Lajmet

Përballë heshtjes së drejtësisë: Krimet e luftës në Kosovë ende pa dënim!

Published

on

Mbi dy dekada pas përfundimit të luftës në Kosovë, drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre ende mbetet e paplotë. Edhe pse ka kaluar një kohë e gjatë që nga përfundimi i luftës së vitit 1998-1999, qindra raste të krimeve të luftës mbeten të pazbardhura dhe autorët e këtyre krimeve vazhdojnë të jenë të lirë. Ky dështim për të sjellë drejtësi ka shkaktuar një zhgënjim të thellë, jo vetëm tek ata që kanë humbur të dashurit e tyre, por edhe tek shoqëria kosovare në përgjithësi. Mungesa e një verdikti të qartë dhe të drejtë për ato ngjarje tronditëse ka krijuar një ndjenjë të fortë të padrejtësisë, duke e vështirësuar procesin e pajtimit dhe rehabilitimit të shoqërisë kosovare.

Sipas të dhënave nga organizatat e të drejtave të njeriut dhe burimeve institucionale, qindra raste të krimeve të luftës, të cilat përfshijnë ekzekutime masive, tortura, përdhunime dhe zhdukje me forcë, ende qëndrojnë të pazgjidhura, duke krijuar një hendek të thellë mes asaj që është bërë deri tani dhe asaj që pritej të arrihej. Përpjekjet për të hetuar dhe ndjekur penalisht autorët e këtyre krimeve janë ngadalësuar, ndërsa përparimi i pasigurt në këto procese ka forcuar ndjenjën e paqartësisë dhe të pafuqisë për të sjellë drejtësi. Ky ngadalësim i prokurorive dhe mungesa e veprimit të vendimmarrësve, përveç se po vonojnë zgjidhjen e këtyre çështjeve, kanë treguar gjithashtu një mungesë të vullnetit politik, si në nivelin ndërkombëtar, ashtu edhe në atë vendor. Ndërkohë që viktimat dhe familjet e tyre vazhdojnë të kërkojnë drejtësi, shoqëria kosovare mbetet e ndarë dhe e ngarkuar me një të kaluar të dhimbshme, që kërkon një trajtim të drejtë dhe të merituar.

Një fshat shqiptar i djegur gjatë Luftës në Kosovë në vitin 1999.

Për familjet e viktimave, kjo situatë mbetet një plagë e hapur që nuk shërohet, pasi mungesa e rezultateve konkrete ka krijuar ndjenjën e braktisjes nga institucionet e drejtësisë. Përveç dhimbjes, ata përballen me peshën e një sistemi që duket se i ka harruar.

Për të kuptuar më mirë pengesat dhe mundësitë për përmirësim, biseduam me avokatin Ardian Bajraktari i cili ndau me ne këto pikëpamje:

Cilat janë sfidat kryesore ligjore që hasen në hetimin dhe ndjekjen e krimeve të luftës në Kosovë dhe si mund të adresohen ato?

Koha është një faktor shumë i rëndësishëm dhe “armik i padukshëm” ne drejtim të hetimit dhe vënies para përgjegjësisë së kryerësve të krimeve të luftës, qoftë të urdhërdhënësve qoftë të ekzekutorëve.

Gjithashtu sfidë është edhe përshkrimi faktik i veprimeve, përkatësisht përshkrimi sa më i detajuar i rrethanave që e karakterizojnë ngjarjen. Një sfidë po ashtu shumë e madhe është mosgatishmëria e shtetit serb për të bashkëpunuar dhe vendosur drejtësi për atë që ka ndodhur, madje kjo e fundit po vazhdon të jetë strehë për një numër kriminelësh, të cilët po i shmangen ballafaqimit me drejtësinë.

Banorët shëtisin nëpër qendrën e shkatërruar të Gjakovës, 1999

A mendoni se ka pasur përpjekje të mjaftueshme nga ana e institucioneve të Kosovës për të mbështetur dëshmitarët dhe viktimat e krimeve të luftës, dhe si mund të përmirësohet ky proces?

Nuk vlerësoj se është bërë mjaftueshëm, pavarësisht faktit se për një kohë relativisht të gjatë këto krime kanë qenë kompetencë e autoriteteve ndërkombëtare, fillimisht e UNMIK-ut, pastaj e EULEX-it. Megjithatë, në raport me viktimat dhe dëshmitarët, ka mundur dhe është dashur të bëhet më shumë. Ndonëse është relativisht vonë, tashmë kemi të themeluar me ligj të veçantë Institutin për dokumentimin e krimeve të luftës, kemi shtim të kapaciteteve në kuadër të policisë, ndërsa prokuroria përkatësisht Prokuroria Speciale, duhet forcuar më tepër, me qëllim që të adresohet kjo çështje.

Trupat e shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe, që u hodhën në varre masive, u shpëtuan dhe morën një varrim të përshtatshëm, Gjakovë, 1999.

Si ndikon presioni politik në zhvillimin e hetimeve për krimet e luftës në Kosovë? A ka pasur ndikime që kanë penguar drejtësinë dhe zbardhjen e të vërtetës?

Procesin politik dhe ndikimin në këtë aspekt duhet parë në disa aspekte, e para si rezultat e mendësisë së vjetër që vazhdon ta shoqëroj fqinjin tonë verior, akoma kjo sfidë mbetet e pa adresuar, e në planin e brendshëm, politika duhet mbështetur sa më shumë organet e zbatimit të ligjit, me theks të veçantë prokurorinë, prandaj politika qoftë direkt, qoftë indirekt ka rol në proceset e tilla, pavarësisht faktit se jo në pak raste na rastisë të dëgjojmë shumë fjalë, por që të njëjtat pastaj nuk materializohen në vepra.

Varrimi i shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe, Korrik 1999

Për sa i përket pasigurisë ligjore dhe frikës nga hakmarrja, çfarë masash mund të merren për të siguruar që dëshmitarët dhe viktimat do të ofrojnë dëshmitë e nevojshme për hetimet e krimeve të luftës?

 

Legjislacioni ynë ofron mjaftueshëm masa mbrojtëse, përfshirë edhe mbrojtjen e identitetit të dëshmitarëve, kur kjo vlerësohet e nevojshme. Prandaj,  në këtë drejtim, roli dhe dëshmia e të gjithë atyre që kanë qenë dëshmitarë të vrasjeve, masakrave e maltretimeve të shumta gjatë luftës, është shumë e rëndësishme dhe ndikon në vendosjen e drejtësisë. Për këtë arsye, ftoj qytetarët që ta bëjnë këtë gjë, të dëshmojnë. Nuk duhet të kihet frikë nga e vërteta, ajo duhet të zbardhet, dhe çdo individ që dëshmon për atë që ka parë e përjetuar, kontribuon në zbardhjen e saj.

 

Si mund të përmirësohet bashkëpunimi ndërkombëtar në hetimin e krimeve të luftës në Kosovë, dhe cilat janë masat që mund të merren për të forcuar këtë bashkëpunim?

Bashkëpunimi juridik ndërkombëtar është para së gjithash një refleksion i vullnetit politik të shteteve respektive. Natyrisht, bashkëpunimi është shumë i rëndësishëm, por në këtë aspekt duhet pranuar se mundësitë e shteteve të vogla, siç jemi ne, janë të kufizuara. Andaj, mbetet që të koordinohemi me aleatët dhe miqtë tanë të përhershëm për ta adresuar këtë sfidë, mbi të gjitha si çështje humane.

Marinsat amerikanë ofrojnë siguri ndërsa anëtarët e Ekipit të Mjekësisë Ligjore të Policisë Mbretërore Kanadeze po hetojnë një vend varri në një fshat në Kosovë më 1 korrik 1999.

A është e mundur që në të ardhmen, Kosova të krijojë një sistem të fuqishëm të drejtësisë që mund të zbardhë të gjitha krimet e luftës dhe të ndihmojë në ndihmën e viktimave dhe dëshmitarëve?

Tashmë, legjislacioni është mjaft i konsoliduar, duke përfshirë edhe mundësinë e gjykimit në mungesë për kategorinë e veprave penale që lidhen me krimet e luftës. Kohëve të fundit, kemi një numër aktakuzash dhe procese gjyqësore që po zhvillohen. Natyrisht, sfidë mbetet kapja e të akuzuarve dhe vënia e tyre para drejtësisë, qoftë si të akuzuar, qoftë si të dënuar, kur ndaj tyre zhvillohet gjykimi në mungesë. Drejtësi dhe vendosje të drejtësisë do të mund të kemi vetëm atëherë kur të gjithë ata që kanë kryer krime, qoftë si urdhërdhënës, qoftë si ekzekutorë, ta marrin dënimin e merituar. Për të arritur këtë, ka shumë punë për institucionet e Kosovës. Viktimat do të marrin satisfaksion vetëm atëherë kur kriminelët të marrin dënimin e merituar.

Memorial për viktimat shqiptare në Vushtrri.

Në një kontekst ku drejtësia duket ende e largët dhe plagët e luftës mbeten të hapura, familjarët e viktimave të krimeve të luftës kërkojnë vetëm një gjë: të vërtetën dhe dënimin e atyre që shkaktuan vuajtjen e pafundme, për të mundur, pas kaq shumë vitesh, të ndiejnë edhe një shenjë lehtësimi. Kjo është kërkesa e drejtpërdrejtë e atyre që ende vuajnë nga humbja e të dashurve, që shpresojnë se drejtësia do të bëjë që e kaluara të mos mbetet e padukshme.

Drejtësia për krimet e luftës nuk është vetëm një nevojë për viktimat dhe familjet e tyre, por një themel i domosdoshëm për ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe paqësore. Ndërsa drejtësia nuk do të mund të kthejë ata që u humbën, ajo ka një fuqi shëruese për të mbledhur copëzat e shkatërruara të shoqërisë dhe për të krijuar një besim të ri mes qytetarëve dhe institucioneve. Përmes kësaj, sigurohet që krimet e së kaluarës të mos përsëriten kurrë, dhe që një shoqëri e re, e cila është e angazhuar për paqen dhe drejtësinë, të marrë jetë./UBTNews/

Gazetare: Fjolla Gashi

Lajmet

Dua Lipa bisedon me Lea Ypin për librin “Free” në podcastin Service95 Book Club

Published

on

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka publikuar episodin e plotë të podcastit Service95 Book Club, ku zhvillon një bisedë me autoren dhe akademiken shqiptare Lea Ypi për librin e saj të vlerësuar ndërkombëtarisht “Free”, i cili është përzgjedhur si leximi i muajit korrik.

Duke prezantuar librin, Dua Lipa kujtoi se Lea Ypi ishte vetëm 11 vjeçe kur ra komunizmi në Shqipëri dhe se në fëmijëri ajo e kishte parë figurën e liderëve të regjimit përmes këndvështrimit të një fëmije, me një besim të plotë ndaj sistemit të kohës.

Libri “Free” sjell historinë e një Shqipërie të izoluar politikisht, përmes kujtimeve të Ypit nga fëmijëria dhe periudha e tranzicionit pas rënies së komunizmit. Në rrëfim përfshihen edhe momente simbolike të jetës së përditshme, si historia e një kanaçeje Coca-Cola, e cila në atë kohë shihej si një simbol i rrallë i Perëndimit.

Megjithatë, vepra nuk fokusohet vetëm në kujtimet e fëmijërisë, por edhe në sfidat që solli periudha e pas-komunizmit: mbylljen e fabrikave, humbjen e vendeve të punës, ndarjet familjare dhe trazirat shoqërore të tranzicionit.

Gjatë bisedës në podcast, Dua Lipa dhe Lea Ypi trajtojnë tema si historitë familjare të pathëna, mbikëqyrja shtetërore, protestat, ndryshimet politike dhe ndikimi i sistemeve shoqërore në jetën e njerëzve.

“Free më zbuloi gjëra për një vend që e njoh dhe e dua shumë. Historia është kaq e afërt, por përvoja e jetuar ka ndryshuar kaq shumë brenda vetëm një brezi”, ka shkruar Dua Lipa.

Përzgjedhja e librit “Free” në Service95 Book Club ka rikthyer vëmendjen ndërkombëtare te një rrëfim shqiptar që përmes historisë personale ngre një pyetje universale: çfarë do të thotë në të vërtetë të jesh i lirë?/A.K/

Continue Reading

Lajmet

United Hospital sjell standardet moderne të kirurgjisë evropiane, Prof. Dr. Ymer Durmishi ofron trajtime të avancuara me metoda minimale invazive

Published

on

Prishtinë – United Hospital po vazhdon të konsolidohet si një nga qendrat spitalore më moderne në Kosovë, duke ofruar shërbime të avancuara në fushën e kirurgjisë së përgjithshme, abdominale dhe proktologjisë, në përputhje me standardet më të larta evropiane.Departamenti i Kirurgjisë së Përgjithshme dhe Abdominale në United Hospital funksionon me një ekip multidisiplinar, ku çdo ndërhyrje kryhet në bashkëpunim të ngushtë me specialistët e anesteziologjisë dhe personelin profesional, duke garantuar siguri maksimale dhe kujdes të personalizuar për secilin pacient.

Në krye të këtij departamenti është Prof. Dr. Sci. Ymer Durmishi, një kirurg me përvojë të gjerë ndërkombëtare, i cili ka ndërtuar karrierën e tij profesionale në disa prej institucioneve më prestigjioze shëndetësore në Evropë. Si Konsulent i Kirurgjisë (Chef de Clinique) në Spitalin Universitar të Gjenevës (HUG) në Zvicër, ai ka realizuar specializime në kirurgjinë abdominale, torakale, transplantim, mikrokirurgji dhe proktologji, duke sjellë në Kosovë përvojën dhe praktikat më bashkëkohore të mjekësisë zvicerane.

Një nga shërbimet që po zgjon interes të madh te pacientët është trajtimi modern i hemoroideve. Në United Hospital, pacientëve u ofrohen zgjidhje profesionale dhe definitive përmes teknikave kirurgjikale të avancuara, të cilat mundësojnë trajtim të sigurt, rikuperim më të shpejtë dhe rezultat afatgjatë.

Spitali aplikon gjithashtu metodat më të fundit minimale invazive (laparoskopike), të cilat sipas Prof. Dr. Durmishit përdoren në rreth 70 për qind të ndërhyrjeve kirurgjikale. Këto procedura realizohen përmes prerjeve shumë të vogla, duke reduktuar dhimbjet pas operacionit, shenjat kirurgjikale dhe kohën e qëndrimit në spital.

Falë kësaj teknologjie moderne, pacientët mobilizohen menjëherë pas ndërhyrjes dhe rikthehen shumë më shpejt në aktivitetet e tyre të përditshme, duke shmangur periudhat e gjata të rikuperimit.

Departamenti i Kirurgjisë së Përgjithshme dhe Abdominale në United Hospital funksionon me një ekip multidisiplinar, ku çdo ndërhyrje kryhet në bashkëpunim të ngushtë me specialistët e anesteziologjisë dhe personelin profesional, duke garantuar siguri maksimale dhe kujdes të personalizuar për secilin pacient.

Me infrastrukturë moderne, teknologji bashkëkohore dhe staf me përvojë ndërkombëtare, United Hospital synon t’u ofrojë pacientëve në Kosovë shërbime shëndetësore të nivelit evropian, duke sjellë më afër trajtimet që deri dje kërkonin udhëtim jashtë vendit.

Për informata dhe caktimin e termineve, pacientët mund të kontaktojnë United Hospital në numrat 038 60 70 70 dhe 046 60 70 70, ndërsa spitali ndodhet në M2 Prishtinë–Ferizaj, Km 7, Prishtinë./rajonipress/

Continue Reading

Lajmet

Përfundon në Mitrovicë murali kushtuar Statujës së Lirisë për 250-vjetorin e pavarësisë së SHBA-së

Published

on

Përfaqësues të Seksionit për Diplomaci Publike të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë morën pjesë në përurimin e muralit artistik kushtuar Statujës së Lirisë në Mitrovicën e Jugut, në kuadër të shënimit të #Freedom250, që përkujton 250-vjetorin e pavarësisë së SHBA-së.

Murali u realizua në bashkëpunim me organizatën Futja Ngjyrë, e njohur për projektet e saj të artit urban në hapësirat publike.

Sipas Ambasadës Amerikane, projekti synon të promovojë vlerat e lirisë, kreativitetit dhe bashkëpunimit me komunitetin lokal, duke shënuar njëkohësisht jubileun historik të 250-vjetorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Murali tashmë i është shtuar hapësirës publike në Mitrovicën e Jugut, si simbol i miqësisë dhe vlerave të përbashkëta mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet një person në Mitrovicë, dyshohet për sulm ndaj një të mituri

Published

on

Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Mitrovicën e Jugut, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Sulm”.

Sipas njoftimit të Policisë, hetuesit e Stacionit Policor Jugu në Mitrovicë, pas zhvillimit të veprimeve intensive hetimore, kanë arritur ta identifikojnë dhe arrestojnë të dyshuarin.

Arrestimi është bërë pasi në rrjetet sociale u publikua një video-incizim, në të cilin i dyshuari shihet duke sulmuar një viktimë të moshës së mitur.

Pas intervistimit dhe përfundimit të procedurave policore, me aktvendim të prokurorit të shtetit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Policia ka bërë të ditur se hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara