Lajmet

Përfundon procesi i numërimit dhe verifikimit të votave në 13 komuna

Published

on

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njofton se deri më tani procesi i verifikimit dhe numërimit të votave ka përfunduar në 13 qendra komunale të numërimit, ndërsa në total janë procesuar 1,379 nga 2,498 vendvotime, apo 55.20%.

Sipas KQZ-së, qendrat komunale të numërimit që kanë përfunduar plotësisht punën janë Juniku, Shtërpca, Hani i Elezit, Parteshi, Mamushë, Zubin Potoku, Zveçani, Kllokoti, Novobërda, Obiliqi, Shtimja, Ranillugu dhe Mitrovica e Veriut.

Ndërkohë, procesi i numërimit dhe verifikimit po vazhdon në 25 qendra të tjera komunale, përfshirë Prishtinën, Prizrenin, Pejën, Gjilanin, Ferizajn, Gjakovën dhe komunat e tjera të vendit.

KQZ bën të ditur se pas përfundimit të numërimit të çdo vendvotimi, të dhënat po transmetohen në platformën zyrtare të institucionit.

Paralelisht, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon vlerësimi i pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës. Deri më tani janë vlerësuar mbi 7 mijë pako, prej të cilave janë aprovuar 7,153, ndërsa janë refuzuar 142, kryesisht për mungesë të dëftesës së regjistrimit.

Sipas KQZ-së, nga kutitë postare në 22 shtete dhe brenda Kosovës janë tërhequr mbi 85,700 pako të supozuara me fletëvotime, ndërsa numri i shtetasve të regjistruar për votim përmes postës është 104,480./A.K/

Continue Reading

lajme

Dogana zbulon mallra të padeklaruara në vlerë rreth 72,600 euro në Vërmicë

Published

on

By

Dogana e Kosovës ka parandaluar një rast të deklarimit të pasaktë të mallrave në pikën e kalimit kufitar në Vërmicë, ku gjatë kontrollit të një kamioni janë zbuluar sasi të konsiderueshme të produkteve të padeklaruara me vlerë rreth 72,600 euro, pa përfshirë taksat e importit.

Rasti është identifikuar gjatë procedurës së zhdoganimit, pasi zyrtari doganor ka ngritur dyshime për përputhshmërinë mes peshës së paraqitur në dokumentacion dhe ngarkesës faktike.

Pas peshimit të automjetit ka rezultuar se kamioni ishte më i rëndë se sa ishte deklaruar. Me këtë rast, zyrtarët kanë ushtruar kontroll të hollësishëm, me ç’rast kanë zbuluar mallra të padeklaruara:

  • 1,036 palë këpucë;
  • 2,980 copë veshmbathje (pothuajse të gjitha me marka tregtare të mbrojtura).

Lidhur me këtë rast janë iniciuar procedurat përkatëse administrative dhe janë njoftuar organet kompetente për trajtim të mëtejmë ligjor.

Dogana e Kosovës i ka kujtuar të gjithë operatorëve ekonomikë se sipas Kodit Doganor dhe të Akcizave, çdo mall duhet të deklarohet saktësisht, ndërsa ka konfirmuar përkushtimin e saj për luftimin e kontrabandës dhe mbrojtjen e konkurrencës së drejtë në treg. /E.A/

Continue Reading

lajme

Nis xhiroja e 13-të e Albi Mall Superligës: Dukagjini pret Llapin sot në Klinë

Published

on

By

Albi Mall Superliga e Kosovës rikthehet sot me sfidën hapëse të xhiros së 13-të, ku Dukagjini pret Llapin në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, me fillim nga ora 17:00.

Të dyja skuadrat hyjnë në këtë përballje me synime të qarta për të marrë pikët e plota. Klinasit synojnë të shfrytëzojnë faktorin e fushës vendase për rezultat pozitiv, ndërsa llapjanët udhëtojnë me ambicie për t’u kthyer me pikë nga ky transfer i vështirë.

Kjo është e vetmja ndeshje e programuar për ditën e premte, ndërsa xhiroja e 13-të vazhdon gjatë fundjavës me takimet e tjera:

E shtunë:

Feronikeli ’74 – Ballkani (13:00)

Gjilani – Malisheva (16:00)

E diel:

Vushtrria – Prishtina (13:00)

Drenica – Drita (13:00)

Continue Reading

Vendi

IQMT kryen inspektime mbi shërbimet postare në gjithë Kosovën

Published

on

By

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) po vazhdon aktivitetet intenzive inspektuese ndaj bizneseve që operojnë online, me fokus të veçantë te produktet që ndodhen në transport drejt konsumatorëve.

Aksioni po realizohet nga 10 ekipe inspektuese në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP). Deri më tani janë kryer mbi 24 inspektime të shërbimeve postare në të gjithë territorin e vendit.

Gjatë kontrolleve, ekipet e terrenit kanë evidentuar parregullsi të ndryshme, duke përfshirë rastet kur produktet nuk posedonin kupon fiskal, si dhe mungesën e deklaracionit të prejardhjes e dokumentacionit përcjellës.

Në përputhje me kuadrin ligjor, inspektorët u kanë dhënë afat subjekteve përkatëse për prezantimin e dokumentacionit të nevojshëm. Në rast të mospërmbushjes së kërkesave, do të ndërmerren masa administrative e ligjore, përfshirë sekuestrimin e mallit dhe shqiptimin e gjobave.

Përveç tetë qendrave kryesore, aksioni është shtrirë edhe në komunat e rajonit të Dukagjinit dhe më gjerë, si në Klinë, Istog, Deçan, Junik, Rahovec, Malishevë, Suharekë dhe Dragash. Ky proces përfshin gjithashtu monitorimin e faqeve online, reklamave si dhe trajtimin e ankesave të konsumatorëve. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Procesi në Hagë: Grupi strategjik mblidhet të shtunën, procedurat e apelit mbahen në konfidencialitet

Published

on

By

Gjashtë vjet pas dërgimit në Hagë të katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), institucionet shtetërore dhe subjektet politike në Kosovë kanë intensifikuar veprimet për mbështetjen e procesit të apelit, pas vendimit me të cilin ata u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.

Të shtunën pritet të mbajë takimin e radhës grupi strategjik për hartimin dhe zbatimin e strategjisë shtetërore lidhur me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara. Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka bërë të ditur se punimet e këtij grupi do të zhvillohen në mënyrë të plotë konfidenciale me synim koordinimin e saktë institucional.

Konjufca konfirmoi se grupi është konstituuar gjatë javës së kaluar, ku janë përcaktuar rregullat e punës dhe është formalizuar edhe trupa punuese.

Paralelisht me këtë proces, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar një angazhim të përbashkët politik dhe institucional në mbrojtje të procesit të apelit.

Nga ana tjetër, platforma “Liria ka Emër” u është drejtuar zyrtarisht institucioneve të Bashkimit Evropian me gjashtë kërkesa specifike, përmes të cilave kërkohet shqyrtimi i menjëhershëm i shqetësimeve lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut dhe standardeve për një gjykim të drejtë e të paanshëm në Gjykatën Speciale. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara