Lajmet

Përfitimet e inteligjencës artificiale në procesin zgjedhor diskutohen në Kuvend

Published

on

Në shënimin e Ditës së Demokracisë sot është mbajtur tryeza e diskutimit në Kuvend, “Zgjedhjet dhe teknologjia: Ndikimi në demokracinë moderne”, organizuar nga D4D dhe NDI. Aty u tha se teknologjia është esenciale në organizmin e zgjedhjeve pasi përmirëson dhe lehtëson shërbimet që ndërlidhen drejtpërdrejtë me votuesit, subjektet politike dhe me vëzhguesit e zgjedhjeve.

Ish drejtori i NDI në Kosovë, Carlo Binda tregoi përfitimet e përdorimit të inteligjencës artificiale në procesin zgjedhor, mirëpo shtoi se për të siguruar që ai nuk minon bazat e demokracisë duhet të vendosen kornizat adekuate ligjore.

“Ka disa përfitime nga përdorimi i inteligjencës artificiale në zgjedhje, pavarësisht nëse jeni një komision zgjedhor që përdor inteligjencën artificiale gjeneruese, për shembull, për të zhvilluar materiale për edukimin e votuesve, kjo ju lejon shpejtë të prodhoni materiale të dobishme trajnimi për qendrat e votimit dhe punëtorët që mund të keni dhe dëshironi të punësoni. Ka raste në Shtetet e Bashkuara ku disa nga shtetet janë bashkuar përmes një konsorciumi për të punuar me inteligjencën artificiale për të qenë në gjendje të bëjnë një kontroll të regjistrimit të votuesve dhe ta bëjnë atë proces shumë më efikas, ku zakonisht do të mbështeteshit në qeniet njerëzore dhe analizat njerëzore, tani mund të mbështeteni në inteligjencën artificiale. Por kornizat, kornizat ligjore duhet të jenë të vendosura për të siguruar që përdorimi i inteligjencës artificiale nuk po minon bazat e shprehjes demokratike dhe në Shtetet e Bashkuara, MB, ata tashmë kanë filluar të trajtojnë legjislacionin dhe politikat rreth përdorimit të AI, veçanërisht në procesin demokratik”, tha ai.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, tha se megjithëse digjitalizimi ndihmon procesin zgjedhor, kjo e fundit nuk guxon tërësisht të varet nga teknologjia.

“Teknologjia është esenciale në kuptimin e organizimit të zgjedhjeve, madje edhe qenësore përtej dëshirës sonë. Në masë të madhe imponohet në kuptimin e zhvillimeve të gjithmbarshme dhe ambientimi që ndodh shoqërisë dhe vet qytetarëve me teknologjinë. Teknologjia sikurse çdo aspekt tjetër i procesit zgjedhor i ka përparësitë dhe mangësitë….Në raport me zgjedhjet teknologjia është e dobishme sidomos në regjistrimin e votuesve, ndarjen e zonave zgjedhore, trajnimin e zyrtarëve të administrimit të zgjedhjeve dhe veçmas për partitë politike në kuptimin e mesazhit elektoral. Kosova është përpjekur të ecë në drejtimin e përfshirjes së teknologjisë në procesin e administrimit të zgjedhjeve, duke synuar të lehtësojë administrimin e zgjedhjeve, por natyrisht me një qasje të kujdesshme në kuptimin që garanton gjithëpërfshirës dhe siguri të procesit zgjedhor”, tha ai.

Ndërkaq, shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Ableard Tahiri, tha se digjitalizimin e administrimit zgjedhor e kanë pasur prioritet në reformën e miratuar zgjedhore.

“(Në kuadër të reformës zgjedhor) Kemi arrit me i adresu shumë të meta që kanë qenë në ligjin e kuar dhe që kanë qenë gjithmonë duke u rritur më shumë, pikërisht në ballafaqimin me të rejat e fundit që kanë sjell edhe rrjetet sociale dhe digjitalizimi. Digjitalizimi dhe IA janë një hap përpara dhe ne si shoqëri duhet ta ndjekim me legjislacion dhe rregulla, pasi ligji që ka qenë në fuqi ka pasur kuptim në vitin 2010 por në vitin 2024-2025 nuk ka kuptim. Ajo çka ofron teknologjia, mënyrën e regjistrimit, mënyrën e votimit, numërimit të votave është shumë me avancuar sesa ka qenë para 1 dekade”, theksoi Tahiri.

Pjesëmarrës në këtë tryezë ishte edhe zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi, i cili tha se ky institucion ka arritur t’i digjitalizojë shumë nga operacionet zgjedhore për zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Tashmë është e ditur se teknologjia informative po bëhet çdo ditë e më shumë pjesë e pazëvendësueshme e proceseve zgjedhore në vende të ndryshme të botës dhe natyrisht edhe në Kosovë. Teknologjia informative ofron mundësi të shumta që i ndihmojnë institucioneve të menaxhimit të zgjedhjeve, siç është KQZ-ja, që të përmirësojnë efikasitetin e zgjedhjeve, transparencën dhe rrjedhimisht besueshmërinë e qytetarëve dhe të akterëve të tjerë në procesin zgjedhor…Në javën e parë pas shpalljes të datës së zgjedhjeve, KQZ ka pranuar softuerin e zhvilluar me ndihmën e Misionit të OSBE-së në Kosovë, përmes së cilit digjitalizohen shumë nga operacionet zgjedhore, avancohen disa prej shërbimeve që ekzistonin më herët dhe përmbushen kërkesat e reja që dalin nga Ligji i ri për Zgjedhjet e Përgjithshme. Përgjithësisht, përmes softuerit, KQZ do të përmirësojë dhe lehtësojë shërbimet që ndërlidhen drejtpërdrejtë me votuesit, subjektet politike dhe me vëzhguesit e zgjedhjeve”, tha ai.

Vendi

Haxhiu kërkon sqarim nga Kushtetuesja për kompetencat presidenciale pas skadimit të mandatit

Published

on

By

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarim se kush mund t’i ushtrojë kompetencat presidenciale pas përfundimit të mandatit të saj gjashtëmujor, nëse Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin e ri.

Këtë e konfirmoi Zyra e Presidentes në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë më 6 tetor – në ditën kur skadon afati për zgjedhjen e presidentit të ri.

Sipas Zyrës, Haxhiu e ka dorëzuar kërkesën në Gjykatën Kushtetuese më 5 tetor, duke u thirrur në nenin 113, paragrafi 3, nënparagrafi 1 i Kushtetutës.

“Kemi kërkuar të përcaktohet se si dhe nga kush ushtrohen kompetencat e domosdoshme presidenciale pas përfundimit të periudhës gjashtëmujore, kur presidenti i ri ende nuk është zgjedhur”, tha Zyra e Presidentes për REL-in.

Continue Reading

Vendi

Gjeneral Jashari pret në takim lamtumirës komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Özkan Ulutaş

Published

on

By

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur sot në një takim lamtumirës komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Özkan Ulutaş, me rastin e përmbylljes së misionit të tij ushtarak në Kosovë.

Gjatë takimit, dy krerët ushtarakë diskutuan për situatën e përgjithshme të sigurisë në Kosovë dhe rajon, si dhe për rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet FSK-së dhe KFOR-it. Ata vlerësuan lart nivelin e partneritetit ndërinstitucional, duke theksuar nevojën për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit profesional dhe operacional përmes angazhimeve të përbashkëta dhe shkëmbimit të përvojave.

Gjenerallejtënant Jashari shprehu mirënjohjen e tij për rolin dhe kontributin e KFOR-it në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend, duke riafirmuar përkushtimin e FSK-së për forcimin e mëtejshëm të raporteve dypalëshe.

Në përmbyllje të takimit, komandanti i FSK-së i uroi gjeneralit Ulutaş shëndet dhe suksese në marrjen e detyrave dhe përgjegjësive të reja ushtarake./E.A/

Continue Reading

Vendi

Dyshohet se Policia përdori gaz lotsjellës me afat të skaduar mbrëmë: Cilat janë rreziqet dhe efektet e tij shëndetësore?

Published

on

By

Gjatë përplasjeve të mbrëmshme mes protestuesve dhe Policisë së Kosovës para Kuvendit, ku forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë turmën, janë ngritur dyshime mbi specifikat e mjeteve të përdorura. Nga pamjet e siguruara në terren, një nga gëzhojat e gazit lotsjellës të përdorur (e llojit CS POWDER) mban datën e prodhimit qershor 2018 (Mfg Date: 06/2018), çka ngre dyshime se afati i përdorimit të tij ka skaduar prej kohësh.

Sipas raporteve ndërkombëtare mbi pajisjet për kontrollin e turmave nga organizata si Physicians for Human Rights dhe studimeve mjekësore mbi ekspertizën e mjeteve kimike, përdorimi i gazit lotsjellës të skaduar përbën një rrezik shtesë për shëndetin publik, pasi përbërësit kimikë mund të dekompozohen dhe të shkaktojnë reaksione anormale.

Ndër efektet kryesore të dëmshme të dokumentuara nga gazi i skaduar numërohen:

  • Tolerancë e zvogëluar kimike dhe reaksione më të ashpra: Komponimet e dekompozuara kimike mund të bëhen më toksike ose më irrituese se gazi me afat të rregullt.
  • Dëmtime më të rënda në rrugët e frymëmarrjes: Mund të shkaktojë spazma më të forta bronkiale, djegie intense të fytit e mushkërive dhe vështirësi më të gjata në frymëmarrje.
  • Irritim dhe djegie të theksuar të lëkurës e syve: Në vend të efektit të përkohshëm, gazi i skaduar mund të shkaktojë djegie kimike të lëkurës, skuqje të zgjatur ose dëmtime më serioze në indet e syve.
  • Rrezik për shpërthim ose ndezje anormale: Me kalimin e afatit, mekanizmi i ndezjes dhe lënda djegëse në gëzhojë mund të mos funksionojnë siç duhet, duke rritur rrezikun e djegieve fizike apo lëndimeve nga fragmentet. /E.A/

Foto: Dardan Shala

 

Continue Reading

Lajmet

Vdes në QKUK gruaja e plagosur muajin e kaluar në Klinë, trupi dërgohet për obduksion

Published

on

By

Një grua ka ndërruar jetë të hënën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), si pasojë e plagëve të marra gjatë një incidenti të ndodhur muajin e kaluar në Klinë, rast ky i cilësuar nga organet e rendit si “Vrasje e rëndë”.

Ngjarja fillestare kishte ndodhur më 6 shtator rreth orës 18:30. Pavarësisht trajtimit intenziv mjekësor që nga ajo ditë, viktima nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë më 5 tetor.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, me vendim të prokurorit të rastit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.

/E.A/

Continue Reading

Të kërkuara