Lajmet

Shumë ngadalë: Për tri javë vetëm 12 mijë vaksinime

Published

on

Afërsisht janë bërë 3 javë prej kur ka nisur vaksinimi kundër COVID-19 në Kosovë, e me 24 mijë doza të vaksinës AstraZeneca që kanë qenë në dispozicion, deri më tani janë vaksinuar vetëm 12 mijë persona. Përkundër që Ministria e Shëndetësisë po vlerëson që ky proces po shkon jashtëzakonisht mirë, ka të tjerë që ndajnë mendim tjetër, madje konsiderojnë që procesi i vaksinimit anti-COVID në Kosovë po shkon ngadalë.

Në një përgjigje për KosovaPress nga Ministria e Shëndetësisë kanë deklaruar se vaksinimi po shkon sipas Planit Shtetëror për Vaksinim. Sipas tyre nuk ka nevojë për nguti.

“Procesi i vaksinimit po shkon krejtësisht sipas Planit Shtetëror të Vaksinimit dhe jashtëzakonisht mirë. Ata që e konsiderojnë të ngadalshëm janë krejt në periferi të ngjarjes dhe sigurisht nuk janë të familjarizuar në detaje me planin e vaksinimit dhe komentojnë sikur Kosova t’i kishte në dispozicion 240 mijë doza, e jo 24 mijë sa i ka. Nuk ka asnjë nguti që procesi të shkojë keq, përderisa administrimi i dozave po bëhet në bashkëpunim me këto grupe. Mbi 12 mijë persona janë vaksinuar, ndërsa brenda pak ditësh kryhet kjo fazë sepse nga nesër nis vaksinimi i personave 75-79 vjeç me sëmundje kronike që janë grupacion më i madh, se ato që janë vaksinuar deri tani”, thuhet në një përgjigjet e Ministrisë së Shëndetësisë.

Vetëm në qendrën kryesore të vaksinimit në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, prej 30 marsit kur nisi vaksinimi i profesionistëve shëndetësorë e më pas edhe i personave mbi moshën 80-vjeç e tani kur po ndodh edhe vaksinimi i pacientëve me dializë, në total janë vaksinuar mbi 4 mijë persona.

Kështu ka njoftuar koordinatori i kësaj qendre, Niman Bardhi, i cili tha se plani ka qenë që shpërndarja e dozave të vaksinës anti-COVID në këtë qendër të përfundojë për rreth 1 javë.

Sipas tij, kjo qendër ka kapacitet për të vaksinuar deri në 1 mijë persona në ditë pasi thotë se aktualisht ekipet mjekësore po presin për të vaksinuar kategoritë që janë thirrur për vaksinim.

“Në total në qendrën “1 Tetori” ka kaluar 4 mijë persona të vaksinuar pavarësisht profileve dhe profesioneve që kanë pasur ata. Plani i punës ka qenë shumë dinamik dhe duke marrë parasysh, siç po e shihni këtë hapësirë që ne e kemi në dispozicion, ne kemi qenë të përgatitur gjithmonë për fluksin e njerëzve nga 750 deri në 1 mijë persona në ditë dhe aq ekipe i kemi pasur të gatshme, edhe sikur ta kishim atë fluks brenda një orari zyrtar nga ora 08:00 e deri në 19:30 padyshim që do e përballonim shumë suksesshëm. Sa i përket pjesës së qendrës ku po flasim, ka qenë e paraparë që shumë shpejt të përmbyllet si proces, brenda 5 ose 6 ditësh, por ja që nuk na ndodhi ashtu pa fajin tonë sepse e keni parë që çdo ditë kemi qenë këtu sepse ekipet mjekësore kanë qëndruar duke pritur këtu se kush do vijë të vaksinohet dhe po shohim dhe po shpresojmë që ndoshta vetëdijesohemi dhe ndoshta e përmbyllim sa më shpejt procesin e vaksinimit”, theksoi Bardhi.

Të gjithë procesin e vaksinimit kundër koronavirusit, i cili tash e gati 3 javë ka nisur në Kosovë po e konsideron të ngadalshëm, Besim Kodra nga Shoqata e Pacientëve. Ai thotë se përgatitjet e ekipeve mjekësore nuk kanë munguar.

“E kemi përcjellë procesin e vaksinimit dhe kemi vaksina pak, mirëpo vaksinimi është duke shkuar tepër ngadalë, që rrjedhimisht edhe po të kishim më tepër vaksina me këtë trend nuk do të mund të vaksinonim më shumë qytetarë. Ka një mobilizim mjaft të madh të ekipeve për vaksinim, nuk e di pse ka një trend kaq të ngadalshëm, por ato arsye duhet të dalin në pah dhe të zgjidhen”, theksoi Kodra.

Edhe për specialisten për hulumtime të politikave globale shëndetësore, Hana Xhemajli, procesi i vaksinimit është pak i ngadalshëm. Ajo këtë e arsyeton me faktin se prioritet në këtë fazën e parë të vaksinimit kanë pasur profesionistët shëndetësorë, dhe bartja e tyre ka kaluar me disa ngecje.

Xhemajli thotë se duhet të nisë sa më parë një fushatë vetëdijësuese për vaksinimin, madje kërkon mobilizim më të madh me ardhjen e kontingjenteve të tjera të vaksinave.

“Procesi po shkon pak më ngadalë sesa që është planifikuar, mirëpo për shkak se raundi i parë i vaksinimit është tek stafi mjekësor ardhja e tyre dhe bartja e tyre në sallën ‘1 Tetori’, ka pasur disa ngecje, por në përgjithësi janë duke u vaksinuar njerëzit edhe nëse duhen edhe një javë më shumë se sa që është planifikuar, unë besoj që është në rregull. Apeloj tek të gjithë njerëzit që të vaksinohen sepse rreziku është tejet minimal krahas me benefitet që vijnë nga vaksinimi. Sa më shumë vaksina që vijnë aq më shumë duhet me pas grupe, si mobile, si nëpër lokacione të ndryshme, që duhet të merren me vaksinim besoj që këtë gjë e kanë marrë parasysh sepse me ardhjen e kontingjentit të ri duhet të vaksinohen edhe gjeneratat e tjera të popullsisë”, theksoi ajo.

Kurse Shemsedin Dreshaj, anëtar i Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, thotë se nëse vazhdohet me këtë ritëm të vaksinimit, problem do të jetë shpërndarja e vaksinës kur do të kemi doza të mëdha.

“Ka shumë çka për të dëshiruar aty pasi që vërtet na është prolonguar procesi i vaksinimit. Jemi duke punuar me doza të vogla të vaksinimit, kur të na vijnë ato 100 mijë doza si do të veprojmë? Nëse do të vazhdojmë me një tepmo të tillë të shpërndarjes dhe marrjes së vaksinës vërtetë do kemi probleme në distribuimin e saj. Mendoj që Kosova ka kapacitete të rrisë kapacitetin e vaksinimit në vend dhe që të jemi më efikas në mbrojtje të qytetarëve. Është e hartuar strategjia lidhur me numrin e ekipeve të cilat do të punojnë në terren qoftë në nivel të kryeqytetit apo në nivel të shtetëror, ka shumëçka që mund të përshpejtohet aty ne procesin e marrjes së vaksinës”, tha Dreshaj.

Më 28 mars Kosova i ka pranuar 24 mijë dozat e para të vaksinës kundër COVID-19. Këto doza të vaksinës AstraZenenca u dhuruan si donacion për qytetarët e Kosovës nga COVAX-i. E ata që kishin prioritet për t’u vaksinuar ishin profesionistët shëndetësorë, më pas qytetarët mbi moshën 80-vjeç dhe ata me sëmundje kronike. I pari që e mori dozën e vaksinës AstraZenenca ishte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. 

Lajmet

Shoqëria civile e akademikët i kërkojnë Avokatit të Popullit dërgimin e Ligjit për Gjykatën Speciale në Kushtetuese

Published

on

By

Një grup prej 24 përfaqësuesish nga shoqëria civile, komuniteti akademik dhe organizata për të drejtat e njeriut i janë drejtuar me kërkesë zyrtare Avokatit të Popullit, Naim Qelaj, që ta referojë në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Kërkesa në emër të grupit është dërguar nga Ramadan Ilazi, udhëheqës i hulumtimeve në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS). Përmes këtij dokumenti kërkohet të sqarohet nëse mandati i Dhomave të Specializuara në Hagë është zgjeruar përtej autorizimit që garanton neni 162 i Kushtetutës së Kosovës.

Në kërkesë theksohet se Kushtetuta ka lejuar themelimin e një mekanizmi të specializuar vetëm për të përmbushur obligimet lidhur me Raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2011, e jo për krijimin e një juridiksioni të përgjithshëm penal mbi strukturën, historinë apo veprimtarinë e UÇK-së. Nënshkruesit kërkojnë nga Avokati i Popullit të sqarojë nëse lidhja me këtë raport duhet të dëshmohet për krime dhe persona konkretë, si dhe nëse shtrirja e juridiksionit të Speciales po cenon parimet e sigurisë juridike dhe proporcionalitetit.

Grupi i ekspertëve sqaron se kjo nismë nuk synon shqyrtimin e provave apo përcaktimin e fajësisë individuale në rastet aktuale, por ka të bëjë me mbrojtjen e sovranitetit kushtetues të vendit. Ndër 24 nënshkruesit e kërkesës janë figura të njohura si Prof. Dr. Enver Hasani, Lulzim Peci, Ismet Kryeziu, Nevenka Tromp, Visar Ymeri, Naim Rashiti, Leonora Kryeziu, Robert Muharremi, Fisnik Korenica e të tjerë.

Continue Reading

Lajmet

Mali i Zi bllokon afërsisht 103 tonë mish viçi të destinuar për Kosovën

Published

on

By

Autoritetet e Malit të Zi kanë bllokuar një tjetër ngarkesë me mish të skaduar viçi në Portin e Tivarit, e cila kishte destinacion tregun e Kosovës dhe kompaninë “Apetiti SH.P.K.”. Me këtë rast të fundit, sasia e përgjithshme e mishit të ndaluar brenda vetëm 10 ditëve ka arritur në 102,491 kilogramë, apo gati 103 tonë.
Sipas njoftimit zyrtar nga Drejtoria e Doganave të Malit të Zi, në kontejnerin e ndaluar të enjten u gjetën 1,321 paketime me mish viçi të ngrirë, me peshë bruto prej 24,650 kilogramësh. Gjatë kontrollit u konstatua se afati i përdorimit të këtij mishi kishte skaduar më 14 maj 2026.
Kjo pasoi rastin e 15 shtatorit, kur autoritetet malazeze ndërprenë tranzitin për tre kontejnerë të tjerë me mbi 77.8 tonë mish viçi. Në atë rast u zbulua një skemë manipulimi ku deklaratat origjinale me afat të skaduar ishin hequr dhe ishin zëvendësuar me etiketa të falsifikuara për të fshehur datën e skadencës.
Dogana malazeze bëri të ditur se parregullsi me të njëjtën kompani kosovare janë evidentuar edhe në Portin e Durrësit pas shkëmbimit të informacioneve me administratat doganore të rajonit. Për këtë mënyrë të tentimit për shpërndarjen e mishit të skaduar është alarmuar edhe Organizata Botërore e Doganave.
Mishi i bllokuar nga rasti i parë pritet të asgjësohet sapo të përfundojnë formalitetet ligjore.

/E.A/

Continue Reading

Lajmet

SHBA rikonfirmon mbështetjen për Prokurorinë Speciale të Kosovës

Published

on

By

Ngarkuara me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati, është takuar me Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, për të diskutuar thellimin e bashkëpunimit dypalësh.

Sipas njoftimit të ambasadës, fokus i takimit ishte partneriteti në luftën kundër terrorizmit, kontrabandës së drogës e migrantëve, krimit kibernetik dhe organizatave kriminale transnacionale.

“Ngarkuara me Punë Anu Prattipati u takua me Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK), Blerim Isufaj, për të diskutuar vazhdimin e bashkëpunimit tonë të suksesshëm me PSRK-në, në luftën kundër kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare të SHBA-së, si terrorizmi, kontrabanda e drogës dhe e migrantëve, krimet kibernetike dhe organizatat kriminale transnacionale”, thuhet në deklaratën e Ambasadës së SHBA-së.

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 25 shtator 1993-1998

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 

25 shtator 1993

 

Të gjithë zejtarët në Skënderaj u morën në pyetje

 

Dje e pardje të gjithë zejtarët dhe pronarët e dyqaneve private (rreth 30 sish) u ftuan në stacionin e policisë në Skënderaj. Ata u pyetën kryesisht rreth një eksplodimi të një mjeti të fuqishëm në anën e poshtme të rrugës së asfaltit, përballë stacionit policor të mërkurën, rreth orës 22. Policisë serbe i interesonte kryesisht të dinte se ku kanë qenë ata atë natë që ndodhi eksplodimi, a e kishin dëgjuar, kush ishte gajtë ditës në dyqanet e tyre, ishin klientë të zakonshëm apo të pazakonshëm, çka flisnin e shumë pyetje të tjera. Disa sish, sidomos pronarët e çajtoreve pyeteshin se a qëndrojnë shpesh këtu ish-punëtorët dhe policët shqiptarë e disa se çka po flitet rreth djegies së dyqaneve të këtushme zejtare para një jave e shumë pyetje të tjera. Siç duket, ky eksplodim i parmbrëmshëm në Skënderaj, i cili për fat nuk shkaktoi as dëme materiale as viktima në njerëz, do të përdoret për disa ditë me radhë si pretekst për marrjen në pyetje e ndoshta edhe të ndonjë bastisjeje e maltretimi të shqiptarëve të këtushëm.

 

 

 

25 shtator 1995

 

 

Dhuna e përditshme në Kosovë

 

Istog: – Më 23 shtator, policia ushtarake e mori dhe e dërgoi për në Nish Ukë Qerim Haziraj (1973), i cili kishte dezertuar nga armata serbe.

Më 21 shtator, policia e Rakoshit bastisi shtëpinë e Bashkim Januz Nimanajt nga Shushica. Gjatë bastisjes atij i gjetën një pushkë. Bashkimi po mbahet në burgun e Pejës.

Më 25 shtator, në stacionin e milicisë në Vrellë, me pretekst të armës, është marrë në pyetje Muhamet Vuthi nga Vrella.

Më 25 shtator, në orën 10, në sigurimin serb në Istog është ftuar në “bisedë informative” Bajram Binakaj nga Banja i cili është kthyer para 3 javësh nga Gjermania.

Suharekë: – Më 23 shtator, duke ardhur nga Prishtina për në Suharekë, Rrahim Krasniqi (1950) nga Samadraxha e Suharekës u ndal

nga policia në Shtimje.

Policia Rrahim Krasniqit ia mori një hartë të Perandorisë Osmane në gjuhën shqipe, të cilën ia sillte si dhuratë shkollës fillore “Flamuri i Arbërit” të fshatit Reshtan.

 

 

25 shtator 1997

 

Robin Kuk: Në Kosovë gjendja vetëm për disa javë mund të keqësohet

 

Pas fjalës në Kombet e Bashkuara, sekretari i Jashtëm britanik, Robin Kuk mbajti një konferncë për shtyp, me ç’rast u përgjigj në shumë pyetje lidhur me qëndrimet britanike rreth çështjeve globale dhe bilaterale në shumë rajone të botës.

Në pyetjen e “Rilindjes” lidhur me qëndrimin britanik rreth situatës në Kosovë, z. Kuk tha se gjendja në Kosovë është shumë shqetsuese. Ai shtroi nevojën e një angazhimi shtendosës për të parandaluar keqësimin e saj që do të përfshinte gjithë rajonin.

“Britania e Madhe bën përpjekje për të shtendosur situatën shumë shqetësuese në Kosovë. Ne jemi të vetdijshëm dhe përcjellim vazhdimisht situatën në Kosovë, ku ekzistojnë parakushtet dhe mundet që gjendja të keqësohet vetëm për disa javë”, deklaroi Robin Kuk.

Ndërkaq, lidhur me statusin e Kosovës ky diplomat britanik tha

se sipas tij “është e rëndësishme që të mbretërojë paqja dhe Beogradi të respektojë autonominë e një popullli, një identitet kulturor për popullin e Kosovës”.

 

 

25 shtator 1998

 

Sabri Hamiti i shpëtoi një atentati me plagë të rënda

 

Mbrëmë (24 shtator) në orën 21:20 një ose dy persona të panjohur kryen një atentat kundër shkrimtarit, studiuesit të letërsisë dhe personalitetit të shquar të jetës publike shqiptare, dr. Sabri Hamitit.

Derisa po ngjitej shkallëve për në banesën e vet në lagjen “Dardania”, në Sabri Hamitin shtiu me revole një person i panjohur, i cili mbante në kokë një kapelë “leninkë”. Një plumb e qëlloi në gjoks, pak mbi zemër, ndërsa tjetri në pjesën e epërme të dorës së majtë. Të dy plumbat i kanë mbetur në trup. Plumbi mbi zemër ia ka dëmtuar mushkërinë, ndërsa plumbi tjetër ia ka thyer në dy vende pjesën e epërme të dorës.

Me plagë të rënda, Sabri Hamiti është dërguar në shok dhomë në spital në Prishtinë.

Atentati kundër Sabri Hamitit është një akt kriminal i qarqeve më antishqiptare dhe i dorës së zezë në shërbim të pushtuesit serb.

Sabri Hamiti është profesor i letërsisë në Universitetin e Prishtinës, sekretar i PEN-Qendrës Shqiptare në Prishtinë, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.

 

 

Qyqavicë: Një granatë shpërtheu mbi traktorin e familjes 9 anëtarëshe – Një vajzë vdiq, 8 të tjerët u dërguan në spital

 

Dje në Malet e Qyqavicës, një granatë e forcave serbe shpërtheu mbi traktorin e familjes 9 anëtarëshe të Isak Klinakut nga fshati Bivolak i komunës së Vushtrrisë. Vajza 12 vjeçare e kësaj familjeje, Fitorja, vdiq nga plagët, kurse të plagosurit tjerë u dërguan për shërim në spital.

Komisioni për Informim i Degës së LSDK-së në Vushtrri bën të ditur se familja Klinaku u qëllua në traktor, derisa po largohej nga zona që po granatohej nga forcat serbe. Në vendin ku ra granata gjendeshin edhe rreth 200 traktorë të tjerë me gra, fëmijë e pleq, që po largoheshin për t’i shpëtuar ofensivës serbe.

Në malet e Çyçavicës, në hapësirën e fshatit Reznik të komunës së Vushtrrisë, gjenden rreth 40 mijë banorë të fshatrave që u sulmuan nga forcat ushtarake e policore serbe dhe të strehuar nga zonat tjera që ishin sulmuar më parë. Ata gjenden pa kurrfarë strehe mbi kokë, pa ushqim, pa shërbime mjekësore e pa ilaçe. Ndër ta ka edhe të plagosur, të lënduar e të sëmurë.

 

 

Shtatë të vrarë e 70 të arrestuar në Vërbofc të Gllogocit

 

Së paku shtatë shqiptarë janë vrarë nga forcat serbe gjatë sulmit në fshatin Vërbofc të Gllogocit më 22 shtator. Kryetari i Nëndegës së LDK-së në këtë fshat, Rrahim Kastrati, i tha QIK-ut se në mesin e të vrarëve është edhe një plakë 81 vjeçe, me emrin Bahtie Gashi. Ai tha se janë marrë edhe kufomat e tre shqiptarëve të masakruar, të prerë në fyt, kurse trupat e tre të tjerëve gjenden para xhamisë së Vërbofcit. Policia po qëndron ende në këtë fshat, prandaj nuk mund të mirren as të identifikohen tri kufomat.

Në këtë fshat janë arrestuar edhe 70 shqiptarë, ndërsa mbi 100 shtëpi, nga 160 sa ka fshati, janë rrënuar e djegur.

  1. Kastrati tha se, pas sulmit serb në fshat, janë arrestuar: Ramadan Kastrati-Vërbovc, Fehmi Kastrati, Vërbovc, Bekim Kastrati, Milaim Kastrati, Agron Kastrati, Isa Kastrati, Avni Prokshi, Riza Prokshi, Ismet Prokshi, Përparim Prokshi, Mursel Prokshi, Ferat Prokshi, Fitim Prokshi, Agron Prokshi, Shpëtim Prokshi, fëmijë, Bekim Prokshi, fëmijë, Fatmbardh Daka, mysafir i Cerrovikut, Faruk Daka, Cerrovik, Haki Prokshi, Vërboc, Behlul Prokshi, Vërboc, Abedin Gllareva, Vërboc, Isuf Gllareva, Vërboc, Ruzhdi Gllareva, Vërboc, Zymer Gashi, Njazi Gashi, Kujtim Gashi, Vehbi Gashi, Mentor Dobra, Arben Dobra, Enver Dobra, Abedin Gashi, Faton Dobra, Xhevat Dobra, Milaim Bajraktari, mysafir i Klinës komuna e Skënderajt, Enver Gashi, Albert Dobra, Arben Gashi, Çlirim Gashi, Milaim Gashi, Armend Gashi, Sabri Dobra, Ylber Deliu, nga Rezalla, mysafir, Vesel Aliu, mysafir i Likocit, Rexhep Fiku, Vërboc, Qerim Fiku, Vërboc, Bajram Rukolli, i Rezallës, Rexhep Zabeli, i Rezallës, mysafir, Feriz Gashi, Vërboc, Istref Sabrija, Vërboc, Arsim Prokshi, Vërboc, Tafë Rukiqi me të shoqen Halimen, Verboc, Ylber Rukiqi, fëmijë, Avni Rukiqi, fëmijë, Safet Rukiqi, fëmijë, Liridon Rukiqi, fëmijë, Januz Rukiqi, Rekë Aliu, i Likocit, Shaban Zyhrani, nga Llausha, Bedri Hamiti, Likoc, Enver Bylykbashi, Tërstenik, Fatos Bylykbashi, Tërstenik, Abedin Bylkbashi, Tërstenik, mysafirë tek ne dhe Ymer Hajdaraj nga Obria nga komuna e Gllogocit.

 

 

Continue Reading

Të kërkuara