë është në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës”, thuhet në arsyetim.
Nga deklarimet e cituara, Gjykata Supreme e Kosovës, erdhi në përfundim se të njëjtat nuk janë në kundërshtim me Kodin e Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatët, përkatësisht, me dispozitat të LZP-së. /S.K/KP/