Lajmet

​Përfundon greva e shoferëve nga Podujeva

Published

on

Pas shtatë ditësh grevë, shoferët e trafikut ndër urban Podujevë- Prishtinë larguan të mërkurën autobusët nga rruga para objektit të komunës së Prishtinës. Kjo pasi që të njëjtit, kanë arritur një marrëveshje me Komunën e Prishtinës.

Shoferët e shoqatës së transportit Llapi, kanë mbajtur grevë për shtatë ditë, si kundërshtim për vendimin e Komunës së Prishtinës që ndalon futjen e autobusëve ndërurbanë brenda qytetit.

Por, nga marrëveshja që kanë arritur me komunën, tashmë kjo linjë do të kalojë nga rruga “Zagrebi” dhe para se të arrijë në stacionin e autobusëve, si ndalje të parafundit do të jetë në rrugën afër shkollës “Model”.

Gjithashtu, kjo linjë ka bërë të ditur se sot, për të gjithë udhëtarët e Podujevës do të jenë biletat falas deri në ora 23:00.

Nënkryetari i Prishtinës, Florian Dushi tha se kjo linjë e re po konsiderohet më periferike, që autobusët të mos hynë në qendër të kryeqytetit.

Ai, ka bërë të ditur se kjo zgjidhje është e përkohshme, derisa të arrijnë një marrëveshje me kryetarin e Komunës së Podujevës.

“Pas shumë bisedave që kemi pasur edhe me shoqatën e transportuesve nga Podujeva, e që i kemi pasur tash e disa ditë në një grevë këtu përballë objektit të komunës, kemi ardhur në një përfundim, që megjithatë ata do të shfrytëzojnë një linjë tjetër që konsiderohet më periferike, në kuptimin larg pjesës qendrore të qytetit për të vazhduar në destinacionin e tyre të fundit, në stacionin e autobusëve. Edhe kjo zgjidhje është e përkohshme, për faktin se ne tashmë jemi pajtuar bashkë edhe me komunën e Podujevës që të ulemi dhe ta negociojmë një marrëveshje e cila do të zgjidhte përfundimisht këtë problematikë në mes të dy komunave”, tha Dushi.

Dushi shtoi se bileta që do ta shfrytëzojnë qytetarët për të ardhur në Prishtinë, e njëjta do vlejë edhe në shfrytëzimin e linjave të Trafikut Urban në kryeqytet.

“Në këtë kuadër, një prej masave tjera që kryeqyteti ka ndërmarrë dhe që konsiderojmë që dotë lehtësojë dhe do të ulë koston e shpenzimeve për qytetarët të cilët frekuentojnë kryeqytetin, është se e kemi vendosur për një biletë të integruar, sepse bileta që ata do të përdorin për të ardhur nga për shembull Podujeva në Prishtinë, e njëjta do të ju vlejë edhe për të shfrytëzuar linjat e Trafikut Urban brenda kryeqytetit”, shtoi Dushi.

Ndërsa, kryetari i shoqatës së transportit “Llapi”, Beqir Mustafa u shpreh se autobusët do të largohen menjëherë nga qendra dhe do të fillojnë punën nga sot.

“Ne kemi arritur një marrëveshje me komunën dhe Ministrinë e Infrastrukturës, na kanë lejuar rrugën e “Zagrebit” me e shfrytëzua, stacioni i parë pa hy te rruga “Zagrebi” te shkolla “Model”. I falënderoj komunën dhe ministrinë, që gjetëm bashkëpunim dhe arritëm këtë pikë. Autobusët do të largohen menjëherë dhe do të fillojnë punën”, u shpreh Mustafa.

 

Vendi

Probleme globale me Microsoft: Pa qasje në Outlook edhe në Kosovë

Published

on

By

Si pasojë e problemeve të mëdha teknike që kanë prekur shërbimet e Microsoft në nivel global, edhe në Kosovë nuk ka qasje në platformën e postës elektronike Outlook.

Ndërprerja ka pamundësuar hapjen e emaileve dhe ka shkaktuar vështirësi në komunikimet zyrtare dhe punën e përditshme, njëjtë sikurse në shumë vende të tjera të botës.

Ekipet teknike të kompanisë janë duke punuar për identifikimin dhe rregullimin e defektit, ndërsa ende nuk ka një afat të saktë se kur do të rikthehet funksionaliteti i plotë i shërbimeve. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Kurti takon kryeministrin britanik Burnham në Dublin: Thellojmë partneritetin dhe bashkëpunimin

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Andy Burnham, në përmbyllje të punimeve të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Dublin.

Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, Kurti e ka vlerësuar Mbretërinë e Bashkuar si një partnere dhe aleate të posaçme të Republikës së Kosovës, duke shprehur synimin e Qeverisë për të avancuar më tej raportet bilaterale.

“Jemi mirënjohës e falënderues për mbështetjen e palëkundur dhe të vazhdueshme të saj, teksa synojmë e angazhohemi për thellimin e marrëdhënieve dhe zgjerimin e bashkëpunimit”, ka deklaruar kryeministri Kurti. /E.A/

Continue Reading

lajme

Shawn Mendes reagon ashpër për situatën në Gaza: “Po ndodh një gjenocid para syve tanë, artistët të flasin”

Published

on

By

Këngëtari i njohur kanadez, Shawn Mendes, ka publikuar një mesazh të fuqishëm në rrjetet sociale në mbështetje të Palestinës, duke bërë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të vrasjeve në Gaza dhe duke u kërkuar kolegëve të tij artistë që të mos heshtin.

Përmes një deklarate të shkruar, artisti 28-vjeçar e ka cilësuar situatën aktuale si gjenocid, duke theksuar se fëmijët dhe familjet palestineze kanë vuajtur tepër gjatë dhe kanë nevojë urgjente për ndihmë. Mendes ka bërë të ditur se është duke u informuar vazhdimisht për të kuptuar se si mund të kontribuojë dhe se tashmë ka dhuruar donacione për disa organizata humanitare, duke ftuar edhe ndjekësit e tij të veprojnë njëjtë.

“Miqtë e mi dhe kolegë artistë, e di që mund të duket e frikshme të flasësh hapur; e ndiej edhe unë tani teksa e shkruaj këtë… Por ndiej nevojën të bëj diçka për të ndihmuar. Sa më shumë prej nesh ta përdorin zërin, aq më afër ndryshimit jemi. Këta fëmijë në Palestinë janë detyruar të jenë trima për një kohë të gjatë. Tani është radha jonë të bëjmë të njëjtën gjë”, ka shkruar Mendes.

Në mbyllje të reagimit të tij, këngëtari ka bërë thirrje që të normalizohet ngritja e zërit në mbrojtje të atyre që vuajnë nga shtypja, duke listuar gjashtë hapa konkretë veprimi: dhuroni, edukohuni, inkurajoni, sfidoni, mbani përgjegjës ata që janë në pushtet dhe votoni. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Rrëfimi për luftën e UÇK-së mbush sallat me filmin “Sakrifica”

Published

on

By

Filmi vendor “Sakrifica”, me regji të Halil dhe Merita Budakovës, po vazhdon të tërheqë vëmendje të madhe dhe fluks të lartë shikuesish në Cineplexx Prishtina, pas premierës së tij të mbajtur dy ditë më parë.

Duke trajtuar një temë të ndjeshme të historisë së Kosovës, realizimi kinematografik ka arritur të prekë publikun që nga nata e parë e shfaqjes, ku biletat u shitën me ritme të jashtëzakonshme.

“Sakrifica” sjell në ekranin e madh historinë e pesë vëllezërve, të cilët gjatë viteve 1997–1999 marrin vendimin t’i bashkohen Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke lënë pas familjen dhe gjithçka që kanë për të luftuar për lirinë e vendit.

Për shkak të kërkesave të vazhdueshme dhe interesimit të lartë për ta parë këtë histori të guximit dhe atdhedashurisë, adhuruesit e filmit ftohen t’i sigurojnë me kohë biletat përmes platformës zyrtare të Cineplexx-it ose në arkat e kinemasë në Albi Mall. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara