Lajmet

Përfundon afati 5-vjeçar për aplikim të të mbijetuarve të dhunës seksuale

Ajo u jep të drejtë viktimave të dhunës seksuale që të marrin pagesë mujore prej 230 euro.

Published

on

Me fillimin e kësaj jave janë mbyllur dyert e komisionit për njohjen e statusit të grave e burrave të dhunuar seksualisht në luftë. Të dielën ka përfunduar afati pesëvjeçar i komisionit qeveritar dhe nga i njëjti do të shqyrtohen vetëm aplikimet që janë deponuar deri me datën 5 të këtij muaji. Anëtari i sekretarisë së komisionit, Labinot Bala tregon se që nga fillimi i procesit komisioni ka pranuar gjithsej 1935 aplikacione. 

Së fundmi është iniciuar plotësimi i ligjit për zgjatjen e afatit për aplikim dhe ka filluar diskutimi publik, thotë drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti. Ajo tregon se kanë dorëzuar rekomandimet e tyre, me kërkesën që afati për aplikim të mos kufizohet në dy vitet e ardhshme, meqë krimet e luftës nuk parashkruhen. Ajo tha se që nga viti i kaluar me tri organizatat tjera të mandatuara kanë bërë thirrje që të bëhet zgjatja e afatit për aplikim. Sipas saj, tashmë ky proces është në vakuum ligjor dhe të mbijetuarit nuk mund të aplikojnë.

“Sot e kemi një vakuum ligjor, të mbijetuarit e dhunës seksuale nuk mund të aplikojnë, pasi mandati i komisionit është jashtë ligjor prej periudhës 5 shkurt. Aktualisht jemi duke i deponuar ne si organizata, por edhe organizatat tjera kërkesat tona në raport me hapjen e ligjit për vlerat e luftës në raport me mandatin e komisionit. Është pak shqetësuese fakti se në mënyrën kur është hapur si ligj është thënë se ky mandat mund të shtyhet deri në vitin 2025, çka për neve paraqet shqetësim në vetvete për faktin që afati për aplikim të mbijetuarve të dhunës seksuale të luftës për tu njohur të drejtat dhe beneficionit që ua garanton ligji, nuk duhet të afatizohet”,
deklaron Rushiti.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës shton se afati për aplikim nuk duhet të ketë afat të caktuar meqë limiton gratë e burrat e dhunuar seksualisht.

“Deri më datë 8 shkurt është e hapur mundësia për të deponuar edhe arsyetim edhe fakte të tjera se pse duhet të jetë më gjatë dhe këtë drejtim organizatat joqeveritare veç i kanë deponuar kërkesat e veta….Ne fillimisht jemi munduar të arsyetojmë pse duhet të jetë i pa limituar, për faktin që natyra e krimit të dhunës seksuale dallon nga natyra e krimeve të tjera. Jo vetëm të mbijetuarit por edhe familjarët e tyre ende jetojnë të rrethuar nga stigma, paragjykimi, turpi dhe nuk është e lehtë që të merret ai vendim në familje”, shton ajo.

Përmbyllja e afatit për aplikim, siç thotë Rushiti, është dekurajuese për vetë viktimat e dhunës seksuale.

“Është jo inkurajim për faktin që me vite të tëra në pesë vitet e fundit organizatat joqeveritare por edhe institucionet janë munduar ta qojnë mesazhin pozitiv te familjarët, te të mbijetuarit, te komuniteti për t’i fuqizuar ata dhe ato për të aplikuar. Fakti që tash e kemi këtë vakuum ligjor pa dyshim që është një hap prapa dhe kjo mund t’i demotivojë shumë familjarët për t’iu qasur institucionit… Frika ekziston që kjo mund të zgjas deri katër apo gjashtë muaj si çdo legjislacion i mundshëm, diskutimet në grupe parlamentare e kështu me radhë”, përfundon Rushiti.

Aprovimi i statusit të viktimës së dhunës seksuale u jep të drejtë viktimave që të marrin pagesë mujore prej 230 euro në muaj.

Projektligji për plotësimin e ligjit në fuqi përcakton afatin e aplikimit edhe për dy vjet tjera, deri në maj të vitit 2025. I njëjti është lansuar edhe në platformën online për konsultime me publikun.

lajme

Arrestohet një person në Suedi dhe i konfiskohet pasuria pas hetimit nga Prokuroria Speciale e Kosovës

Published

on

By

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se si rezultat i një bashkëpunimi ndërmjet Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe autoriteteve suedeze në luftimin e trafikimit të narkotikëve dhe shpëlarjes së parave, është arrestuar një person në Suedi.

Si rezultat i veprimeve hetimore të ndërmarra nga Kosova, është prangosur personi me inicialet A.G., ndërsa atij i janë konfiskuar pasuritë e fituara përmes veprimtarive kriminale.

Sipas njoftimit zyrtar, ky rast përbën precedentin e parë ku autoritetet suedeze kanë arritur të sekuestrojnë pasuri jashtë juridiksionit të tyre territorial.

Tutje bëhet e ditur se Zyra për Rikthimin e Aseteve, e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, në koordinim me autoritetet e Suedisë do të ndërmarrë hapat e mëtejmë për ekzekutimin përfundimtar të vendimit për konfiskimin e pasurive edhe në Kosovë.

Ky rast dëshmon rëndësinë e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në identifikimin dhe konfiskimin e pasurive të përfituara nga aktivitete illegale. Në njoftimin e prokurorisë nuk janë dhënë detaje shtesë për lidhjen e saktë të personit të arrestuar me shtetin e Kosovës. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 6 nëntor 1992-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998.

6 nëntor 1992

Shqiptarët trajtohen si “skllevër”

Revista franceze “Le monde diplomatique” pardje botoi një analizë të gjerë të procesev historike dhe aktuale në hapësirën e ishJugosllavisë. Një vëmendje të veçantë në këtë analizë autorja Ketrin Lutard ia kushton Kosovës dhe çështjes shqiptare. Ndër të tjera autorja thekson:  Qysh prej kohësh gjendja vlerësohet si shkatërruese dhe udhëheqësi i komunitetit shqiptar Ibrahim Rugova, pohon se bashkatdhetarët e tij janë trajtuar “si skllevër”. Represioni vazhdon të rritet. Kështu, sipas gazetës zyrtare të 25 korrikut 1992, Parlamenti serb i Beogradit vendosi të pezullojë drejtorët shqiptarë të uzinave Planinka, Rilindja, Ringos Ciglana, Buduqnost, Sutjeska, Energoinvest, Sharr dhe Proleter, të gjitha të vendosura në Kosovë, dhe për t’i zëvendësuar me serbë apo malazezë.

 

6 nëntor 1993

Spastrimet etnike serbe – në tekstet shkollore franceze e gjermane

Prej këtij viti shkollor në Francë dhe në Gjermani, janë paraqitur tekstet shkollore dhe materialet didaktike ku gjoja “në mënyrë tendencioze dhe të shtrembëruar janë paraqitur disa pjesë nga historia serbe, Serbisë e Jugosllavisë,” shkruan “Politika” e sotme.

Përse janë zemëruar aq shumë në të ashtuquajturën ministri federale të arsimit dhe të kulturës ndaj këtyre teksteve dhe përse ambasadës së tyre në Paris iu urdhërua të kërkojë procedurë gjyqësore për ndalimin e librit të historisë për klasën e katërt të gjimnazit? Për çka është fjala në të vërtetë?

Në librin e historisë në kaptinën “Kthimi i nacionalizmit”, siç thotë gazeta, shkruan: “Qëllimi ishte që të krijohet Serbia e madhe nëpërmjet ‘spastrimit etnik’ të territoreve ku gjenden serbët. Me terror dëbohet popullsia tjetër”.

Në kaptinën ku shpjegohen terminet nga libri, për spastrimin etnik shkruan se kjo “është teori të cilën e kanë krijuar anëtarët e Akademisë së shkencave në Beograd dhe nënkupton homogjenizimin etnik të territoreve të ish-Jugosllavisë, të cilat janë të banuar me serbë, të cilat duhet me anë të terrorit mbi popullsinë tjetër të realizojnë aneksimin definitiv të atyre territoreve nga ana e Serbisë”.

Përmbajtje të ngjashme, sipas gazetës, gjenden edhe në materialin didaktiko-informativ, që gjendet në programin shkollor në Gjermani.

 

6 nëntor 1995

U përkujtua ngjarja tragjike e Bit Pazarit

Me rastin e ngjarjeve të 6 e 7 nëntorit të vitit 1992, kur në Bit Pazar të Shkupit humbën jetën tragjikisht Sylejman Memishi, Safet Sejfullahu, Shemsedin Ibrahimi dhe Viktorija Geshovska, në lokalet e bashkësisë okale, që mban emrin e kësaj date tragjike “6 Nëntori” në Shkup u mbajt një tubim përkujtimor për këtë ngjarje të hidhur në jetën pluraliste të Maqedonisë.

Në këtë tubim morën pjesë anëtarët e familjeve të viktimave, qytetarë dhe personalitete të jetës politike dhe publike, në mesin e të cilëve edhe deputeti i kësaj njësie zgjedhore Mevlan Tahiri.

Lidhur me këtë rast tragjik u nënvizua se edhe pas tri vjetësh nuk u zbuluan vrasësit e viktimave të pafajshme, të cilat padyshim u vranë nga policia maqedonase në pragun e shtëpive të tyre.

Pasi Komisioni parlamentar, i themeluar për hulumtimin e këtij rasti, nuk dha përgjegje për autorët e krimit në Bit Pazar, në këtë mbledhje u theksua se familjet e të vrarëve duhet të ngrisin aktpadi kundër Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë.

 

6 nëntor 1996

Bill Klinton u rizgjodh president i SHBA-ve

Në zgjedhjet e djeshme presidenciale në SHBA, presidenti i tanishëm amerikan Bill Klinton u rizgjodh në këtë post edhe për një mandat katërvjeçar.

Ambasada amerikane në Beograd na përcolli njoftimin e agjencisë gazetare amerikane UPI ku thuhej se Klintoni triumfoi mbi rivalin e tij kryesor Bob Dol. Sipas këtij njoftimi Klinton fitoi me 50 kundrejt 42 për qind të votave, sa fitoi kundërshtari i tij republikan, ndërsa kandidati tjetër Ros Perot fitoi fare pak vota.

Pas Frenklin Ruzveltit, Bill Klinton është presidenti i dytë amerikan nga radhët e demokratëve që triumfoi për të dytën herë në postin e presidentit të SHBA-ve.

 

6 nëntor 1997

Dhuna e përditshme në Kosovë

Obiliq: – Dje, policia serbe, me pretekst të dorëzimit të armëve ishte në familjen e Ferat Mjekiqit (65) në Graboc të Epërm.

Njoftohet se Ferati është urdhëruar që të paraqitet në stacionin e policisë në Obiliq, së bashku me djalin e tij Nasuf Mjekiqin, kryetar i Aktivit të LDK-së në Graboc të Epërm.

Ferat Mjekiqi para gjashtë muajve ka dorëzuar një armë dhe për këtë ai ka edhe vërtetimin për armën e dorëzuar.

Po ashtu mbrëmë rreth orës 17:00, dy policë serbë ndërhynë në një mbledhje të një Aktivi të LDK-së në Obiliq. Bëhet e ditur se policët serbë kanë legjitimuar të pranishmit. Disa aktivistëve u janë marrë edhe shënimet personale.

Istog: – Më 31 tetor, dy inspektorë të sigurimit serb të stacionit të policisë në Pejë, bastisën familjen e Ali S. Mahajt në Dubovë të Vogël. Njoftohet se inspektorët serbë kërkuan djalin e tij Naim Mahajn (24), të cilit ia lanë thirrjen që të paraqitet në polici. Gjatë bastisjes, inspektorët serbë thyen e demoluan shumë orendi.

Sot, rreth orës 8:00 të mëngjesit, një grup huliganësh serbë i përbërë prej rreth 15 vetash, sulmuan pa kurrfarë shkaku Arben Boletinin, nxënës i gjimnazit “Haxhi Zeka” në Istog. Gjatë kohës sa Arbeni është keqtrajtuar, huliganët serbë e kanë kërcënuar atë se “kurrë nuk do të mësoni në shkollën shqipe, ndërsa atë kërkojeni në Shqipëri!”.

 

6 nëntor 1998

Suharekë: Të shtëna midis Samadraxhës e Opterushës – flitet edhe për të vrarë e të plagosur

Gjendja në komunën e Suharekës edhe më tej vazhdon të jetë shumë e tensionuar, njofton KI i Degës së LDK-së në Suharekë.

Sot rreth orës 12:00, në mes të fshatrave Samadraxhë e Opterushë janë dëgjuar të shtëna armësh, ndërsa dëshmitarët okularë kanë theksuar se ka të vrarë e të plagosur.

Ndërkaq dje, policia serbe është vendosur në lagjen Luboci në Grejçec. Policët serbë ia hoqën kulmin një shtëpie të këtij fshati dhe materialin e dërguan në një vend tjetër. Të njëjtit policë rreth orës 17:00 kanë shtënë me armë në drejtim të Grejçecit.

Bëhet e ditur se forcat e policisë serbe edhe më tej po qëndrojnë në fshatrat Duhël, Grejçec, Mohlan e Reshtan, ndërsa forcat e ushtrisë serbe edhe më tej janë të stacionuara në Qafë të Duhlës dhe në malet e Biraçit mbi Suharekë.

 

Continue Reading

lajme

Katër raste të dhunës në familje brenda 24 orëve në Kosovë

Published

on

By

Policia e Kosovës në raportin njëditor ka njoftuar për disa raste të dhunës në familje të regjistruara në rajonet e Kamenicës, Klinës, Pejës dhe Vushtrrisë.

Në Kamenicë, një grua ka njoftuar policinë se është sulmuar nga një grua tjetër. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa e dyshuara është intervistuar dhe me konsultim të prokurorit rasti vazhdon të hetohet.

Në Klinë, është arrestuar një burrë pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Pejë, një grua ka raportuar se pas një mosmarrëveshjeje është sulmuar nga një burrë. Palët janë intervistuar nga hetuesit dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.

Përplasje fizike është regjistruar edhe në Vushtrri, ku një grua ka raportuar se pas një mosmarrëveshjeje është sulmuar nga një burrë. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari ndodhet në arrati. Ekipet relevante policore po vazhdojnë hetimet për kapjen e tij.  /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Vdekje e dyshimtë në Drenas: Një burrë është alivanosur dhe ka ndërruar jetë

Published

on

By

Një rast i cilësuar si “Hetim mbi vdekjen” është regjistruar në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës në Drenas.

Sipas njoftimit zyrtar, është raportuar se viktima burrë është alivanosur.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitet përkatëse policore së bashku me ekipet mjekësore, të cilët kanë konstatuar vdekjen e tij.

Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për t’ju nënshtruar obduksionit, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes po vazhdojnë. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara